Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Émile Nelligan, një nga lirikët më të mëdhenj të poezisë...

Poezi nga Émile Nelligan, një nga lirikët më të mëdhenj të poezisë frankofone në Kanada

Përktheu dhe përgatiti Flurans Ilia

Emile Nelligan lindi më 24 dhjetor 1879 në Montreal. Në moshën 16 vjeç publikon poezinë e parë. I portretizuar si “fëmijë i mbyllur dhe i eklipsuar tërësisht nga poezia” është një nxënës me nota të dobëta në shkollë. Ndikimet e para janë klasikët Millevoye, Lamartine, Musset, gjersa zbulon poezinë e Verlaine, Baudelaire, Rodenbach. Pasi është përjashtuar nga një sërë seminaresh me disiplinë fetare, më në fund pranohet në Shkollën Letrare të Montrealit fal talentit të tij. Përgjatë adoleshencës së hershme është i portretizuar nga institucionet shkollore si “një tip i krisur”. Nga njëra anë fjalët e serta të babait “Ti nuk vlen për asgjë!” duke ia hedhur në zjarr dhe djegur poezitë, edhe nga ana tjetër, zëri i nënës, duke e shndërruar frëngjishten gjuhën në të cilën përzgjodhi të shkruante në një imazh poetik. Përkundër mentalitetit të epokës “ky i ri i krisur përflitet se ka marrëdhënie me një zezake”. Asgjë nuk është e dokumentuar përveç karakterit idilin me të cilin gruaja ka hyrë në universin e tij poetik. Gjersa me kërkesën e babait më 9 gusht 1899, në moshën 20 vjeç, poetin e mbyllin në azil psikiatrik me diagnozën “I degjeneruar mendërisht. Çmenduri polimorfe. Skizofreni e pashërueshme”. Nelligan kaloi 42 vite nëpër azile psikiatrike gjersa vdiq më 18 nëntor 1941. Njësoj si në vargun i tij “Ku farëzohen dyshimet e porsaçelura të pemëve” rreth viteve 1960, interesi ndaj tij tërheq vëmendjen e krijuesve të rinj franko kanadez të cilët shohin te Nelligan “poetin që kreu kapërcimin e poezisë franko kanadeze nga forma klasike te ajo moderne”. Në vitin 1991, me rastin e 50 vjetorit të vdekjes, përmblidhet dhe botohet për herë të parë vepra e tij e plotë. Emile Nelligan, sikur Arthure Rimbaud, krijoi përgjatë viteve të rinisë së hershme, pjesa tjetër e jetës ngelet një luftë e vazhdueshme me demonët e tij. Konsiderohet si një nga lirikët më të mëdhenj të poezisë frankofone në Kanada.


Ç‘është e trishtë tetorit zë vjollcë

Ç ‘është e trishtë tetorit zë vjollcë
Muzgu
Varrimet e pagjasa të sendeve
Zymtësia
Në dhomën rozë e të bardhë prehet një virgjëreshë
E bardhë dhe rozë
Mullinjtë e fshatrave heshtin. Barinjtë kthehen
Mos harro
Nga hapat  e maleve midis rrjedhës së burimeve
Të gurrave të tyre
Ditën tjetër me ta. Krye engjëjt bukolikë
O relikë
E ëmbël e një fëmijërie të pagjasë! Dikush midis tyre hesht
Është Fritzi. Ndoshta ai
Dashi që prin kopenë, mbreti i vagabondëve
U prin dallgëve
Hejza. Që e bënë fatkeq! Njëherazi mburoja
Gurrë stralli
Kundër të cilit Koha e pat përdorur limën
Sublimen
Plaku loton vdekjen e vet si një lule dimri
Një kortezh
U formua. Dy krahë vitalë në famulli shpënë
Një lopatë
Në tokën e porsa hapur arratia nga jeta
Që nuhat
Të gjitha hapat e dhimbshme. Kallauz në tokën
E vetmuar
Ndër ëndrra dëgjoj vajtimin mbi kambanat
E të afërmve
Në mbrëmje. Mbart për të një kujtim vëllazëror
Luftë e shtrenjtë
Me kohën tjetër. Tek unë, plaga nuk gjakon
Koriçkë ka zënë tashmë
Nga zjarri që përqafon sobën e kuqe
Shkarpat ndër krahë
Kam kaq ethe sa dua krejt botën ta pi  
Dhe dallgët e saj
Dhimbje ngulur thellë si një lis mbi truall
I pafjalë
Ç ‘është e trishtë tetorit zë vjollcë
Mugëtira


Anija e artë

Një Anije e madhe e mbathur në ar
Kaltërsi preknin velat mbi dete të panjohur
Luspë dashurie, flokë shpupuritur, gjoks zhveshur,
Lundron në kryeradhën e një dielli që djeg
 
Mbërriti një natë që u ndesh me thellëtirën
Në oqeanin gënjeshtar ku sirena këndon
Mbytja e tmerrshme ja përkuli kryet
Në humnerat e Vidhimës, të rrethit vicioz
 
Ishte një anije e artë, ku diafragma e brinjëve
Dëftonte thesaret e marinarëve të pafe
Pështirosje, urrejtje dhe nerva filluan grindjen
 
Çka ngelur nga Anija asaj stuhie të beftë?
Çka u bë zemra ime, lundër e braktisur?
Nën hijen e rrokullimës së ëndrrës gjeti strehë!


