Kreu Letërsi Bibliotekë “Përshëndetje Kozmopolite”, poezi nga Allen Ginsberg

“Përshëndetje Kozmopolite”, poezi nga Allen Ginsberg

Përktheu nga anglishtja Gëzim Basha

Përshëndetje Kozmopolite

Ngrihuni kundër qeverive, kundër Zotit.
Qëndroni të papërgjegjshëm.
Thoni vetëm çfarë dini dhe imagjinoni.
Absolutizimet janë dhunë.
Ndryshimi është absolut.
Mëndjet e zakonshme përfshijnë përceptime eterne.
Vëzhgo çfarë duket qartë.
Shëno çfarë vihet re.
Kape veten te rënë në mendime.
Freskia është vet-përzgjedhëse.
Nëse nuk ja tregojmë kërkujt, jemi të lirë
të shkruajmë gjithçka.
Kujtoni të ardhmen.
Mos u pini sa të vdisni.
Dy molekula që perplasen presin vëzhguesit t’i kthejnë në të dhëna shkencore.
Pas Ainshtajnit, shfaqjen e fenomeneve e përcaktojnë instrumentet matës.
Universi është subjektiv.
Wolt Witmani kremtonte individin.
Ne jemi vëzhgues, instrumente matës, sy, subjekt, persona.
Universi është Person.
Brenda kafkës s’ka fund, ashtu si edhe jashtë kafkës.
Mëndja është hapsirë jashtëtokësore.
“Secili në shtrat fliste me veten i vetëm, s’bëzante.”
“Mendimi i parë, mendim i paparë.”
Mëndja është trajtë. Arti është formë.
Informacion maksimal, me numër minimal rrokjesh.
Sintaksë e ngjeshur, tingull solid.
Më mirë me fragmente të mara nga e folmja.
Bashkëtingëlloret e kanë vendin përreth zanoreve.
Shijo zanoret, vlerëso bashktingëlloret.
Subjekti njihet nga çfare shikon.
Të tjerët mund ta matin vizionin e tyre me çfarë
shohim ne.
Hapja i jep fund paranojës.

1996


Amerika

Amerikë të kam dhënë gjithçka dhe mbeta asgjë.
Amerikë dy dollarë dhe njëzetepesë cent 17 Janar, 1956.
S’po duroj dot as mendjen time.
Amerikë kur do t’a ndalim luftën njerëzore?
Ik qiu me gjithë bombën tënde atomike.
Unë s’ndihem mirë mos më trazo.
Nuk shkruaj as poezi derisa të kthjellohem.
Amerikë kur do të bëhesh ti ëngjëllore?
Amerikë përse i ke libraritë plot me lotë?
Amerikë kur do t’ja nisësh vezët Indisë?
Më sëmurën kërkesat e tua të çmendura.
Kur do të shkoj në supermarket të blej gjithçka dua pa e prishur çahren?
Amerikë tek e fundit ti dhe unë jemi perfektë jo bota tjetër.
Makineria jote është shumë për mua.
Më bëre të dua të kthehem në shenjt.
Për ta shmangur përplasjen duhet të ketë dhe tjetër qasje.
Borroughs eshtë në Tanxhier tani për fat të keq s’besoj të kthehet.
A po sillesh keq a thjesht bën shaka?
Unë po provoj ta shpreh idenë time.
Refuzoj t’i braktis fiksimet e mia.
Amerikë lermë rehat e di vetë ç’po bëj.
Amerikë po bien petale kumbullash.
Ka muaj të tërë s’lexoj më gazeta, përditë dikush gjykohet për vrasje.
Amerikë unë jam sentimental ndaj sindikatave.
Amerikë kam qenë komunist kur isha fëmijë
dhe nuk pendohem.
Unë pi marihuana sa herë kam shans.
Unë mbyllem në shtëpi me ditë të tëra shoh trëndafilat në musandër.
Kur dal nga tregu Kinez pihem por nuk shtrihem.
Mëndjen e kam mbledhur po afron shernaja.
Të më kishe parë kur lexoja Marksin!
Psikoanalisti im mendon se jam në rregull.
Unë nuk dua ti them Lutjet e Zotit.
Kam vizione mistike dhe vibrime kozmike.
Amerikë ende s’ta kam thënë çfarë i punove tim ungji Maksit kur ai mbriti drejt e nga Rusia.
Ty po të drejtohem.
A do ta lësh jetën tënde emocionale në duart
e Revistës Time?
Unë jam i fiksuar pas Revistës Time.
E lexoj çdo javë.
Kopertina e saj më ndjek me sy sa herë kaloj pranë ëmbëltores në qoshe.
E lexoj në bodrumin e Librarisë Publike në Berkli.

Më flet përherë mbi përgjegjësitë. Biznesmenët janë seriozë. Producentët janë seriozë. Të gjithë janë
seriozë veç meje.
Më duket se unë vetë jam Amerika.
Po flas më duket sërish me vetveten.

Asia po ngrihet kundër meje.
Nuk paskam as shansin e një kinezi.
Më mirë të llogaris pasuritë e mia kombëtare.
Pasuritë e mia kombëtare konsistojnë në dy cigare marihuane miliona organesh gjenitale nje
letërsi private e pabotueshme me shpejtësi reaktive 1400 milje në orë dhe njëzetepesë-
mijë çmendina.
Unë s’po them gjë për burgjet apo për milionat e të paprivilegjuarëve që jetojnë në saksitë
e luleve të mia nën dritën e pesëqind diejve.
Unë i mbylla bordellot në Francë, po i vjen rradha Marokut.
Ambicja ime është të bëhem President pavarsisht faktit që jam Katolik.

