Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Niko Kacalidha

Poezi nga Niko Kacalidha

Nga plepat doli hëna

Gjurmët le mbi rërë në ditët ujore të plazhit dhe ike.

Pylli i dendur i perëndimit mbyllte dritaret e fundit.
Ti ike. Të mori treni i fundit dhe nga plepat doli hëna.
Me një tren të tillë pas hënës ika dhe unë.
Në plazh të tjerët laheshin dhe dashuroheshin
Nga maja e plepave pas nesh përsëri doli hëna.

Gjurmët le mbi rërë në ditët ujore të plazhit dhe ike…


E fshehta e kësaj mbrëmje

Mbrëmë ishin mbledhur të gjithë në dhomë.
Dhe unë isha kthyer në shtëpi.

Në mbrëmjen e verës pranë dritares rrija.
Si një astronom vështroja yjet.

S’isha astronom këtë mbrëmje.
Ndoshta qeshë poet, dashnor a diçka tjetër?

U rrite, tha nëna mbrëmë në shtëpi,
gjeje vetë nusen tënde dhe leri yjet!

Si e zbuloi nëna ime të fshehtën e mbrëmjes
mes mirazhit që dridhej nga hëna?


Zogu i dëborës

Dëbora binte në oborr.
Zogjve u dridhej gjoksi.
Rojë mbuluar me dëborë,
në degë, qëndronte borsi.

Zogjtë në guva natë, ditë,
gjersa bora të shkrinte.
Borsi kërcente në okitë.
Dhe bora le të binte.

Borani i borës në të ftohtë
mbi degët e një dardhe,
si ndonjë bard lirik i fortë,
endej visoreve të bardha.

Dëbora binte tejembanë.
Zogjve u dridhej gjoksi.
Shtegtonin në Arabistan.
N’okitë qëndronte borsi.


Sonte

Sonte s’dua të fle, jo nga marazi i dashurisë
si Milosao që mbeti në netët e gjata magjike
me ëndrra dashurie në peisazhin baritor.
Sonte vërtiten pëllumba të bardhë drite,
nën një qiell të gjerë e të kaltër të dritës.
Fëmijët në rrugë trokasin duart për ardhjen
e zambakut të kuq.
Nënat ndezin globin e dritës, sikur ndezin
një hënë.
Vajzat nën shtylla grumbuj-grumbuj
këndojnë këngë.
Në brigje, nën shtylla, mbi shtylla, në dendësinë
e dritave ndizen këngë.
Sonte jam me ta dhe do të jem me ta.
Sonte me fëmijët në rrugë trokasim duart.
Sonte me nënat tona ndezim në dhomë hënën.
Sonte me vajzat nën shtylla këndojnë me ison
e krahinës, në brigje, nën shtylla, mbi shtylla.
Gjumi s’më zë në peisazhin e dendur të dritës.

‘Vargje të zgjedhura’ Botim jubilar i Lidhjes së Shkrimtarëve, 1969


Ndiqja macet nëpër shi…

Kohë e fëminisë së largët, pranë dritares më troket.
Ku kam bredhur nëpër lagje e kur kridhesha në det.

Ku rrëzoja boçe bredhash, tundja degët e qershisë.
Ndiqja ketrat nëpër pyje, ndiqja macet nëpër shi.

Gjithë mollët e vendlindjes, ndaj dritares një fluger.
Prapa brigjeve të mia, gurët janë kope me dele.

Çamarrok, do të thonë të tjerët:“Je naiv, more derëzi!”
Unë prapë kam për t’u thënë:Ndiqja macet nëpër shi…

“Studenti” dhjetor, 1969


Katër qiparisa zgjateshin në muzg

Katër qiparisa zgjateshin në muzg.
Fryu veriu i natës, njëri u këput.

Në mëngjes u zgjuam, dheu qe acar.
Qiparisi i anës, mespërmes qe çarë.

Tre të tjerë rrinin mbështjellë në borë.
Si bardë vështronin brymën dimërore.

Në mëngjes rrugicat bora kishte zënë.
Me një vig e ngritëm bardin tonë të rënë.

Ahe, pisha, bredha, zgjateshin në muzg.
Bardët mes dëbore mbartnin lart një bust.

