Kreu Letërsi Bibliotekë Odhise Çerkezi: Vija e verdhë

Odhise Çerkezi: Vija e verdhë

(fragmente nga romani)

Ky roman me temë nga trevat e Veriut është rrjedhojë e jetës dhe punës sime si mësues në vitet ’70 në rrethin e Mirditës, duke filluar nga fshati Lufaj në kufi me Matin, Kurbneshin, Kaçinarin, Bulsharin e Oroshin, Dom Gjonin e Fanin, Rasfikun dhe trevat e tjera ku bëra shumë miq dhe vola një material shumë të pasur, ku u njoha me kanunin, me mikun e besën, me gjakmarrjen etj. Të gjitha këto gjejnë shtratin e tyre në këtë roman, por edhe në një seri tregimesh e novelash me një përfshirje kohore shekullin e njëzet. Njerëz dhe drama të mëdha njerëzore janë heronjtë e këtyre veprave.


1.

Lleshi mori sëpatën në dorë dhe filloi të zbresë drejt Bredhit të Madh. Kishte nevojë të ishte vetëm, të mos dëgjonte asgjë, të ulej aty e të mendonte, të mendonte, të mendonte. Pas mendimeve do të vinte veprimi. Nuk shikonte ku i hidhte këmbët. Në tokë llogaçet e formuara nga shiu, lëshonin shkëlqime të kuqërremta në ngjyrë myshku. Ai nuhati. Çdo gjë e njihte prej erës. Ndjeu erën e rrëshirës së re, diku duhej të ishte prerë ndonjë pishë.

“Ah, e shkatërruan këtë pyll të bukur, e prishën! E pse, or të mallkuar i bini në qafë këtij vendi kaq të bukur?! Ç’ju ka bërë?!

Ngadalësoi hapat, sikur t’i vinte keq të takohej tani shpejt me drurin e prerë që ndoshta do të ishte akoma duke derdhur lotë. I erdhi kaq keq sa s’thuhet. Ndaloi të dëgjonte ndonjë goditje sëpate apo rrëzimin e trungut, por asgjë. Vazhdoi më tej. Po i afrohej Bredhit të Madh. Përpara pa bagëtitë duke kullotur, pa edhe një grumbull degësh të shpërndara andej – këtej pa rregull, pa edhe cungun e prerë të pishës. Ngriti kokën lart. Vendi ishte bosh.  Zemërimi iu rrit.

“Po ç’keni mor, që na shkatërroni kësisoj! Këta drurët e shkretë s’ju kërkojnë as të hanë e as të pinë! Ata janë streha e zogjve, e kafshëve dhe e… – ndaloi pak, u mendua, – …e imja! Edhe këtë gëzim do të ma merrni?! Ah, pisha ime e gjorë, sa herë ke qenë mikja ime në netët e gjata! Sa gëzime e hidhërime kam ndarë me ju! A nuk erdha dhe u mbështeta në trungjet tuaja atë ditë kur pas varrosjes së Franit nuk mund t’i mbaja dot lotët kur shihja të tjerët duke vajtuar e kur po më këpusnin shpirtin lebetitë e nuses së re, po kur Frroku më pruri fjalët që ishin hapur për Martinen se po mëkatonte, a nuk erdha prapë këtu mes jush dhe fillova të mendoja se ç’duhej bërë?! Akoma e hapur ishte plaga e tim vëllai! Ah! Po kur më vranë Markun, po kur erdhën diversantët dhe fëmijët u fshehën këtu midis jush, ndërsa unë bëra pushkë; po kur Prendi dërgoi njeri të më kërkonte se i kishte shkuar Pandi në kullë për kooperativën, a nuk isha këtu, po kur…

Befas sytë iu lëngëzuan. Ishte e dyta herë brenda asaj dite. Kaloi dorën mbi cungun e prerë të pishës dhe iu lag.

