Kreu Histori Arben Ndreca: Filoteu dhe Karakali – dy manastire të arbërve në Malin...

Arben Ndreca: Filoteu dhe Karakali – dy manastire të arbërve në Malin Atos, shek. XVI

Në vjeshtën e vitit 1725 shtegtari rus Vasilij Barski iu drejtua Malit Atos për një udhëtim në manastiret e shenjta të atij gadishulli. Mori shënime të cilat ndonëse jo aq të hollësishme, prapseprap kanë hyrë në literaturën e udhëtimeve. Ky ditar i tij do të flinte për disa dhjetëvjeçarë dhe do të botohej vetëm në vitin 1882. E gjejmë sot me titullin: «Tri drevnih skazanija o svjatoj gore Afonskoj i kratkoe opisanie Sv. Gori» – Tri rrëfime të moçme rreth Malit të Shenjtë të Atosit dhe një përshkrim i shkurtë I Malit të Shenjtë. Bëhet fjalë për tri kronika historike kushtuar Malit Atos, ndërsa ditari i Barskit është e katërta në këtë përmbledhje.

E para kronikë, e cila ka të bëjë drejtëpërsëdrejti me arbërit, është e viteve 1517-1519 dhe mban titullin «Iz skazanij o sv. Afonskoj gore Hilendarskogo Starca Isaij» – Nga rrëfimet rreth Malit të Shenjtë të murgut Isai nga manastiri i Hilandarit. Nuk përcillet, pra, kronika e plotë por vetëm disa pjesë të saj të cilat janë përzgjedhur për botim. Murgu serb Isai shkon në oborrin rus për t’u dhuruar bujarëve një kopje të jetës së Shën Savës, themeluesit të kishës «pravoslave» – sllave të drejtë serbe. Fjalë për fjalë thuhet: «Në vitin 7025 (1517) Janar, në ditën 14 erdhi nga Mali i Shenjtë I Urti Isai dhe i sollit Carit dhe Princit të Madh jetën e Shën Savës.»

Dorëshkrimi që Isaia u dhuroi rusëve është me siguri ai që ka si autor murgun

Domitijan dhe njihet për vlerat e tij si dokument historik ku shpjegohen dinamikat në gjirin e kishave lindore në shek. XIII si edhe jeta e Rastkos, djalit më të vogël të Stefan Nemanjës, cili u bë murg dhe mori emrin Savë, në lat. Sabbas.

Në atë kohë në fronin rus gjendej Vasilij Ivanoviç III, i shtëpisë bujare Rjurikoviç.

Që mbas rënies së Kostandinopojës (1453) rusët nuk kishin më lajme për gjendjen e manastireve në territoret e qeverisura nga osmanët prandaj kërkuan një relacion nga murgu serb rreth gjendjes atje. Murgu Isai nis e tregon me rradhë sa është haraçi që i shlyejnë sulltanit: njëqind e dyzet kopekë, ose ndryshe, me paratë e osmanëve 14.000; Patriarkanës Kostandinopojës murgjit e Atosit i shlyejnë 40 kopekë në vit, ose 4000 me paratë e osmanëve e kështu për despotin e Selanikut etj. Po ashtu, tregon se sulltani ua ndalon murgjve t’u japin strehim atyre që ikin nga pushteti i tij dhe u trokasin në derë manastireve në Atos. Më pas Isaia jep listën e manastireve që gjenden në Malin e Shenjtë dhe cilës kishë i përkasin. Kështu, serbët kanë Dohijarin, Grigoriadin, Dionisiatin, Pavlovin dhe Hilandarin; moldavët, vojvodët e të cilëve tashmë janë të vetmit nga bujarët e krishterë që u ofrojnë mbrojtje  murgjëve aty, kanë Kotlumushin; grekët kanë Vatopedin, Shën Lavrën, Stavronikin dhe Pantokratorin; rusët kanë Pandelemonin; bullgarët kanë Simopetrën, Petreshin. Gjithashtu, përveç këtyre ka edhe manastire më të vogla me nga pesë, gjashtë, deri në dymbëdhjetë murgj. Të gjithë këta jetojnë me mundin e tyre: punojnë vreshtat, ullishtat ndërsa drithin e blejnë nga anijet që lundrojnë deri në bregun e gadishullit. Numri i këtyre manastireve të vogla shkon në njëmijë sipas murgut nga Hilandari.

Lista e Manastireve

Në këtë listë të manastireve kryesore, njëzet pak a shumë, Isai pohon gjithashtu se dy mbarështohen nga arbërit. I njëmbëdhjeti në këtë listë është:

«Manastiri Karakul (Karakal) i Arnautëve, ka kishën kushtuar Shën Pjetrit dhe ka 30 murgj».

