Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Erenestina Halili

Poezi nga Erenestina Halili

Erenestina Halili

KULLA E MARTINIT, PA KENË

âsht dekë 
Martini i Kol’s, n’tokë t’epërme njatjė përtej…
Gjâmë e zâ 
qitne t’vet’t, n’Plan e Pult e dikah mâ knej,
paj, 
njat burrë, 
s’kan’ mujtë m’e pâ, njerz’t e ngijshëm kafeidhtë…
Dekë 
âsht’ Martini i Camajve…!
Rrug’s s’parrizit, n’kullë ndal fshâmën,

ku janë pantollt e k’misha,
qi falë i pata vllaut,
lodi njelm’t i nân’s mbet’ n’tânë,

thnégla kingji, pendla t’zeza, 
libra t’terun e nji d’rrâsë vigut,
pa shtát temin mbetun lerg, 
rreth e rreth m’kânë qitë gjâmën.
Çkâ 
â pushka, çkâ âsht lejmi përtejmali moree?
-I treti
i Kol’s prej Temali, nji malsuer, 
qi 
pat lé n’Djegagur,
tash n’prandeverë, kur t’bjen di(e)lli, futet n’dhe!
-N’paqë ju la!
Vjetit s’ka me i mungue asnji ditë!
-Qe,
ju la mallin tem,
ânzën teme e nji kotrovë dritë…

BAROK

Sonatë,
oh,
kohë me pushue
n’ mes t’notës,
Sonatë, 
n’shkall’t
e t’matunit me dorë,
vetmi,
Sonatë, 
akord minor,
pa fjalë fjalët
n’melodi.
Sonatë trio
nji pentagram i ri

Barok!

ANDANTE

Ikjet janë tela t’viol’s, 
zâulta, t’mbyllta
rr’rrshqasin n’shpatull katër herë, 
n’ t’katërtin tel…
Ikjet janë violë n’katër tela,
t’ambla si puthja n’faqen Sol,
t’pazhurmta si tingull n’odë,
si dora e motrës n’shpatull,
e butë, 
e âmbël,
si motër.

Zâulta,
t’mbyllta,
rr’shqasin n’shpatull…
Ikjet janë Sol, violë…

Ikjet janë fill viole, 
prej gjorgut t’Kostandinit,
janë frymorë druni,
t’zbardhun telash n’jele trungut,
t’buta,
t’âmbla,
t’rrshqasin n’shpatull…

Ikjet janë Sol, violë,
janë Do maxhor ikjet, violë…

Ikjet, janë kadencë
tuj pritë violën, 
t’butën,
t’âmblën,
t’pshtetunën n’shpatull
violë…

N’ KOPSHTÍ NJI OBOE

Lilat e bylbylat gjallnojnë shkretinë e drekës,
ferishtat s’po ndijnë zânin e nanave n’porta,
mbetë kanë bosh, t’dall’ndysheve folezat,
n’thanë mbet ruba verdhuke e verës s’xetë…

Kah vjen vjeshta n’mall tretë..
Kângë e oboes, n’ ato kopshtì, n’drekë…

Kris në oboe nji shi n’dashni t’magjepsun,
bylbylat, rankojnë trishtimit buzëmbramje,
lilat mbyllin qepenat me erë, kokëulun n’stil,
n’thanë kjan ruba e verës, n’shi e nxânme…

Kângë e oboes, n’ ato kopshtì, n’drekë…
Kah bjen vjeshtën n’mall tretë..

SANG REAL

Templar
i gjurmës t’sheldisë nazike,
kalors i yllzit t’buçimës t’bâshme,
pushitun n’parzm vjerrë dashnia,
gjurmë, gjurmë
templar i gjurmëve të mija.

At Graal templar, templar at Graal,
Graalgjakun!
At Sang Real…

Ai frat
i bardhë n’gjurmë t’sheldisë nazike,
Graal i dashnisë spërvjerrë n’parzm,
ai Graal
templar i jet’ândrrës t’bardhë,
gjurmë,
buçima n’gjurmë shprazet kâdalë.

At Graal templar, templar at Graal,
Graalgjakun!
At Sang Real…

FLOÇKA

Kur dit’s i vjen me fjétë, nata traméndse,
ornisë hyllzat…

Del vasha gjíbardhë shoqnue n’zana,
gjí pllaj’s si mzát,
i lshon njáta flokë, t’derdhun bojëhânet,
si hâna gërgat,
ujit hín nân gunë, etun epsh e mall,
për trim, qi s’ká ngát.

Zanat e malit, ruejnë floçkën,
rreth ujit pa lagë…

Lagun zâ-zana, shpuprron ujt’
e trimit qí s’ká ngat.

Hâna përmbí yllza, n’tis e mblon gjíbardhën
si me kenë aj,
kurm i bardhë i floçkës n’ujt e epshun t’malit,
epet n’huti…

N’dashní t’lqenit mbet’ floçka,
n’shéj t’tij…

N’kohna endet trimi,
m’e rrokë gjíbardhën n’gjí…

Exit mobile version