Kreu Letërsi Bibliotekë “Përtej pikës së kthimit”, tregim nga Armenida Qyqja

“Përtej pikës së kthimit”, tregim nga Armenida Qyqja

Patjetër që do të ketë qenë shumë e bukur në rini” mendonte Eva, duke vështruar përvjedhur gruan e moshuar pranë saj. Dy vjet më parë, ishte kujdesur për të në spital dhe rastësia kishte dhënë që para pak kohësh ajo të blinte një apartament në të njëjtin pallat ku banonte e moshuara bashkë me të shoqin. Një javë pasi kishte hyrë në shtëpinë e re ishin përballur, kur ajo po dilte për të ikur në punë.

-Maria, – kishte thënë ajo e habitur me çelësa në dorë pa arritur të mbyllte derën.

-Shqiptarja! Infermierja ime!- kishte thirrur e moshuara dhe i ishte hedhur në qafë. “Shqiptarja”, kështu e thërrisnin shpesh të moshuarit nga Evropa Lindore, të cilëve falë natyrës së dashur, u hynte shumë lehtë në zemër.

I kujtohej takimi i parë me Marian, kur ajo erdhi me urgjencë në spital, pas një sulmi kardiak. Sa pacientë kishte parë të dorëzoheshin krejt, por e moshuara, me forcë të padukshme, i kishte bërë ballë goditjes. “Zot, më jep një mundësi të dytë, – mërmëriste e mbyllur mes muresh të bardhë ajo, – nuk do ta shkoj dëm”.

Dhe sapo kishte fituar pak forcë, qe ngritur nga shtrati dhe duke shtyrë karrocën e balancës, kishte filluar t’i vinte spitalit rrotull. Të gjithë mjekët dhe infermierët e admironin vullnetin e saj dhe e inkurajonin, sepse terapia më e mirë dihet: lëvizja dhe optimizmi. Dhe megjithëse diku te të shtatëdhjetat, pas asaj sfide me zemrën, e ruante akoma hijeshinë e gruas fisnike.

Sot, si të tërhequra nga një fill i tejdukshëm misteri, kishin dalë njëra pas tjetrës nga banesat. Vjeshta ishte shtruar mbi oborrin e vogël të pallatit, ku një trishtim i kuqërremtë dallohej mbi gjethet e rëna. Të ulura në një stol, ajo dhe Eva ngjanin si një tablo kontrastesh në këtë sfond melankolik. Maria e ndjente gjoksin t’i rëndohej nga pesha e fjalëve dhe e pa në sy bashkëbiseduesen, këtë grua të re sytë e së cilës mbartnin kaq shumë jetë brenda tyre. U mundua t’i buzëqeshte mes lotëve.

-Ah, ti je e re. Ende s’të kanë rënduar vitet. Pastaj gjë tjetër historia ime, gjë tjetër, – psherëtiu.

Infermierja i kapi lehtas dorën pa folur. Më mirë ta linte atë të mblidhte mendimet e shtyra në qiej të tjerë, në kohë të largët.

“Isha vetëm tetëmbëdhjetë vjeçe kur e pashë për herë të parë babain e Jurit, – filloi rrëfimin Maria me sytë e tretur larg. – Isha e ftuar në një mbrëmje modeste. Ç’luks mund të kishte atëherë! Ai m’i kishte qepur sytë tërë kohës dhe unë mundohesha të mos i kryqëzoja me të tijat. Një mikja jonë e përbashkët e vuri re dhe më tha:

– I pashëm! Është oficer me grada. Djalë i mirë dhe duket që ia ke marrë mendjen.

U skuqa dhe u mundova t’i hiqja sytë . Ai sakaq sikur ta kishte kuptuar që po flisnim për të erdhi dhe më ftoi në vallëzim.

Një natë si vegim i qiellt, mjaftoi që të dashurohesha me të. Sytë e tij blu të thellë ishin si një magnet që mbante të mbërthyer qenien  time që nuk dinte ende se ç’ishte dashuria. Pas një muaji u fejuam. Ai ishte një oficer i pashëm, i edukuar, karizmatik dhe nuk e kishte të vështirë të fitonte zemrën e gjithkujt, përfshirë dhe të prindërve të mi. Brenda vitit u martuam dhe nisëm familjen tonë. Lindi djali jonë, Juri, në dimrin  e gjashtëdhjetegjashtës. Ç’kërkoja më? Asgjë! Dy dashuritë e jetës sime i kisha. Ndaj asgjë s’më trembte. As matematika e pas luftës, lufta e ftohtë, komunizëm, racione, shkurtime, gjëra që ti i di. Eh, s’kishin rëndësi…”

