Shkrimtari misionar
“Në historinë e letërsisë së vjetër hebraike nuk ka pasur kurrë ndonjë dallim themelor midis poetit dhe profetit. Poezia jonë e lashtë shpesh bëhej ligj dhe një mënyrë jetë” – shkruan nobelisti i letërsisë, Isaac Bashevis Singer. Letërsia jonë kombëtare duket shëmbëllim këtij misioni, meqë shkrimtarët shqiptarë që nga Gjon Buzuku e deri te ata të kohës sonë, kanë kryer funksione më shumë se letrare në historinë e kulturës dhe të identitetit shqiptar, sepse idetë e tyre letrare u kthyen në filozofi, platformë politike dhe vetëdije kombëtare, kurse vetë ata u bënë prijës e udhëheqës të ngjarjeve madhore, dhe kështu, duke e bërë letërsinë mediumin kryesor në formimin e identitetit dhe përcaktimin e rrjedhave kombëtare.
Shkrimtari e veprimtari i madh Gjergj Fishta duket si kurorëzim sublim i krejt këtij rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm. Ai jetoi dhe veproi në kohën kur shqiptarët largonin prangat e robërisë dhe filluan të ngroheshin nën rrezet e bukura të lirisë. Vërtet, ky qe gjakimi i Fishtës dhe kjo formoi filozofinë e veprës së tij, krijimtarinë pasur që u shtri në epikë, lirikë, dramatikë, satirikë, publicistikë dhe eseistikë dhe që e përfshiu autorin drejtpërdrejt në ngjarjet më madhore të kohës: të politikës, arsimit, shtypit dhe alfabetit.
Pra, në pikëpamje letrare dhe kulturore, vepra e Fishtës ka kryer një funksion universal kulturor dhe estetik në krejt historinë tonë – duke hapë horizonte të reja – një funksion të cilin filozofi Roger Scurton e ndërlidh me funksionin e mendimit dhe të ngritjes shpirtërore – të cilin vepra e Fishtës e realizon mjaft bukur. Kurse në rrafshin estetik, arti i Fishtës ka sjellë horizonte të reja estetike dhe ka hapë perspektiva kulturore në një epokë jetike për rimëkëmbjen kulturore shqiptare, duke u bërë njëlloj busulle orientuese e kohës dhe pastaj rezervat kulturor për breznitë e ardhshme.
Fishta sot
Në historinë e letërsisë shqipe vërtet janë të paktë ata shkrimtarë që kanë marrë lavde e epitete të mëdha sa Fishta, duke u pagëzuar poet kombëtar, patriark i letërsisë shqipe, pastaj vlerësime, siç ishte epiteti i Homerit shqiptar nga Maximilian Lambertzi, por edhe ato më përbuzëset nga regjimi komunist dhe dishepujt e tij kulturorë, kur ai dhe vepra e tij u tentua të zhdukeshin, duke u qitë në harresë. Përpos lavdeve, leximeve dhe botimeve të shumta, vepra e tij dhe autori u shoqëruan me kundërshti të forta: u ndaluan dhe u sulmuan në kohën kur mendjekëqijtë e ushqyer me ideologji staliniste donin që Shqipërinë e pushtuar ideologjikisht ta kthenin në një tokë të zaptuar kulturalisht, ku natyrshëm s’mund të kishte vend për shkrimtarë të llojit të Fishtës, vepra e të cilit u qit në harresë dhe u ndalua, kurse autori s’u la të prehej i qetë as në varr.
Kështu, jetën dhe veprën e tij e goditën një rrebesh stuhinash, furtunash e trazimesh nga më të dhimbshmet: ajo qe e mbushur me lëvdata dhe përbuzje, u gjykua dhe u paragjykua, u lexua tinëz dhe u luftua me të gjitha mjetet e pushtetit totalitar. Kurse me rënien e ideologjisë staliniste – vepra e tij u aktualizua dhe u bë pjesë e jetës aktive letrare e kulturore shqiptare. E pikërisht në vitet e para të lirisë kulturore e politike, nevojën e aktualizimit të veprës së Fishtës dhe trajtimit të saj si vepër artistike e shtroi Martin Camaj, në tekstin mjaft sinjifikativ “Aktualizim i poezisë fishtjane.”
Aktualizimi për të cilin shkruan Camaj lidhet me procesin e këputun që përjetoi vepra e tij; proces ky që ruajti vazhdimësinë në traditën letrare jashtë hapësirave shqiptare, në diasporë, ku vepra e tij pati mjaft lexues e interpretues.
