Për të kuptuar në themel jetën dhe veprimtarinë politike dhe artistike të Vaclav Havelit do të ishte mirë të lexoje librin e publicistit dhe politikanit Mihael Zhantovski i cili në 560 faqe të tij zbulon tërësisht gjithçka, për të. The Guardian e cilëson atë si “Biografia e vitit 2014”. Për përshkrimin, interpretimin dhe analizën e Vaclav Havelit nuk ka autor më profesionist se sa Mihael Zhantovski. Biografia haveliane e tij është shkruar me një mirëkuptim të madh, sinqeritet dhe dashuri – dhe na ofron jo vetëm një analize erudite të amanetit politik të Havelit, por edhe të veprës së tij artistike.
Fatin e madh që më erdhi si dhuratë nga Zoti e kam çmuar pa masë dhe nuk besoj se do ta ndërroja me asnjë profesion tjetër. Është e vërtetë se studiuesit thonë se për nga angazhimi fizik dhe mendor ndër profesionet moderne, ai i kineastit është nga më të vështirët. Por kënaqësia e të bërit film nuk ka të krahasuar me asgjë. Ti një vit të tërë jeton me atmosferën e kohës se Zogut e vitin tjetër bën një kinokomedi për të vazhduar me një film plot përmasa dramatike e tragjike. E thënë shkurt temë me variacione si në disa vepra muzikore.
Por nuk më kishte shkuar në mendje se do të bëja dhe diçka tjetër në jetën time. Po ja që një ditë ndodhi ajo që nuk e prisja. Vendosën të më dërgojnë të bëj Ambasadorin në vendin ku 38 vjet më parë kisha studiuar. Librezën e punës të viteve 1961-1993 e kisha mbyllur si kineast dhe bashkë me Enon kishim hapur kompaninë filmike Bunker Film dhe punët, në kushtet e ekonomisë se tregut, po na shkonin si jo më mirë kur më emëruan për të shkuar në Çeki.
Për dy muaj u ula në Arkivin e Ministrisë se jashtme dhe u hyra me themel dosjeve voluminoze të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri- Çekosllovaki. Kujtoja se dija shumë por jo të gjitha. Aty u njoha dhe me fatin e Ambasadorit të parë shqiptar në Pragë, Ceno Bej Kryeziun. Muaj më vonë, kur u njoha në Pragë me albanologun më të shquar bashkëkohor zotin Pavel Hradecni, mësova prej tij edhe me shume. Hradecni thoshte se atentati ndaj Ceno Begut ishte motamo njëlloj me atë të atentatit ndaj presidentit Kenedi. Ceno ishte vendosur në hotelin “Passage” të Pragës në pritje të dorëzimit të letrave kredenciale, Presidentit themelues të shtetit të ri çekosllovak, Tomash Masarikut, kur një mbrëmje në gaderobë e kafe “Passage” goditet për vdekje me dy plumba nga pas. Ishte dita e 14 tetorit të vitit 1927. Atentatori ishte një student shqiptar dhe quhej Alqiviadh Bebi që ju vetëdorëzua policisë. Gjatë hetimeve ai deklaroi se e vrau pasi Ceno Beu ishte një filoserb që ia kishte shitur Shqipërinë Jugosllavisë. Por pa filluar ende procesi gjyqësor në salle hyn një agjent jugosllav i quajtur Zija Vushtina (shqiptar i Kosovës) që vret në vend Alqiviadhin. Dhe këtu fillon enigma e pazgjidhur ende. E vrau një njeri i emigracionit antizogist, pra i dërguar i KONARe-as, apo vetë Zogu që dyshonte në veprimtarinë e fshehtë të tij. E vërteta është se vrasja e tij u quajt një humbje për autoritetet jugosllave që e mbanin për mik të tyre në një kohë kur Italia po përgatitej të shtrinte influencën e saj jo vetëm në Shqipëri por në gjithë Ballkanin. Ashtu si vrasja e Li Osvaldit nga ana e Xhek Rubit mjegulloi të vërtetën e vrasjes së Kenedit po ashtu dhe atentati ndaj Ceno Begut do ngelet përgjithmonë i pa qartë.
Në përvjetorin e gjashtëdhjetë të ditëlindjes time, përmes një skice, më treguan se si do të lëvizja të nesërmen nga oborri i kështjellës së Pragës deri në takimin kokë më kokë me presidentin Havel. Vite më pare, përmes TV Italian kisha mësuar shumë gjëra për udhëheqësin e revolucionit të kadifenjtë që i solli Çekosllovakisë lirinë e shumëpritur pas 21 viteve të pushtimit nga ushtria ruse.
– Jam shumë i kënaqur që ke ardhur këtu përsëri por mos më trego asgjë për veten tënde. Më thuaj si po shkojnë punët në Shqipëri?- e filloi Haveli bisedën me mua.
