Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Timo Flloko

Poezi nga Timo Flloko

Askush asnjëherë s’vdes

I

Covid-19!
Mizor,
vrasës i etur,
me tagrin e kobtë “virus”.
Përbindësh,
jetë përpin…
Njerëz,
me indekse shprese në minus…

Mbi fytyra maska.
Bota e të gjallëve,
(pa karnavale këtë herë),
brenda tyre e përtej
e panjohura e padukshme,
mister,
endet globit si fantazmë,
nis trupat për në ferr.

Përbindësh satanik,
le të njihemi:
Jam një person në trajtim,
me gjakun Zero plus…
Jetën nuk ta jap,
si një tekë të vdekjes,
në lojën fatale…
Dominus Noctus!

(Në sensin atipik,
jam asimptomatik…)

(Kur të kesh ikur,
në një kohë kalendarike,
si fantomë atavike,
s’do të trembësh as fëmijët…)

II

Lus Zotin,
jo larg,
nga terri i izolimit,
nëse i gjallë dal,
si i vobekti që e fal trupin,
në morg,
do t’i sjell nga mjegulla e kujtesës,
të gjitha përjetimet,
pa lënë asgjë në harresë…
Nëse mbërrij,
të vij,
prej të shkuarës
depresive,
do t’i sjell çastet, që më ka lënë kujtesa,
Prej territ të netëve,
makthet, drithmat, mbresat,
ndiesitë subtile…
Si ca kujtesa të helmëta,
të largëta,
fosile…

III

Fund dimri.
Herët, në pragagim,
eca kopshtit nëpër fllad,
e ndala syrin në sythin e parëverës,
mbi një fidan shege egërshan…
Ndjeva kraharorit të pambaruarat
rrahje të zemrës.
Si i burgosuri që s’e ka parë kohësh qiellin,
ndjeva mrekullinë e jetës…
(Sa miq kisha humbur…)
Në një portë të shpresës,
lexova,
“Më mungon”!
Jeta duhej kryer,
si obligim suprem.
Si rikthim, si shpresë,
më ra në mend Heminguei,
Profecia e tij:
“Askush asnjëherë s’vdes”

IV

Kur rishtas ra nata.
Në terr hyra,
Firmamentin e qiellit,
praruar nga yjet,
ngarkova mbi vete.
Preka me sy
të parat xixëllonja,
si shenja të kësaj jete…
Ish muaji maj,
“epshi” tokësor…
(Si humb në absurd
sensi i kohës..)

Xixëllonjat,
si fata,
me xixëllima të mugëta,
shponin zymtinë,
(Si të përzinin fantazmën Covid)
në terrin që hedh nata.


ELIKSIR I DASHURISË

Më rrëmbeu malli për ty,
Erë e mallit vjen me krahë,
Atë çast nga brenda shpirtit,
Mbyta një ofshamë, një “aaah”…

Yjet gushtit kur këputen,
Digjen zjarr në hapësirë…
Kur i kap syri, në rënie,
Flijohen për një dëshirë.

Siç sfidojnë ufo-t hapësirat,
Sytë përshkuan zbrazëtinë,
Larg prej meje, tej në yje,
Ikën, morën arratinë…

Në mosgjë, m’u bë se panë,
Shtatoren e dashurisë,
Një shigjetë ngulur në asht,
Në zemër të gjithësisë…

Vijmë në botë dhe dashuria,
Në ekstazë na çon si dehja…
N’eliksir, shpesh, në zhgënjime,
Që nga lindja gjer te vdekja.

Misterit të dashurisë,
Të fshehtat kush mund t’ia maste,
Trupin, shpirtin, edhe jetën,
Do t’ia falja për ca çaste…

Mori yjesh vinin rrotull,
Digjeshin, binin në hon,
Si te “shtjellat” e Van Goghut,
Net’ve parisiane vonë…

Nuk e di si s’ika mendsh,
(Fantazia ku s’na çon..(!),
Në ca kopshte iluzorë,
Ku s’ka kohë… as dimension.)

Shtatë hëna ndërruan qiellit,
Ato net në humbësi…
Kur Kupidi shtriu harkun,
Dhe mori nishan mbi ty!

Ti ishe një yll verior,
Në parajsën fantazore,
Me shkëlqim apoliptik,
Një krijesë përtejqiellore…

Porsi ëndërr a mirazh,
Që fanitet… e s’ka të ngjarë,
E ardhur prej askurrkundit,
Një fiksim krejt mendjemarrë…?!

Nga ndiesitë prej së fshehti,
Që veç zemra i ndien thellë,
Trupat prekën njëri-tjetrin,
Shpirtrat shkrinë në eter…

Iu dorëzuam atij çasti,
Të rrëmbyer si nga transi,
Sa tokësorë aq qiellorë,
Ti Venera dhe unë Marsi.

Të shtrëngova në krahëror,
Të tërhoqa thellë në zemër,
Nga pasioni, zjarr e afsh,
Perëndeshë, të ndjeva… femër!

Mbi shtrojë të Arushës së Madhe,
Dashuri bëmë dhe seks,
Koha humbi sensin krejt,
Boshit iluziv rreth nesh.

Ne u shkrimë në një trup,
Çdo natë vonë me yjet fjetëm,
Në magji a në pandehmë,
A përtej, në botën tjetër..(?!)

Kur u beft atje një yll,
Me dhimbjen e dritës feksi,
Pashë tek ra, si meteor,
Mos ndëshkim i universit…?!

Në ç’altar gjith’hapsinor,
Fli po bëhej atij çasti,
Për mëkatin tejhyjnor,
Yll i ndritshëm i Pegas-it…?!

* * *

Përmbi ne atje së larti,
Feksin yjet nëpër net,
(Nëse jeta s’qenkësh ëndërr,
Ç’mister tjetër vallë të jetë..?!)

Kurrë s’u pamë e as s’u prekëm,
Në këtë jetën tokësore,
Të jetë dashuria ëndërr,
E pandodhshme, tejqiellore..?!

Më e hyjshme çfarë nuk ndodh,
Se ajo që ngjet njëmend,
Nëse kurrë në jetë nuk ndodhi,
Kjo ta bëjë t’atillë, të shenjtë…?!

Los Anxheles, 2021

Exit mobile version