Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prof. Asoc. Dr. Viola Isufaj: Fluturim kah “maja ma e naltë”

Prof. Asoc. Dr. Viola Isufaj: Fluturim kah “maja ma e naltë”

Camaj është njeriu i mençur, i cili, në radhë të parë, ndjek atë që përvoja dhe tradita e lashtë kanë treguar se është rruga e duhur.

Njeriu dhe toka; njeriu dhe armiku; njeriu dhe lufta; njeriu dhe krijimi; njeriu dhe natyra; njeriu dhe rilindja; njeriu dhe dituria; njeriu dhe fati, njeriu dhe gjarpri, drita dhe errësira, krijimi dhe rikrijimi, imazhet dhe sekuencat baritore, imazhet e botës së punës, (dhe imazhet urbane që sugjerojnë një natyrë të transformuar njerëzore)-i kanë qendrat e gravitetit tek Testamenti i Ri dhe i Vjetër dhe, së bashku me: ligjin, mençurinë, profecinë, metaforën e mjegullës, këshillën e kujdesshme, proverbin, parabolën, rënien e njeriut, mëkatin seksual, dashurinë (përkundrejt urrejtjes)na përcjellin një ndjesi të së shenjtës,-që frymon në tërë krijimtarinë poetike të Camajt, përmes një gjuhe plot simbole e shenja të tjera, të cilat synojnë të shkojnë sa më pranë ndriçimit të së vërtetës.

Zani i të urtit. Transformimi i kaosit

Thuhet se Camaj dinte të dëgjonte (mendohej shumë, qëndronte më tepër në heshtje) dhe të fliste për mrekulli; fjalët e tij ishin përplot bërthamë dhe me një tigëllim plot melodi. Tregohet se ai nuk ishte fjalëshumë por fjala e tij ishte gjithonë e gjetur, e duhur, me peshë të rëndë dhe origjinale si në bashkëbisedim ashtu edhe në poezi.

Për botën nga vij unë, zani ishte gjithçka, sinonim me përjetësinë, kujtesën, me kangën-shkruan në hyrje të Palimsest dhe më pas flet për papajtimin e zanit me shenjat apo çka janë shkronjat e nji libri të lashtë që në të vërtetë e përjetësojnë zanin e shuem para sa e sa shekujsh.

Konstatimi mbresëlënës që na mbetet në mendje se poezitë e Camajt kanë qetësinë e psalmeve të Buzukut ose kthjellësinë teologjike të Bogdanit, na thërret që t’i kushtojmë vëmendje të veçantë.

Duket se Martin Camaj është shkrimtari më tipik në historinë e letrave shqipe me kaq shumë marrëdhënie konstrastuese shumëdimensionale midis dritës dhe errësirës, diellit dhe territ, ditës dhe natës, të bardhës dhe të zezës.

Krijimi, na thuhet, ka imponuar dritën dhe rendin në një errësirë kaotike, një thellësi e simbolizuar nga deti i vdekjes. Megjithatë, aktet e krijimit përfshijnë ndarjen e tokës nga deti dhe alternimin e dritës dhe errësirës me krijimin e diellit dhe hënës. Pra, kaosi dhe errësira mund të mendohen në dy mënyra. Ata mund të mendohen si armiq të Perëndisë jashtë krijimit të tij; por ato janë të përfshira e të bashkuara në mënyrë dialektike në krijim, dhe janë edhe krijime të Perëndisë, po ashtu[1].

Çiftë të tjera binare si: ngrohtësia dhe ftohtësia, e lashta dhe e reja, lindja dhe sosja, por edhe besëlidhja mes jetës dhe vdekjes burojnë  nga kontrastet mes territ dhe dritës, hijes dhe diellit.

Por ka një zbulesë në veprën e Camajt, që ndodh së brendshmi brenda kaosit tonë, mikrokozmosit që e kemi brenda qenies sonë, një zbulesë që ndodh falë ndërkëmbimit të mistereve të errësirës dhe dritës:

Edhepse vetëdija gjithnjë në mue mjegullohej, shihej qartë çdo send, si të ishte mbështjellë gjithçkaja mbrenda një indi rrezesh. (Dranja,Parandjenjë largimi)

Kur kthehemi te fuqia krijuese njerëzore, shohim se ka një cilësi në të, cilësi që mund të quhet më mirë rikrijim, një transformim i kaosit brenda përvojës sonë të zakonshme të natyrës.

Për këtë na flet fjala e Camajt si një lajtmotiv në hapje të vëllimit të tij poetik Njeriu më vete e me tjerë: njeriu ndalet në një shenjë vendi në kohë, harron punën e përditshme dhe rrëmon në vete për të gjetur fillin e humbur të kujtimeve e të ndjesive të tij.

….

Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti

qyteti në terr deri n’agim.

Amvisat kërkuen llampat vojguri

e s’i gjetën në terr.