“Edhe pemët lotojnë, edhe ato kanë shpirt e ndiejnë dhimbje, – i shkoi ndërmend. Dhimbja e tij nuk ishte e vetme. Ja dhe pisha po lotonte, vajtonte fatin e saj. E mbështeti më mirë dorën mbi pishën trungprerë. Kaloi pak ashtu i kapitur dhe e ndjeu veten të poshtëruar. Duhej të vepronte. Kishte aq dëshirë të ngrihej, të ecte, të shkonte fluturimthi në shtëpinë që po ndërtohej dhe të prishte, të prishte, të prishte gëzimin e atyre njerëzve që po shkatërronin gëzimet e tij. Edhe ai kishte pasur shumë gëzime në jetën e tij dhe ato ia kishte dhënë kjo luginë. Po tani s’kishte më. Ato ia kishin prishur ata që ai i donte, që u kishte dhënë zemrën. Kishte gisht edhe ai komisar Pandi në këtë shkatërrim që po vinte ngadalë dhe e kishte shigjetuar me fjalë të ëmbla pale, dhe i kishte thënë se…. Jo, jo, në qoftë se do të kishte edhe disa vjet të tjera për të jetuar, se i dukej vetja sikur kishte njëqind vjet mbi shpinë, ato po i shkurtoheshin. Kaloi dorën në fytyrë dhe mbi të i mbetën shenjat e lotëve të pishës.

“Pishë, o pishë e prerë, – tha ai, – ty po të drejtohem e askujt tjetër, o pishëza ime e gjorë! Ty të vranë tani, mua kanë filluar të më vrasin ngadalë. Jeta jote ishte e shkurtër, të prenë për të të përdorur diku, do t’u hysh në punë, do të mbash kulmin e shtëpisë, do të presin copa nga trupi yt dhe mbi to do të vendosin tjegullat, do të kesh një peshë të madhe ti që ishe mësuar të mbaje vetëm peshën tënde dhe të zogjve e gjinkallave në ditët e nxehta të korrikut e gushtit, mbaje këngën e tyre dhe unë i dëgjoja e çlodhesha këtu nën hijen tënde, i harroja brengat. Ata që të prenë e shpejtuan vdekjen tënde siç po shpejtojnë edhe timen. Si do të durosh o pishë trungprerë që të mbash mbi vete pesha të huaja?! Si do të mund të qëndrosh dot pa cicërimat e zogjve, pa shoqet pranë, pa blerimin, pa dritën jetëdhënëse të diellit?! Përgjigjmu, o pishë e gjymtuar! Unë nuk mund të jetoj dot, nuk mund të jetoj dot me njerëz të tjerë pranë! Nuk mund ta shoh si shkelet blerimi, se si në tokën e kafes së papirë të vendosen njerëz, të vendosen gjakësit e mi, të shoh shkeljen e gjakut të Sutajve, të Franit!

“Më fol, o pishë e madhe, o cung i mjerë, më trego a nuk janë të padrejta të gjitha këto që më punuan mua dhe të punojnë ty?! Pse hesht, o pishë cungprerë, ty po të drejtohem! Ti ke parë shumë gjëra, ti e njeh mirë gjithë jetën time. Ç’është e ç’ka ndodhur në këtë botë ti e ke parë vetë dhe e ke të shkruar në mendjen tënde. Më thuaj, o pishë! Të lutem, më thuaj…

“Si e durove sëpatën e tyre në trupin tënd?! A nuk të dhembi zemra kur ajo filloi të ta zhvoshkë trupin copa – copa?! Mua më dhemb, ja mu këtu (tregon kraharorin) më dhemb! Duhet të bëjmë diçka!… Eh, mos i mbaj mbi supet e tua tjegullat që do të të vendosin, shembe kulmin që të mos ketë jetë në atë shtëpi… Atje nuk duhet të… Më dëgjon, o pishë, rrëzoje kulmin, ler vetëm muret, muret e porsangritura që t’i rrahë shiu dhe era e të mbulohen nga myshku, të këndojë në to qyqja dhe të bëhen strehë e bufit, e lakuriqëve të natës, të mos ngrenë fole dallëndyshet… Si thua ti, o pishë?!… Unë të lutem, bëje këtë o pishë trungprerë… Bëje për mua dhe për veten tënde, për vuajtjet tona të përbashkëta!

