Kreu Letërsi Bibliotekë “Pasaporta”, poezi nga Mahmoud Darvish

“Pasaporta”, poezi nga Mahmoud Darvish

Përktheu: Roland Gjoza

PASAPORTA

Ata nuk më njohën ashtu siç isha, i mbuluar me hije
Që ma zhdukën ngjyrën në këtë pasaportë
Për ta plaga ime ishte një ekspozitë
Për një turist që pëlqen të koleksionojë fotografi
Nuk më njohën,
Ah, . . . mos më lërë
Pëllëmba e dorës sime pa diell
Sepse pemët më njohin
Mos më lër të zbehtë si hëna!
 
Të gjithë zogjtë që ndiqnin pëllëmbën time
Tek dera e aeroportit të largët
Të gjitha fushat e grurit
Të gjithë burgjet
Të gjithë gurët e varreve të bardhë
Të gjithë kufinjtë me tela me gjemba
Të gjitha shamitë që u tundën
Të gjithë sytë
Ishin me mua,
Por ata i hoqën nga pasaporta ime
 
Kam mbetur pa emër dhe identitet
Në tokën që kam ushqyer me duart e mia?
Sot Jobi thërret
Shpërthen qielli me pohe e bujë:
Mos më merrni si shembull!
O të nderuar profetë,
Mos pyetni pemët për emrat e tyre
Mos pyetni luginat kë kanë nënë
Nga balli më shpërthen shpata e dritës
Nga duart më buron uji i lumit
Të gjitha zemrat e njerëzve janë identiteti im
Merrmani pasaportën! S’më duhet!


KAFENE E VOGËL, TI JE DASHURI

Kafene e vogël në rrugën me të huaj
Ti je dashuri, dyert e tua janë të hapura për të gjithë.
Kafene e vogël që zmadhohesh dhe zvogëlohesh
Për shkak të motit
Kur bie shi, klientët shtohen
Kur bën diell, ata janë të rrallë dhe të lodhur
Unë jam këtu, një i huaj, i strukur në një qoshe
( C’ngjyrë kanë sytë e tu? Si të quajnë?
Si të thërras kur të kalosh rastësisht
Ndërsa ulem për të pritur ty? )
Si kjo kafene e vogël është dashuria.
Porosis dy gota verë
Dhe pi për ty dhe për vete.
Mbaj dy kapele
Dhe një ombrellë. Tani bie shi.
Bie shi si asnjëherë
Dhe ti nuk vjen.
Them me vete se ajo që po prisja
Diku po më priste, ose priste një burrë tjetër
Ose kishte ardhur dhe s’më kishte gjetur
Ajo duhet të më thoshte; eja, se këtu po të pres…
( Ç’ngjyrë kanë sytë e tu? Si të quajnë?
Me ç’emër të thërras kur të kalosh rastësisht
Ndërsa ulem këtu për të pritur? )
Kafene e vogël, ti je dashuri


IMAZHI I MUNGESËS

Krijova imazhin e mungesës; jashtë kësaj bote tokësore
fillon qielli i humbur. Unë jam këtu duke mbushur 
hapësirën me odet e Jahiliyyah-it dhe mungesa 
është udhërrëfyese, është udhërrëfyese mungesa. Një tendë është ngritur
me rima. Dhe për çdo gjë që lëviz në erë
është nga një rimë. Mungesa më jep mësimin e saj; po të mos ishte
mungesa, unë s’do të isha kaq i vendosur.
Pastaj nga zbrazëtia nxjerr një leter shkëputur prej alfabeteve të lashtë
dhe mbështetem te mungesa. Kush jam unë
pas gjithë kësaj? Një zog, apo një kalimtar që përshkon simbole
dhe shitës kujtesash? Ah, sikur të isha një fragment i antikës,
sikur të isha një fantazmë që hyn pa u vënë re në Yabous duke i thënë vetes;
le të shkojmë te shtatë kodrat. Lë maskën 
mbi një gur dhe kalamendem si i pagjumë
ec e ec duke ndjekur ëndrrën time. Dhe hidhem nga njëra hënë tek tjetra.
Dhe krejt i pavetëdijshëm çliroj gjërat nga historia e tyre.
Dhe më mjafton historia për të çliruar pavetëdijen që zgjohet. Më ço te vitet e hershme, thotë dashuria ime e parë.
Lëre dritaren hapur të hyjë harabeli i shtëpisë
ëndrra jote, them unë, pastaj zgjohem dhe s’ka asnjë qytet 
në qytet. Asnjë, këtu, po atje. Dhe, jo atje, 
po këtu. Po të mos ishte imazhi unë nuk do të isha nisur për te shtatë kodrat,
po të mos ishte imazhi 