Amerikë si ta shkruaj unë litaninë e shenjtë në gjëndjen tënde të budallallepsur?
Unë do të vazhdoj si Henri Fordi strofat e mia janë aq individuale sa edhe makinat e tij
për më tepër kanë sekse të ndryshme.
Amerikë unë do t’i shes strofat e mia $ 2500 copa $ 500 kapari për ato të përdorurat
Amerikë liroje Tom Mooney-in
Amerikë shpëtoji Lojalistët Spanjollë
Amerikë Sacco & Vanzeti nuk duhet të vdesin
Amerikë unë jam një nga djemtë e Scottsboro-së.
Amerikë kur isha shtatë vjeç ime më më merte në mbledhjet e Celulave Komuniste ata na shisnin
qiqra një grusht për biletë pesë cent bileta fjalimet qenë pa pare të gjithë qenë ëngjëj të sinqertë dhe te ndjeshëm ndaj punëtorëve nuk e ke idenë sa gjë e bukur ishte partia Scott Nearing ishte goxha plak dhe aq i ndershëm Mother Bloor Grevistja e Mëndafshit femër-eterne më bënte të qaj njëherë pashë oratorin Jidish Izrael Amter nga afër. Të gjithë sipas teje kenë qenë spiunë.
Amerikë ti në fakt nuk e do luftën.
Amerikë janë ata Rusët e këqij.
Ata Rusët ata Rusët dhe ata Kinezët. Dhe ata Rusët.
Rusia do të na hajë të gjallë. Russia e çmendur pas forcës. Ajo do të na marë veturat nga garazhet.
Ajo do të na rrëmbejë Çikagon. Ta na e bëjë të kuqe revistën Reader’s Digest. Kerkon të
ngulë në Siberi uzinat tona të autove. Burokracia e saj do të shtijë në dorë pikat tona të shitjes së karburantit.
Jo mirë. Ah. T’ju mësojë indianëve leximin. I duhen zezakët tanë të mëdhenj. Aha. Të na bëjnë të punojmë gjashtëmbëdhjetë orë dita. Ndihmë.
Amerikë kjo është serioze.
Amerikë ky është impresioni që mar duke parë televizorin.
Amerikë a është kjo korrekte?
Më mirë t’ja nis nga puna.
Unë nuk shkoj ushtar as i kthej dot tornot në fabrika për instrumenta preçizioni, ngaqë jam miop dhe pak psikopat.
Amerikë unë i vë rrotës supin tim kuir.

Berkley, California, 1956


Hajde Derra të Qytetërimit Perëndimor Zhdëpuni Lyrë

Hani hani më shumë biftekë si copa mermeri më shumë mish derri në jahni.
Shtoni dhjamë në salcë, fërgoni pula në vaj të vluar
Me to dribloni në vende vranësirash, pahitur me dëborë kripe.
Rosto qengjash pirës me rozmarinë nëpër tepsira rrethuar nga patate të pjekura helaq me gjalpë,
Medalione viçi në krem të trashë t’lyni mish lope tërë dhjamë ndanë malesh të shndritshme patatesh të skuqura,
Mish i tiganisur me salcë të bardhë kosi, bërxollat notojnë në vaj ulliri
Ullinj përreth, djath i bardhë i kripur, më tej
Requefort & Blew & Stilton,
etur
Për verë birrë Kokakola Fanta Shampanjë
Pepsi recinë arak uiski vodka.
Ah! Kujdes nga Infarkti, mer kokra Anginash
Porosit një pjatë me Bratwurst, Frankfurters të skuqur
Hamburgerë McDonaldi ketu e gjer në hënë pastaj
gromësij.
Kripos patatet e skuqura! Ha Salçiçe! Akullore!
Harroi bizelet, karrotat përditè
Luharja e pilafit
e bën pjatën të bukur.
Shto trangujt turshi dhe lakër në shëllirë
kujdes kolesterolin! Mer më shumë hapje!
Porosit sheqerpare me krem, hidhja nja dy
barkut nën rripin numër 44.
Villi të gjitha dhe kthehu prapë fill pas të fiktit, kollit
thërime sanduiçesh teksa përtyp
proshutë Katz-i delikat.
Kthehu në Europën Qëndrore & kapërdij Kielbaza
në Lodz,
Sallamin në Mynih shtyje me birrë, Liverwurst
Me bukë thekre në Berlin, djath të yndyrshëm në
një hotel 3 yjesh afër Sintagmës, me panine
të bardhë lyer trashë me gjalpë.
Bëhu shembull për vendet në zhvillim, kripë sheqer, yndyrë shtazore, kafe duhan shnaps
Vdis shpejt! Bëju vend puntorëve sezonalë Kinezë që hanë Tofu
lakër jeshile & oriz!
Afrikanët Latinot orizi fasulet dhe kalabashi
i mbajnë të thantë & mbushin apartamentet
me klasë punëtore që ha shëndetshëm—

Jo si kuzhina e Perëndimit plot proteinë
kancer pushim-zemre hipertension djersë
mëlçi të enjtura & splina të deformuara
Diabet & goditje—monumente të një qytetërimi
mishngrënës
I cili po vret Belfastin
Bosnjën Qipron Nagorni Karabakun Gjeorgjinë
Poston letra dashurie me bomba në
Vjenë a ju vë flakën shtëpive
Në Gjermaninë Lindore—merr kafe tjetër,
ja dhe cigarja.
Mer këtë pjatë me kek çokollate si pyll i zi,
Ju e meritoni.

Athinë, 19 Dhjetor, 1993

Exit mobile version