Asnjë përgjigje nuk merr dhe zemërimi fillon e ngre krye përsëri brenda tij, kësaj radhe edhe ndaj kësaj pishe mosmirënjohëse, por mundohet ta zotërojë veten dhe i drejtohet me fjalë lajkatare:

“Unë e di, ti diçka bluan, ashtu siç bluaj unë! Ti do të veprosh ashtu siç do të veproj edhe unë! Mua mos m’i fshih mendimet e tua, ne jemi tanët. Njeriu s’i thotë dot të gjitha dhe asnjëherë nuk duhen thënë me zë të lartë gjërat që nesër mund të të sjellin telashe! Ka gjëra që nuk i thuhen dot as evlatit tënd, por ti unë t’i them ashtu si do të m’i thuash edhe ti!…

Delet kishin ikur tutje dhe ai nuk i shihte. U ngrit dhe eci nëpër vragat e tyre.

2.

Frroku u nda nga prifti pasi i premtoi se sido që të ndodhte dhe çfarëdo që të bënte do ta bisedonin prapë në mbrëmje. U var tatëpjetë i gëzuar. Ishte nisur të shkojë nga Lleshi. Kur po i afrohej fshatit të ri, mendoi të kalojë vjedhurazi dhe të mos takohej me asnjeri, por kërshëria për të parë më nga afër se ç’bëhej aty, nuk e la. Shkoi drejt atyre që punonin. Iu afrua mureve dhe filloi t’i prekë me dorë. Kur e pa se tërhoqi vëmendjen e të tjerëve, i përshëndeti:

-Puna mbarë dhe ju lumshin duart! Mur të mirë keni bërë!

-Mbarë paç! – ia kthyen përshëndetjen.

Frroku vështroi përreth me kërshëri, s’pa asnjeri që t’i prishte opunë. Vetëm brigada e ndërtimit ishte aty, as Mëhilli nuk ishte. Më tej po hapeshin themele të reja.

-Po ata ç’bëjnë aty? – pyeti.

-Themele po hapin.

-E kush do të banojë në atë shtëpi?

-Fëmijët.

-Çfarë? Çfarë?

-Është kopshti dhe çerdhja.

-Aha!…

-Nuk do të na ndihmosh edhe ti, xha Frrok? – ia bëri një i ri dhe i shkeli syrin shokut përbri.

-Patjetër, – ia ktheu dhe qeshi me djallëzi. – Po ndonjë kurban në themele që të qëndrojnë muret, keni bërë?

Të tjerët ngritën kokat për një çast nga puna që bënin dhe e panë të habitur, pastaj panë njeri – tjetrin dhe qeshën.

-Kurban?!…

-Muret qëndrojnë edhe pa kurbane.

-Jo, jo, – tundi kokë e dorë njëkohësisht. – Në kohën tonë kur ndërtonim ndonjë shtëpi, më përpara bënim ndonjë dash a diçka tjetër kurban në themele. Gjaku i forcon muret. Pastaj zakon ka qenë që në themele të varroseshin edhe kockat e ndonjë stërgjyshi të fisit. Vetëm atëherë fillonte ndërtimi i kullës se ndryshe muret nuk qëndronin. S’keni dëgjuar ju për kullën e Prengë Frrok Lleshit të Lulashëve që e ndërtoi kullën tre herë dhe të tre herët iu rrëzua se në themel të tyre nuk ishte bërë kurbani. Vetëm kur u bë zakoni dhe u varrosën kockat, muret qëndruan dhe janë akoma edhe sot. Është ajo kulla atje në krah të Majës së Kërçollës, s’ka mbetur më asnjeri nga ajo familje.

Të tjerët dëgjonin me vëmendje, duke i hedhur njeri – tjetrit vështrime në të cilat përzihej habia dhe pyetja bashkë. Simoni mendoi ta ndërpresë njëherë, fjalët e Frrokut po e nxehnin, po e la. “Si tha Kadriu, ta lëmë gjarprin të nxjerrë këmbët”, – mendoi.

-Po historinë e kullës së Gjonikajve, e dini?

Të tjerët ngritën supet.