AI ËSHTË I HESHTUR DHE UNË JAM I HESHTUR

Ai është i heshtur dhe unë jam i heshtur
Ai pi çaj me limon dhe unë pi kafe
Ky është ndryshimi i vetëm
Ka veshur si unë një këmishë të gjërë me vija
Lexon si unë gazetën e mbrëmjes
Ai nuk më sheh kur unë e shoh vjedhurazi
Unë nuk e shoh kur ai më sheh vjedhurazi
Ai është i heshtur dhe unë jam i heshtur
Ai e pyet kamerierin për diçka
Dhe unë e pyes kamerierin për diçka
Një mace e zezë kalon midis nesh
E ndiej mesnatën gjer në rrëzë të flokëve
Dhe ai e ndjen mesnatën gjer në rrëzë të flokëve
Nuk i them; Qielli sot
Ka qenë i kthjellët dhe blu
Nuk më thotë; Qielli sot
Ka qenë i kthjellët dhe blu.
Ai i shikuar dhe unë që e shikoj
Unë i shikuar dhe ai që më shikon
Unë lëviz këmbën e majtë
Ai lëviz këmbën e djathtë
Unë këndoj një këngë
Dhe ai këndon të njëjtën këngë.
Pyes veten; Mos është ai pasqyra ku shihem?
Dhe e shoh në sy, por nuk shoh njeri.
Dal me nxitim nga kafeneja
Duke menduar se ai është një vrasës
Ose një kalimtar që mendon se është një vrasës
Ai ka frikë dhe unë kam frikë.


NE E DUAM JETËN NËSE GJEJMË
NJË MËNYRË PËR TA DASHUR

Ne e duam jetën nëse gjejmë një mënyrë per ta dashur
Ne vallëzojmë mes martirëve dhe ngremë minare për viola dhe palma
Ne e duam jetën nëse gjejmë një mënyrë per ta dashur
I vjedhim krimbit të mëndafshit një fije për të qepur një qiell dhe një gardh gjatë  emigrimeve tona
Hapim deriçkën e kopshtit që jasemini të dalë si një ditë e bukur në rrugë
Ne e duam jetën nëse gjejmë një mënyrë për ta dashur
Ne mbjellim, aty ku zëmë vend, bimë që rriten shpejt dhe korrim të vdekurit
Ne i biem fyellit dhe nxjerrim prej tij ngjyrat e ëndërrimit, skicojm mbi brazdat e dheut një ulërimë
Ne i shkruajmë emrat në gur, o vetëtimë, bëje natën më të kthjellët dhe më blu.
 
Ne e duam jetën nëse gjejmë një mënyrë për ta dashur


RITA DHE PUSHKA

Mes Ritës dhe syve të mi
një pushke.
Kush e njeh Ritën
bie në ëndërr dhe luan
me shenjtët në syte e saj ngjyrë mjalti.
Unë e kam puthur Riten
kur ishte fare e re
më kujtohet se si m’u afrua
dhe krahët e mi ledhatuan gërshetat më të bukura që kisha parë.
Dhe gjithmonë më kujtohet Rita
në mënyrën se si harabeli kujton fluturimet e tij të para për dashurinë.
Ah, Rita!
Mes nesh pati një milion harabela dhe imazhe të bukur
dhe shumë takime
që u qëlluan me pushkë.
 
Emri i Ritës ishte festë në gojën time
kurmi i Ritës ishte dasmë në gjakun tim
unë isha brenda saj për dy vjet
dhe për dy vjet ajo flinte në krahet e mi
dhe ne bëmë shumë premtime
me kupat më të bukura në duar
dhe u dogjëm në verën e buzëve tona
dhe u ngjallëm përsëri
 
Oh, Rita!
Ç’mund të largonte më parë kjo pushkë 
sytë e mi nga sytë e tu
apo sytë e tu nga sytë e mi?
Veç një sy gjumë na ndante, apo dy tre re ngjyrë mjalti?
Dikur ndodhi kjo
dikur, në heshtjet e ndajnatës
në ag hëna ime emigroi në një vend të largët
drejt atyre syve ngjyrë mjalti
dhe qyteti të gjithe këngëtarët i zhduku
dhe Ritën time të bukur!
 
Mes Ritës dhe syve të mi
një pushkë!


UNË JAM NJË GRUA, AS MË PAK AS MË SHUMË

Unë jam një grua, as më pak as më shumë
E marr jetën si më vjen
Ditë pas dite
e natë pas nate.
Leshin e tjerr për ta veshur, jo 
për të përfunduar historitë e Homerit, apo diellin e lavdisë së tij.
Unë shoh atë që shoh
ashtu siç është, në formën e saj
edhe pse e shoh çdo çast
futur nën hijen e saj
duke ndjerë si rreh pulsi i disfatës.
Unë shkruaj të nesërmen
në fletët e së djeshmes; nuk vjen asnjë zë
përveç jehonës.
Më pëlqen paqartësia e çuditshme 
në ato çfarë i thotë mungesës një udhëtar nate
mungesës së zogjve në kreshtat e fjalëve
dhe mbi çatitë e fshatrave.
Unë jam një grua, as më pak as më shumë
 
Lulja e bajames më merr dhe unë fluturoj
Në muajin mars, nga ballkoni im
Dëgjoj përmallshëm zërin e largët që këndon;
Më prek dhe unë do t’i çoj kuajt drejt ujërave pranveror
unë qaj pa ndonjë arsye dhe të dashuroj
ashtu siç je, jo të krekosur
as të përulur,
nga supet e mia ngrihet mëngjesi mbi ty
dhe po tek ty shuhet, natën kur të përqafoj
unë nuk jam as njëra, as tjetra
nuk jam as hëna, as dielli
unë jam një grua, as më pak as më shumë.
 