Në nadje ra dielli e zbeu

faqet e rrokaqiellëve.

Në nadje vrejta rrethin e andrrave

në truell

e gjeta fillin e tretun

në pikën e ndaljes së dritës.

(Fill i gjetun)

Ngjan kështu që mbas secilit varg të fshihet një grime ngashërimi, që, kur autori ua përcjell të tjerëve shndërrohet në gëzim.

Ashtu si shën Agustini, i cili e gjykonte të domosdoshëm detyrimin për ta pastruar jetën përmes zakoneve të mira, sepse shpirti i shkarkuar nga pasionet degraduese do të ngrihej drejt të vërtetave të përjetshme dhe do të sodiste me një inteligjencë të pastër substancën jo trupore dhe dritën e pandryshueshme, ashtu Camaj, do të përkapë e do të qëndrojë të hulumtojë në thellësi sesi në këtë dritë të pazhbëshme jetojnë shkaqe të panumërta të të gjitha natyrave të krijuara.

Një vizion i ri i përmasave të jetës njerëzore

Në veprën e të “urtit” shfaqet një vizion i ri i përmasave të jetës njerëzore. Ai e shkëput veten nga një komunitet dhe e lidh me një tjetër.

Shí në mes të shqetësimit për qytetin milionësh, Camaj projekton qenësinë identitare aq natyrshëm, ashtu siç projekton njëkohësisht ndryshimin midis qiellit dhe tokës -por edhe harmoninë mes të dyjave.

Kur flet për mjedisin e ri, krejt të ri, atë perëndimor si dhe marrëdhënien me tjerë, ai e përthyen vendlindjen përmes gjuhës lakonike dhe eliptike që përdor, dritëhijeve aq tipike dhe përmasës së një malli virgjin, të patretshëm dhe sidomos përmes frymës së përjetshme së gjallimit të malësorit shqiptar në të gjitha trajtat e qenësisë së tij. 

Imazhet natyrore

Në fazën e parë të krijimtarisë camajane, në mënyrë të veçantë, ne hasim për së pari imazhet e botës së punës, imazhet baritore, bujqësore, dhe, pakëz më vonë, imazhet urbane që sugjerojnë një natyrë të transformuar.

Ne kundrojmë dhe shijojmë në veprën e Camajt këtë botë baritore me melodi, ngjyra dhe forma serene.

Struktura e imazheve të Camajt përmban, ndër të tjera, imazhet e deleve dhe kullotave, imazhet e të korrave dhe cilësisë së mirë, imazhet e qyteteve dhe tempujve, të malit e të vërrinit, të gjitha të përfshira aty dhe të mbushura e të gjallëruara nga imazhet e lisave, aheve dhe ujit- që sugjerojnë të gjitha bashkë një mënyrë më të lartë jetese.

Imazhet natyrore janë një tipar kryesisht poetik i Biblës, dhe mund të shohim diçka të përbashkët nga struktura e përgjithshme në themel të tyre. Ekzistojnë dy nivele të natyrës: ajo më e ulët, e shprehur në marrëveshjen e Perëndisë me Noen, që nënkupton një natyrë që dominohet dhe shfrytëzohet nga njeriu; dhe ajo më e lartë, e shprehur në një marrëveshje më të hershme me Adamin në Parajsë, ajo është natyra të cilës njeriu në thelb i përket, dhe historia e Edenit parasheh shëlbimin që e kthen atë në këtë nivel të sipërm[2].

Shprehja qendrore e energjisë njerëzore është vepra krijuese që transformon mjedisin natyror amorf në botën pastorale, të kultivuar, të civilizuar të formës njerëzore dhe kuptimit njerëzor.

Imazhet baritore –derdhur me një sharm të mahnitshëm poetik nga Camaj -janë jo thjesht ato çfarë ruan poeti nga vendlindja, por janë mbi shumëçka, qetësia e tij e humbur, supozimi i  një sinqeriteti të largët. Si të tilla, ato i kundërvihen gjendjes së tanishme të autorit.

Bëhet fjalë për vise të egra por që shpalosen butësisht, me ngjyra të qeta, të harmonishme, të bukura për mrekulli. Është një kohë pothuajse e lumtur.

Ligji, mençuria, profecia:- Tek Camaj dalin disa aspekte të Ligjit: detyrimet tona ndaj shoqërisë dhe vëzhgimi njerëzor i proceseve të përsëritura në natyrë (si dhe përlindja, përtëritja).

Bota që paraqitet në veprën e tij dhe që duket si realitet i jashtëm fizik, është bota e tij e brendshme e cila funksionon ngjashëm me botën e amshuar, me një rregull të përjetshëm, të caktuar që nga kohët që s’mbahen mend, ku fenomenet janë ciklike dhe koha është kozmike. Moraliteti i kësaj bote është i pacënuar dhe i pacënueshëm.