Kështu, vepra e Fishtës bëri një jetë të çuditshme: ndonëse e ndaluar, ajo tinëz u lexua, ndërkaq pas rënies së murtajës komuniste, u kthye në tryezën letrare të shqiptarëve, si pasuri e munguar shpirtërore – si vepër që “shënon një kthesë pa të cilën nuk do të kishte pasë zhvillim të matejshëm poezia jonë ” – shkruan Camaj.
Në tekstin e sipërpërmendur Camaj analizon raportet e veprës fishtjane me mendimin letrar e kulturor shqiptar dhe të huaj dhe që në titull e sfidon lexuesin, por edhe mendimin letrar me nevojën që vepra e fishtjane të aktualizohet në kushte e rrethana të reja dhe të lexohet si vepër artistike.
Camaj e kundërshton mendimin e afirmuar shqiptar që vlerat e veprës së Fishtës i ndërlidh kryesisht me epikën e tij dhe kërkon që leximi dhe vlerësimi i veprës së tij duhet të shtrihet edhe në lirikë dhe në ironinë e satirës, dhe po ashtu kërkon që vepra e tij të lexohet dhe të vlerësohet në kontekst të një letërsi të shkruar në periudhën dramatike të formimit të shtetit shqiptar.
Si shkrimtar dhe studiues me shije të lartë letrare, Camaj flet për dobitë letrare që dalin nga leximi i veprës së Fishtës dhe vë theksin te aspekti artistik e estetik i saj, i cili në mendimin letrar dhe joletrar shpeshherë është anashkaluar, duke iu mbivlerësuar aspekti patriotik. Më tej, Camaj merret me problemin që paraqet kuptimi i veprës fishtjane për ata që u verbuan nga deduksionet komuniste; deduksione që deformuam shijet për artin dhe kulturën. Në kontekst të kësaj, ai shkruan: “Problemi për kuptimin e poezisë fishtjane si të çdo autori tjetër të madh të letërsisë tonë, Poradeci apo Mjeda dhe në kohë të reja Mitrush Kuteli, për shembull, paraqet forma, kryekreje gjuha e lidhun ngushtë me stilin vetjak të poetit (language). Dukuni e përgjithshmepër të gjitha vendet e diktaturës staliniste, me pak përjashtime si janë gjuhët me traditë të gjatë kulturore, ashtë formalizmi i gjuhës në një drejtim të caktuem për ta ba atë mjet e vegël përçuese të propagimit të doktrinës dhe praktikave të shtresës sunduese.”
Më tej ai i bën një paraqitje të thuktë jetës që bëri vepra e Fishtës në rrafshin botëror dhe shkruan: “Fishta ka hy me kohë në letërsinë botnore, posaçe në studimet monografike specifike rreth epikës botërore, meqenëse Pyeti ynë në këtë gjini letrare zë vend të posaçëm: Lahuta e Malcis mbahet si vepra e fundit epike në kontinentin tonë.”
Ndonëse e ndaluar në atdheun e tij dhe në trojet tjera shqiptare, Camaj tregon se vepra e Fishtës bëri jetë të aktive në diasporë dhe atje nuk është “qitë kurrë në harresë”. Në këtë aspekt, ai jep të dhëna të botimit të veprës së tij, siç është botimi me 1950 i veprës Lahuta e Malcis në Romë në mijëra ekzemplare. Po ashtu ai jep shpjegime rreth botimit të kësaj vepre në Gjermani, dhe shkruan: “Lahuta është përkthye në gjermanisht nga albanologu i përmendun Max Lambertz, i cili ishte profesor i Universitetit në Leipzig, në zonën komuniste, dhe atëbotë qeveria e Enver Hoxhës kishte ndërhyrë, dhe libri doli në Gjermaninë Perëndimore, në Munchen, 1958. Vepra e Fishtës pati një audiencë letrare edhe në Itali. Camaj përmend faktin se këngë të ndryshme të Lahutës dhe pjesë nga satira e tij qenë përkthyer nga shkrimtari i madh Ernest Koliqi dhe u botuan në revistën letrare “Shejzat”, ndërsa Lahuta e përkthyer nga albanologu arbëresh Ignazlio Parrino doli në Palermo, në vjetet ’60.
Në këtë tekst, Camaj tregon edhe për vëmendjen që i kushtoi kësaj vepre studiuesi Arshi Pipa, i cili po ashtu ka përkthyer nga vepra e tij.