Ajo u mbush thellë me frymë, marshimi në vite u struk diku, mendueshëm. Eva miratonte me mimikën e heshtur, por kuptimplotë. Ajo e ndiente që ky ishte një rrëfim. Jehona e shpirtit që nuk priste pyetje, fjalë plotësuese, përgjigje. Në këtë pikë të jetës, fjalët ngjiteshin nga një hon i rrëpirë ku rrinte të fjetura prej vitesh. Gruaja e vjetër u shkund nga heshtja e krijuar dhe vazhdoi:

“E përfshirë në lumturinë time, çdo gjë dukej  sikur më kalonte tangjent. Bota ziente rrotull, situata politike ishte shumë e keqe, por mua më dukej sikur çdo gjë rrinte jashtë mureve tona, deri në atë natë të nxehtë gushti, kur im shoq u kthye në shtëpi i vrarë në fytyrë. Ngriva nga habia kur ai në mes asaj vape zhuritëse, mbylli dritaret. Pastaj u ul dhe më mori pranë vetes. Nuk e kisha parë kurrë në atë gjendje. Nuk guxoja të flisja nga frika se ç’do të dëgjoja. Ai m’i mori duart në të tijat dhe tha:

– Duhet të arratisemi që sonte në mesnatë. Sllovakia do të pushtohet. E di nga burime të sigurta. Duhet të ikim.

Unë dridhesha e tëra. Ç’të mendoja aq papritur? Pushtimin? Ikjen? Jetën që kthehej në pluhur, nga kjo erë e marrë që zbriti papritur nga qielli e po ma pështjellonte ekzistencën njëherë e përgjithmonë?

– Ku do të shkojmë me një fëmijë një vjeç e pak!?- arrita të them. Pastaj e pashë drejt në sy. E ndjeja zhgënjimin, dhimbjen, pasigurinë, tek ky njeri që e doja e që kishte premtuar të më mbronte gjithmonë.

– Zemër, kjo nuk është çështje zgjedhjeje. Është e vetmja rrugë ku duhet të kalojmë, ndryshe… – e la të pambaruar atë mendim dhe e hodhi vështrimin mbi objektet e dhomës, që ngjanin pa jetë, pa dritë, të mbështjella në humbëtirë. Si duket, diçka e turbulloi sërish qenien e tij, sepse rifilloi të flasë:

– Askush nuk mund ta dijë ç’do të ndodhë tamam. Duhet të ikim sa mundemi, sa nuk janë bllokuar rrugët. Pastaj gjithçka do të kthehet në një burg të madh!

– Po sikur të na ndalojnë?- e pyeta e tronditur, sepse tentativa për arratisje do të kishte patjetër pasoja. – Ç’do të ndodhë, më pas?

– Pasaportat dhe letrat i kam bërë gati siç duhet, por nuk kemi kohë. Bëj gati gjërat më  të domosdoshme. Pas disa ditësh, këto dokumente nuk do të vlejnë më për gjë.

Ankthi që m’u krijua në kraharor, ishte si një pellg i zi, ku kisha nisur të rrëshqisja që në fjalët e para të tim shoqi, e tani nuk tërhiqesha dot pas. Aq e frikshme ishte ajo që po ndodhte, sa vështrimi m’u vesh me mjegull dhe fjalët më mbërrinin të turbullta, pjesë-pjesë në vesh. E dëgjoja nëpër tym, zërin e tij të butë, si pëshpërimë: Nuk mund të marrim shumë me vete se nuk mund të biem në sy. Do të bëjmë sikur po shkojmë të vizitojmë xhaxhain tim, që jeton në Bratislavë. Ai është funksionar i lartë në ushtri dhe kështu askush s’do të dyshojë nëse nuk japim motiv për dyshim. Do të themi që ai është sëmurur papritur, nëse na ndalojnë e na zhbirojnë.

Vërtet po i dëgjoja ato fjalë? Me jetën time lidhej ky moment i çmendur, kjo kthesë e pakuptimtë? Fjalët fluturonin nëpër ajër e unë as nuk i mblidhja dot t’i analizoja. Ndoshta ai kishte pasur javë a ditë që i bluante mendimet e planet, por mua s’më kishte thënë gjë. Në atë kohë, nuk kisha jetuar mjaftueshëm sa ta dija që marrëzitë dhe tmerri i jetës, mund të jenë veç trille që hidhen nga qielli, mbi kokat e të zakonshmëve në botë. Im shoq, duke ndjerë heshtjen time si miratim, vazhdonte: …Por sa më pak fjalë aq më mirë. Kjo është e vetmja mundësi për të dalë nga ky çark sa pa na mbyllur brenda. Të kalojmë në Austri e pastaj të shohim, ku mund të kërkojmë azil.

