Kreu Letërsi Bibliotekë “Paskam harru me andrru”, poezi nga Melita Vjerdha

“Paskam harru me andrru”, poezi nga Melita Vjerdha

1.Të dielave   

Njerëzit këtu zgjohen heret të dielave,
Aq heret sa edhe dielli flen me kasavet.
Sot asht e diele për te tan’.
Për Verën që ka me ju pjekë kafen turke vjehrrive,
Për Dedën që ka ditën me u la.
Për Helion që merr kungimin e parë
edhe për priftin që ka me i ra kumonës, e me i falë mëkatesh.
Secili asht ma i zgjum se kurrë.
Rrugët janë të qeshuna e gratë kanë marrë ngjyrën e qiellit
Ngjyra sot nuk matet me diell as me strajcen e Zadrimores
me thekse të  kuqe jalli,
Dimensioni i saj i kalon  limitet e heshtjes të ditëve të tyne bosh
Të dielave u ngjallet dëshira me ken’
Kjoftë edhe veç në altar, aty ku lutja ndan kupen e qiellit,
e diellit i mbetet me plasë.   


2. Rikthim

Kam harru me andrru duke jetu,
Duke  e jetu jeten furishëm;
Punë,
Shpi,
Fëmi,
Festë,
Gëzim,
Idhnim.
Turravarap kam marrë çdo hap,
shpesh jam ndi e huaj ndër njerzit tuej.
Kam hasë pengesë në rrugë pa kthesë
shpesh edhe njerëz të pabesë.
I kam ngrys ditët  ndër melodi të trishta
duke pa maska të pastra ndër ftyra të pista.
Uri,
Pasuni,
 Provime,
 Testime,
 Zhgënjime
Një  mal me ime ,
 
por paskam harru me andrru,
me andrru andrrat e brishta fëminore, stinët e krisuna prore,
Harlisjet me butësi resh, këmbana që ngjallin shpresë
kur ngrihet kelku të dielën në meshë.
 
Paskam harru frymëmarrjet  e vrapeve pa shkas
rrugicave të vetmume ku hijet rrinë mbas.
Paskam harru eren e barit të njomë buze liqenit idhnak,
vështrimet e brishta që të rrjedhin në gjak .
Telajot me ngjyrat e heshtjes,
muzgjet e zjarrta e puthjet e dehjes.
 
Paskam harru me u end si fije mëndafshi
në pelhurat e vjeshtës delikate , harru ndriçimin nën yjet e një natë.
Paskam harru me i frymu të gjitha me mallë
paskam harru me u ndi e gjallë.


3. Thinjat

Nanës i janë zbardh flokët
e ajo nuk bahet marak
edhe pse ja kanë zbehë pashinë e freskinë e imazhit simpatik
të një zonje të mbështjellë me mantelin e finesës e elegancës.
 
Nana nuk i ka ly flokët
dhe as nuk don me ja ndyshu spektrin e asaj nuance gri
që i shtohet koleksionit të jetës së saj shumëngjyrëshe
edhe asaj bardh e zi…
 
Thinjat nuk janë veç të bardha apo gri,
nuk janë vetëm ngjyra apo fije.
Secila mbart një barrë me kujtime.
Një thinjë jam unë, një thinjë je ti
një jetë mbi krye.    


4. Buzëqeshja

Kam provu me u mbyt në një buzëqeshje tanden,
të asaj që ka dalë prej fundit të shpirtit kur m’i ka pa sytë pa beh
T’i pashë dëshirat n’lule t’ballit e të rrodhën  si ujvarë
n’sy, hundë, faqe e deri te cepi i buzës
Mu më zuni rrjedha furishëm sa ala sot nuk marr dot frymë kur e kujtoj.

Exit mobile version