Kreu Letërsi Bibliotekë “Nuk jam ai që sheh”, cikël poetik nga Agim Mato

“Nuk jam ai që sheh”, cikël poetik nga Agim Mato

E BUKURA E DHEUT

Atëherë poezia për mua ishte e Bukura e Dheut,
që e pushtoi si me magji rininë time të hershme.
Jetonim së bashku në të tjera dimensione, në të tjera
hapësira,
dhe botë të reja krijonim
nga fermentimi i shpirtrave tanë.

Çapiteshim në një truall mitesh,
duke ngjeshur me këmbët tona dheun e përrallave
të mbushur me mistere.

Hipnim në maja të thepisura ëndrrash
dhe koloviteshim nëpër meridianë.

Po një ditë, perënditë e rreme, me një dekret të zi
ma shqitën nga krahët të Bukurën e Dheut,
dhe m’i shkulën nga shpirti një nga një të gjitha lulet
dhe metaforat.

Vetmoja në qytetin që tashmë më shfaqej përsëprapthi,
me detin që zhurmonte atje lart mbi Manastirin e 40
Shenjtorëve
dhe qiellin të bridhte nëpër rrugë, duke hequr zvarrë retë e tij,
si një karro e shkalafitur.

I trallisur nisa të bëja pazar me vdekjen,
groposja motivet e lëna përgjysmë,
me titujt si emra të vdekurish,
gjersa shpirti i shkretuar u mbush si një varrezë
dhe nata,
tridhjetë vjet e gjatë,
pllakosi qenien time.

LULESHQERRAT

Dëgjova zëra të më thërrisnin
me ngut nga poshtë.
Ç’të kishte ndodhur?
Zgjata kokën në dritare
dhe pashë sheshin e erërave të shkurtit
të mbushur plot e për plot me shoqezat e mia të hershme,
luleshqerrat e sapoçelura:
“Eja, eja”, tundeshin të gëzuara
nën dritën e virgjër mëngjesore!

Nuk di si u injektua një padurim brenda meje
dhe nisa të zbres dy e nga dy shkallët e viteve,
duke braktisur kohën,
i shndërruar në çdo hap,
derisa mbërrita atje poshtë
një fëmijë i vogël në pakohësi.

U prekja kërcellin e hajthëm,
petalet ngjyrë ëndrre
dhe një lot më rrëshqiti
para dëlirësisë e pafajësisë së tyre.

(I mbuloja me pëllëmbët e vogla
nga frika se mos rikthehej sërish thëllimi).

Nga vinin kështu?
Nga thellësia e kujtimeve të mia
apo ndonjë qenie e përrallave të fëmijërisë
m’i dërgonte nga nëndheu?

U harrova gjatë si fëmijë
dhe nuk kujtohesha më
të ngjitesha atje lart
te mosha ime e shkuar.

Ku e gjenin forcën ato lule të imta
të magjepsnin psikikën time të lodhur nga jeta
e të më kthenin atje ku pata skicuar
bukurinë e shpirtit dhe ëndrrat?

Sarandë, shkurt 2017

PARA FILLIMIT TË FESTIVALIT
TË TEATROVE NË BUTRINT

Lotoret prej terrakote, të plasaritura,
të çara nga kripa dhe acidi i syve njerëzorë,
ndiejnë t’u njomet hiri i tragjedive
prapa xhamave të muzeut në Butrint!

Përse i mblidhnin lotët e nënave,
për llogari të kujt hyu
arkivohej pikë-pikë dhimbja
dhe hidhërimi i tyre?

Kush do ta pinte kupën e vrerit
të vendosur bri të vdekurit
në rravgimin drejt jetës së përtejme?

Po dënesat, ulërimat, logoritë,
ofshamat, ç’enë do t’i mblidhte?

Në ç’mite do të strehoheshin
flokët e shkulura, faqet e çjerra
dhe do të shfaqeshin në koret
e vajtojcave antike të tragjedive?

Vepra e kujt tragjediani
e ka radhën të luhet sot
në skenën e teatrit,
këtu në Butrint?

Ç’ hata e lashtë
do të ringjallet para nesh
për t’u barabitur
me tragjeditë e sotme të planetit?

NUK JAM AI QË SHEH

Nuk jam ai që sheh.

Jam tërësia e mungesave dhe atyre që nuk i arrita t’i bëj.
Të gjitha i tërheq me vete e s’mund të ndahem prej tyre.

Jam gjithë ëndrrat që më kanë ndjekur si një film që nga
fëmijëria e hershme.

Kisha kaq dëshira, kaq pasione! Me një ashensor drite
ngjitesha në dritaren e një ylli,
dhe shihja atje poshtë,
si nga dritarja e Perëndisë,
gjithë padrejtësitë e një ideologjie,
që s’kishin të sosur.

Shihja si na veçonin sipas llojit,
na mohonin liritë, të drejtat
dhe fabrikonin robotë njerëzorë,
të programuar në emër të një utopie.

Nuk jam ai që sheh.
Jam tërësia e mungesave
dhe atyre që nuk më lanë t’i bëja në jetë.

Maj 2018

BOHEMI I FUNDIT

“Ëndrra janë…
Edhe dalin,
edhe s’dalin!”
thoshte Petroja,
aty te limani i barkave të peshkimit,
ai bohemi i fundit lëkurëzeshkët,
rob i fatit dhe ëndërrimit.

Për vete as që nuk arrinte
të thurte ëndrra për jetën:

ekrani i tyre në tru nuk i ndizej,
diku i ishte këputur filli i shpresës.

Përpiqej ta sendërtonte një ëndërr
dhe më kot e priste
si çelja e një luleje te koka e krevatit
e t’i zbukurohej dita që gdhinte,
e t’i buzëqeshte fati.

Ngrihej nga shkretëtira e gjumit
dhe vinte me sytë e ënjtur në liman,
me një thikë që kurrë s’e hiqte nga dora,
e vetmja vegël pune që s’i ndahej.

Ulej në shkallët që zbrisnin te deti
dhe pastronte peshqit e blerë nga qytetarët,
për një shpërblim të vogël, simbolik,
nuk ngrihej nga shkallaret.

Kur dallga ngjitej me vrull
dhe i depërtonte në pantallona, hera herës
nuk zmbrapsej
por reagonte me romuze,
duke i shkulur së qeshuri të tjerët.

Atëherë porositnin një teke rakie për të
dhe e pyesnin:
“Ëndrrat, ç’ thonë?”

“Nuk dalin, plako!” qe përgjigjja.
dhe tundte ato pak qindarka që fitonte.

Një ditë, e gjetën buzë një ëndrre
me sytë e hapur,
të ngrirë drejt saj,
me ekranin e shuar brenda shpirtit…

…Dhe asnjeri nuk iu gjend që ta qajë.

Exit mobile version