Duke i sintetizuar këto arritje të larta të veprës fishtjane, Camaj shkruan se breznia e re shqiptare gjendet para një vepre të madhe, para një vepre që për një shekull u ndalua nga “asi njerëzish të paaftë me gjykue çka është art e poezi, po se po, por edhe pa vlera morale e patriotike, tipa Tartufësh që simbas Fishtës edhe në kohën e tij kishin këso parimesh:
“Ti ke mbajtun
Gjithmonë këtë rregull:
Erzin e shpirtin
Do t’losesh shregull
Do t’i shesish vllaznet,
Do t’mohojsh fisin
Sa herë qi n’shekull
Ta laverdisin
(Anzat e Parnasit)
Camaj përmend edhe lidhjet ndërmjet veprës së Fishtës me autorë e dukuri tjera letrare: “Gjergj Fishta dhe Jeronim De Rada janë klasikët tanë që lidhën traditën letrare gojore popullore, me siguri një traditë letrare mija vjetësh, me letërsinë refleksive apo individuale të shkrueme.”
E Camaj e përfundon këtë tekst të vlefshëm me një thirrje për lexuesit shqiptarë: “breznitë e reja gjenden para mundësive të reja që edhe përmes poezisë të klasikëve tanë të përvetësojnë cilësitë estetike të lira e të natyrshme e që andej të nisen rrugëve të reja në zbulimin e jetës së artit tonë, të ethnos-it.”
Koha ka treguar se vepra letrare e Fishtës s’është dosido vepër, por një vepër e madhe e madhështore dhe me ndikim të fortë në historinë kulturore shqiptare. Pikërisht kjo është arsyeja pse me të është marrë politika dhe kultura, janë marrë lexues të kultivuar dhe të pakultivuar. E fakti se me veprën e tij janë marrë studiues të ndryshëm e të kohëve të ndryshme është një dëshmi e fortë e një vepre me ndikim letrar, e cila si e tillë i ka tunduar ata që e duan po aq sa ata që s’e duan.
Ideologjia totalitaree gjykoi veprën e Fishtës duke u nisë nga urrejtja e çmendur që ushqente kundër klerit katolik. Por ai qe artist dhe vepra e tij i mbijetoi kohët e liga dhe hyri në shekullin e lirisë së shqiptarëve si vepër e madhe letrare dhe për këtë tërheq vërejtjen Camaj kur shkruan: “Tek Fishta, për shembull, mbivlerësohet funksioni patriotik dhe s’kujtohemi se Fishta së pari ashtë poet i madh.”
Teksti i Camajt – vetë shkrimtar i anatemuar – dhe mendimet e tij mjaft me vlerë për Fishtën mund të shërbejnë si një freskim për të njohur këtë vepër unike. Duke qenë mendime të një shkrimtari dhe studiuesi të madh, ato marrin domethënie më të madhe ngase mund të shërbejnë si një udhëzues dobiprurëse për të lexuar veprën e Fishtës pa shtrëngime dhe pa ngarkesa paraletrare e deduksione jo letrare. Në këtë aspekt, teksti i Camajt e përligj mendimin me vlerë të studiuesit Ian Mecla që shkruan se: “Roli i interpretimit është të korrigjojë ose të arsyetojë një lexim…dhe se…interpretimi, në të vërtetë vendos kuptim dhe lidhje në një mjedis historikisht të përcaktuar.”
Në përkim me këshillat e Camajt – aktualizimi i veprës së Fishtës dhe leximi i hapur i saj në kushte të reja dhe me njohje të reja – shërben si një mundësi ideale për t’i korrigjuar keqleximet e dikurshme dhe për të hapë shtigje të reja për të kuptuar veprën e tij në perspektivë të interpretimeve bashkëkohore, gjithnjë duke qëndruar te koha, teksti dhe autori dhe duke e çngarkuar opinionin letrar nga mbivendosjet patriotike e ideologjike dhe duke e kundruar atë parasë gjithash si botë të madhe gjuhësore e estetike mahnitëse.
Nga perspektiva e sotme e leximeve, qartësisht del në pah se vepra e Fishtës në tërësi qe në funksion të transformimeve shoqërore, duke bashkuar kohët historike me ato aktuale, mitet e legjendat me drithërimat politike reale të kohës, përmes një force gjuhësore e imagjinate mahnitëse, me shprehje të bukura stilistike e me mendime goditëse. Kjo qe forca që veprën e tij e kthej në referencë të kohës dhe pastaj siç thamë më sipër në një rezervat kulturor për shumë bashkëkohës e brezni të reja krijuese.