-As ti, or Dedë, – iu drejtua pastaj një ustai të kaluar nga mosha, po tjetri nuk e ngriti kokën nga cigarja që kishte nisur të dredhë. – Edhe Gjonikajt vendosën të ngrenë një kullë të re. Filluan punën mirë e bukur, po ndodhi ajo që s’e mendonte asnjeri. Ditën ndërtonin muret, ndërsa kur shkonin të nesërmen në mëngjes i gjenin të rrëzuara, rrafsh me tokën i gjenin. Kjo punë disa ditë. Vunë edhe roje natën, por vinte mesnata dhe dilnin disa hije veshur gjithë me të bardha dhe i prishnin. Ata që ruanin, ato çaste e humbitnin gojën dhe nuk mund të lëviznin as këmbë, as dorë. Një natë njëra nga hijet foli: “Këto mure nuk do të qëndrojnë dhe në to do të derdhet gjak nga Gjonikajt!” Kaq tha dhe u zhduk. Të nesërmen filluan ta ndërtojnë përsëri murin e prishur. Kishin bërë goxha, kur prapë rrëzohet dhe zuri një nga fëmijët e Gjonikajve…

-Përralla! – nuk duroi më Simoni. – Me të tilla përralla gënjehen fëmijët në netët e dimrit.

Frroku e pa me përçmim. Nuk ia mbushte synë ai djalë i Pjetër Përndrekës, paçka se në fshat e mburrnin.

-Për ti le të jenë përralla, për ne që na i kanë thënë prindërit tanë e që i kemi parë me këta sy, janë të vërteta. Ju bëni si të doni, veçse – dhe këtu e zgjati më tepër zërin – të mos thoni se xha Frroku nuk na paralajmëroi!

Mori rrugën për në kullë, por ndaloi dhe shtoi:

-Kemi jetën ne pleqtë, prandaj dëgjojeni ndonjëherë fjalën tonë.

Si iku Frroku, filloi diskutimi mbi sa tha ai. Disa përkrahnin Simonin, po kishte edhe nga ata që i kishin futur në mendime sa dëgjuan. Me të dytët ishte edhe Ndoka. Diskutuan pak, por Simoni nisi punën, kështu që e lanë edhe të tjerët. Herë pas here i hidhte sytë nga Ndoka, i hidhte edhe nga kulla e Sutajve. Të djeshmen e kishin lënë për t’u takuar me Delinën. Ai e kishte pritur, ndërsa ajo as që ishte dukur. Megjithatë edhe shumë nuk e priti, se kishte punët e tjera.

“Do  të më ketë pritur ajo, – mendoi.- Kushedi si do ta ketë bërë shiu.

Që kur erdhi në mëngjes, dhe kishte ardhur i pari, i hodhi sytë nga kulla, i pa të gjithë, por atë jo. Kjo e shqetësoi më tepër. Mendoi njëherë të shkonte deri atje, bile bëri edhe disa hapa.

“Budalla, – e qortoi pastaj veten. – Ku do të shkosh apo do që të prishësh punë!

Shqetësimi sa vente e i rritej, por e mblodhi veten shpejt kur e pa të hynte në oborr. I hovi zemra, po u mundua ta përmbajë gëzimin që e pushtoi për të mos tradhtuar veten para të tjerëve që kishte përreth.

Edhe Delina gjatë gjithë kohës e kishte Simonin në sy. Ndiente një faj të lehtë që s’kishte pasur mundësi ta lajmëronte një natë më parë dhe kushedi sa do ta kishte pritur. Po ashtu ishte puna e saj dhe ai duhej ta kishte marrë me mend se ku ndodhej.

Mori rrugën për në Luadh. Lehonën dhe dy kërthinjtë i kishte lënë mirë, do të rrinte pak dhe afër mesditës do të shkonte përsëri t’i shikonte. E lodhur ishte, pothuajse s’kishte mbyllur sy gjithë natën aty te Brukajt, pot nuk i flihej. Të shikonte njëherë andej, ta takonte Simonin dhe pastaj kthehej e pushonte. U nis me Gjetën përdore. Kur pa që Simoni kishte ngritur kokën dhe vështronte nga ana e saj, i ngriti dorën për ta përshëndetur. Nuk e vuri re fare Frrokun që vinte përballë, por ai e kapi shenjën e saj dhe, kur iu afrua, i nguli një vështrim që vajzën e përcëlloi, por u qëndroi atyre syve.

“Do t’ia them edhe këtë Lleshit, – mendoi Frroku dhe kaloi pa e përshëndetur.