Po ashtu edhe manastiri me nr. 12 është i murgjëve arbër:

«Manastir Fillotij (Filoteu) i Arbërve, ka kishën kushtuar Dyzet Martirëve, dhe ka 70 murgj». (Ndreca, Shejzat 1-2, 2019).

Një botim i mëvonshëm (Khitrowo, Géneve 1889) përmend po këtë burim të murgut serb, por thotë se vetëm një manastir i përkiste arbërve në atë shekull.

Kronika e dytë e përfshirë në këtë përmbledhje është e vitit 1550 dhe ka si autor igumenin Paisie. Ky i dërgon këtë relacion Makarit, mitropolitit të të gjithë Rusisë ku thuhet se në Malin Atos ka 24 manastire të mëdha dhe njëmijë manastire të vogla. Haraçi që i shlyejnë sulltanit është 300 rubla dhe këtë e paguan vojvoda i Moldavisë për Malin e Shenjtë. Nga kufiri i Malit të Shenjtë e mbrenda, nuk mund të shkelë asnjë këmbë gruaje. Nuk jetojnë civilë dhe as nuk ka shkollë për fëmijë. Rreth 15 vjorsta nga Mali i Shenjtë gjendet qyteti i i lashtë i Apollonisë, sot Erisa. Aty ka selinë dhe jeton despoti i Malit të Shenjtë.

Mandej vjen kronika e tretë që është një përmbledhje dokumentesh të ndryshme me autor Florenskin rreth Koncilit të Firences. Ndër to flitet, posë tjerash edhe për plaçkitjen e Malit Atos nga Kalorësit e Rodit dhe mundimet që hoqën murgjit prej tyre. Sipas disa dorëshkrimeve kjo ndodhi në vitin 1436, sipas disa të tjerave, në vitin 1439. Kjo është pikërisht koha kur Selia e Shenjtë po bënte përpjekje për një afrim me kishën serbe, periudha kur themelohet edhe arqipeshkvia e Krajës, në perëndim të Shkodrës, me arqipeshkëv Pal Dushmanin (Šufflay, Berk 2022).

Kronika e Barskit gjendet e fundit krejt në këtë libër. Shtegtari rus mbërriti në Malin Atos më 5 tetor të vitit 1725 dhe i mori me radhë të gjitha manastiret kryesore. Shumë sish e përbuajtën dhe Barski i përmend me radhë duke dhënë edhe disa informacione themelore. Mes tjerash flet edhe për manastirin e Filoteut për të cilin thotë se gjendet në gjysmë të Malit Atos, në një vend të shëndetshëm dhe të rrafshtë. Qelitë e murgjve gjenden në varg dhe në rend, njëra mbi tjetrën. Kisha është e thjeshtë dhe nuk ka asgjë mermeri. Dhe ikonat nuk janë punime me ndonjë vlerë të madhe sipas tij. Ka pak murgj por ushqime të mjaftueshme. Manastiri ka edhe një përrua afër që është shfrytëzuar për mullirin. Në këtë manastir, Barski kalon natën e një të shtune dhe të nesërmen vijon tek manastiri tjetër që është i Karakalit. Ky, thotë shtegtari është i ndërtuar bukur dhe ka ikona të mjaft të hijshme; ka kandila si edhe anijet e veta dhe rrjetat e peshkimit. Çatia është e mbuluar me bakër (ndryshe nga Filoteu që është i mbuluar me rrasa guri) dhe pjesët e poshtme të mureve janë mermerit.

Këto janë të dhënat kryesore që nxirren nga libri «Tri rrëfime të moçme». Barski, siç shihet nuk jep të dhëna se cilit popullit i përkasin manastiret ashtu siç nuk tregon gjë as për numrin e murgjëve të pranishëm aty dhe përshkrimet e tij janë tepër të përgjithshme. Duhet ditur se rrethanat kishin ndryshuar në krahasim me dy shekuj më parë dhe se shumë nga manastiret për të cilat raportonte murgu Isai nuk i përkisnin më etnive të dikurshme. Bullgarët por edhe serbët, fjala vjen, i kishin humbur tashmë disa sish. Arsyet janë nga më të ndryshmet si luftrat, mungesa e murgjve, plaçkitjet e manastirëve nga kusarët, tërmetet etj.

Po këtë fat pati edhe i vetmi manastir katolik që gjendej në Malin Atos, ai i benediktinëve amalfitanë, themeluar që në vitin 980. Amalfi qe një republikë detare tepër e fuqishme në shek. XII. Flota e tyre arriti t’i zmbrapste disa herë saraçenët në Mesdhe duke garantuar edhe një lloj qetësie për brigjet që plaçkiteshin nga piratët.