Fishta klasik
Vlerën e një shkrimtari me ndikim në rrjedhat kulturore të një gjuhë dhe shtrirjen e veprës së tij përtej një epoke të caktuar ose përtej kufijve gjuhësorë, më së miri e provon koha, leximet e ndryshme që i bëhen asaj dhe hapja ndaj breznive të reja. Sepse arti i madh letrar, pra klasik, lidhet me energjinë e përhershme shprehëse që ka dhe fuqinë që të transmetojë te lexuesit e rinj ndjesi të forta të kohëve, rrethanave e realiteteve tjera, si vlera estetike dhe kulturore ushqyese për secilën kohë. Pra, një vepër letrare me vleftë të tejkohshme është një vepër e hapur, e aftë të gjenerojë domethënie të reja e që në secilin lexim shpalos cilësi të reja. Vepra e Gjergj Fishtës përgjatë shekullit të kaluar dhe në këtë riun, e ka kaluar një sprovë të tillë: ajo është përcjellë me botime, studime, interpretime, vlerësime, gjykime, por edhe paragjykime, shumësi kjo e leximeve dhe interpretimeve që dëshmon se kemi të bëjmë me një vepër shumë të rëndësishme kulturore, semantike dhe artistike, një ngrehinë të mrekullishme, shtyllë identitare, e krijuar përmes një force mahnitëse gjuhësore.
Fishta e ka dashtë bukurinë e fjalës, e ka pasë ideal të lartësimin kulturor, ka besuar te letërsia e të mjetet e saj dhe ka shkruar vepra me synime të larta, gjë të cilën e pohon me vetëdije krijuese, duke thënë se ka shkruar një vepër të madhe – një përmendore letrare:
Veç se po, moj bjeshkatare,
Krah m’krah bashkë na tue këndue,
Ndertue kemi ’i pomendare,
Rrfé as mot mos m’e dermue.
Këto vargje i gjejmë te kënga e fundit e kryeveprës Lahuta e Malcis, e ky s’është përfundim i thjeshtë, por esencë letrare e filozofi kulturore, dëshmi se Fishta qartësisht ka shkruar një vepër të menduar e të strukturuar letrare, që ndër vite do të bëhet shenjë identifikuese kulturore e estetike shqiptare. Në të vërtetë, duke e lexuar dhe analizuar veprën e tij, pas shumë sprovave që ka kaluar ajo, të lavdisë dhe të anatemimit, ne shohim se Fishta s’ka ndërtuar një dosido përmendore, por një shumësi përmendoresh me fjalë e mendime të bukura, me gjuhë mahnitëse, rreth temave të mëdha dhe të thadruar në ndërgjegjen kombëtare. Në këtë mënyrë, vepra e tij ngjan në njëlloj Olimpi ku rrinë personazhe të historisë kombëtare, qenie mitologjike e legjenda të lashta, që lexuesin e çojnë nëpër kohë e realitete të ndryshme.
Fishta e dinte se për të krijuar një vepër madhështore, duhej një gjuhë e pasur, e kjo qe arsyeja pse iu rrek punës për të krijuar një vepër poetike e gjuhësore të fuqishme, me shprehje kumbuese e me forcë magjike, ku bashkëjetojnë realiteti e fiksioni, legjendat dhe të vërtetat historike, përmes një lënde të larmishme tematike e të shtrirë në kohë të ndryshme.
Kur them se Fishta është klasik i letërsisë, e kam parasysh vlerësimin e shkrimtarit italian Italo Calvini, që thotë se një vepër klasike është ajo për të cilën i dëgjojmë lexuesit duke thënë “jam duke e rilexuar” dhe asnjëherë “jam duke e lexuar.” Vepra e Fishtës këtë epitet tashmë e ka fituar. Ndaj, aktualiteti i saj sot lidhet me modelin e veçantë dhe funksionet polisemantike që transmeton te lexuesi i ri; te lexuesi që gjakimet për të vërtetat kulturore e estetike i ka gjakime të vërteta e të përhershme. Sepse vepra e tij është përplot energji, mëson e edukon, siç mëson e edukon arti klasik dhe siç mëson frati e shkrimtari i përkushtuar për të lartësuar tokësoren drejt hyjnores e për të sublmiuar atdhedashurinë.
