Një ndër enigmat më të shquara të literaturës angleze është dhe do të mbetet ajo e djalit misterioz të soneteve të Shekspirit. Ende sot, mbi katërqind vite pas shkrimit të tyre, dedikimi i vitit 1609 nga botuesi i soneteve Thomas Thorpe:
“TO. THE. ONLIE. BEGETTER. OF.
THESE. INSUING. SONNETS.
MR. W.H. ALL.HAPPINESSE….
(Përkthimi i përafërt: “Për të vetmin burim krijues të këtyre sonetëve, zoti W.H, gjithë lumturia…)”
mbetet i pazbërthyer. Kush mund të ketë qenë zoti W.H, ky djalë misterioz i cili magjepsi Shekspirin? Me këtë çështje janë marrë qindra akademikë dhe studiues, një ndër ta edhe shkrimtari i famshëm Oscar Wilde. Brenda veprës së tij “Portreti i zotit W.H”, zotëria besohet të ketë qenë William “Willie” Hughes, një aktor i ri i kompanisë së Shekspirit. Emri i së cilit qëndronte i fshehur pas disa lojërave fjalësh brenda sonetëve. Si në sonetin 20, ku Shekspiri shprehet:
“A man in hew, all Hews in his controwling.”
Këtu, fjalët “hue” dhe “Hews” (sipas Wilde) nuk janë përdorur në mënyrë rastësore. I gjithë vargu mendohet (sipas Wilde) të ketë qenë një aludim për mbiemrin “Hughes” të aktorit (për ta kuptuar vëreni ngjashmëritë në shqiptimin e fjalëve “hue”, “hews” dhe “Hughes”) . Lojëra të ngjashme gjithashtu vërehen në sonetin 38 (“the tenth Muse, ten times more in worth”) ose në sonetet 135 dhe 142 të cilat bëjnë një lojë të ngjashme me “Will” (“Whoever hath her wish, thou hast thy Will”) . Kjo “lojë” bëhet aq e domosdoshme në zbërthimin e kuptimit të sonetëve, sa shkollari Cyril Graham brenda veprës deklaron se vargjet e Shekspirit marrin kuptimin e tyre të plotë vetëm nëse emri i të dedikuarit merret si Willie Hughes. Për shembull në vargjet e sonetit 38:
“How can my Muse want subject to invent, / While thou dost breathe, that pour’st into my verse”
ai jo vetëm është duke e lavduar të dashurin e tij si muza e dhjetë, por edhe është duke luajtur me mbiemrin e tij (përdorime të ngjashme të fjalës “Muse” gjenden edhe në sonete të tjera).
Një çështje thelbësore në diskutimin rreth figurës së Willie Hughes është ajo e mënyrës se si ai mund të ketë hyrë në orbitën e Shekspirit dhe çfarë roli mund të ketë luajtur në krijimtarinë e poetit. Për ta kuptuar këtë, është e domosdoshme të kemi parasysh kontekstin e teatrit elizabetian. Në kohën e Shekspirit, ligjet dhe zakonet e teatrit ndalonin ngjitjen e grave në skenë, për këto arsye rolet femërore interpretoheshin kryesisht nga djem të rinj (në rastin e veprave të Shekspirit prej aktorëve si Willie Hughes). Këta aktorë, të quajtur “boy actors”, mishëronin brenda tyre një dyzim tërheqës: femëroren në skenë dhe mashkulloren jashtë saj. Kjo shprehet më së miri në vargjet e sonetit 20:
“…steals all men´s eyes and women´s souls amazeth” (Përkthyer: Vjedh sytë e të gjithë burrave dhe shpirtrat e grave mahnit).