E shtyrë prej tij, nisa përgatitjet sikur të isha robot. Vetëm ndërresa të brendshme dhe nga një palë rroba, që të kisha sa më shumë vend për teshat e djalit. Ai flinte e unë mendoja si do ta merrja, si do të ikja me të në krahë, nëpër errësirë. Nga mesi i natës, u nisëm fshehurazi. Ecëm nëpër rrugica në këmbë, devijuam nga rrugët kryesore. Nuk mund të rrezikonim. Pas rreth gjysmë ore ishim në periferi të qytetit. Atje na priste një makinë. Ai kishte planifikuar dhe llogaritur gjithçka. S’do mend, oficer. Unë isha e mpirë në shpirt, nuk arrija dot të mendoja, e kisha humbur toruan. Lëvizja instinktivisht pas tij. Hipëm në makinë dhe ja ashtu nëpër natë, tërë frikë vazhduam rrugën, postbllok pas postblloku. Dokumentet, reputacioni, gënjeshtra e thënë ftohtë pa dridhje zëri nga ana e tij,  po funksiononin. Arritëm pranë kufirit me Austrinë. Tani ishte vështirësia e vërtetë si të kalonim në anën tjetër.”

Ajo vazhdonte rrëfimin e zhytur në kujtesë, pa e vënë re përjetimin e infermieres së re në krah. Eva tanimë ishte zhytur në një botë paralele, ku fjalët e të moshuarës e shtynin drejt së kaluarës së saj. Dhe ja, ajo dikur, njëzet e dy vjeçe, atë fund nëntori të 89’s, duke u arratisur kufirit duke vënë në rrezik kokën, e plasur më pas në kampin jugosllav për gati një vit, mes armiqësisë, frikës, ankthit që nuk i ndahej nga pas. Koka iu mbush me zërat dhe fytyrat e mërzitura të familjes që në fillim e kishte mohuar. Ah, ajo vala e tyre e mërisë, tallazet e mallkimit, shkuma e bardhë e mllefit, frymëzuar nga mentaliteti i ngushtë. Ku ikën kjo femër vetëm rrugëve të botës? Pa bukë ishte? Si e la të fejuarin dhe mori rrugët?

Askush nuk e dinte më mirë se ajo vetë shkakun e asaj arratie të pazakontë nga telat me gjemba të rrëgjimit. Para syve i mbiu dosjet që kishte zbuluar në dhomën e të fejuarit, në një qoshe të bibliotekës. Dosje mbi atë vetë dhe sa e sa të tjerë. Kishte fjetur për gati një vit me një spiun dhe as nuk e dinte.

Si mund të spiunohej vallë zemra e dikujt që i thoshe “Të dua?” ai nuk e donte, kjo fjalë iu ngjit në lëkurë që kur e zbuloi si fakt, e ky ishte momenti kur vendosi të pamundurën. Jo, ajo s’mund të kalonte jetën me një varrmihës që u hapte varret të gjallëve. Ç’do të bënte ai nëse ajo do ta linte? Ajo i hapej atij për gjithçka. Sigurisht që burgu e priste dhe kishte thënë mjaftueshëm sa për dy jetë në burg. Spiuni (nuk mundej dot ta quante “të dashur”) e kishte luajtur bukur rolin dhe përballë të vërtetës së hidhur, reagimi i vetëm që iu kreshpërua në zemër ishte: Të ik! Të ik! Larg prej këtu! Larg prej tij.

Ajo ndjesi e përgjumur brenda saj, i rrëqethi trupin. Si e zënë në faj, doli nga përhumbja dhe kërkoi të lidhej pas rrëfimit të Marias, që fliste me sytë e tretur në zbrazëti:

“…Mëngjesi na gjeti në anën tjetër. Ishte pikërisht ai moment, kur shkelëm matanë, që më pikoi në shpirt mendimi prindërit e mi. Si nuk i takova para se të nisesha? Ç’tmerre do t’iu fanepseshin përballë hapësirës së zbrazët të apartamentit tim, ku deri dje qeshte gëzonte nipi i vogël i tyre? Pastaj mendimi më i zi më erdhi në kokë: Pasojat e arratisjes…A do t’i pushonin nga puna e t’i dërgonin në ndonjë punë të rëndë? Ç’do të bëhej me ta pas pushtimit? Si isha treguar kaq egoiste? Si nuk kisha menduar për ta? Unë fëmija i vetëm! Si i kisha harruar fare e shkrirë në frikë dhe mpirje! Si i kisha harruar?!”