Pra Fishtën sot duhet ta lexojmë sepse, siç shkruan Ardian Ndreca ai “ âsht nji klasik i letërsisë tonë, e nji klasik s’prane kurre së thanuni atë qi ka për të thanë – në çdo kohë e secilit prej nesh. Klasiku âsht ai – për cilin ti ndien qi e çojne në qiell, por kur e lexon- ti vetë njitesh në qiell”.
Fishta hero kulturor
Gjergj Fishta ka shkruar një vepër të pasur e të shtrirë në shumë zhanre, me një formati kulturor e intelektual të jashtëzakonshëm, ndaj edhe kontribut i tij në rrjedhat letrare, kulturore e politike po ashtu është i jashtëzakonshëm.
Duke ia njohur këtë vleftë, nga shkrimtarë e studiues të huaj e shqiptarë, që herët u portretizua si patriark i letërsisë shqipe, me përmasa të një heroi kulturor. E kur them hero, e kam fjalën te heroi që bën çmos për të shpëtuar popullin e vet, të heroi që digjet për të mirën e përgjithshme, te heroi që flijohet e gozhdohet në kryq për t’i lumturuar të tjerët ose që pranon të mbërthehet në shkëmbinj për t’i sjellë njeriut dritë.
Fishta s’është shkrimtar dosido, por një hero kulturor që luftoi me të gjitha forcat intelektuale e shpirtërore për bashkimin e kulturimin e shqiptarëve, për t’iu sjellë atyre dritë pas territ shekullor, rrjedhimisht për t’i orientuar nën rrezet e bukura të diellit të lirisë, pas shumë shekujve të rëndë robëri dhe këtë e thotë në fillim të kryeveprës së tij, Lahuta e Malcis:
”Se të bukren ket Shqypní
Turku e mbate në robní,
Krejt tue e lá t’mjeren në gjak,
Frymen tue i zanun njak,
E as tue e lânë, jo, dritë me pá:
Kurr të keqen pa i a dá:
Rrihe, e mos e lên me kjá:
Me i u dhimtë, po, minit n’múr,
Me i u dhimtë gjarpnit nen gúr!”
Pra, në katër dekadat e para të shekullit XX, ai u gjend përballë një realiteti të mjerueshëm, ku tkurrja shpirtërore ishte e madhe e liria dhe pavarësia kombëtare nevojë emergjente. Në këtë mjedis plot turbulenca shpirtërore, ai shkruan për t’i lartësuar e forcuar shqiptarët e përulur e të ligështuar, dhe në funksion të këtij misioni krijon vepra të rëndësishme, duke u bërë figurë qendrore e brezit të tij dhe njëri prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe.
Për arsye të këtij kontributit të tij të jashtëzakonshëm në rrjedhat letrare e kulturore të kohës, vepra tij dhe autori për së gjalli u lartësuan në piedestalin më sublim të vlerave kombëtare, por lavdet e shumta s’e penguan që të shihte me mprehtësi gjendjen e mjerueshme kombëtare. Kjo është arsyeja pse te vepra e tij kemi kontrast të fortë letrar, himnizim për virtytet e atdhedashurinë dhe satirë për veset kombëtare e tradhtinë, dy tipare që e shquajnë artin e tij. Autori kudo predikon shëlbimin kombëtar, por kur sheh batakçinj që prishin idealin e tij – tempullin e shenjtë të kulturës e ndërgjegjes kombëtare – ai përdor ashpër kamxhikun, siç bëri Jezusi me ata që i dëboi nga tempull e tij, të cilin e kishin kthyer në vend tregtie.
E shkruar dhe botuar në rrethana të ndryshimeve epokale politike e sociale, vepra e tij përveçse ushqen mendimin dhe ngritjen shpirtërore të shqiptarëve, ajo e fton lexuesin që të lartësohet, ngushëllohet, frymëzohet. Kështu ajo u pranua si filozofi letrare e kohës, meqë Fishta siç pohon Ernest Koliqi, një nga njohësit e mirë të veprës së tij, “i bën të vetat cilësit e mira të kombit, por edhe të gjitha të metat.” Dhe kështu vepra e tij shenjon një kohë – prandaj prej kur ishte gjallë autori e gjer me sot vazhdon të ketë ndjekës të shumë e të jetë objekt i leximeve, studimeve, monografive dhe teksteve me premisa letrare dhe jo letrare, duke u lexuar dhe botuar vazhdimisht, dëshmi kjo e fortë se kemi të bëjmë me një vepër të rëndësishme, klasike dhe të hapur për secilin brez lexuesish, si dëshmi e kujtesë letrare e një kohe, por më shumë si fuqi shprehëse madhështore, gjuhësore dhe estetike.