Pasi e sqarova për atë çka kërkonte pyetja e dytë ishte për gjendjen e rënduar në Kosovë. Dhe në fund të bisedës kërkoi një këshillë nga unë. Më tha se këto dite pritej të vinte në Pragë Ibrahim Rugova të cilit shoqata “People in Need” do t’i jepte medaljen Homini Hominis. Ishte një çmim që një herë në vit jep kjo shoqate. Ai dëshironte që këtë dekorate t’ia jepte Rugovës personalisht. Si thoni ju? T’ia jap apo jo? Si do reagojë për këtë vendi i juaj?
– Është e vërtetë se Rugova është zgjedhur si President i Kosovës nga një Parlament në kushte ilegaliteti por qeveria shqiptare jo vetëm që e ka njohur atë zyrtarisht por në Tiranë ne kemi një përfaqësi diplomatike të qeverisë “ilegale” të Kosovës.
– Faleminderit për këshillën tuaj, – më tha gjithë buzëqeshje.
– Zoti president! Edhe unë kam një lutje për ju. Ëndrra ime më e madhe është që ju një ditë të vizitoni Shqipërinë.
– Keni shumë të drejtë. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend europian që nuk e kam vizituar. Por më besoni se vitin tjetër kam shumë angazhime serioze. Më duhet të shkoj në Bruksel e Uashington se së shpejti do të bëhemi anëtarë të NATO-s. Pastaj shëndeti im nuk është me i miri.
– Po unë kam durim dhe pres. Në mos vitin tjetër, në vitet që do të vijnë, mjafton të më jepni një shpresë.
Duke qenë të ulur shumë pranë njëri-tjetrit e ndjeja frymëmarrjen e tij të rëndë. Duhani i tepërt që kishte tymosur në vitet e burgut e kishte bërë të vetën. Para dy vitesh i hoqën gjysmën e mushkërive. Nuk kam për t’u bërë asnjëherë si Haveli, – thashë me vete – dhe të nesërmen e ndërpreva pirjen e duhanit që vazhdoi vetëm pesë vjet për ta rifilluar e lënë pafundësisht këtë ves te keq.
Të nesërmen takova një shokun tim të fakultetit, regjisorin Hinek Bocan dhe ai më sqaroi për dy të panjohurat nga biseda me Havelin. Më tregoi se kur mësuan për ardhjen time në Pragë ata e informuan Havelin se kush isha.
– A të kujtohet që çdo të enjte në mbrëmje ne shikonim në sallën e vogël të fakultetit filma “të ndaluar” amerikanë, spanjollë apo filma erotike greke? Në atë rreth të mbyllur vinte dhe një djalosh i ri, bjond me sy të kaltër. Ai ishte Vaclav Haveli, apo Vashku si e thërriste Jan Njemeci, shoku ynë në klasën e regjisë. Njemeci e kishte djalë teze dhe e sillte dhe atë. Po pas shfaqjes ku shkonim?….. ….sigurisht te birraria më e afërt për të diskutuar dhe pirë birrë. E ku të na shkonte në mendje atëherë se ai djalosh fjalëpak do të bëhej një ditë presidenti ynë. Me ardhjen tënde ia kujtuam dhe Vashkut këto histori. Ndaj të tha: Mos më trego asgjë se i di të gjitha më tha Hyneku.
– Të kuptova. Po pse më kërkoi një këshillë atëherë për Rugovën?
– Dëgjo këtu. Para një viti Haveli vendosi t’i japë një medalje të lartë Helmut Zilkes, ish-kryetarit të Bashkisë së Vienës në vitet 1984-1994, për kontributin e tij në miqësinë çekosllovako-austriake. As më shumë e as më pak, po Urdhrin më të lartë “Luanin e Artë Çek”. Dhe kur kjo gjë u bë publike, gazeta gjermane “Suddeutche Zeitung” e paralajmëroi Havelin se nëse do ta bënte këtë ata do të botonin dokumente origjinale për bashkëpunimin shumëvjeçar të Zilkes me shërbimet sekrete të Stb-së çekosllovake (sigurimi shtetëror çekosllovak). Sigurisht që u tërhoq. E ftoi Zilken në një darke private dhe me kaq e mbylli. Ndaj është bërë kaq i kujdesshëm për këto lloj dekorimesh.
Kur ma prezantoi stafin e ngushtë të bashkëpunëtoreve të tij ndër ta ishte dhe Shimon Panek, si këshilltar part-time i presidentit për Ballkanin. Shimoni ishte bërë i njohur si një ndër udhëheqësit kryesorë të lëvizjes studentore të vitit 1989. Më vonë themeloi shoqatën humanitare “People in Need” (Njerëz në nevojë) që zhvillonte ndihma humanitare në Kosovë, Çeçeni e Osetinë e jugut. Ishte një shoqate jo politike që ndihmonte njerëzit e varfër me ushqime dhe pajisje shëndetësore. Herë pas here ia kujtoja Shimonit për dëshirën që kisha që Haveli të vizitonte Shqipërinë. Një ditë fillim qershori Shimoni më telefonoi e më tha se dëshironte të vinte për vizitë në Ambasadë. Kuptohej se do të më kumtonte diçka të mirë. Sapo ishin përfunduar bombardimet e NATO-s dhe Miloshevici ishte detyruar të firmoste armëpushimin. Shimoni më tha se Vaclav Haveli do të vizitojë pas disa ditësh Shqipërinë dhe Kosovën e porsaçliruar. Lajmërova menjëherë Tiranën dhe pas disa ditësh u nisa për në Shqipëri. Delegacioni çek mbërriti në Tiranë me avionin qeveritar paraditen e datës 28 qershor dhe menjëherë shkuam në Pallatin e Brigadave për bisedime me Presidentin Meidani. Fjalët e para të Havelit ishin për mua një surprizë.