Nuk dihet mirë se si por ka të dhëna – e këto shpesherë bien në kundërshtim me njëra-tjetrën – se rreth vitit 1287, Gregori II i Qipros dëshmonte se manastiri i Amalfit i kishte kaluar nën juridiksion manastirit të Lavrës. Duket se kuvendi benediktin gjendej i braktisur dhe i shkatërruar prej shumë vitesh tashmë dhe nuk bëhej fjalë për aneksim.

Nga një burim tjetër, Tahrir Defter i vitit 1520, pra vetëm tri vjet pas relacionit të murg serb Isai, në regjistrimin e popullsisë të kryer nga osmanët, del se Karakali ka vetëm 4 murgj, ndërsa Filoteu ka 18. Rënia e numrit të murgjve brenda tri vjetësh i ka rënë në sy edhe historianes së njohur bizantine Heath Lowry duke bërë krahasimin me burimin e murgut Isai, por as kjo nuk ndalet tek përkatësia e manastireve. Kjo gjë ndodh sepse studiuesve të Bizantit sot u intereson trashëgimia arkivore dhe artistike që ruajnë këto manastire si vende ku kultura ka vijuar të krijohet pa ndërprerje përgjatë shekujve dhe ka qëndruar relativisht e dlirë, ndërsa jashtë perimetrit të Atosit kjo ka pësuar fraktura, ka ndërruar hulli ose është ndikuar nga rryma të huaja.

Të gjitha manastiret kryesore në Atos kanë arkivat e tyre ku gjenden kryesisht krizobula perandorake nëpërmjet të cilave manastireve u njihen privilegjet që gëzojnë. Po ashtu kanë edhe letra, dëshmi, testamente të dhuratave që kanë marrë nga njerëz të ndryshëm përgjatë shekujve, pa përmendur këtu librat e shenjtë që murgjit kanë prodhuar, kopjuar e lidhur. Emrat e plotë të murgjëve ndër këto dokumente dalin rrallëherë kështu që nuk e dimë si quheshin dhe nga vinin. Kryesisht dalin vetëm emrat e tyre, ndërsa me emër e mbiemër tepër rrallë. Fjala bie, pas vitit 1275, në Karakal del si hieromurg Gjergj Maruli (Prosopogr. Lex. Wien 2001) por nuk të mund të themi ndonjë gjë të sigurtë nëse bëhet fjalë për ndonjë paraardhës të Mikel Marulit Tarkaniotit, ngaqë Marulët janë të shumtë në Thesali në shek. XIII dhe për zanafillën e tyre është debatuar mjaft.

Biblioteka e Filoteut ka në fondin e saj rreth 400 dorëshkrime librash ose copëza librash na kumton Robert W. Allison, historian bizantin. Nga këto, vetëm një tube janë botuar në revistën e studimeve bizantine ruse (Vizantijskij vremennik, prilozh. Regel 1913). Ndërsa për shumë nga manastiret e tjera (jo për të gjitha) ka tashmë botime të plota të dokumenteve arkivore.

Në këto studime janë përfshirë historianë e paleografë jo vetëm nga Europa e nga territore që dikur i përfshinte Perandoria Romake e Lindjes por edhe deri nga SHBA, Australia, Kanadaja e nga Japonia. Deri rreth viteve ’50 të shek. XX dokumentet e Manastirit Lavra – që është një nga më të rëndësishmit aty – njiheshin pak ose keq nga hulumtuesit (P. Lemmerle, 1953: “Les archives de Lavra, à partir de 1178, sont très mal connues”) dhe te ky manastir kanë përfunduar disa nga aktet e amalfitanëve por edhe të manastireve të tjera. Dhe kjo ka ndodhur disa herë mes manastiresh të ndryshme, dhe për shkaqe krejt të ndryshme. Kjo është arsyeja që për të analizuar dokumentet e njërit duhet të njihesh me dokumentet e të tjerëve përndryshe interpretimi mbetet gjysmak.

Kush ishin murgjit që jetonin në këto dy manastire që kryesisht na interesojnë neve? A kanë lënë gjurmë në kulturën dhe artin e atyre manastireve?

