Poeti i njohur Skënder Buçpapaj lindi 70 vjet më parë, më 22 maj 1953 në fshatin Tplâ të Tropojës.
I LUMTUR SE TË DOJA
Isha i lumtur se të doja më shumë se të gjithë ata që të donin.
Dashuria për ty- a thua pse- ishte e pamundur të mbahej e fshehur.
Në qytetin që e përpija me dhjetë hapa, më përpinte kjo dashuri, harku më sipër të gjitha dashurive tjera për ty-
Edhe fenomenet më sipër natyrës së verbër i kish nën vete.
Ishe mosëndërr, dashuria ime të bëri ëndërr, të bëri ëndërruese.
Ishe e paëndërrt, dashuria ime të bëri të ëndërrueshme.
Dashuria për ty ishte vesë, brymë – nuk njom, ishte shi – nuk lag, ishte borë – nuk zbardh, ishte breshër- nuk resh.
Isha i lumtur se të doja më shumë dhe më pafshehur se të gjithë ata që të donin.
IA SHOHIM ËNDRRËN
Ia shohim ëndrrën,
Ia shohim ëndrrat
Njëri-tjetrit.
Mezi presim të dalim saj
Dhe t’ia japim munxën:
Ta pashë ëndrrën!
Vdesim për t’ia parë ëndrrën,
Ëndrrat njëri tjetrit,
Njëri-tjetrës
Njëra- tjetrit.
Ta pafsha ëndrrën. Mos vdeksha
pa ta parë ëndrrën. Mos vdeksh
pa t’u parë ëndrra, pa ta parë
unë ëndrrën!
Ta pashë ëndrrën.
Nga do t’ia mbash
Tash
Pasi unë ta kam parë ëndrrën?
BUKURINË E SAJ
Një çast të vetëm
Nuk e përballoja dot bukurinë e saj.
Një çast të vetëm.
Pyesja veten
Si do ta përballoja
Gjithë jetën.
SYSHIU JE, SYBORA IME SYQIELL
Syshiu je, sybora ime syqiell.
Shterron një krua më në jug të jugut
Për të buruar më në veri të veriut.
Në gurgullimën e tij më veriore
Të vetmen e pashterrur,
Që s’ka shuar kurrë etje,
E kemi shtëpinë tonë.
Arkitekturë e kolme
Fantazie të pacensurueshme.
Të pavarur nga shkaqet jemi,
Të privuar nga pasojat.
Symepasymosmeupa je, syreja ime syremerbreshër e rrufé.
Është një femër bilbili që këndon për t’i rritur vezët
Në një cep të hapësirës.
Është një femër korbi që këndon për t’i rritur vezët
Në cepin tjetër të hapësirës.
Baraslarguar këngës së femrës së bilbilit dhe krrokut të femrës së korbit
E kemi shtëpinë tonë.
Dritare mbi dritare
Dritare krah dritaresh.
Parqe koralesh
Në rrjeta të ngatërruara rrymash të rrëmujshme.
Cezurë dhe cezurë dhe cezurë
Pas cezure, pas cezure, pas cezure.
Të panënshtrueshëm ndaj gravitacionit,
Të pabindur ndaj fushave magnetike jemi.
Sydoremifasolsido, symelodiozja ime je, sydosilasolfamiredo.
Është një rreze agu të palindur dhe një rreze perëndimi të paperëndueshëm
Që diku priten mes tyre
Dhe krijojnë kënde të kundërta, të gjera, të ngushta.
Aty ku takohen mos me u nda këndgjerët dhe këndngushtët,
E kemi shtëpinë tonë
Me ngrohje mbiyjëse,
Me ftohje nënyjëse.
Dhe hiatuse dhe hiatuse dhe hiatuse
Pas hiatusesh, pas hiatusesh, pas hiatusesh.
Jemi të pankontrolluar nga revolucionet.
Jemi të pakontrollueshëm nga evolucionet.
Sythëna, sy pathëna ime, syçkamethënëçkamosmethënë çkamelënëpathënëçkamosmelënëpathënë.
