Kreu Letërsi Bibliotekë Olga Tokarczuk: Leximi i Frojdit ishte hapi im i parë për t’u...

Olga Tokarczuk: Leximi i Frojdit ishte hapi im i parë për t’u bërë shkrimtare

Librat e jetës sime, The Guardian
Përktheu: Granit Zela

Nobelistja polake flet për problemin me leximin e Xhejms Xhojsit, frymëzimin nga Yuval Noah Harari dhe për librin e parë të vjedhur.

Libri që jam duke lexuar

“Homo Deus” i Yuval Noah Hararit. Ky është i dyti i tij që kam lexuar dhe ka shumë fragmente frymëzuese në të – nuk është as më shumë dhe as më pak se një koleksion idesh shumë të mira për tregime të çuditshme. Kam botuar dhjetë në Poloni dhe tashmë mendoj se duhet ta kisha lexuar Harari-n përpara se t’i shkruaja.

Libri që më ndryshoi jetën

Lexova për herë të parë “Përtej parimit të kënaqësisë” të Zigmund Frojdit kur isha vajzë e re dhe më ndihmoi të kuptoj se ka mijëra mënyra të mundshme për të interpretuar përvojën tonë, se gjithçka ka një kuptim dhe se interpretimi është çelësi i realitetit. Ky ishte hapi i parë për t’u bërë shkrimtare. Është autori që ndikoi te mënyra si shkruaj.

Mendoj se në Poloni shumë shkrimtarë do të jepnin të njëjtën përgjigje: Bruno Schulz, tregimet e tij shumë të bukura, të ndjeshme, domethënëse, të cilat e ngritën gjuhën polake në një nivel krejtësisht tjetër. Unë e dua, por edhe e urrej sepse nuk ka asnjë mënyrë për të konkurruar me të. Ai është gjeniu i gjuhës polake.

Libri që është më i nënvlerësuar

“Kukulla” i Bolesław Prus-it, një histori dashurie e mbështetur në klasën shoqërore në Poloni në fund të shekullit të 19-të. Është letërsi e bukur nga tradita letrare polake e asaj periudhe, dhe kur e krahason me atë që shkruhej në vende të tjera të botës asokohe, e kupton se sa mençuri mbartte.

Libri që më ndryshoi mendjen

Do të zgjidhja dy emra, në vend të librave të veçantë, nga bota e poezisë. Kur isha adoleshente rashë në dashuri me T.S Eliot-in. Fillimisht vodha një libër të tij nga biblioteka, pastaj fillova të mbledh të gjitha veprat. Poema ime e parapëlqyer është “Kënga e dashurisë së J. Alfred Prufrock-ut”. I dyti është Czesław Miłosz, i cili ishte poet por dhe eseist i madh dhe ishte ai që më ndryshoi mendjen për të shkruarit.

Libri që më bëri të qesh

Mua më dukej shumë për të qeshur “Dëgjoje trumpentën” e Leonora Carrington-it. Është një roman i mprehtë, i paparë, me një tregimtar 92-vjeçar jo të besueshëm i cili ka ndikuar në romanin tim “Kaloje plugun mbi kockat e të vdekurve”. E kam lexuar në kohën e komunizmit dhe më bën të kuptoj se sa me fat ishim në atë kohë që kishim kaq shumë letërsi të përkthyer në polonisht.

Libri që nuk arrita ta përfundoja

“Zgjimi i Fineganëve” i Xhejms Xhojsit. Kam shumë njohuri për librin, por nuk më ngjit leximi.

Libri që më vjen më shumë turp që nuk e kam lexuar

“Unazat e Saturnit” është një nga dy librat e WG Sebald-it që kam ende në listë.

Libri i parë që mbaj mend të kem lexuar e vogël

E para punës, prindërit më lexonin kur isha vajzë e vogël, dhe jo vetëm përralla, por libra të mëdhenj si romanet historike të Henryk Sienkiewicz-it, të cilat i mbaj mend që kur isha rreth gjashtë vjeç.

Lexime për qejf

Më pëlqen t’i kthehem fantashkencës së Stanisław Lem-it. Ai është qetësues, por edhe argëtues, dhe megjithëse i njoh librat e tij, gjithmonë ka diçka të re për të zbuluar.

Exit mobile version