Sa iu afrua shtëpisë së re, Gjeta i shpëtoi nga duart Delinës dhe vrapoi të ngjitej në skelë. I zgjati duart Simonit, që e ngriti peshë dhe e vuri pranë vetes. Sytë e tyre u takuan dhe ata i buzëqeshën njeri – tjetrit.

-Delinë, shko na sill pak radion, – ia bëri Simoni dhe ajo u kthye e u nis për në kullë.

Me sy ndiqte Delinën, por nga mendja nuk i hiqej Frroku. Diçka deshtë të thoshte me ato fjalë ai, po çfarë?! Këtë s’mund ta gjente. Lëvizte duart vetvetiu dhe vriste e vriste mendjen. Edhe vështrimet që shkëmbyen Frroku me Ndokën i kishte kapur. Mos kishin gjë midis tyre ata?! Po mbrëmë atë s’e panë të shkonte në qelë. Mos i kishte thënë ashtu kot ato fjalë?! Mos po i binte kot në qafë?! Jo, jo, i ta pas një çasti vetes, nuk duhet të jetë njeri i mirë. Si i kishte thënë Delina: Kokë më kokë me Frrokun kishte qëndruar kohët e fundit, edhe natën para se të shkonte në qytet me të kishte qenë! S’është njeri i mirë ai,… diçka po kurdis,… duhet parë…

Delina e solli radion dhe ia zgjati. Ai e vendosi mbi mur dhe e hapi volumin deri në fund. Pas disa këngëve spikeri lajmëroi orën dhjetë dhe filloi transmetimi i lajmeve. Të tjerët lanë punën dhe u afruan. U afrua edhe Ndoka, megjithëse nuk i pëlqenin të gjitha këto. “Gënjeshtra janë këto që thonë, – kishte thënë prifti dhe atij i pëlqente t’ia përsëriste vetes herë pas here ato fjalë. Po nuk bënte të ndahej se binte në sy për keq.

“Kooperativistët e F… po i bëjnë të gjitha shërbimet kulturës së misrit dhe zotimi i tyre është… Filloi puna për mbjelljet e vjeshtës… Kolektivi punonjës i uzinës… Filloi prodhimi i disa pjesëve të këmbimit për traktorë që më parë importoheshin dhe kjo u arrit me punën këmbëngulëse të… Kolektivi i ndërmarrjes… e realizoi planin vjetor dy muaj e tetë ditë para afatit… Mirë paraqiten edhe ndërmarrjet…

“Të rinjtë janë hedhur në aksione konkrete kundër zakoneve prapanike e fesë. Kështu të rinjtë e shkollës së mesme “R…” prishën një tyrbe të shenjtë ku për vite me radhë faleshin njerëzit. Në të gjetën kockat e një kali…

“Vazhdojmë me lajmet e jashtme.

“Vendosmëri e punëtorëve grevistë të hekurudhave në SHBA… Shtojnë shpenzimet për armatime… Këto ditë në Vjenë u zhvillua një raund tjetër i pazarllëqeve mbi “pakësimin e trupave dhe armatimeve në Evropën Qendrore…”

Ndoka nuk dëgjonte më. Lajmi për fenë dhe aksionin e të rinjve, e kishte tronditur. As vetë nuk e kuptonte ç’ndiente atë çast. Ndjeu vështrimin e Simonit në fytyrë dhe u mundua të mos e japë veten, megjithëse edhe ishte për t’u tronditur. U mundua të buzëqeshë, por i doli një ngërdheshje e mjerë. Simoni nuk po ia hiqte sytë.

“Ç’t’i bëj dom Ndocit unë, pa do të ta kisha gjetur anën, mendoi dhe tashmë e kishte mbledhur veten plotësisht. – Po do të të vijë radha! Do të ta gjej anën me Lleshin unë…

Biseda e gjallë që u ndez pas lajmeve, e shkëputi Ndokën nga mendimet e veta. Hapi veshët të dëgjojë më mirë, por vetë nuk mori pjesë në bisedë, sikur e kishte stepur ai vështrim i Simonit.

“Njerëzit i faleshin një kali! Një kalë i shenjtë, – mendonte me vete Simoni, por këto fjalë i tha me zë dhe e dëgjuan të gjithë. – Paska qenë një kalë i shenjtë…

Tha kështu dhe qeshi, ndërsa me vete të tjera gjëra mendonte.