TË NXORA NGA ËNDRRA
Të kisha në ëndërr,
E butë si në fshikëz mëndafshi ishe, e pëllumbtë si kullë fildishi.
Të nxora nga përjetësia e përkohshme të të sjell në përkohësinë e pavdekësisë.
Të nxora nga ëndrra ime, se të desha për vete,
E largët e lagët,
Larvë e zbehtë që zhbëheshe në pikëtakimin e parë me jetën.
Të kisha në ëndërr, të nxora nga ëndrra.
Le pas mbresë të mosqenies.
Le pas amë shkumësh shkimur muzgjesh.
Të kisha në ëndërr. Nuk më kishe në ëndërr.
ÇFARË NUK ËSHTË UNË, ËSHTË TI
Shikimi yt
I sapoçelur nga një vezë qyqeje
Të klloçitur në një fole pëllumbash.
Salamandër
E saposhkrepur fieraje,
Dalldisje e larave të verdha në të zezat,
E larave të zeza në të verdhat.
Hazdisje e arit të kulluar në qelibar të zi
E qlibarit të zi në ar të kulluar.
Fantazi muzikore
E shkruar palexueshëm,
E kënduar padëgjueshëm.
Çfarë nuk është ti, është unë.
Rreth i jashtësuar në katrorin tim – ti.
Katror i brendësuar në rrethin tënd – unë.
Kub i strehuar në sferën tënde – unë.
Sferë strehuese në kubin tim- ti.
Kryqi i Krishtit
A është nga i njëjti dru i Varkës së Noes.
Varka e Noes
A dha dru për kryqëzimin e Krishtit.
Je urë
Imagjinata e ujërave të rrëzon nën lum.
Jam lum
Imagjinata e ujërave më përmbys mbi urë.
Çfarë është ti, është unë.
Me seksin tim
Mat metër për metër
Planetet, largësitë e larmishme mes planeteve
Kurrë të matura.
Çfarë është unë, është ti.
TI DEL ME U PA
Ti del me u pa.
Kur ti del me u pa,
Të gjitha pasqyrat
Dalin me të pa.
Kur ti del me u pa,
Ti del me u pa.
Si të gjitha pasqyrat
Dal dhe unë me të pa.
Ti del me u pa
Ti mos dil me u pa.
Ndër të gjitha pasqyrat
Nuk po kam ku me t’pa.
JE E BUKUR SI SHUARJA E DRITËS
Je e bukur
Si shuarja e bukur
E dritës.
Si shuarja e bukur e dritës
Për të parë sa më thellë e më qartë
Gjithçka që nuk shihet pa terr.
Kur sipër teje janë gjinjtë e tu
E sipër tyre jam unë,
Gjinjë e tu bëjnë elektrifikimin përfundimtar të Gjithësisë,
Shlyejnë përjetësisht
Njollën e tillë të quajtur natë,
Njollat e tilla të quajtura netë.
Je e bukur
Je më e bukur
Se shuarja më e bukur
E dritës.
Se shuarja më e bukur e dritës
Që terri të mos lërë asgjë pa prekur
Në trupin tim dhe trupin tënd.
Kur poshtë teje janë gjinjtë e tu
Dhe unë jam i papushuar, i ritmuar sipër teje,
Gjinjtë e tu që përplasin njëri tjetrin,
Mbizanojnë të gjitha kambanoret dhe ezanet e të gjitha orëve,
I shpëtojnë nga binjakët, trinjakët, shumënjakët e ligj
Shpirtërat e njerëzimit.
Je e bukur,
Je më e bukur
Se shuarja më e bukur
E të gjitha shuarjeve më të bukura
Të dritës,
Kur terri
Është më i tejpashëm
Se çdo antonim i mundshëm i tij.
Sheshazi botës jemi
Brenda guaskës flori të territ
Dy perla që bëjnë dashuri.
Më lehtë e kemi t’i shkëmbejmë trupat tanë
Se frymët tona
Mes shuarjes së zezë
Të dritës së bardhë
Dhe shprepjes së bardhë
Të territ të zi.