– Njohja e ime me Shqipërinë ka filluar në vitin 1955 kur si student vitit të parë në degën e inxhinierisë së transportit pata në klase dhe dy shqiptarë, (e kishte fjalën për Qirjako Kamenicën dhe Ilo Bocin – të dy ish bashkënxenës të mi në gjimnazin e Korçës). Më vonë njohjet e mija për Shqipërinë dhe Kosovën u zgjeruan se tepërmi.
Bisedimet zyrtare ishin të shkurtra sepse Haveli duhej të shkonte të vizitonte spitalin fushor të ngritur diku në afërsi të Kavajës nga pala çeke në pritje të të plagosurve që do të vinin nga Kosova. Fatmirësisht gjatë luftimeve në Kosove spitali nuk pati shumë paciente. Haveli, stafi i tij dhe ne që e shoqëronim drekuam në restorantin tënde të spitalit. Ma donte detyra të isha i krekosur me kostum e kollare edhe pse vapa ishte e padurueshme, ndërkohë që Haveli kishte një këmishë të hollë dhe bluxhinse. Shimoni me keqardhje më tha se pas drekës të gjithë do të shkonim drejt Rinasit ku prisnin dy helikopterë të Natos por në to do të hypte veç Haveli, bashkëshortja e tij Dagmar dhe ministri i mbrojtjes. Ne të tjerët do ta prisnim kur të kthehej në Rinas.
Duke ngrënë drekë Haveli e hodhi shikimin drejt meje dhe më tha:
– Do të vish me ne në Kosovë?
– Më vjen keq por nuk jam në listë.
Dukej që planet e fluturimit drejt një territori ende të pasigurtë i bënin specialistët e Natos.
Ishte i pari President që vizitonte Kosovën e porsaçliruar ndërkohë që Miloshevici bërtiste plot zemërim nga Beogradi për viziten “ilegale” të tij në Kosovë.
Gjatë viteve të qëndrimit pata rastin ta takoj disa here me rastin e Festës Kombëtare apo kur u dorëzoi “Luanin e Artë Çek” atyre që kontribuan në shembjen e perandorisë komuniste, pra Xhorxh Bushit, Margaret Thecerit, Helmut Kohlit, zonjës Miteran dhe Mihail Gorbcovit.
Në vjeshtën e vitit 2000 në Bratislavë u zhvillua një Samit i vendeve aspiruese për në NATO, pra ishte aty dhe një delegacion zyrtar nga Shqipëria i kryesua nga zv. Kryeministreja Makbule Ceco. Në çdo diskutim të Havelit ndjeje frymën filozofike të këtij disidenti dramaturg. Në Bratislave ai plot modesti tha se nuk ishte ai që luante rol në fatet e Botës por megjithatë nuk nguronte të propozonte se në emër të stabilitetit dhe të paqes do të ishte e nevojshme që në NATO të hynin sa më parë Sllovakia dhe vendet Baltike. Dhe pa u mbushur një vit nga ky propozim këto vende u antarësuan në NATO. Pra Haveli ishte një zë i respektuar në qarqet më të larta të diplomacisë botërore.
Kur u zgjodh si Presidenti i parë demokratik nga Asambleja Federale e Çekosllovakisë, e përbërë nga të përzgjedhurit e nomeklaturës komuniste ai bëri thirrje që ata njerëz të ndershëm që kishin emigruar në masë në vitin 1968 të ktheheshin në Çekosllovakinë e re për të kontribuuar në nderimin e shtetit të ri demokratik.
Palamenti komunist votoi 100% që Haveli të zgjidhej president. Se ata nuk dinin të votonin ndryshe – nënvizon me ironi shoku i tij i rinisë regjisori Milosh Forman në kujtimet e tij.
Thirrjes së Havelit iu përgjigj dhe shoku i tij i fëmijërisë Jan Drabek. Drabku ishte vetëm 12 vjeç kur në vitin 1948 emigroi familjarisht se nuk e pranonin regjimin komunist që po instalohej në Çekosllovaki. Punoi për disa vjet në Radion Europa e lirë e më pas u vendos në Kanada ku bëri emër si shkrimtar.
Në librin e tij të vitit 2000 “Deri në gryke me postkomunizmin” Jan Drabku tregon se si Haveli e emëroi shef të protokollit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ambasadorin e parë të republikes Çeke në Shqipëri në vitin 1997.