Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Armanda Hysa

Poezi nga Armanda Hysa

oh, gjuha ime!
ti që thyen gurin e hap zemrat
ti që shëron e plagos në të njëjtën kohë
jepmë ca fjalë hua
në këtë kohë kokëdhembjesh
t’i kem rezervë
për atëherë kur
të jenë shterur lotët!
oh, gjuha ime!
heshtja pa lot
vret më shumë se ti,
ndaj jepmi hua ca fjalë
të pathëna kurrë më herët!
mos druaj!
unë jam borxhshlyese e rregullt.

Babë, a e mban mend nanën ti?
I vogël kam qenë bijë
Nuk kujtoj fytyrë, as flokë
Nuk kujtoj as zë, as lot..

Veç dy krahë

Pranë pusit, n’atë shtëpi Shkodre
Një përqafim nane
Që zogjt e vet
Nga gjëmime
Granatash e plumbash
I mbronte…

Me ata krahë përqafuar
Rroj tash 80 vjet….

Të gjithë vdesin një ditë,
Të gjithë.
Ç’ka nisur, dikur soset
Ç’ka lulëzuar, dikur kalbet
Ç’është mbushur, dikur zbrazet.
Kurse poetët, oh,
poetët
Ata vdesin çdo ditë nëpër vargje.

Po sikur
kjo jetë të jetë thjesht ëndrra
e dikujt apo disave
që jetojnë një tjetër botë
një tjetër jetë?

Megjithatë
Duket tepër konsistente për të qenë ëndërr
tepër e vrazhdë për të qenë e ëmbël
tepër e ditëpasditshme për të qenë fantastike
tepër e ngujuar për të qenë fluturuese
tepër e ngatërruar për të lënë hapësira zgjimi

Duket
Tepër e vërtetë për të qenë e bukur…

Kush jam unë ditën?
Thjesht dy sytë e ballit.
Po natën?
Oh, natën jam ëndrra jote.

Kush jam unë sot?
Filizi i së djeshmes.
Kush do të jem nesër?
Oh, e nesërmja nuk ekziston.

Kush jam unë këtu?
Atjeja e dikujt tjetër. 
Kush jam unë atje?
Oh, këtuja e vetvetes.

Ti thjesht deshe një ëndërr të çmendur
ta jetosh ca kohë.
Unë thjesht desha ca dridhje të lehta
sa me u ndje gjallë.
Absurd mbetet fakti që ca-ja dhe sa me-ja
u bënë shënjues pafundësie,
Lejla gjithnjë në ikje
Mexhuni në çmenduri

Diku andej tej
në një pikë të hapësirës
jo fort larg nga Toka
na qenkan përplasur dy yje neutronase.
Jo përplasur në fakt, por takuar,
kishin kohë që i vinin rrotull njëri-tjetrit,
jo si i vardiset Hëna Tokës,
çdo ditë në të njëjtën distancë.
Këta të dy, bënin sikur nuk e shihnin sho-shoqin,
por tërë kohës, me vështrimin në bisht të syrit
afroheshin pak e nga pak,
rrethin duke e kthyer në spirale,
një milimetër tani e një pastaj.
Në miliarda vjet 
u afruan, e më në fund, 
u përqafuan.
Po çfarë janë miliarda vjet për pafundësinë?
Kur dy neutronianë nisin të preken
energjia nis të dalë mendsh fare.
Kur ata puthen,
universi nis prodhon adrenalinë.
Kur ata shkrihen në njëri-tjetrin
zjarret shpërthyese ua bëjnë zili
gropave të zeza.
E ndërsa yjet kënaqen për hesap të vet
astronomët na shpjegojnë shifrat e tyre në fuqi 20
a thua se kaq vështirë e paskemi
për të ndjerë një përqafim?

Hap sytë e ç’të shoh? E shikuemja dhemb.
Hedh hapat, e ç’lëviz? E lëvizmja dhemb.
Hedh sytë ndër rreshta, e ç’lexoj? E lexuemja dhemb.
Kafshoj diçka, e ç’ha? E ngrëna dhemb.
Takoj dikë, e ç’flas? E folmja dhemb.
Vë penën në letër, e ç’shkruaj? E shkruemja dhemb.
Hap veshët, e ç’dëgjoj? E dëgjuemja dhemb.
I mbyll e bllokoj të gjitha, lë veç shpirtin të shpirtojë.
Ah, e shpirtuemja pluskon dhimbjesh dhembsurie.
E dhembsuria është kusht i domosdoshëm
e i patjetërsueshëm
i dashurisë.

Nata është ankth
Nata është qetësi
Nata është zjarr
Nata është ujë
Nata është terr
Nata është dritë
Nata është thelb
Nata është lëkurë
Nata është gjithçka 
mes poleve duale të qenies

Vjeshtë moj, a s’më tregon,
si prej teje të shpëtoj,
si të shkretën të arratisem,
kur vrapit ia marr,
e rrugë nuk bëj?

Zemër, si don të më ikësh,
të marrësh male e fusha,
rrugë, e lumenj,
dete, e re
kur ti je gjethja
që bleron e verdhon
që bie e shkrihesh
që më jep emrin vjeshtë?

Vjeshtë, ki moj pak mëshirë,
në s’më len me ikë,
më lër pak frymë të thith!
Si mund të ngrihet e ulet kraharori
kur rëndon nga malli e ashku?

Mandë moj, e marrë ti,
s’po më kërkon të ikësh prej meje,
por un’ mos të jem më vjeshtë,
e un’ s’jam këtu jetë me të dhënë,
jam këtu frymën me ta marrë,
ta zbukuroj me duart e mia,
ta dashuroj si ernat e mia,
ta ruaj si syt’ e ballit 
gati ta bëj për beharin.
E, kur të ndahemi në pranverë,
kemi me pritë me afsh e zjarr
që unë të vij e prap frymën ta marr…

Vargjet për dashurinë duken
Të ethshme
Të paturp
Të rrëmbyeshme
Të kuqe flakë
Të nxehta
Të rrëmujshme
Patetike
Klishe.

Vargjet për dashurinë zhduken
Kur të menduarit
Shqetësohet 
Për stilin, 
Famën, 
Modën.

Mos më kërko të ngjitem lart,
atje është babi
që me kujdesin atnor
ruan me fanatizëm
kujtimet e mia.

I mbron ai ato
nga harresa.

Vetë nuk pati babë 
t’ia ruante të tijat
e nuk lejon kënd t’i prekë
të miat.

As mua.

Ke kohë bijë,
më thotë
kur më të mos jem
e ti do i hapësh ato
ashtu si hapet dhurata
më e bukur e ditëlindjes.

kur të mos jem më,
do më gjesh aty,
mes tyre,
e do më përqafosh.
….

Exit mobile version