Një paradoks i tillë aktorësh e vendose në rrezik teatrin si institucion. Në njërën anë, ai ishte i kontrolluar rreptësisht nga autoritetet e larta (nëpërmjet censurës). Ndërsa në anën tjetër, brenda kufijve të skenës lejoheshin lojëra identiteti të cilat në jetën e përditshme do të kishin qenë të papranueshme. Një djalë i cili vishej si vajzë tashmë mund të admirohej publikisht për bukurinë e tij. I tillë u bë personazhi i Violës nga “Nata e dymbëdhjetë”. Ajo maskohet si një burrë (Cesario) për të mbijetuar në tokë të huaj, ndërsa Hughes për aq kohë sa luante rolin e saj brenda trupës së Shekspirit, maskohej qëllimisht për t’u dashuruar hapur prej tij.
Një dramë në atë kohë gjithashtu mund të trajtonte dashuri të ndaluara duke i veshur ato me “kostumin e fantazisë”, si në rastin e veprës “Romeo dhe Zhulieta”. Ajo nuk është thjesht historia e dy të rinjëve nga Verona, por një vepër e cila brenda saj përmbledh tensionin e dashurisë së ndaluar të vetë Shekspirit. Pengesa për të dy çiftet është po e njëjta, ajo e urrejtjes. Prej saj buroi jo vetëm dënimi me vdekje për homoseksualët nga koha e Shekspirit, por edhe rivaliteti mes familjeve Montag dhe Kapulet. Kështu, të dy çiftet u gjendën në një situatë ku dashuria e tyre ishte e sinqertë dhe pasionante, por e pamundur për t’u jetuar hapur.
Në Sonetin 36, poeti shkruan:
“I may not evermore acknowledge thee, Lest my bewailed guilt should do thee shame.”
(Përkthyer: Nuk mund të të njoh më kurrë, që faji im i vajtuar të mos të turpërojë.)
Këtu, poeti pranon se largimi dhe fshehja nuk burojnë nga mungesa e dashurisë, por nga rreziku që një pranim i ndjenjave do të sillte për të dashurin e tij. Ky varg është i njëjtë në frymë me dëshpërimin e Romeos në aktin e tretë, kur thotë:
“Në qofsha internuar nga Verona,
Jam internuar nga e gjithë bota,
Dhe një internim i tillë është vdekje.”.
Për Romeon, ashtu si për Shekspirin, bota bëhet e padurueshme sapo dashuria ndalohet e shtrydhet nga jashtë. Në këtë dritë, edhe Zhulieta merr një dimension krejt tjetër. Ajo nuk është më thjesht vajza e brishtë e cila guxon të sfidojë prindërit, por bëhet njëkohësisht heroina e dashurisë, dhe maska e ligjshme përmes së cilës Willie Hughes mund të derdhte ndjenjën e tij mbi skenë. Në çdo fjalë të saj, në çdo betim të dridhshëm, tingëllon zëri i aktorit i cili, fshehur nën vellon e personazhit, arrin të dashurojë hapur për herë të parë. Nga këtu buron edhe guximi i Zhulietës për ta ndjekur Romeon deri në fundin fatal. Dramaturgu që shkruan dhe aktori që shpreh, duke ditur se luajnë brenda një skene të përkohshme, vendosin të ngrenë një monument të përjetshëm, ku dashuria e tyre të mos shuhet kurrë.
