Kreu Letërsi Bibliotekë “Oksimoron”, cikël poetik nga Maklena F. Nika

“Oksimoron”, cikël poetik nga Maklena F. Nika

ka ditë

ka ditë
plot dritë e ajër e ngjyrë
ka ditë të diellta e të kthjellta
me kurora të dafinta

ka ditë
pa dritë e ajër e ngjyrë
ka ditë të derdhura në kotësi
pa kurora të dafinta

ka ditë të dalldisura në kapriço egoiste
të dallgëzuara, të kërrusura, të dendura

ka ditë me damarë të kuq nga dashuria
ka ditë dioniake të djersitura nga kafshërorja

ka edhe ditë të djerra nga kalbëzimi
ka edhe ditë dramatike apoloniane
ka ditë me dantella dëlirësie e mirësie
por ka edhe ditë të dehura nga kaltërimi

këto janë ditët e mia

ka net

net të nëmura për nostalgji
net të ngrata për neveri
net të ngrira për neologjizma
net të nakatosura për nënshtrim
net të ngrohta per ngadhënjim
net të narta për ndërvarësi
ner të ndenjura për ndërveprim

ka net
të lebetitura për ndijime…

këto janë netët e mia

hëna

bashkë me hënën të prita
ta shihnim të dy

ulur pezull mbi retë rastësore
të qiellit të qelibartë të janarit

kështu të krijoj magjishëm me lehtësinë më të madhe
në imagjinatën time si kult

si kult hëne mbi qenien time dhe përtej qenies sime
e kam gjithmone këtë hënë për ty

errësirë

gdhend dritën në ëndrrat e mia
plot ngjyresa ylberi dhe yjësie
gërmoj thellësitë e mia netëve plot hënë
tuneleve të frikërave të mia diellin fabrikoj
errësirave të mia dritën time rrëmoj
marr në duar qiellin dhe luaj me të
errësirë blu ngado

mall

në sensorët vullkanikë të ndjenjave
ndiej mallin
si llavë e akullt nostalgjie

zhyt duart e përcëlluara në llavë
dhe laj fytyrën e shpërfytyruar nga pritja

kam mall
për vullkanin që krijove brenda meje

kam mall për ty
për llavën tënde që përshkoi dejet e mia

ndiej ende rëndesën e një vështrimi

ai vështrim
ajo thellësi sysh
në dritë të vagëlluar nate

ajo natë e thellë
vështrimesh
rëndon ende në kujtesë

ndiej ende rëndesën
e një vështrimi-dritë atë natë
e syve të rëndë mbi mua

e kaluara e largët

e kaluara ime nuk ekziston më
u tret në mijëra ëndërrime dhe mendime
si krijesë e huaj përballë kësaj të kaluare
e mpirë nga karboni i emocioneve të harruara

e kaluara ime m’u bë e huaj
pa e kuptuar mes gjithë këtij pështjellimi plandosës
turrem drejt të ardhmes së panjohur
e shformësuar

në lëkurë ndiej gjithë prekjet e aromat
erëmimet e mbrëmjeve dhe mëngjeseve epshore
flokët e shpupurisur dhe të erëmuar me erën e tjetrit
dhe buzët e kafshuara pafajësisht

në sy kam gjithë vështrimet e dehura
përflakjen e fytyrave dhe instiktive mashkullore
gishtërinjtë e zverdhur nga cigaret e fikura përgjysmë
dhe gotat e zbrazëta të verës së kuqe

në qenien time mbart gjithë të kaluarën time
që më rrëshket në pore si rërë e kadifenjtë
ndiej butësine e rrëshkitjes si prekje fëmije
mbyll sytë dhe harroj

harroj gjithçka, gjithëkënd
harroj veten time të atyre historive
harroj ndjenjat e mia të shndërruara
në copa letrash e mesazhesh të zhubrosura

e kaluara ime mori fund

më dukesh shumë e vjetër

të kam përballë si dikur
si dikur kur këtë vjetërsirë nuk e shihja

qenie e zbardhët, lëkurë e rreshkur
rrudha horizontale heshtjeje në ballë
gojë e pabuzë mbyllur hermetikisht
mollëza të zbërdhulura të pajeta

të kam përballë si dikur
si dikur që aq shumë e re më dukej
si dikur kur mrekullohesha në sytë e tu
dhe në shkëlqimin e tyre të shndritshëm

kjo qenie shumë e vjetër më duket
tani

errësirë

gdhend dritën në ëndrrat e mia
plot ngjyresa ylberi dhe yjësie
gërmoj thellësitë e mia netëve plot hënë
tuneleve të frikërave të mia diellin fabrikoj
errësirave të mia dritën time rrëmoj
marr në duar qiellin dhe luaj me të
errësirë blu ngado

Exit mobile version