Camaj i shikon ligjet  morale dhe natyrore si të kontrolluara nga i njëjti vullnet hyjnor dhe kështu vë shenjën e barazimit mes rendit moral dhe rendit natyror.

Kur të vdes, le të bahem bar /Në malet e mia në pranverë /Në vjeshtë do të bahem farë. 

Kur të vdes, le të bahem ujë /E fryma eme avull /Në fushë do të bie shi. 

Shí nw kwtw lidhje lidhje midis ligjit të njeriut dhe ligjeve të natyrës, Njeriu Camaj identifikon e njëson edhe rendin moral dhe natyror, në mënyrën e vet.

Bari dhe fara më vete po edhe të ndërlidhura mund të kundrohen dhe formatohen në një kuptim të ngushtë edhe si dy simbole përfaqësimi jetëdhënëse, të jetës që e vijon ekzistencën e vet edhe në kushtet e privimit dhe të ndalimit të shanseve të gjallimit natyral…[3]

Ligji do të ketë një kuptim të ngarkuar me idenë e përplasjes mes privimit dhe rravgimit për liri, tek Një zog lëngon. Ndëshkimi do t’i sjellë lirinë e ëndërruar shpendit që guxoi të prekte kufijtë e ndaluar. Duke shtrirë krahët e duke vdekur mbi bar, ai do të njohë në ëndërrime lirinë e vërtetë, të pamatë, e cila është një utopi, pra e pambërritshme. Mbërritja e saj vetëm në lëngim e sipër (pra, në jermin e vdekjes, atëherë kur shpirti është më në fund, i lirë) do të na ndërmendë “mbërritjen” e bukurisë në tregimin Floçka të Anton Pashkut.

Çdo zog shtrin krahët e vdes mbi bar,

ndëshkim pse preku kufijtë e ndaluem

mes qiellit e dheut.

Nji zog lëngon për vdekje mbi bar:

gjethet ndër lisa janë zogj e shokë

të pambërrishëm

e losin me dritë e diell

larg dy gur mullinjsh që bien

si mbas ligjit njeni mbi tjetrin

pa  za.

Koncepti i mençurisë, siç e shohim qartë në disa nga psalmet, fillon me individualizimin e ligjit, duke lejuar që ligji, në aspektin e tij njerëzor dhe moral, të përshkojë dhe informojë gjithë jetën personale të njeriut. Ligji është i përgjithshëm: mençuria fillon në interpretimin dhe komentimin e ligjit, dhe duke e zbatuar atë në situata specifike dhe të ndryshueshme.

Një mençuri e tillë në veprën e Camajt cilësohet nga ajo që Fraye thotë se mund të quhet ankthi i vazhdimësisë. Shkon me autoritetin e të lartëve (e më të vjetërve), përvoja më e gjatë e të cilëve në mënyrat e provuara dhe të sprovuara të veprimit i bën ata më të mençur se të rinjtë.[4]

Homeri i përngeshëm u kull kujtueshëm e tha:Uliksi e Itaka pa grue, dy krena binjokë dhie/me një bri të thyem, punë e pakryeme.

Momenti i tanishëm i njeriut të mençur është momenti në të cilin e kaluara dhe e ardhmja janë të balancuara, pasiguritë e së ardhmes minimizohen nga respektimi i ligjit që vjen nga e kaluara. Elementi i dytë në mençuri është i pandashëm nga i pari. Ndjenja e vazhdimësisë ose këmbëngulja për udhën e duhur lidhet kryesisht me të kaluarën: mençuria që ballafaqohet me të ardhmen është maturi (Proverbat 8: 12), -një ndjekje pragmatike e rrjedhave që mbajnë stabilitetin dhe balancën nga njw ditw në tjetrën.[5]

Pamja e përjetshme e mençurisë dhe madhështisë së thjeshtë, të lindur,  del tek poezia Dy brezni ku babai përthyhet në figurën e pemës qindravjeçare: dru ullini pa fletë.

Im atë ishte

burrë me pamje të trishtë,

dru ullini pa fletë

me kokrra të zeza në çdo degë.

ndërsa pamja e autoritetit të përjetshëm përvijohet përmes krahasimeve të fuqishme me fenomene të hershme e të përjetshme të natyrës që shtjellojnë “fjalën” e babait (jehona, shungullima, e ujkut t’unshëm) dhe behjen e vëllait si prej legjende (kambëzdathë-si qeniet prehistorike, murla i kuq n’orizont-fenomen i furishëm, i gjithhershëm natyror):

Fjala i jehonte ndër ne

shungullueshëm

as me qenë ulurimë ujku t’unshëm

ndër karma, vetëm.[6]

Vijmë kështu tek koncepti i urtësisë. Urtësia, siç është theksuar, nuk është njohuri: njohuria ka të bëjë me të veçantën dhe aktualen, dhe mençuria ka më tepër një kuptim të potenciales, mënyrës për t’u marrë me llojin e gjërave që mund të ndodhin.

Dielli herët depërtoi ndër dej!