“Zëri i Rinisë”, maj 1970


Vjeshtë

Dendur retë u varën si mjekra e mbretit Lir.

Vjeshta mblidhte qilimin e gjelbër.
Vjeshta shtronte qilimin e verdhë.
Një tren kaloi mespërmes vjeshtës me një
lokomotivë të zgjuar,
e zgjuar si fëmijë që rend dhe fërshëlen.
Përse fërshëllente lokomotiva në mes të
vjeshtës?
Mos vallë nga rrushi i bollshëm dhe hurmat
e mëdha?
Vjeshta mblidhte qilimin e gjelbër.
Vjeshta shtronte qilimin e verdhë.
Ne e shkelëm qilimin e verdhë të vjeshtës
të dy nën një çadër si lulekëmbanë.
Vend na bënin në qytet gështenjat e egra,
vend na bënin në qytet tulipanët.
Ne e shkelëm qilimin e verdhë të vjeshtës,
rënien e gjetheve, pëshpëritjet gjatë rënies.
Me ne, gështenjat, tulipanët dhe qyteti është.
Vjeshta le ta mbledhë qilimin e gjelbër.
Vjeshta le ta shtrojë qilimin e verdhë.

Le të varen retë e vjeshtës si mjekra e mbretit Lir.

“Zëri i Rinisë”, 1972


Shtrimi imagjinar i shtratit nusëror

Netëve kur fle ka ca fantazi të shthurura.
Jashtë ka njerëz dhe zhurmë dhe është ora tetë.
Rrugica e tij dimërore tani ka mbetur e shkretë.
Dëborë mbi çatitë e bredhat në fund të rrugicës.
Kërcen nga shtrati, mbështetur në xham duke
ndezur një shkrepse.
(Po vajza shkoi me një të ri,
nën një tjetër bredh, nën një tjetër bli)
Gravurat e drurëve tani janë të shkreta.
Dhe është ora dhjetë dhe është dymbëdhjetë.
(Po vajza shkoi me një të ri,
nën një tjetër bredh, nën një tjetër bli).
Netëve kur fle ka ca fantazi të shthurura, vetë,
duke shtruar shtratin nusëror.
Ndez shkrepse pas dritares duke përgjuar udhën dimërore.
Bora është e brishtë, bora është e butë.
Puthjet e të rinjve bëjnë fëmijë të bukur.

“Zëri i Rinisë”, gusht 1972


Shqetësim pranveror

Ç’faj bëra mbrëmë që më nxori babai jashtë?!…

Erdhi prilli dhe ka ca mbrëmje që flas me gjethin.
Dal deri vonë reklamave të filmave.
Çarçafët e mi mbajnë erë dashurie.
Rri deri vonë me dritare hapur në çarçafët e hënës.
Gjumi s’më zë, vetëm ëndrra….
Përparësja ime lyer me shkumës.
Në fletoret e mia të maturës shkarravina të çuditshme.
Inicialet e emrit të tij në faqen trembëdhjetë.
Mbrëmë nuk m’u dukën shkallët nga dashuria.
Ç’faj bëra unë që më la babai jashtë e numëroja yjet.
Sot, as astronominë nuk e di, as ekuacionet e ditës.

“Zëri i Rinisë”, gusht 1972


Impresionet e dy poetëve

Era hedh në skaj të vjeshtës fjalët e gështenjave.
Poetët në breg të detit thonë se mbetën pa atdhe.

Nata e lagur nën ullinjtë, flokët e De Radës lag.
Unë nuk bej vetëm lirika, -thotë poeti, atje larg.

Mos harro, bir Serembe që t’u thuash brezave,
se prej kohësh nën ullinj s’na zë gjumi për atdhe.

Hëna si fyfyrë liriku mbi shtëpitë e fshatrave,
u thotë mbrëmjeve në ëndërr:ej, si flini pa atdhe?

Era hedh në vesë të vjeshtës degë malli dhe ullinj.
Bëjnë lirika atje ndër brigje dhe i nisin në shtëpi.