Bëhu nostalgji, lot, si në vargjet e Imru al Qays
nëse do, mua më mjafton të më duan
ashtu siç jam, jo si fotografi
me ngjyra, as si frymëzim poeti
që shkruan mes drerëve një poezi për mua
dëgjoj klithmën e largët te Lailës
nga dhoma e gjumit; mos më lini 
të burgosur në rima poemash në netët e tribusë
as si lajm në gazeta mos më përdorni.
Unë jam një grua, as më pak as më shumë.
 
Unë jam ajo që jam, si ti
që je ai që je, ti jeton tek unë
unë jetoj tek ti, unë për ty,
ti për mua…Më pëlqen
qartësia e nevojshme e misterit tonë të përbashkët
unë jam e jotja kur nata s’më nxë
por unë s’jam tokë
as udhëtim
unë jam një grua, as më pak as më shumë.
  
Jam e lodhur
nga cikli femëror i hënës
dhe kitara ime vuan
nga korda në kordë
pluhur
 
Unë jam një grua, as më pak as më shumë.


ATA MË DONIN TË VDEKUR

Ata më donin të vdekur kur thanë; Ai na përket ne, ai është yni
Njëzet vjet kam dëgjuar pa pushim hapat e tyre në muret e natës
Ata nuk i kanë hapur dyert, por ja ku janë tani. Unë shoh tre prej tyre;
Një poet, një vrasës dhe një lexues.
I pyeta; Mund t’iu nxjerr pak verë?
Po, m’u përgjigjën.
Kur e keni bërë me fjalë të më vrisni?
Rrini i qetë! ma kthyen.
Ata i vunë njëra pas tjetrës gotat e tyre dhe filluan të këndojnë për njeriun.
I pyeta përsëri; Kur do të më vrisni?
Tani do të kryhet dhe kjo punë, thanë ata, pse i zbathe këpucët përpara se të merrnim shpirtin?
Që të ecin dhe pas vdekjes sime, iu thashë.
Toka është tmerrësisht e errët, pse poezia jote është kaq e bardhë?
Sepse zemra ime është mbushur me tridhjetë dete, u përgjigja.
Ata pyetën sërish; Pse e pëlqeni kaq shumë verën franceze?
Sepse unë dua gratë më të bukura, iu pergjigja.
Ata pyetën; Si do ta doje vdekjen tënde?
Blu, si yjet që derdhen nga një dritare. Doni prap verë?
Po, do të pimë, thanë ata. 
Ju lutem, më lini pak kohë sa të shkruaj poezinë e fundit për gruan e zemrës sime.
Ata qeshën dhe dëgjuan prej meje vetëm fjalët për gruan e zemrës sime.


NJË BURRË DHE NJË FOSHNJË
UAJNË SË BASHKU NË KOPSHT

Një burrë dhe një foshnjë luajnë së bashku në kopsht
I thashë mikut tim; Nga vjen kjo foshnjë? Nga parajsa, tha ai.
Ndoshta është profeti Gjon që kthehet në vetminë time.
Unë jam i bekuar në shoqërinë e tij. Ai nuk ka nënë që ta ushqej, kështu që këtë punë do ta bëj unë, pra unë jam nëna e tij.
I jap qumësht dhie, i përzierë në të një lugë mjaltë aromatik
E mbaj me dashuri si një re me dritë në një pyll me lisa në kulmin e lulëzimit. 
I thashë mikut tim; A është bërë e tija kjo shtëpi e mbushur me zëra dhe vegla bujqësore?
Miku im m’u përgjigj; Ai shtrihet në shtratin tim kur është i sëmurë. Dhe unë bëhem si i sëmurë, që t’ia lehtësoj dhembjen.
I flas si në kllapi; O fëmijë jetim, unë jam babai dhe nëna jote
Ngrihu dhe me mëso paqen.
Pas një muaji shkova sërish ne fshat te shtëpia e mikut tim.
Dhe fjalët e tij më erdhën përmes lotëve, Solomoni krenar qau për herë të parë
Duke më thënë me zë të drithëruar; Ky bir i atit dre
Dhe i nënës dre vdiq në krahët e mi. Ai nuk mund të përshtatej me një jetë shtëpiake. Pra jeta e tij nuk është si e imja dhe e jotja.
Unë nuk i thashë asgjë mikut tim të mjerë. As ai nuk më tha lamtumirë duke më recituar vargje si përherë. Ai shkoi drejt varrit të drerit të bardhë.
Mblodhi rërë me duart e tij dhe thirri; Ngrihu biri im,
Që babai yt të flejë në shtratin tënd, vetëm atje mund ta gjej paqen.
Ai fle tani në varrin e foshnjës dhe unë iki duke lënë pas një të kaluar të shkurtër që më lidh me këtë vend.
Një burrë dhe një foshnjë prehen në një kopsht.
 

Exit mobile version