Si mbas nji cipe të hollë mendimi

e ndriti rrugën tonë nga lindja

e këndej.

Erdhi koha e zgjimit!

Nji rreze e vetme përpara

mbi mur

ndriti dhena t’panjehuna përmbas,

mungullim bimësie e filiza shum

me krena gacash përmaje: rreziqe!

(Rilindje)

Diku në prozën poetike Gjarpijtë, ai duke projektuar pikërisht potencialen, llojin e gjërave që mund të ndodhin, do të thotë:

Edhe i urti rrëmbehet ndjesish apo nga frika? Ai ul kryet e thotë: e di se nuk jam vetëm, parandjenje, shpirti i lezëm si frika! Edhe kur lumi të ngrihet akull nën kambë, na do të qëndrojmë aty te zanafilla. Zemra ma dien se nuk do të jem nji zog që rrah flatrat vetëm nji verë!

Puna e tij, edhe pse përfshin mësimin e mënyrave të ndriçimit të mendjes, nuk ndalet atje, por kalon nëpër një vuajtje e mundime dhe tatëpjeta drejt vdekjes.

Është fluturimi stërmundues i Dallëndyshës së Camajt si dhe “heroi” tek Rrëfimi i heroit, shëlbimi i të cilëve do të projektojë përshkrimin e rrugës plot sfilitje e rreziqe nga niveli më i ulët në atë më të epërm:

Kambët më mbetën në borë e gishtat më ranë/Tue lypë nëpër akull/Zemra që i ruhen frymës së diellit.

Përkundër metaforës së mjegullës, një fluturim “kah maja ma e naltë”

Një urtësi e një filozofi paqësore përshkon poezinë e tij që nga ciklet e hershme me ndikim nga tradita popullore deri tek ato që i cilëson një abstragim  i fuqishëm poetik e një ndërlikim deri në kufinjtë e hermetizmit.

Gjendja e qetësisë që e krijon çdo pushtet (jo vetëm ai diktatorial), bën që Camaj të marrë rolin e zgjimit të ndërgjegjes; si tekKush i bani mëngji qytetit, ndërsa tek një Libër në pergamenë, ai parasheh dhe ndien sesi gjendja e mjegulluar trandet si me krizma dheu.

Mendimet ranë shkokrrueshëm

prej pergamenës mes gishtave

për tokë e u banë copë-copë.

Gjithkund ish natë e dola

sy-hapë n’dritare

a mos u trand nga krizma dheu.

Metafora e mjegullës dhe e gjumit që do të shfaqet në vargjet pasardhëse na heq udhën drejt thesarit të pashtershëm të logjikës së shëndoshë të Kohelech-it, ku një nga komentet më mendjemprehta është ai që Perëndia ka vendosur “‘olam” në mendjen e njeriut (3:11).

Kjo fjalë, zakonisht, do të thotë diçka si “përjetësia”, por në kontekst ka më tepër ndjenjën e misterit apo errësirës. Eterniteti në frazën e Keats-it, na le pezull mendimin: nuk e dimë se çfarë do të thotë, por për sa kohë ekziston, nuk mund të jemi kurrë të kënaqur me zgjidhje të thjeshta. Ne të gjithë jemi të lindur të humbur në një pyll  dhe rrezikojmë të ecim – pafundësisht në qarqe. Metafora e mjegullës e pranishme në vanitet sugjeron që jeta  shërben për të gjetur një rrugë dhe që udha e mençurisë është rruga për të dalë prej aty.[7]

Qyteti milionësh shtrihej në gjumë

i mbështjellun në mjegull.

Në mjedis shndriste tempulli

i librit n’pergamenë – biblioteka –

me fekse idesh madhështore

në ballin e gjanë të shekullit.

Camaj kërkon të zgjojë e të trondisë opinionin e sigurtë në vetvete, opinionin inert që nuk pranon asnjë ndryshim; me Kush i bani mëngji qytetit ai do të trazojë ndërgjegjiet e përgjumura dhe të paralajmërojë se fara e së keqes mund të flerë, por asnjëherë të zhduket, ajo qëndron aty gati për të gjetur rrethanat e favorshme e për të shpërthyer, qoftë (dhe sidomos!) në qytetet perëndimore të cilat i kanë ngritur përmendore ngadhnjimit të vlerave të njerëzimit. Aftësia për ta zhbërë një here e mirëtë keqen, është deri më tani, përtej kapacitetit të çdo shoqërie të “kompletuar”, përfshirë edhe ato shoqëri që e quajnë veten të krishtera.

Me fluturimin drejt dritës, Camaj synon përhapjen e dritës hyjnore në shpirtrat e njerëzve të kapluar nga korrupsioni dhe hipokrizia, asaj tërësie shpirtërash që po shket drejt intrigues, poshtërsisë, përtesës dhe shthurjes, siç e shohim sidomos në prozat e tij poetike (Surretënt etj.) përfshirë në fund të vëllimit Njeriu më vete e me tjerë.

