Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Renato Minore

Poezi nga Renato Minore

Renato Minore
Roma 19 agosto 2009. Renato Minore, giornalista, scrittore, saggista, traduttore, ritratto a Roma nella sua abitazione. Foto: Rino Bianchi

Sidomos poet, por edhe prozator dhe kritik letrar bashkëkohor italian. “O caro pensiero” (O mendim i dashur), nga është shkëputur kjo tufë me poezi, ka fituar çmimin “Viareggio”, që është një nga çmimet më rëndësishme letrare në Itali. Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë.

Përktheu nga originali: Besnik Mustafaj


***

S’ka shi që vlen
sa ai shi. Kujtimi nuk ka
më vlerën e atij kujtimi
Jemi mrekullisht të zbrazur
nga shiu dhe nga kujtimet
jeta është për të mbajtur mend
shiun dhe kujtimet
pa agullim
veç atij çehreprishurit të fëmijës
që kërkon ar mbi dhe.
Po kush e mendonte atë agullim
se do të mbyllej kështu
pa lavdi madje dhe pa atë
që s’i mohohet askujt
siç është mëkati i ëmbël
i rrugës së kazermave
dhe ne na mbetet vetëm
zhgualli i asaj që na shtiret
si përvoja dhe e vërteta?


Mësuesja

Mësuesja De Stefanis
kalonte bash për nën
ballkonin tim
më fëmijët e kopshtit të saj.
Unë isha i përzëni nga festa
një prej të bijave pak e mangët në mendje
dikur i foli për mua
por ajo prapë vazhdoi me vite
me çetën e përparësebardhëve
ju morën pak këmbët ndoshta
mua kurrë nuk më përshëndeti
në fillim nuk dinte kush isha
më pas nuk donte t’më njihte.

Syri i qelqtë

Enriko më duket se kishte
një sy të bukur prej qelqi
që shndriste
gjithmonë tek na mbante në qark
dhe gjithmonë pa na parë
unë s’e mësova kurrë pyesja veten
dhe pse shumë pëshpëritej
në kishte qenë shënjestër
e një shigjete qorre
në sajimet teatrore
për të goditur mollën mbi kokë
apo një plumb kuturu
nga ata që në lagjen tonë
më thoshte nëna
vazhdonin të ishin makthi
i pareshtur
si atëherë kur im atë
mbeti pa nënë
dhe pa një fishkëllimë sirene
për ta paralajmëruar.


Vdekja e Askarit

Pastaj Enriko më tha
se Askari dha shpirt në Monza
rënë përmbys në kthesë
dhe gjithçka në televizion
krisma dhe flaka.

Por vërtet kishte ndodhur
kjo vdekje në direkt
për të cilën s’kish dijeni askush
apo ai vetë e kish marrë me mend
tmerrin e gjakut në sy
trupin që ftohet
mbi livadhin e gushtit
për të më treguar mua sërish
se dinte shumë më tepër
se unë dhe se kishte parë
atë që unë s’e kapja dot?


Shfaqja

E them ish aq e vështirë
përsëritja në tribunë
e këngëzës së falënderimit
“Ati ynë ne më të vegjlit
Jemi më pranë në zemrën tënde”.
Më mungonte përqendrimi
më mbushte ankth dyshimi i tmerrshëm
se nuk isha aq i zoti
të ecja drejt deri në mes
me qirinj imagjinarë në duar.
Më ngeci zëri. Dikush qeshi.
Eprori i lartë jezuit
më dhuroi buzëqeshje
ndoshta dhe më përkëdheli
por faljen e tij nuk e ndjeva.


Triptik atëror

1)

Mbaj mend breshërinë tënde
të rrokjeve
për të mbuluar fjalën
që po shpërbëhej
në tinguj të nakatosur
në emrin e përdhosur
si shkarravina
e zërit.

Mbaj mend që u tërbova
prej pështjellimit tënd
m’u duk se po rritesha
mbi ligështimin.

Është lodhje t’i them vetes se nuk je
me atë belbëzimin kërcitës
të fytit tënd
tek sajon e s’mundesh
shufrën në galop
në galop.

2)

Kjo dihatja jote e mundimshme
mbi fletën e argjendtë të liqenit dhe rrëkesë
që kullonte djersë prej vërteti
mrekulli e një teknologjie thelbësore
në allçinë e fletës së butë dhe mbi
kartonin e rrudhosur të kodrinës
me ëngjëj të herahershëm
shkëndi të stukuara në mushtin muzgor
të metamofrozës së tyre
ishte mrekulli në një heshtje
të shumë gjërave të prajshme.

3)

Ti je vetëm ky mendim që është dhe
vetëm shëmbëlltyrë e ëndrrës, sillej rrotull
një sheshi nën kullën e sahatit
dhe unë që s’i shihja mirë numrat
si miop do të shihja gjithnjë e më pak.

Në këtë hiç vazhdoi të na ishte.
Kur u çel kutia
pashë pluhur stofin me vija
që mbaje i bukur kur u betove
me dorë gjashtëdhjet vjet më vonë
për dashurinë që ish prapë përallore.

Ti je vetëm ai që arrij të mendoj
nëse ende besoj te pështjellimi
që më përfshin nuk e di
nëse gabimisht në nevojtoren
e shërbëtores me yllkat
dhe plot luzma të praruara të kotësisë
së kryengritjes që u fal.

Exit mobile version