Kreu Forumi mbi përkthimin Përkthimi ka ngjashmëri me teatrin

Përkthimi ka ngjashmëri me teatrin

Nga Anxhela Çikopani

Përkthimi: interpretim, përshtatje apo shqipërim?

E di, që duket e thjeshtë, po është, në fakt, shumë e vështirë t’i përgjigjesh një pyetësori, të cilit i janë përgjigjur më herët njerëz, që qarkullojnë në të njëjtat rrethe me ty dhe këto tema i keni diskutuar rrallë e shpesh me njëri-tjetrin. Po prapë, një gjë na shpëton në këtë botë: origjinaliteti që ruhet nga pikënisja e përgjigjes.

Unë vij nga shkollë teatri dhe për mua, teatri e përkthimi janë dy forma shumë të ngjashme krijimtarie, që vënë në zbatim imagjinatën përmes mjetesh të ndryshme. Pse e them këtë: kur marr një libër të ri për ta përkthyer, njësoj si regjisorja brenda meje, hetoj për autorin, kontekstet e veprës, ç’filozofi fsheh pas, shpirtin që ka në thelb. Pastaj i shtrohem ta lexoj dhe njëjtë si teatri, fjalët fillojnë e marrin formë të gjallë në mendjen time. Ka aty ndjesi, ngjyra, ritme, tinguj, gjuhë, peizazhe, po edhe aroma, marrëdhënie gjithfarëlloj, që luhen si etyde një pas një në kokë. Krejt njësoj si profesionisti i teatrit, ti ndjen dhe di: di pse, di si, nuk përjeton kuturu, pa qëllim; nuk merr thjesht ndjesi, pa i lidhur ato me hulumtimet e hershme; di ku gjuha përshkruan, di ku vepron, di pse flasin ashtu personazhet me njëri-tjetrin, di pse një regjistër shprehimor e jo një tjetër, se njeh psikologjinë e personazheve, shkak-pasojat e ngjarjeve. Dhe pastaj vjen çasti të hedhësh në letër.  E aty mjetet e regjisorit shkrihen, fillojnë forcohen të përkthyesit: pse filan shprehje e jo një tjetër, pse në këtë dialekt, cili epitet rri më mirë në një mori sinonimesh… dhe gjuha kthehet në mjetin, që do të krijojë në kokën e tjetrit etydet një pas një, ashtu si ti i ke parë më herët në kokën tënde.

Sipas një përkufizimi bazë të estetikës, nëse publiku nuk e kupton një vepër teatrore të vënë në skenë, atëherë shfaqja nuk ekziston. E nëse gjuha që ti përdor, nuk i thotë asgjë lexuesit, nuk i ngjall emocione e nuk i trazon mendime e kujtime; nëse ajo që nxjerr nga duart, nuk kandis lexuesin ta dojë autorin sa për bukurinë e të shkruarit, aq edhe për veçantinë e tij, a ekziston ajo që ke nxjerrë nga duart?

Të përkthesh nga gjuha origjinale apo gjuhë e dytë!

Do të doja të kisha kohë të mësoja spanjishten, për të lexuar Markesin në origjinal. Gjuha e dytë, e tretë e katërt janë padyshim një mik, që nuk të lë në baltë. Unë sa herë përkthej përpiqem të gjej versione në dy gjuhë të tjera të librave, që kam në dorë, se zëre se kam aty pranë meje përkthyesin dhe e pyes: “Hë, si e ke lexuar ti? Njësoj si unë? Apo e ke kuptuar ndryshe?” Po përkthimi, padyshim nga origjinali. Kulla e Babelit vjedh boll nga kuptimi i gjuhës sonë edhe brenda për brenda saj, le më pastaj mes gjuhësh të njëpasnjëshme.

Përkthimi: kulturë dhe gjuhë, sa rëndësi kanë?

Gjuha është qenie e gjallë, që lind e zhvillohet në pëqi të kulturës. Në çdo epokë gjuha mbart me vete tisin e kulturës ku është zhvilluar, në shprehje, ngjyrime, kontekste. E pastaj vijmë në lëmin tonë: e si të mos rrëmosh në imagjinatën e kulturës sonë, sa herë që përdor gjuhën; kur qëllimisht e pasuron a zhvesh këtë të fundit nga ngjyrimet shqiptare, duke e kthyer autorin në pjesë të shtëpisë tënde ose në atë të huajin e mençur, që nuk qaset, po që ti aq shumë e çmon. Këtë gjuha s’e arrin dot kurrë e vetme. Ka diçka, që asgjë nuk ta fal në jetë më shumë se përkthimi artistik: është pasurimi i kulturës vetjake me kulturat e botës mbarë, gjer thellë në dejtë e tyre, ku nuk do të hyje kurrë, po të mos të të ngrinte kurthe gjuha.

Exit mobile version