Ne shohim në krijimtarinë e Martin Camajt se njeriu ballafaqohet me një dialektë morale në lindje dhe duhet ose të ngrihet mbi natyrën fizike ose të zhytet poshtë saj në mëkat. Natyra që na rrethon është e përshkuar nga vdekja dhe prishja, por ne mund të dallojmë brenda saj krijimin origjinal “të mirë”. Ne gjithashtu shohim në këtë kuadër, se si forma primitive e mençurisë, gjithnjë duke përdorur përvojën e kaluar si një shtyllë balancuese për të ecur në shtrëngimet e jetës, në fund rritet, përmes disiplinës dhe praktikës së pandërprerë, në lirinë përfundimtare të lëvizjes.

Krahët e zez i rrah

mes flokëve të borës

mbi alpe dallëndysha

mërguese e vonueme

për Jug.

Nëse tek  Kush i bani mëngji qytetit, zbulohet  një situatë specifike kërcënuese, e fshehur dhe e heshtur dhe njeriu duhet të zgjohet, këtu tek Dallëndysha shohim se njeriu duhet jo thjesht të zgjohet por të luftojë në rrugën e tij për përndritje të mendjes e  shpirtit.

Lufton me flatra gjethi

të vjeshtës së vonë

kundra rrymave t’erës

kah qafa ma e naltë.

Një mësim tjetër është pra, ideja se ndriçimi vjen përmes një rruge të mundimshme. Kalimi drejt dijes përbën një progres në raport me injorancën e mëparshme, por edhe një dhimbje të shkaktuar nga lufta e brendshme. Edhe Bibla, përmes Ekleziastit (I,18) shprehet: “Shumë dije shumë mundim, sa më shumë dituri, po aq edhe dhimbje”.

Mund të thuhet se Dallëndysha synon një dimension hyjnor. E vërteta e qëndron “kah maja ma e naltë”.

Çdokush ka dy shtigje para

e dallëndysha nji:

me u ba e bardhë.

Mund të thuhet se qafa “ma e naltë” dhe të bërit “e bardhë” zotëron një forcë çliruese të lartë dhe i transformon thellë qeniet që prek. Kjo është e vërteta e arsyes, çliruese nga peshat e rëndomta a diabolike, nga forcat e errëta a tjetërsimet e ndryshme, është një burim i një ndryshimi të thellë të qenies, pas një  transcendence në përpjekjet dhe përgjakjet e tyre me rrymat e errës  a flatrave të gjethit të vjeshtës së vonë.

Pas leximit të korpusit të plotë të korpusit të Martin Camajt, shohim formën e vërtetë të mençurisë në jetën njerëzore si filozofi apo dashuri e mençurisë që është krijuese dhe jo thjesht erudite.[8]

Këshilla e kujdesshme, proverbi. Këshilla e kujdesshme komunikohet nga proverbi, i cili zakonisht u drejtohet atyre pa përparësi supreme nga lindja apo pasuria, dhe jep këshilla se si të përballojnë krizat e ndryshme të jetës shoqërore.[9]

Camaj nuk  komunikon në mënyrë të drejtpërdrejtë as këshillë të kujdesshme e as proverb, veçse gjuha e tij është proverbiale, ndonjëherë e lidhur ngushtë me fabulën, një nga zhanret e pakta letrare që janë të njohura për të paturit e një afiniteti genuin me gradat më të ulëta të shoqërisë. Është për të vënë në dukje se nuskën e magjisë nën këmbët e përmendores të qytetit milionësh s’e sheh asnjë, përveç pastruesit nga Anadolli, përfaqësues i një prej shtresave më të ulëta të shoqërisë në qytetin milionësh, por i vetmi që e njeh potencialin e të keqes që mbart “nuska e mëngjisë”.

Të qenit nga Fusha e Anadollit, konoton edhe tërheqjen dhe praktikimin e okultizmit, bestytnitë, dhe në kontestin tone dhe shpesh mbart ngjyresat përkeqësuese të mungesës së qytetërimit e në qytetin e madh, ai është i huaj dhe shërbyes. Mirëpo do të jetë ai dhe vetëm ai që do ta njohë e do ta shohë penin e kuq me të cilin është lidhë nuska e do të shprehet: shej i tmerrshëm për këtë qytet, shej i tmerrshëm për këtë qytet.

Le të kujtojmë me këtë rast se rrëfyesit më të njohur të fabulave, përçuesit e mësimeve dhe paralajmërimeve apo këshillave, Ezopi dhe Fedri, ishin skllevër.

Sa i takon lidhjes së Biblës me fabulën dhe këshillës që rrjedh prej saj, mund të themi se fabula nuk është shumë e spikatur në Dhiatën e Vjetër, -përveç se tek Libri i Jobit, (ku ka një shtrirje të madhe), -por vjen në vetvete, si mjet i mësimit, në shëmbëlltyrat apo parabolat e Jezusit.