Natë dimri

Porsi dëborë bora ra! Ah!
Bahçe kristalesh akulli dritarja ime
Ah! porsi dëbora borë ra!    
Çfarë tkurrje e tendosur të jetosh
Me dhimbjen që kam, kam dhimbje
 
Gjithë pellgjet nga cipa e akullit mashtrojnë  
Zhgunin e shpirtit tim;  ku jetoj? ku vete?
Këto shpresa të ngrira të gjitha mashtrojnë
Norvegjia e re jam
Për ku qiejt biondë janë mërguar
 
Ngashërohu, o zogu i shkurtit,
Në pafajësi thëllimesh të gjërave
Zog i shkurtit, ngashërohu,
Vajto dënesën, trëndafilat e mi
Nën dregëzat e dëllinjës
 
Porsi dëborë bora ra! Ah!
Bahçe kristalesh xhami  i veshur
Ah! porsi dëbora borë ra!  
Çfarë spazme të jetosh
Me çmërsin që kam, e gjithçka…


Varri i zezakes

Asohere vidhisur prej nesh i dimrave thëllim
Në të fundmit qiej të zbehtë të marsit, e shpumë
Nëpër shkorretet funebre me aromë kannelle
Ku farëzohen dyshimet e porsaçelura të pemëve
 
Të lartave degë shpuar me zogj të ndryshëm
Frymëmarrje të trishta gufojnë shpirtrat e tyre
Në limonin e njomë dhe të athët e rikthyem
Që Afrika të flejë në paqe n’ gjelbërimin e muajve
 
Trualli me besim do t’ia mbulojë shpatullat
Ku kumria e bukur në kështjellën e drunjtë
Do vajtojë shpesh temën e njëzet viteve të saj
 
Ndoshta, do të rikthehet në një të largët pranverë  
T’ia zbulojmë zemrën ndër kaçube të fshehta
Tek çelet si një zambak midis trëndafilave të bardhë


Romanca e verës

Krenari e gjelbër e qeshura jetësore përzihet
O netë të bukura të majit! Në kor zogjtë
Në zemër shpresat ripërtërihen
Formojnë preludin e tyre në guvën time
 
O netë të bukura të majit! Mbrëmje të lumtura
Një organo shkreptinë tej një të trishtë melodi
Dhe rezet e diellit, sikur shpata ngjyrëvjollcë  
Çapojnë zemrën e ditës që vdes e parfumuar
 
Jam krenar ! krenar jam ! Brenda kristalit që këndon
Shtir, më shtjer verë ! mbushe akoma edhe çdoherë
Të mund të harroj trishtimin e ditëve
Nga krenaria e shpifur tallava e turmave!   
 
Jam krenar ! krenar jam ! Rroftë vera dhe Arti
Ëndrra kam të shkruaj vargje prej vërteti
Vargje të mbushura me muzikë funebër
Erërash vjeshtuke nëpër mjegull duke baritur  
 
Mbretëria e të qeshurës së hidhur dhe tërbimit
Të njohësh poetin dhe gjësendin e matur
Të njohësh zemrën dhe të mos jesh i kuptuar
Veç nga qartësia e hënës e muzgu portokalli
 
Gra! këtë dolli për ju kur qeshni te sokaku ku epshi
Më thërret duke hapur krahët si petale trëndafili
Këtë dollinë tjetër për ju, burra me balle të zymtë
Që dorën ma keni shtrirë e dinjitet më keni dhënë
 
Ndërkohë që e gjithë e kaltra yjëzohet madhërisht
Dhe një himn merr zë në ndriçim të ri
Mbi kapitullimin e ditës për të cilën nuk qahem
Unë që eci në terr mbi rininë time ngjyrë gri
 
Jam krenar! Krenar jam! Rroftë mbrëmja e majit
Çmendurisht kryelartë, i dehur pa qenë aspak
Është gjithë çka jam lumturisht jetuar përfund
A është shëruar duke dashuruar zemra ime?
 
Këndojnë kambanat flladin mbathur me ar
Ndërkohë vera buron me rrekëza lumturish
Jam krenar, në të qeshurën me zë të plotë
Kaq krenar sa kam frikë të shpërthej në lotë

Exit mobile version