Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Shqiponja Axhami

Poezi nga Shqiponja Axhami

MBI HIRIN E NJË ZJARRI

Çdo ditë nis e shkruaj
mbi hirin e një zjarri
sytë e një feniksi.
Nuk ka rëndësi të trembesh;
Dantja sheqeros kafkat e Ferrit
me lëng boronicash;
pylli iu dorëzua etjes,
një Zot i gjelbërt numëron

mëkatarët si gjethet,
druvarët pikturojnë

mbi fetusin e florinjtë
forma trëndafilash.
Tani mos më lexo më,
po shuaji qirinjtë:
lutja mbaroi. Duaje
deri në shënjtërim

të dritësimit terrin:
trëndafila,
            trëndafila,
                        trëndafila
                                    mbijnë…

MBRËMJE

Mbrëmje.

këmbët kanë ftohtë,

kërkojnë udhë të reja;

rrethinat flenë nën një gjumë pikëllues;

duhet patjetër të jesh në udhëtim

që t’i japësh formë idesë.

Mbrëmje…

Mbi varreza të gjallët vënë karamele…

QENIE TË VOGLA NA VËSHTROJNË

Ka qenie të vogla që na vështrojnë:

janë lulet e padukshme të erës;

me sy të vegjël, me gojë të vogël,

me kërshërinë e madhe

që të na imitojnë.

Erërat puthen,

erërat dashurohen,

erërat çmenden…………………

……………………………….

erërat urrejnë shtëpitë.

Zoti zbret mbi Jaseminë

GJITHÇKA, POS TEJE

Në mes të asgjësë 
kam zgjedhur tufën e demave, 
pluhurin e fushës,
boçet e pishës

që bien mbi çati, 
një gështejnë në krisje, 
mështeknat, 
farin që zhytet

në sytë e peshqve të kuq, 
midhjen 
në mes të asgjësë.
Gjithçka mund të zgjidhet,
Pos teje …
E gjithë kjo mungesë, 
është një gogol i madh

me sytë e hiçit.

ÇASTI I KTHINTË

Nuk më tremb

çasti i kthintë

kur një shën Thoma,

në emër të fatit,

shkul pendë shqiponje.

Sepse jam e bindur:

lart është gjithmonë

një fole me vezë në krisje

në emër të dëshirës.

BRENDA TEJE

e kështu, brenda teje
shkëlqen korali i një zanafille,

krijohet një lagunë,

prehen mbi të mëllenja –

zbresin me saksonë mbi buzë

një kor muzikantësh,

shkelin mbi jaseminë.

xhazi i tyre zbut

përvijimet e errta të brigjeve,

hapet kuverta e ndrojës,

përshkon një udhë

rreshtin e saksive… lule

dyer… dyer

fjolla levandoje,

kupola pasioni,

pak kaos,

vibrime drite –

fundi vishet mbi një trung palme

si një dëshirim i përhimtë –

e papërcaktuara me sytë e revoltës

lëshuar mbi telat e një lahute

që i këndon gjithsesi vazhdimësisë…

KUR AJO NATË…

Kur ajo natë do vijë,

ne do rendim mbi limanin e vetmisë

si mbi një delfin të bindur;

do pimë në barin e braktisur

ku pi birrën e falur një i pastrehë;

do shëtisim nëpër stacionin e trenave

ku një poet gris fletë ditari; në harresë

do ushqehemi me naivitetin e natës;

do zbukurojmë fytyrat e njëri-tjetrit

me devotshmërinë e rënies së yjeve

do mbulojmë sytë e përlotur me lulka bliri

kur ajo natë të vijë…

ne të dy do ta kthejmë qytetin në frut…

KRIZANTEMË…

E kështu, renda

ishull më ishull…

ku piqeshin mbi zjarr dëllinje

kuleçë për të denjët,

me shijen e hirit në gojë.

U jam përgjigjur

korit të gënjeshtarëve

matanë, në bregun e humusit,

ku boçja e pambukut nuk bëhej

rrobë të varfërish…

Jam besimtare e lirisë,

e asaj lirie që vjen me sy foshnjash

dhe me duart plot fruta,

ndaj naiviteti im

kërkon të falë…

Së fundmi

harkohem në vendin tim

si një harpë e vogël,

përgatitur për ditë të mëdha,

ku lëkurat e lumenjve

do më veshin me rrobën e krizantemtë

të një mbretërimi të paqtë,

të mitizimit të asgjësë së nëpërkëmbur…

Exit mobile version