Parabola. Është e qartë se Camaj nuk zhvillon në mënyrë të drejtpërdrejtë artin e mësimdhënies, me të vërtetë ai nuk përcjell moral në kuptimin më të ngushtë; mirëpo janë parabolat, që na bëjnë të meditojmë për kuptimet e caktuara apo të shumta që qëndrojnë pas shenjave shumë të rafinuara e shumëdimensionale të artit të tij poetik.

Parabola përmban dhe shpërndan“virtyte shpëtimtare”. Parabola tek Grueja me mëngji na thotë se si duhet vepruar për të mos njollosur shpirtin, se si zgjedhja duhet bërë me mençuri dhe në rrugën e drejtë. Gruaja “me mëngji” nuk është si një mall që shkëmbehet në treg (për të jetuar në shkëmb ari). Ajo është gjendur përballë dy rrugëve të ndryshme dhe i është dashur të zgjedhë. I  është ofruar të shkëmbejë sensualitetin e femrës me një jetë të patrazuar nga andrrallat e rropatjet për mbijetesë. Nuk e ka bërë këmbimin.Ka zgjedhur të vijojë kështu, duke mos bashkëjetuar mes marrëzive dhe veseve.

E tashmë mbetet pa dhambë dhe fëmija i ka thithë palcën e eshtnave. Por ajo aty e ka ajo forcën; Lirinë gjithashtu;–dimensione të cilat në këtë poezi marrin një përmasë jashtëkohore dhe përjetësie.

E në këtë përmasë jashtëkohore dhe përjetësie, ne shohim njeriun të vendosur ndërmjet dy alternative më të përgjithshme: njëra lumturues edhe bosh nga Zoti (dmth jashtë thelbit të Zotit, pa bekimin e Zotit); tjetra plot mjerim por hyjnore. Njeriu mund të zgjedhë arsyen ose jo arsyen, të mirën ose të keqen. E mira është, pa dyshim, nga ana hyjnore, e keqja nga ana e privimit dhe injorancës.

Mënyra më e parapëlqyer e Camajt për të përcjellë këtë “mësim” është përdorimi i parabolës. Grueja me mëngji-ku gruaja nuk përdori joshjet e hireve dhe seksualitetin e saj për të jetuar një jetë komode “pa të bijtë”- është vetëm njëra prej tyre.

Jo rrallë përsiatjet transferohen në botën e shpendëve dhe të kafshëve dhe gjendjet e ndryshme jepen përmes parabolave të tjera si në rastin e poezive, Një zog lëngon, Dreri dhe sidomos Mospërfillje e Qokthi ecën mbi sende.

Rënia e njeriut, mëkati seksual dhe polisemia e gjarprit

Reminishencën e mëkatit biblik e shohim te vjersha Grueja dhe mjellma si një medium rrëfimi që këtu i bëhet jo njeriut, por një qënieje, që besohet se mishëron rikthimin, metamorfizmin e gruas në mjellmë.[10] Dhe mëkatarja e legjendës, kur kjo mjellmë “Ulet për Dri e ndalet/pendlat me terë te këmisha e nuses” i rrëfehet:

Mjellmëm’u kthye krahni ndër flokë

 kam hy në mkat

trungun e vërrit të zi unë putha.

Njeriu bëhet me turp nga trupi i tij dhe kryen veprimet e tij seksuale në fshehtësi: karakteristika të caktuara të atij trupi, të tilla si fakti që në shumicën e klimave ai ka nevojë për veshje dhe si pasojë është kafsha e vetme e zhveshur në botë, tregojnë një lidhje të tjetërsuar në mënyrë unike me mjedisin e tij.

Arsyeja për krijimin e gruas, (2:24), është se në marrëdhënien seksuale njeriu nuk duhet të jetë i vetmi dhe njëkohësisht duhet të jetë ende “një korp i vetëm” me gruan e tij.

Në kapërthimin e dy trupave, siç e dimë, nuk ka bashkim të plotë karnal, dhe për këtë arsye, akti,  ka një frustrim rezidual (zhgënjim, irritim, mërzitje që mbetet përgjithmonë aty) si tek Pas kryqëzimit të zogjve ku gjithçka ka nisur “si për lojë” dhe ku, pas përfundimit të lojës erotike (kryqëzimit), zoga mat trollin (tërheq këmbët zvarrë) drejt një rruge që është “gjysa akull e gjysa diell” (pjesërisht me pritshmëri të bukura rrezatuese e pjesërisht me një zhgënjim të ftohtë të patretshëm).

Ndërgjegja e këtij lloji, (dmth e zhgënjimit residual), siç na thonë filozofët, bazohet në vetëdijen e vdekjes, kështu që vdekshmëria është pjesë e saj.