Në mesjetën e Arbërve nuk ka derë bujare që të mos ketë pasur një pjestar të saj murg, ipeshkëv, abat, abateshë, rregulltar apo në ndonjë shkallë tjetër të hierarkisë kishtare, lindore apo perëndimore. Të tillë janë Engjëllorët, Muzakajt, Topiajt, Zaharijajt, Mazrekët, Blinishtët, Kastriotët, Dushmanët e shumë të tjerë më pak të njohur si Jonimajt e Dushajt. Këta princa, kur dikush nga dera e tyre ndërmerrte karrierën fetare, i bënin dhurata manastirit ky shkonte rishtari apo rishtarja për mbajtjen e personit por edhe për begatimin e institucionit. E këto dhurata nuk kufizohen thjesht te vlerat materiale por janë edhe objekte që përçojnë vlera shpirtërore si ikona, kryqe ari ose argjendi, enë e pajisje për kremtimet fetare etj. Po princat arbër, a u kanë bërë dhurata të tilla manastireve të Karakalit dhe të Filoteut? A ka ndonjë gjurmë të tyre? Të gjithë princat e tjerë si përshembull bullgarë, moldavë, serbë, rus, rumunë, gjeorgjianë, armenë etj u kanë bërë dhurata këtyre manastireve prandaj duket e pamundur të përjashtojmë nga kjo traditë sebastët apo princat e Arbërit të shek. XI-XVI.

Në shekujt e mëvonshëm dimë se piktorë shqiptarë si Konstandin dhe Athanas Zografi, nga Korça, kanë punuar në Malin e Shenjtë Atos nga 1750 deri në 1783 (Zheku, Toena 2002). Po më herët, a ka pasur piktorë atje?

Të gjitha këtyre pikëpyetjeve u duhet dhënë një përgjigje shkencore, jo vetëm për të afirmuar një segment të historisë sonë por sepse duhen ndihmuar edhe historianët e tjerë që merren me Atosin ngaqë, siç pohuam më lart, dokumentet e cilido manastir mund të interpretohen drejt nga pikëpamja kuptimore – nuk po flasim për atë paleografike – vetëm atëherë kur njihen me themel dokumentet dhe artefaktet e manastireve të tjera që gjenden prej shekujsh në Atos. Në fushën e studimeve bizantine sot shkruhen vëllime të tëra ku diskutohet vetëm për një presje apo theks që duhej të ishte por që nuk është në këtë apo atë dokument; që mund të ketë qenë në dokumentin origjinal por që nuk është në një kopje të tij; diskutohet me zjarr për një emër murgu mbiemri i të cilit nuk del por që mund të ketë qenë filani e kështu me rradhë.

Folëm deri këtu për Vasilij Barskin, por më vonë (1845) në Atos shkoi si shtegtar dhe studiues edhe një tjetër rus, Porfirij Uspenskij, nga dera bujare (rus. semejstvo) e Uspenskëve. Ky vinte në Atos pasi kishte vizituar manastirin e Karmelit në gadishullin sinaik, sot pjesë e Egjiptit. Edhe atje kishte vërejtur se gjendeshin partitura të Jan Kukuzelit, të cilat i pikasi edhe në manastiret e Atosit! Sa muzikologë shqiptarë i kanë parë me sy origjinalet e këtyre partiturave, jo kopjet e tyre!?

Duket se është e pashmangshme nevoja që një grup studiuesish shqiptarë t’i drejtohet Atosit për të parë nga afër – me sy shqiptarë të stërvitur në fushën bizantine – dokumentet, mbishkrimet, ikonat, ikonostaset dhe gjithçka tjetër që lidhet me të gjitha manastiret e Atos dhe jo vetëm me Karakalin e Filoteun. Një ekspeditë e tillë është plotësisht e motivuar nga pikëpamja e interesimit shkencor duke qenë se arbërit kanë qenë pjesë e Perandorisë Romake të Lindjes dhe të kulturës së saj. Nëqoftëse kontinenteve të tjera u nevojitet një shkak pse të ndërmarrin një hap të tillë, apo një motivim se pse duhet të organizojnë simpoziume rreth Perandorisë Romake të Lindjes, ky problem nuk qëndron në rastin tonë.

Ndoshta kjo ekspeditë duhet të jetë e përhershme dhe të plotësojë zbraztinë që kanë studimet tona mesjetare në këtë drejtim specifik. Nevojitet që studentët tanë të shtegtojnë sot aty si studentë e nesër të dalin në pension duke njohur hollë e për pe historinë e Atosit, njerëzit që përbuajti ai vend dhe veprat që lanë pas.

Kësisoj nuk do të jemi më të shtrënguar të përdorim vetëm shqisën e dëgjimit në kuvende shkencore por do të ushtrojmë me kompetencë edhe dhantinë e të folurit e çdo fjalë do të jetë e rradhitur me mjeshtri, me po aq mjeshtri sa ç’janë ideuar e praruar edhe ikonat dhe ikonostaset e manastireve të Atosit.

Exit mobile version