Portreti i shkrimtarit
“Shqipnia qe ideali i tij, për te punoi, për te vuejti e me emnin e saj në gojë dha frymën e fundit” shkruanKarl Gurakuqi. Ky qe Fishta, e kjo qe vepra e tij e mbushur me dhimbje, pezmatim, atdhedashuri e ideale kombëtare.
Fishta ka lindë në katundin Fishtë të Zadrimës me 23 tetor 1871 dhe ka vdekë në Shkodër me 30 dhjetor 1940. Në fëmijëri pati fat të kishte për mësues dhe udhërrëfyes poetin Leonard de Martini-n, i cili ndikoi shumë në formimin e mëvonshëm intelektual e kulturor të tij.
Duhet përmendë faktin se Fishta tërë veprimtarinë e tij intelektuale e krijuese e zhvilloi në Shkodër, kryeqendër e kulturës shqiptare. Dhe përgjatë katër dekadave të para të shekullit XX bëri përpjekje të forta për zhvillim të arsimit, gjuhës, shtypit dhe librit shqip. Pastaj ai iu bashkua lëvizjes politike të kohës, si deputet e Nënkryetar i Kuvendit, delegat i Dërgatës shqiptare në Konferencën e Paqes (1919), si dhe mori pjesë në ngjarje tjera më peshë dhe kudo la gjurmë pozitive, përmes forcës intelektuale.
Vlen të përmendet fakti se Fishta së bashku me Luigj Gurakuqin në vitin 1916 themeluan “Komisin Letrare”, që kishte për qëllim krijimin e gjuhës së përbashkët. Kurse shoqëria “Bashkimi” e themeluar prej tij dhe disa atdhetarëve tjerë ka një meritë shumë të madhe për krijimin e alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit me 1908, ku Fishta qe kryetar. Ndërkaq kontribut tepër të vyer Fishta dha edhe me revistën “Hylli i Dritës”, të cilën e themeloi me 1913.
Pra, Fishta shquhet për kontribut të jashtëzakonshëm në mendimin shqiptar dhe në lëvizjet e mëdha kulturore e politike të kohës, duke u bërë protagonist e promotor në shumë ngjarje historike e duke treguar për kahet e përparimit kombëtar. Si themelues dhe drejtues i revistës më me ndikim në rrjedhat kulturore shqiptare, “Hylli Dritës” ai bashkoi shumë mendje të ndritura të kohës e ku vetë ai me shumë analiza e tekste të shkruara me dije e kulturë u dëftoi shqiptarëve rrugën kah emancipimi, përparimi dhe liria e njëmend. Kështu, kjo revistë prestigjioze u bë fanar i ndriçimit dhe iluminimit kombëtar apo – siç ka shkruar Zef Pllumi, “busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë”.
E për punën e tij të palodhshme e të vyeshme në shërbim të kombit e kulturës, Fishta u vlerësua me shumë dekorata e nderime, nga shoqëri të ndryshme kulturore, por edhe nga Perandoria Osmane, Mbreti i Austro-Hungarisë, Papa Piu XI, Greqia dhe u pranua anëtar i Akademisë në Itali.
Fishta kudo mori pjesë, la gjurmë të një atdhetari të flaktë e shkrimtari me peshë, duke u bërë një apostull i atdheut dhe kulturës, që dëftoi rrugët si mund të bëhet Shqipnia zojë me vete, ideal ky që e mbajti gjallë veprën e tij, i dha forcë krijuese dhe e bëri autorin misionar.
Veprat e Fishtës janë të shumta e të shtrira në disa zhanre letrare, kurse më të njohura janë: Lahuta e Malicis, Mrizi i Zanavet, Vallja e Parrizit, Juda Makabe, Anzat e Paransit, etj. Vlen të përmendet se ky autor pas vete ka lënë një trashëgimi shumë të pasur në fushën e eseistikes e të publicistikës, të botuar në shtypin e kohës e të përmbledhur e të botuar viteve të fundit, duke e bërë atë njërin nga zërat më të veçantë e më të fuqishëm të mendimit shqiptar.