Asetet kryesore të njeriut, pasuritë më të dallueshme të tij janë ndjenja e seksit si përvojë imagjinative dhe ndërgjegjia: këto të dyja janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, por kanë një rrjedhë të përbashkët dhe fatale.

Gruaja prandaj, tek Grueja dhe mjellma, i rrëfehet kësaj gruaje tjetër, që sot është shpend i bardhë, që mundet vetëm ta dëgjojë por nuk mund t’i flasë. Gruaja lehtësohet nga pesha e rëndë e rrëfimit, nga tronditja e turpit dhe nga ballafaqimi me një mjedis objektiv, duke ia lënë këtë peshë qenies së metamorfizuar e cila do ta dëgjojë por nga e cila, nuk do të ketë qortim. Në një kuptim, duke mbështjellë një thelb të kësaj gruaje, mjellma është vetë ndërgjegjia e saj (e dikurshme, e transformuar), ndergjegjiee cila po e rëndon gjithnjë e më shumë dhe nga e cila kërkon të shpëtojë.

Poezia Grueja dhe mjellma do të jetë kësisoj një tejzgjatim apo një trajtë e Rënies së Njeriut.

Ajo që njeriu mëson nga Rënia e tij është dukshëm përvojë seksuale siç e njohim, dhe diçka që quhet njohuri për të mirën dhe të keqen, që lidhet qartë me marrëdhënien seksuale, por nuk shpjegohet më shumë.

Tek Zanafilla, bota e Rënies është simbolizuar vetëm nga gjarpri: supozimi se gjarpri ishte një maskë për Satanain vjen shumë më vonë-na sqaron Fraye.

Simboli i tij dinamik, intrigues, me kapacitet të jashtëzakonshëm shënjues vjen në veprën e Camajt me konotime shumë të ndryshme.

Ai konoton një esencë të qenësisë autoktone dhe të vetëdijës iliro-shqiptare, është shenjë e mbrojtjes së vatrës, është joshes i mëkatit, është tregues pjellorie, është subjekti i marrëveshjeve alidhjes së besës për lulëzimin e tokës, për lulëzimin e trupit të gruas, deri dhe shenjë e ripërtëritjes dhe riciklimit në rishfaqjen e tij atëherë kur më pak e mendojmë.

Gjarpri «i mprehtë” me aftësinë e tij për të ripërtërirë vitalitetin duke ndërruar lëkurën e tij, është simboli i botës ciklike të natyrës objektive në të cilën njeriu hyri me «rënien» e tij.

Rruga drejt katharsisit  do të jetë përmes një dialektike ndërmjet poezisë dhe natyrës. Ose rruga nga katharsisi në ekzorcizëm. Kur poeti varros “bremjen e ndërgjegjies së vet” në rërë prej së cilës bulon një bimë, një gjarpër përpëlitet rreth saj.

Ky është një fenomen që Arshi Pipa mund ta përshkruajë dhe si eksorcozëm.[11]

Dashuria përkundrejt urrejtjes

Në veprën e Martin Camajt nuk do të gjejmë askund provokim, keqinterpretim, irritim të shpirtit apo sarkazëm. Ai do t’i ndryshojë zemrat e ashpërsuara, t’i zbusë, ai nuk mban mëri meshpirtrat e verbër, i fal ato. Duke mos vepruar si ata që e mohuan, e përjashtuan dhe e anatemuan, ai, nuk i përgjigjet të keqes me të keqe, padrejtësisë me padrejtësi,- përkundër këtyre, përcjell idenë e së mirës duke dhënë shembullin e tij. Në vetvete, ky është princip dhe pastaj ndikim: përhapje e rrezatimittë dashurisë dhe mënyrave të menduarit dhe të vepruarit të përqëndruar mbi vlerat e të mirës dhe të drejtës, mbi mençurinë në veprim.

Batë burrninë të më shtini në rreshtin tuej.Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijtë-do të ishte testamenti i tij para se të mbyllte sytë.

Në thelb kjo është një thirrje për përputhshmëri etike dhe shpirtërore me Ligjin.

Camaj, prandaj, në shumanshmërinë e personalitetit të tij, është gjithashtu, një personalitet etik. Duke e konceptuar njeriun si subjekt i përgjegjshëm për veprimet e tij përpara vetvetes dhe tjetrit, dhe duke iu përgjigjur nevojave të vetës dhe të njerëzve për të vërtetën dhe dashurinë, Camaj rrok dimensione që kapërcejnë egon, krenarinë dhe mëkatet “vdekjeprurëse” ose morale që shkatërrojnë shpirtin, që u klasifikuan si të tilla në Mesjetë si: krenaria, zemërimi, përtacia, zilia, kopracia, grykësia dhe gënjeshtra–bashkë me shqetësimet që vijnë nga ato.

Më falni diçkà që më kënaq

si puthja e nanës në ballë;

më gëzoni nji herë

si gëzohet gjethi i njomë në puhí,

më shikoni si hana nëpër rremba

e kam me u falë gjithçka:

mordjen do të puthi ndër buzët e ngrime

dhe në zgavrrat e synit të sáj

do të derdhi lòt.