– Njeriu në raste të tilla mendon vetëm mbijetesën,- e prishi fillin e atij rrëfimi plot ankth Eva. Deri atë çast ajo nuk kishte gjetur dot ekuilibër në rrëfimin dhimbshëm të së moshuarës. Kjo grua tregonte barrën e rëndë të kryqit, por pesha shtypëse po ia marrte frymën edhe vetë Evës. Ajo po zhytej në arratisjen e saj, ku rijetonte frikën e ankthin që i kishte ngushtuar mushkëritë për muaj me radhë. Njëlloj si Maria, edhe asaj i kishin lënë shenja të pashlyeshme, pyetjet që mundonin dikur.

Gruaja e moshuar u zbut nga ato fjalë. I erdhi mirë që dikush po dëgjonte vërtet zërin e shpirtit të saj. Kur e ndjeu që mund të shtyhej më tej, vazhdoi:

“Kë do të bëja fajtor për këtë? Edhe ai, i la prindërit, familjen e tij. Po me ta ç’do të ndodhte? Jo s’mund të flisja tani. Ishte tepër vonë, ishim përtej pikës së kthimit…”

Përtej pikës së kthimit! Ah, kjo dreq pike! – përsëriti përhumbur Eva. Heshtja u nder sërish mes tyre. Gruaja e vjetër po mundohej t’i drejtonte mendimet që vinin dallgë-dallgë drejt bregut. Nga cila anë po frynte erë më shumë? Cilën dallgë të zgjidhte dhe t’i hidhej sipër?

“Koha dhe hapësira nuk ishin më të njëjtat për ne. E s’dua të të flas për kampin e refugjatëve, as për muajt që jetuam si në ëndërr, as në qiell e as në tokë, as për lajmet e hidhura, pushtimin, humbjet, rrafshimin. Të humbur, nën qiellin e kësaj bote, kërkuam azil politik dhe një nga vendet që mund të zgjidhnim ishte Kanadaja. Larg, por ofronte më shumë siguri. E vetmja gjë që të mbante ishte shpresa për më mirë, por edhe fakti që e dije nuk kishte më kthim mbrapa.

– Me pushtimin e Çekosllovakisë, as mund të mendoje për kthim. Të shkojë drejt burgut me këmbët e tua! – ndërhyri mendueshëm Eva.

“Kur mbërritëm në Kanada, na priste pothuajse i njëjti realitet. Zëre se ishim në kamp refugjatësh përsëri. Na sistemuan në një godinë për refugjatët në rrugën Main. Një tualet për çdo kat. Racizmi në ato vite ishte në kulm dhe emigrantin nuk e donte kush, a thua se nuk ishte një shtet i krijuar nga emigrantët. Im shoq filloj të bëhej gjithnjë e më tepër nervoz, ekuilibri i tij ishte thyer, e tani nuk dinte më të mbahej më. A e kupton çdo të thotë jetë në ekuilibër? Të zgjohesh dhe ta dish si do të jetë dita jote, jeta jote, nga fillimi në fund. Ai e humbi, e për fat të keq, u tjetërsua. Filloi të grindej shumë.

Një ditë pasi kishte bredhur tërë ditën për të kërkuar punë, zuri vend gjithë mllef në tavolinë dhe më kërkoi të ulesha pranë.

– U mbush kupa! Do të kthehemi! – tha ai prerazi.

-Të kthehemi? Prindërit nuk i menduam kur u arratisëm nëpër natë. Tani mos të mendojmë as për këtë fëmijë?- kësaj radhe nuk isha më gruaja e mpirë që e tërhiqte i shoqi udhëve. E ballafaquar çdo ditë me vështirësitë, mendimet torturuese për prindërit atje, nuk isha më aspak manarja që i shkonte pas. – Nuk më pret kush me lule atje. Me pranga, po. Do të rri këtu dhe do të bëj durim.

– Më mirë në pranga në vendim tim!- shpërtheu ai i bërë flak në fytyrë.

– A mund të luajmë pas gjithë kësaj lojën e patriotizmit? Tepër vonë! Emri të është shkruar në radhët e tradhtarëve tashmë, – mërmërita hidhur. Sërish themelet e botës sime po lëkundeshin fort. Im shoq, pa asnjë paralajmërim, më kishte vënë përballë një fakti të kryer, ikjes.