Edhe Mëhilli i dëgjoi lajmet. Të tilla arritje e suksese e emocionojnë gjithmonë njeriun. Edhe ai u emocionua dhe në vesh iu duk se i erdhi një lajm tjetër i thënë nga e njëjta spikere: “Në rrethin M… u inaugurua fshati i ri Lezan. Brenda një kohe shumë të shkurtër, në luftë me gjithçka të vjetër që pengonte, u ndërtuan shumë shtëpi të reja, veprat social – kulturore…” Qeshi me këto mendime. “Ja, shtëpia e tij po hidhte shtat, pas saj do të ndërtoheshin të tjerat dhe brenda vitit i gjithë fshati. Sa gëzim do të ishte”. Ai vërtetë i gëzohej kësaj që po ndodhte. Vetëm kur kujtoi Lleshin dhe veprimin e tij të një dite më parë, kur i kaloi pranë dhe ndërsa ky i foli, ai ktheu kokën nga ana tjetër, gëzimi sikur iu platit pak. Të gjithë të Sutajve e aprovonin këtë, kishin ardhur në këtë vend, kishin dhënë ndonjë ndihmë për ndërtimin e shtëpisë, vetëm Lleshi… Po dhe ai do të mësohet, ndryshe s’ka si të bëhet… Mirë kishin bërë që s’e kishin bërë për fjalë mbushjen e themeleve. Lleshi duhej të kishte gisht në të…

-Një ditë do të flitet në radio edhe për këto që ndërtojmë ne, – tha ai ngadalë, por që u dëgjua mirë.

-O burra, që kjo ditë të vijë sa më shpejt, – ia bëri një tjetër dhe përsëri nisi puna.

“Mos ardhtë kurrë ajo ditë!” – mallkonte Ndoka dhe nuk e pa ku e vuri këmbën. Shkau dhe u rrëzua. Guri që mbante në dorë i shpëtoi dhe i goditi kërcirin e këmbës.

“O, o! – lëshoi një klithmë dhe e kapi me të dyja duart. Dy veta që i ndodheshin më afër e ngritën dhe e vendosën më tej, i ngritën pantallonat dhe u munduan t’i ndalojnë gjakun.

-T’i thërrasim Delinës, – tha njëri prej tyre. Ndoka u mundua ta ndalojë, por Delina ishte afruar vetë.pasi e pa plagën, nxitoi në shtëpi të merrte sa i duheshin për ta mjekuar. Ajo ishte mami, por edhe këtë gjë mund ta bënte. Sytë e Ndokës u takuan përsëri me ato të Simonit  dhe iu duk se ai po e qesëndiste. Mbylli sytë më tepër nga kjo se sa nga dhimbja. Delina u kthye shpejt. Filloi të fashojë këmbën, të tjerët ikën njeri pas tjetrit në punët e tyre. Ndoka i buzëqeshi, ndoshta ishte e para herë që ai po buzëqeshte me të vërtetë. Kështu i gjeti Kadriu.

-Kujdes, ta bëjmë punën, po të mos vritemi ama! – ia bëri ai.

-Si është Lleshi, Delinë? – pyeti pastaj.

-Mirë, mirë, – ia bëri ajo dhe e pa në sy. Pastaj u ngrit dhe e ndoqi pas. – Nuk nxjerr fjalë nga goja, veç diçka bluan me vete. Si do të vejë puna me të…

-Këto ditë do të vijë edhe Toma me ekipin e punëtorëve, – ia ktheu Kadriu dhe hoqi xhaketën. U përzie edhe ia bashkë me të tjerët.

3.

“Mirë më dolën në shteg!” – mendonte Frroku rrugës për te Sutajt. Delinës nuk deshtë t’i fliste, megjithatë e pa ashtu rreptë dhe i dha të kuptojë se diçka kishte nuhatur ai, nuk ia shkonin dot nën rrogoz atij. Kur iu afrua kullës, i ngadalësoi hapat si për të fituar kohë para se të takohej me Lleshin. Filloi të mendojë se si ta hapë bisedën. Në oborr ishte Mara që po merrej me pulat dhe një derr që e kishin të lidhur në kolibe. Frroku u afrua, e përshëndeti dhe pasi i hodhi një sy derrit, tha:

-E keni të mbarë sivjet, patjetër që do të nxjerrë njëqind okë mish e vjamë.