(Kujtoni vargjet e sonetit 18: “…S’do krenohet vdekja se ti rend mes hijesh, Kur në vargun tim përjetësia të pret…”)
***
Nëse ne do ta merrnim këtë teori të aktorit të ri si të mirëqenë, ende do të na mungonte shpjegimi për thuajse gjysmën e sonetave. Nëse Willie Hughes ka qenë “Fair Youth” i sonetave 1-126 dhe 153-154, kush ishte gruaja e errët “Dark Lady” e soneteve 127-152? Çfarë roli mund të ketë pasur ajo mes tyre? Në “Portreti i zotit W.H” rreth rolit të mundshëm të saj na thuhet:
“…Mars 1601, Manningham shpreh se kishte dëgjuar nga një anëtar i kompanisë së Shekspirit që gruaja e një qytetari të caktuar, gjatë kohës që kishte qenë tek teatri “Globus” kishte rënë në dashuri me njërin prej aktorëve, aq shumë sa “i kishte kërkuar të vinte mbi të”…Shekspiri, duke e dëgjuar… “shkoi i pari dhe u kënaq”… Mua këtu më dukej se kishim përpara një version të thjeshtë por edhe të shtrembëruar të asaj që ndodh brenda sonetëve, historia e dashurisë së gruas së errët për Willie Hughes, dhe tentativa e marrë e Shekspirit për ta bërë gruan të bjerë në dashuri me të në vend të shokut të tij…”
Nga këtu kuptojmë më mirë arsyet për shkrimin e sonetëve dedikuar zonjës së errët, të cilat për njëfarë kohe shpërqëndruan nga dashuria e tij e vërtetë. Ajo kërkonte të vidhte dashurinë nga duart e tij, dhe e vetmja gjë që poeti mund të bënte ishte të “shtirej” si i dashuruar ndaj saj për ta larguar atë nga Willie Hughes. Kjo mungesë e ndjenjave të sinqerta përzierë me xhelozinë dhe inatin prodhuan një gjuhë më “të egër” dhe “me tipare shtazore”. Më qartë se kudo tjetër kjo shihet në vargjet e sonetit 130:
“My mistress’ eyes are nothing like the sun;
Coral is far more red than her lips’ red;
If snow be white, why then her breasts are dun;
If hairs be wires, black wires grow on her head…
(Përkthyer: Sytë e mikes time nuk janë aspak si dielli;
Korali është më i kuq se i kuqi i buzëve të saj;
Nëse dëbora është e bardhë, gjitë e saj janë gri e turbullt;
Nëse flokët janë tela, tela të zinj rriten në kokën e saj…)”
***
Megjithatë, emri i plotë William Hughes nuk shfaqet askund. Asnjë dokument arkivor, asnjë dëshmi konkrete nuk e përmend (me emër) një William Hughes që të ketë qenë pjesë e trupës së Shekspirit. Cyril Graham, e kishte kuptuar tashmë se pa prova të prekshme teoria e tij do të shembej. Kështu ai shkon drejt mashtrimit. Dhe, pasi kjo tetnativë e dëshpëruar dështon, dhe portreti i tj zbulohet si i rremë, ai kryen vetëvrasje. Wilde për të shkruajti se: “Ai kishte vënë gjithë shpirtin e tij në rrezik për vërtetsinë e teorisë, dhe kur teoria u shemb, shpirti i tij u duk sikur u thye po ashtu.”
Por përse vallë një shkrimtar si Oscar Wilde do të zgjidhte ti dedikohej një teorie kaq të pasigurtë? Përse do t’i linte personazhet e tij të shkonin drejt vetëvrasjes, vetëm sepse nuk mund ta mbanin gjallë besimin e tyre? E gjitha lidhet me faktin se edhe vetë ai nuk mund të mbijetonte pa këtë besim. Nëse Shekspiri nuk do të kishte dashur një burrë, atëherë Wilde do të mbetej i vetëm në dhimbjen dhe dëshirën e tij. Teoria e Willie Hughes nuk ishte thjesht një spekulim filologjik. Ai do të bëhej vetëmbrojtja e Oscar Wilde përballë shoqërisë viktoriane. Në këtë kuptim, “Portreti i zotit W.H” nuk është një ese për sonetët e Shekspirit. Në të, ai nuk kërkon të provojë një të vërtetë historike. Synimi i tij ishte shpikja e një të vërtete estetike dhe morale e cila mund t’i jepte kuptim qenies së tij. Ai priste prej Shekspirit atë që nuk do ta merrte kurrë nga shoqëria e tij. Një vizitë prej poetit të madh në burgun e Reading ku ai mund t’i shprehte se nuk ishte i vetëm në ndjenjat e tij.
Amor vincit omnia. G.