Botohet në turqisht vëllimi poetik “Gjithçka që më pret – Të mbledh diell”
Përktheu dhe përgatiti: Eda Zh.
Një ngjarje për letrat shqipe, por dhe për poezinë bashkëkohore në Ballkan, është botimi në Turqi i poezisë së Visar Zhitit nga shtëpia e njohur botuese turke në Stamboll, – shkruhet në njoftimin zyrtar..
Titulli i librit është “Gjithçka që më pret – Të mbledh diell”. (“Beni Bekleyen Her Şey – Güneş Toplamak”).
Poezitë i përktheu Fatma Büşra Çalış, e njohur në studimet e përkthimit dhe letërsisë krahasuese në Turqi, posaçërisht nga gjuha angleze.
Botimi i poetit Visar Zhiti doli në maj 2026 dhe bën pjesë në serinë prestigjioze poetike turke: “Dünya Şiir Okyanusu – Çağdaş Dizi”, (“Oqeani Botëror i Poezisë – Seria Bashkëkohore”),
Ky botim përbën një paraqitje të rëndësishme të poezisë së Visar Zhitit në hapësirën letrare dykontinentale turke, duke e vendosur autorin shqiptar pranë emrave bashkëkohorë të poezisë botërore që publikohen në këtë seri.
Një emër i njohur i poezisë, Ataol Behramoğlu, më i madhi sot i letërsisë moderne turke, është redaktori i serisë, duke e shtuar kështu, sipas kritikës, rëndësinë e kësaj serie.
Në tekstin promovues të vendosur në kopertinë, Behramoğlu shkruan:
“Të njohësh Visar Zhitin si poet dhe si njeri është një pasurim i madh ndjenjash dhe mendimesh, – dhe shton se, – botimi i këtij libri nga “Tekin Yayınevi” përbën një kontribut të rëndësishëm për botën turke të poezisë”.
Të thëna prej, nga zëri me ndikim të madh në kulturën turke dhe në poezinë bashkëkohore ndërkombëtare, ky vleresim merr një forcë të veçantë e me rëndësi.
Në kopertinën e pasme janë dhe fragmente poetike të Visar Zhitit, vargjet:
Gjithçka që më pret,
Diell të mbledh dua…
Shiu im,
kthimi në rrugën që rrjedh
nga shtëpia bashkë me mallin,
Ja, kaq janë ato që mund të të jap.
Po, të desha ty!
Deti i kaltër, abazhurët që bien mbi fjalë,
dita ime kryengritëse,
Ja, kaq janë ato që mund të të jap.
Të desha, sa shumë të desha ty.
Në sytë e mi qielli blu derdhet
në sytë e tu,
Ja, kaq janë ato që mund të të jap.
Të kam dashur gjithmonë,
që nga fillimi.
Po ashtu aty është vendosur dhe një pikturë nga Atjon Zhiti.
Poezia e Zhitit ruan edhe në turqisht karakterin e saj lirik, dramatik dhe meditativ, duke sjellë një gjuhë të ndjeshme të dashurisë, kujtesës dhe mbijetesës shpirtërore.
Në prezantimin e librit përmendet edhe historia dramatike e autorit gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Botuesi turk kujton se Visar Zhiti u burgos për poezinë e tij dhe kaloi vite në kampet famëkeqe të Spaçit dhe Qafë-Barit dhe se ai memorizoi gati njëqind poezi gjatë hetuesise dhe shkruajti fshehurazi gjatë viteve të burgut, për të mbijetuar shpirtërisht.
Ky dimension biografik, – sipas tyre, – i jep poezisë një forcë të veçantë morale dhe njerëzore, që tashmë po prezantohet edhe për lexuesin turk.
Data e botimit: 6 maj 2026
ISBN: 9789944613699
Faqe: 144
Formati: 13.5 x 21 cm
Seria: Dünya Şiir Okyanusu – Çağdaş Dizi 5
Libri është tashmë i pranishëm në libraritë turke edhe online dhe në katalogët letrarë të Turqisë.
Botimi i tij përbën jo vetëm një sukses për Visar Zhitin, por dhe një akt i rëndësishëm për praninë e letërsisë shqipe në kulturën turke dhe në dialogun poetik ndërkombëtar.
Poeti Ataol Behramoğlu
Është ndër të rrallët apo i vetmi në Turqi që ka një statujë në Stamboll, në Parkun Sailer Sofasi, duke qenë edhe vetë në jetë, aq aktiv. Poezia e tij konsiderohet si ndërgjegje dhe thirrje për ndriçom. Ka qenë i arrestuar në vitin 1982 (Visar Zhiti në këtë kohë ishte në burg) si antar i shoqatës turke të paqes dhe u mbajt në kushte të tmerrshme në burgun ushtarak, e liruan me kusht dhe më pas e dënojnë me 8 vjert punë të detyruar dhe me 32 muaj internim, por në mungesë, sepse, I detyruar, kishte ikur në Francë e vende të tjera të Europës dhe kthehet në atdhe vitin 1989, bëhet President i Sindikatës së Shkrimtarëve, përkthen në turqisht poetë të mëdhenj nga bota si Aragon, Ricos e Neruda, të cilët dhe i kishte takuar, etj, etj.
Gazeta ExLibris ka botuar poezi të Ataol Behramoğlu dhe një bisedë ma atë,
“Poeti që na tregoi statujën e tij”.
Po sjellim fjalën e tij hyrëse në librin “Gjithçka që më pret – Të mbledh diell”,
MBI VISAR ZHITIN DHE POEZINË E TIJ
– Nga Ataol Behramoğlu –
Kur lexon poezitë e një poeti, që, qoftë edhe përafërsisht, ke përjetuar gjëra të ngjashme me atë, ndjen adhurim dhe habi, të përziera bashkë.
Po flasim për një poet që arrin të pasqyrojë jetën dhe vëzhgimet me një ndjesi realiteti të denjë për ta adhuruar…
E megjithatë gjithçka është kaq origjinale, kaq thellësisht e veçantë dhe e poandashme nga vetë personaliteti i këtij poeti.
Teksa lexon poezitë e tij, të duket sikur mban në duar zemrën e njeriut që i ka shkruar…
Qoftë në burg apo jashtë tij, në vendin e vet apo në vende të tjera, në mërgimin e detyruar, çfarë force vëzhgimi, çfarë pasioni për jetën, çfarë rrëfimi i rrjedhshëm dhe çfarë zemre e lartësuar dhe e pjekur nga dhimbjet, që edhe përballë vuajtjeve të veta, nuk e ka humbur humorin, – jo domosdoshmërisht falës, por njerëzor dhe i madh.
Njohja me Visar Zhitin si poet dhe si njeri ishte për mua një lumturi e madhe, një pasurim i pashtershëm shpirtëror dhe mendimesh. Edhe botuesi “Tekin Yayınevi”, duke sjellë një poet të tillë, i jep një kontribut të vyer botës sonë poetike.