-Erdhi i mbarë, – ia ktheu Mara dhe e ftoi të ngjitet në kullë. Frroku nuk e pyeti për Lleshin, duke kujtuar se do të ishte brenda. Hyri në odë dhe u ul, priti Lleshin, por hyri Ija duke mërmëritur:

“Në këtë qiell çdo krijesë ka yllin e vet. Delja, lopa, macja, miu, ujku, qengji, milingona, unë, ti, të gjithë kanë nga një yll që shkëlqen. Edhe Frani im kishte një yll. Të gjithë kanë nga një yll, përndryshe qiellin nuk do ta mbulonte ky shkëlqim dhe s’do të kishte kaq shumë yje. Qielli hambar me yje! Ha, ha, ha! Në këtë hambar është edhe ylli yt. Ja, shikoje. Ai shkëlqen fort. Edhe imi shkëlqen shumë, edhe i atij të mallkuarit Lleshit tim që s’i mori hakun yllit të Franit që u shua, shkëlqen shumë. Shiko si vallëzojnë yjet. Zihen midis tyre. Kështu ziheshin edhe atë natë para se të vritej ai. Shih, shi, një yll u këput! I kujt të jetë vallë?! Ishalla i atyre që vranë djalin! Ishalla, o Zot! Shih, shih ylli luhatet e lëkundet, do të këputet! Sikur të jetë ylli im! Sa mirë, do të vete pranë Franit dhe gjithë të mive! Sa mirë, sa mirë!

-Nuk është yti, nanë Ije, nuk është! Do të jetë i atyre të mallkuarve! I atyre është patjetër! – i foli Frroku.

-Ja, ja erdhi, erdhi! – ia bëri Ija dhe hapi krahët për të përqafuar dikë.

Frroku u ngrit, me plakën s’mund të bisedohej gjë. Në këmbë e piu edhe kafen.

-Nga Bredhi i Madh do të jetë, me berret, – iu përgjigj Mara dhe ai mori rrugën për atje.

Prendi ishte ngritur herët, leqë ai pothuajse gjithë natën nuk mbylli sytë nga gëzimi. E përcolli Delinën deri përtej vathës duke e falënderuar për kujdesin që kishte treguar për të renë e fëmijët. Flori të ka Lleshi, i tha.

-Po ç’bëra unë, lalë Prendi, ia ktheu e turpëruar Delina nga lëvdatat që i bënte.

-Bëre, bëre! Borxh ta kam! Po do ta shlyej në dasmën tënde. Po ç’bën akoma Lleshi, ë?! Mirë, mirë, mos e ul kokën ashtu, do ta bisedoj me Lleshin unë, janë punë burrash këto!

-Ditën e mirë, – përshëndeti Delina dhe u mat të ikte.

-Prit, i thuaj Lleshit të më presë, të shkojmë bashkë andej nga Luadhi, se u turpërova fare unë…

Kur mësoi nga Delina se Lleshit as që i flitej me gojë dhe se këtë të gjithë e kishte nga ato që po ndërtoheshin aty, Prendi u nxeh, shau, bile shau rëndë. Shau edhe Lleshin, edhe veten.

-Si, si, pa thuajma edhe njëherë! Nuk ka shkuar asnjëherë atje?! Edhe është ankuar?! Turp, për besë turp i madh!

Tundi kokën dhe u kthye i menduar në kullë. Të ndodhin gjithë ato gjëra dhe ai të mos ishte bërë i gjallë fare. Inat kishte me Lleshin, por më tepër me veten. Nuk i takonte Lleshit të kundërshtonte… Po matej të dilte, kur në oborr u dëgjuan zëra dhe lehja e qenit.

-A do miq, o i zoti i shtëpisë!

I foli qenit dhe doli të priste të ardhurit. Ishin njerëzit e nuses.

-Të na rrojnë! – u dha sihariqin pa u takuar mirë. – Dy çuna të bukur…

Exit mobile version