“Zëri i Rinisë”, gusht 1972


Të dashurit që na ikin

Na dëgjuat mbrëmë kur flisnim për jetën,
nën ullinjtë që pikonin kokrra dhe gjethe?!…

Në mëngjes ullinjtë mërmëriten fjalë rrëqethëse.
Dridheshin e thoshnin se nuk jemi të përjetshëm.

Të ka lënë uratën – më thanë ullinjtë të menduara,
s’do të kalojë më këtu duke vërshëllyer tmbrëmjeve.

Kardiologët rrëshqitën me inteferencën e zemrave.
I shtrirë, mbuluar me lule nga stina e barit dhe vesës.

Gjithë ullinjtë e krahinës në mëngjes kishin ulur kryet.
Gjithë ullinjtë me vigun e vjelësve e mbajtën mbi supe.

Tani, vjelësi i rënë nga ullinjtë do të jetë pranë diellit.
Tani, zbresin nga kodra pas grushtit të dheut të fundit.

“Zëri i Rinisë”, gusht 1972


Do të ketë shi

Të djelat e vjeshtës janë rezervuar për dasmat.

Dasmorë që do të shkoni të shtunënmbrëma
në shtëpinë e dhëndrit,
mos u hutoni nga zhurmërimet e dasmës!

Sytë e nuses i njoh më mirë unë, se sa burri
që bëhet nesër dhëndër.

Sonte mbi qerpikët e saj u grumbullua re.
Mbi të djelën tuaj nesër duhet të ketë shi.

Gazeta “Drita” 15 tetor 1972


Ky ishte turpi i vetmuar si plepi

Ç’ishte ajo frymë e vjeshtës që fryu
mbrëmë dhe nuk la gjethe te plepi?

Cila është ajo vajzë që ndjek gjethet
e zbathur gjer në bregun të detit?

Befas, tek ndiqte gjethet e fundit
që rrëmbente era si fjalë të ripërtypura,
e pashë lakuriq si statujë e bardhë,
të gënjyer nga një re e çastit.

Ky ishte turpi im i vetmuar si plepi.

1972


Ditëlindja e detit

Dritarja ime e hapur gjithë natën dhe
në mëngjes më solli ftesën e detit.

Unë dola në dritare i përgjumur me
këmishën e natës.
Tani sandalet e saj dëgjohen në rrugicën
e detit.
Tani fëshfërima e këmishës së hënës më
thotë: “Gjumë të ëmbël!”

Turpi i zuri mandarinat nëpër brigje
nga fjalët e erës.

Në kulmin e dehjes rëra u bë xheloze
nga mbishkrimet e pulëbardhave.

Sërish më zuri gjumi dhe pata hënën
për grua në ëndërr.

Sarandë, më 25.12.1972


Pusi i humnerës

Unë jam një pus i thellë, si syri i Ciklopit,
para se të qorrohej në shpellë prej Odiseut.
Thellë humnerave të mia sytë më mbyllen
atje poshtë kur takojnë kërthizën e dheut.
Kur jam bosh brenda meje e hedh kovën
për ujë, ajo përplaset nëpër muret e territ
dhe jehon boshësia ime e erës dhe ulërijnë
atje lubitë e errësirës dhe fërshëllejnë në të
gjuhët e përflakura të gjarpërinjve të ferrit.
Unë jam një pus i thellë, si syri i Ciklopit,
dhe zhbirroj errësirës me një lupë të vjetër.
Rropullitë e kësaj bote i ngjajnë botës tjetër?
Kur zhyt kovën thellë të shuaj etjen time,
nxjerr vetëm erë e zhurmërimë llamarine,
aq sa nuk i dalloj caqet e thellësive të mia
dhe shpesh herë pyes vehten: Jam një pus
i thellë në humnerat e territ apo një qenje
mitike e mbyllur në shpellën e Polifemit?
Kur jam plot hedh kovën dhe asnjë zhurmë,
as gjatë rënies, zhurmë dhe as gjatë ngjitjes.
Pusi bosh kumbon si bocmani kryengritës.