Je e bukur e bukur,
Je më e bukur, më e bukur,
Je shumë, je shumë më e bukur
Se shuarja më e bukur
E dritës.
MANI I OBORRIT TIM
(Këngë me lahutë dhe orkestër)
1.
Mani i oborrit tim
Është bërë krrokamë
Në oborrin e huaj.
Krrokon
Mbi kulmin e huaj.
2.
Gjethet e tij
Shtegtues në prag dimrash,
Kthehen pas fund dimrash.
3.
Frutat e tij të bardhë
Në lejla.
Zogjtë që hanin frutat e tij
Cicëronin ëmbël në lejla.
Zog as njeri nuk kanë lënë
Pa ua njomur gojën
Frutat
Yjës.
4.
Zogjtë e tij
Nuk shtegtonin kurrë.
5.
Këmisha e shtatë e natës.
Nata e shtatë e javës.
Lëkura e shtatë e bollës.
6.
E shoh e jam në ëndërr.
S’e shoh e jam në zhgjëndërr.
7.
Unë nuk jam brenda trungut të manit
Të oborrit tim.
Janë brenda tij vitet e mia.
Kubaturat e mendjes. Qerthujt e shpirtit. Kacekët e frymës.
Tastat dhe tastaturat e shqisave.
Fyejt e skeletit. Enët e mëdha. Enët e vogla të gjakut.
Lëfytet e limfës.
Kordat e nervave.
Orkestra e qenies.
Motosharra, me zë të brendshëm rropullor,
Lexon solfezhin e rrënqethshëm të rënkimeve.
8.
Më sheh e s’është në jetë.
S’më sheh e s’është në vdekje.
9.
Trungjet nuk janë burra për t’u përleshur.
Degët nuk janë shqelma për të bërë gropa në gjokse.
Rrembat nuk janë duar për të kapur me thonj gryka fytnash.
Gjethet janë në mërgim.
Zogjtë
Përtej eterit.
Gjindja
Asgjallë.
10.
Hija e tij e hënadielltë
E diellahëntë.
Dielli e lëshonte mbi fushë të Tplanit,
Hëna e lëshonte mbi kullën time,
Harmoni kozmike.
11.
Vetëm kur e lënë ballin pa kokërdhokët e syve
Dhe vetëm pasi ia përcjellin barkut nga balli,
Ata mund të kthehen te oborri i tyre
Me manin tim
Të bërë krrokamë.
12.
Krrokamë e parreshtur
Në oborrin e huaj.
Kobon
Mbi kulmin e huaj.
Ninullon
Vaje.
13.
Çjerrjet e tyre të fytit,
Kërramzat e tyre të gjokseve,
Gurmazjet e tyre të angrrave
Ua mbyt
Krrokama e parreshtur.
14.
Etja e tyre është e untë,
Uria e tyre është e etshme.
Qorrverbtas
Hanë etjen e tyre.
Pijnë urinë e tyre.
15.
Zogjtë
Në kllapi të thellë.
Gjindja
Asvdekur.
Dielli nuk i lëshon më hijet e manit tim
Mbi fushën e Tplanit.
Hëna nuk i lëshon më hijet e manit tim
Mbi kullën time.
Ngërç kozmik.
16.
Pasynëballët
Përdorin hyrjedaljet e rrashtave të tyre
Për në oborr dhe kthim.
17.
Më prek e jam andej bote.
S’e prek e jam këndej bote.
18.
Krrokama e parreshtur
Nuk jep fruta të ngrënshëm.
Jep fruta ngrënës.
Ngrënës shqisash,
Ngrënës të brendshmesh
Pasynëballësh.
Frutat e krrokamës së parreshtur kanë shije të helmët
Në të zezë.
19.
E ndiej e jam në gjumë të përjetshëm.
S’e ndiej e jam në zgjim të përjetshëm.
20.
Vaj
Ninulle.
21.
Krrokama e parreshtur nuk lëshon dot hije
Mbi natën e pazbardhshme vorbëverbëse
Të pasynëballëve.