 (poezia Më falni diçka)

Camaj theu vulgaritetin, të padenjën, tejkaloi pëgjigjen e zakonshme, spontane, të  menjëhershme dhe shpaguese ndaj të keqes dhe konsakroi moralin e lartë, ashtu si Jezusi ka predikuar: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë (Mt, V, 38-44).

Camaj mbështetet pikërisht në këtë drejtësi transformuese deri në rrënjë, e cila është harruar. Ai i jep mundësi edhe korbit, qenies inferiore që ushqehet me kërma dhe që jeton në vetmi të fisnikërohet e të ndihet “pëllumb në shpirt” vetëm duke parë e përjetuar vallen e hijshme të pëllumbave. 

Edhe një herë tjetër ai është shkrimtari, shpirti i të cilit fluturon kah maja ma e naltë, por në këtë rast jo thjesht dhe vetëm si poeti i lartësive të ndritshme e të kthjellëta alpine, por në kuptimin etik se gjakon t’i qëndrojë drejtësisë së re, një drejtësi shumë më e lartë se “të vërtetat e zakonshme”, apo se koncepti ynë ligjor e moral për të “të drejtën”.

Avitu njeri! Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë. Si bima prej fare në pranverë.

Bibliografi

Berisha, A. N., Vepra letrare e Martin Camajt, Lajmëtari, Tiranë, 2000

Camaj, M., Vepra Letrare 1, Djella-Legjenda, Klosi, Ardian; Parathënie

Camaj, Dranja, Sinani, Sh; “Proza poetike me emrin e trëndafilit”;  Pipa, A., “Dranja”

Guxeta Antonio, Shqyrtime letrare, Ombra GVG, 2007, fq. 209

Fraye, N., The great code, the Bible and literature, Harcourt Brace Jovanovich publishers, Neë York and London, 1982

Gjoka, B., Magjia e poezisë së Camajt, Fokusi, 04.03.2017

Tirta,  M. Mitologji nder Shqiptare, Tiranë, 2004

Petriti, K., Në poetikën e Martin Camajt, Tiranë, 1997


[1] Fraye, N., The great code, the Bible and literature, Harcourt Brace Jovanovich publishers, New York and London, 1982

[2] Fraye, N., The great code, the Bible and literature, Harcourt Brace Jovanovich publishers, New York and London, 1982, f. 187

[3] Behar Gjoka, Magjia e poezisë së Camajt, Fokusi, 04.03.2017

[4] Fraye, N., The great code, the Bible and literature,Harcourt Brace Jovanovich publishers, New York and London, 1982, f. 121

[5]  Po aty

[6] Një lloj ankthi i vazhdimësisë do të artikulohet në nyja të caktuara të pësaj poezie. I vëllai “këmbëzdathë –murrla i kuq n’orizont” zë vendin e babait duke përtërirë, rivitalizuar, por edhe duke individualizuar: ai do të shfaqet me karakteristika të ngjashme, të trashëguara por edhe të reja, të përveçme. I vëllai ia beh në këtë “rrëfim” me tiparet e tij shpërthyese: vitaliteti, forca dhe viriliteti.

Im vëlla zuni

vendin e tij,

im vëlla kambë-zdathë

– murrla i kuq n’horizont –

I fryn zjarmit në vjeshtë

me plot bulshij

e të gjitha shkëndijat i bahen djem.

Ligjet e përgjithshme të natyrës, i individualizon mespecifikat  për “fisin” brenda kompleksit kulturor të traditës në arealin e tij. Kjo forcë virile është natyrshmëria e malësorit, e njëkohësisht një nga mënyrat për t’i mbijetuar harresës (Camaj nuk pati pasardhës, prandaj vendin e babait e zë vëllai). Ajo shfaqet nga një zhbirim vertikal nga lart-poshtë në përputhje: nga babai, tek djali, nga djali, tek shkëndijat që i bahen djelm.

[7] Fraye, N., The great code, the Bible and literature,Harcourt Brace Jovanovich publishers, New York and London, 1982, f. 125

[8] Vepra e Martin Camajt, megjithëse është e cilësuar me lëndë të mençurisë, nuk mund të kuptohet vetëm nga kanonet e mençurisë-ato janë të pamjaftueshme pa ndihmën e perspektivës profetike. Profecia do të studiohet me mirë e më thellë në tekste të ardhshme.

[9] Fraye, N., The great code, the Bible and literature, Harcourt Brace Jovanovich publishers, New York and London, 1982, f.122

[10]PetritiK.,Në poetikën e Martin Camajt, Botues “Dita”, Tiranë,  1997

[11] Camaj, Dranja, Sinani, Sh; “Proza poetike me emrin e trëndafilit”;  Pipa, A., “Dranja”, fq 36

Exit mobile version