Debatet vazhduan me ditë e me javë derisa një ditë ai u ul me letër dhe laps në dorë. Shkroi letrën ku kërkonte falje, ku tregonte se sa i dëshpëruar ishte që kishte bërë një akt të tille, që kishte qenë i gënjyer dhe frikacak, që kështu kishte braktisur vendin e tij dhe idealet, që do të ishte i gatshëm ta lante gabimin…”

– Që do t’i shërbente partisë dhe atdheut ku të ishte nevoja – recitoi parullën e vjetër Eva. Eh, ishte i njëjti refren, vetëm në një gjuhë tjetër…

E moshuara u drodh. Ato fjalë i treguan shtegun e dhimbjes, që lidhte fatet e vështirë të shpërndarë në shtigjet e botës. U gëlltit me zor, sikur kapërdiu diçka të rëndë. Shtrëngoi grushtet, mbylli sytë për pak sekonda, pastaj, me vështrimin e perënduar, vazhdoi:

“U mundova ta ndal, t’i thërras arsyes së tij. Ishte e kotë, ai kishte rënë në depresion të thellë. Ishte gati të pushkatohej, vetëm të kthehej. Së paku bëri një gjë të mirë për veten e tij, bëri disa kopje të tilla. Nëse pushkatohej apo burgosej mund të dilte para tërë botës një letër e dytë. Dhe iku. Burri që duhet të jetë shtylla ku një grua dhe familja e tërë të mbështeten, u shemb përdhe si një dru i kalbur, duke më lënë mua dhe tim bir krejt të vetëm, mes katër rrugëve. A mendoi për djalin dhe mua? Nuk e di. Ndoshta jo! Ku ishte oficeri me grada? Burri  i fortë ku duhej të mbështetesha unë, gruaja?”

Në cepat e syve u shfaqën lotët që i rrodhën në brazdat e fytyrës. Ishte e pamundur të mos emocionohej e të mos ndiente t’i hapeshin shenjat e plagëve në shpirt.

Eva i lëmoi dorën butë, me dhembshuri. Kjo grua kishte kaluar atë stuhi jete, e braktisur, në një shtet të huaj, me një fëmijë të vogël, e humbur. Së paku ajo vetë ndjehej e bekuar që nuk e kishte pasur një barrë të tillë.

– Të kuptoj, – i tha me një zë të qetë pa ia lëshuar dorën, – por yt shoq ishte më i dobët sesa ti. Nuk e ka mbajtur dot peshën e shumë gjërave bashkë. Supet e oficerit me grada u rrënuan nga erozioni i vetmisë dhe vështirësitë e emigrimit, humbja e statusit prej njeriu të rëndësishëm. Monumentit të tij iu zvenit pak e nga pak madhështia që kishte pasur dikur.

– Po ke të drejtë! Jo të gjithë mund t’i bëjnë ballë trysnisë, – tha Maria dhe duke mbledhur tërë forcën, arriti që të nxirrte në sipërfaqe një buzëqeshje. – Pjesën tjetër të rrëfimit ti e di tashmë!

Eva u ngroh nga ai ndriçim i përkohshëm në fytyrën e gruas. Dhimbja mund t’i bënte fisnikë shpirtrat e pastër:

– Zoti s’na ka braktisur kurrë. Do të ndodhte pra që pikërisht atje, në atë azile, një i arratisur tjetër të mbërrinte nga Sllovakia dhe të bëhej shoku i jetës, baba për fëmijën e mbetur pa baba dhe i një fëmije tjetër. A s’të është dukur ndonjëherë si një skenar i përkryer? – e pyeti ajo duke qeshur.

– Po, shpesh. Po ja që skenari na zbulohet vetëm rresht pas rreshti. Ne luajmë vetëm atë rresht që na është dhënë, pa e ditur se ç’po vjen më pas. Investojmë tërë energjitë, tërë ndjenjat në ato rreshta që na jepen dhe as që s’dimë se ç’rrjedhë apo ç’përfundim do të ketë skenari.

Eva nuk u përgjigj. Ndjeu brenda vetes të kumbonin pyetjet e dikurshme, në udhëkryqin e jetës së saj. Largimi, harresa, vetmia, pastaj nevoja për t’iu rikthyer buzëqeshjes, për të jetuar, për t’u ndier e gjallë. Një pikë loti befas rrodhi poshtë syve të vegjël dhe ndjeu muzgun që zbriste ngadalë mbi të. U ngrit ngadalë pas gruas së moshuar. U mat të fliste, por s’mundi, nuk duhej.  Mbrëmja që po vinte, frymonte qetësisht.

Exit mobile version