1972


Ëndrra boreale

Fëmijët nën bredha bënin njerëz prej bore
me gjishtërinjtë e tyre që ngrohnin në gojë.
Po ti ku je?Në ëndërr je?
Unë nga masa e borës mund të ndërtoja një
skulpturë të bukur, me një bel si tëndin dhe
sytë si të tutë.
Po s’të doja të ngrirë në ëndrrën time mumje
që me shkrirjen tënde, të shndërroheshe ujë.
Ti skulpurë ëndrre që nuk të ndërtova se do
të mbetesha si fëmijët me gishtërinjtë në gojë
duke parë shkrirjen e veprës së tyre prej bore.

Mes një ere të marrë dimërore ëndrra boreale.
Shëndoshë ëndrra ime për skulpturë reale!

Leshnicë, 1972


Piknik në vjeshtë

Pikat e shiut si lejlekët,
pickojnë rrugët, pickojnë sheshet.

Nga malet zbresin kitaristët,
nga pikniku i ri i vjeshtës.

Ç’e do se shiu ka pushuar
e mblidhen gjethet nëpër rrugë.

S’ka gjë, bëjnë gati kitaristët
koncertin madhështor të vjeshtës.

Leshnicë, më 6.10.1972


Dimërimi i deles
Betejë ere.

Dita kruspet frut.
Lëkura saj është muzg i mardhur.
Tuli i shijshëm dielli pas shuarjes
Së etjes.
Era nis betejën me vërshimet e pamasa
Të gjetheve.
Fëshfërimë e tyre prekja një gruaje
Që nuk iu zhvesh një ere kurrë.
Rënia tyre ringjallje që nuk i premton
Kujtimeve hije, por një padukje
Të prekshme…
Vjeshtën nuk e kafshon një përrallë.
Verdhimi është dielli që u derdh në
Pranverë pjalm nëpër pemë.
Dhe tani po ikën mollëza gishtërinjsh.
Pas beteje era i sheh të shtrira kudo.
Tani e vetme vetvritet shpirt.
Pa mundur të ishte gjethe…
Lëvore nga pëlhurë dielli
E vonët pasi fjeti qielli.


Aromë.

Hëna mbushet me muzgje vjeshte.
Një gjethe që e ndjek pas një qiell.
Rënkon era dhe gjethet i lëpijnë plagët.
Kujtimet dhembin më shumë se dhembjet.
Pemë e zhveshur , baba dhe burrë braktisur.
I vdekur më shumë se të vrarët.

Aromë gjethesh. Toka gatitet të flerë.
Reja merr ngjyrën që lë pas hija bujkut.
Dita ka shijen e lagësht të natës.
Ajri kundërmon lot hëne
Pas mëngjesit të flakët.
Era i hap tokës plagët.

Dhèu tkurret nga vyshkja barit.
Toka zgjedh hirin e vdekjes dhe
Jo një vdekje t’mplakur.
Aromë vjeshte, kjo përjetësi puthjesh
Me ikje gjethesh…ringjallur.


Re.

Fashat e reve sikur vijnë nga plagët e vdekjeve.
Zbardhojnë nën ditë premtim i një përjetësie
Pa natën tretur në humbje.
Kur ulërimat e erërave i prekin plagët
Me duart e kirurgut , dhembjet ngrenë
Dhèrat qiell.
Lotët e shirave mbushin prroskat
E mbetur varre pa u mbuluar as nga
Lutjet…
Re. Këto garza që mbështjellin
Gjymtyrët duarve të Zotit.
Ndërsa Ai ngjitet sërish atje.
Por kur merr shpirtrat me vehte.
Ata i humbin nëpër re.

( Jemi në luftë…).


Hije.

Muzgu ngrihet herë mantel
Karrocieri e herë zotërie.
Pas pemëve hijet fshehin thinjat
E mplakjes së ditës.
Vetë dita kullon djersë
Rrëshire kur dielli
U tret lëngshëm brenda syve.
Toka hesht dre i plagosur.
Nata ngjan me tytën e pushkës.
Që vret dhe pa gjahtarin…
Muzgu nis sheh kopsitjen
E natës me yje.
Harron përskuqjen e pasdites.
Si një pëlhurë e një gruaje në festë.
Pasditja shtrihet horizont.
Ku toka dhe qielli si kavalierë
E joshin jo në amshim…
Muzgu ngrihet mall…
Për të fshehur dhe vetë
Moshën që premton
Përjetësia e hijeve…

Exit mobile version