Kur isha i ri, po edhe sa herë kam gjetur ngenë, kam shkruar dhe për kulturën e gjuhës në skenë e në ekran.Për pasion dhe për profesion.Përpos tekstit universitar për lëndën “Kulturë gjuhe” në degën e dramës e të regjisë skenike që jepja në Universitetin e Arteve, nuk kam mënuar të shkruaj dhe kumtesa a shkrime vlerësuese te “Drita”, te “Gjuha jonë” e në organe të tjera dhe sidomos te revista “Skena dhe ekrani”. Mjerisht ajo revistë nuk del më. Por një hapësirë pranuese për shkrime kësodore duhej. Falënderoj botuesin e gazetës “ExLibris”, zotin Bujar Hudhri, dhe redaktorin e ri e të pakundshoq për nga mirësjellja, Andreas Dushin, që tregohen derëçelë e pranues sa herë u jam drejtuar për “strehë” në faqet e kësaj reviste, tashmë nga më të lexueshmet.
Mbrëmjen e datës 17 janar, ishte premiera e filmit “Pasaporta” një film nga Eduart Grishaj. Filmi do të shfaqet në të gjitha kinematë e kryeqytetit. Një film i ri, bazuar në ngjarje të vërteta.
Eh, sa fjalë e çuditshme kjo pasaporta. Dikur e dikund shqiptohej dhe pashaporta, prej saj dhe pashaportizimi që do të thoshte të regjistrohesh si banor në një qytet, në zyrën e gjendjes civile. Por, pajisja me pasaportë e me vizë për të udhëtuar jashtë shtetit ishte dikur “mollë e ndalueme” për masën e gjerë të shqiptarëve. Pasaportë e pajisje me vizë nga ambasadat përkatëse kishin vetëm diplomatët dhe punonjësit e ambasadave e familjarë të tyre.
Mbas shndërrimeve superstrukturore e shtetërore të viteve ‘90, pasaporta do të bëhej e gjithkujt, por do të mbetej problem viza nga ambasadat a zyrat konsullore të përfaqësive të shteteve të huaja përkatëse. Ndërkaq, dëshirat për të udhëtuar jashtë shtetit, jo vetëm do të shtoheshin, po edhe do të shoqëroheshin (për fat të keq) dhe me daljen e grupeve kriminale e të strukturuara, që shisnin (e shesin akoma) pasaporta me viza të rreme (të falsifikuara) me çmime të shtrenjta, sidomos për ata që synonin largim nga Shqipëria për punë e jetë më të mirë në Amerikë e në Kanada etj. Dhe, keqbërësit që merren me këtë veprimtari, pak ta quash kriminale, janë bërë edhe më të këqinj se tregtarët e skllevërve të dikurshëm.
Kjo është dhe tema që shtjellohet në indin e filmit “Pasaporta” të regjisorit Eduart Grishaj. Dy vjet më parë, sikundër dihet, ai i dha publikut filmin “Sofi”, me të cilin ai dëshmoi se, tashmë, përveç realizimeve si regjisor i programeve të suksesshme televizive, po bënte dhe një hap të parë, sa të madh e të sigurt, aq edhe kureshtjendjellës duke trajtuar një nga temat më të thekshme të fisnikërisë e të traditave të pavdira të malësorëve të Veriperëndimit. Figura e Sofi Lekes, do të hynte me atë film në yjësinë e grave të shquara të letërsisë e filmit shqiptar, si Lokja e filmit “Toka jonë”, si Nica te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, si Nënë Pashakoja etj. Kam folur e shkruar më parë për atë film, së pari, në një intervistë me gazetarin Mustafa Nano në “Arnautistan”, pastaj në artikullin vlerësues me titullin “Një film me vlera të mëdha artistike dhe me kumte shumë të rëndësishme”, duke kundruar edhe disa dukuri të individualizimit e tipizimit gjuhësor në filmin “Sofi”, po edhe me shqyrtime e theksime përgjithësuese për ligjërimin në skenë e në ekran. Një parashtresë të thukët për vlerat edhe ligjërimore të filmit “Sofi” e kam përfshirë dhe në ribotimin e librit “Pesha e fjalës shqipe”, që del së afërmi nga shtypi. Dhe, ja që, bashkëvendasi im, regjisori Eduart Grishaj, me mirësjelljen që e ka edhe nga vetja, po edhe nga tradita bujare e një familjeje fisnike si ajo e Grishajve të Malësisë së Madhe, ma dërgoi ftesën me emër, për mua dhe Leonorën, duke na bërë pjesë e atij përurimi të bukur e të gëzueshëm në mbrëmjen e datës 17 nëntor. Pra, i meriton dy fjalë përuruese e përgëzuese për këtë film të ri, apo, si do të thuhej në ligjërimin profesional për këtë ndihmesë të re e të vyer.
Filmi “Pasaporta” vjen si një hap tjetër i sigurt, por tashmë me një temë aktuale, realizuar në mënyrë sa mbrësëlënëse e me theksime të aktualitetit të dhimbshëm të plojës njerëzore e shpirtërore që shkakton largimi në masë i të rinjve nga Shqipëria e nga trojet shqiptare. Një dukuri të cilën e sjell në film me mjeshtërinë artistike dhe gjetjet aq të bukura regjisoriale e të mishëruar në interpretimin nga një kast aktorësh shumë meritorë, si ata që luajnë rolet kryesore, po edhe të gjithë të tjerët. Mjafton të themi se aty pamë (natyrisht me mall e adhurim) edhe artistë të mëdhenj, si Alfred Trebicka, Marjeta Ljarja, Romir Zalla e të tjerë, më të rinj, por të përzgjedhur me kujdes e tashmë edhe meritorë e me përvojë, si Indri Shiroka, Kaona Matoshi, Akil Varfi.
“Pasaporta” , duke u mbështetur, sikundër pohohet qysh në nëntitullin e filmit “në ngjarje të vërteta”, na del si një vepër artistike me ide të rëndësishme e me theks të fuqishëm aktual e mirëfilli kombëtar shqiptar, me mbrujtje tematike e dramatike e gjetje artistike të gdhendura aq mjeshtërisht, saqë, nuk mund të mbetet vetëm me kaq. Ai është një film, në të cilin, me mjetet e sotme e me gjuhën filmike të zotëruar aq mirë nga Eduart Grishaj, i bëhet jehonë e re një thirrjeje të hershme e të përhershme të shqiptarisë. Ashtu si qortonte me të drejtë Atë Zef Pllumi, duke e vënë gishtin në plagën shekullore të shqiptarëve si “armiq të vetvedit”, regjisori i ri në moshë, por tashmë i rysur mbarë e thellë në idenë e shqiptarisë e të dashurisë për atdheun e vendin e vet, lëshon edhe ai, me mjetet e filmit, një kushtrim të fuqishëm, duke u thënë të rejave e të rinjve shqiptarë të mos ikin, të mos ia kthejnë shpinën atdheut. Mbi të gjitha, duke ua hapur sytë që të shohin mirë e sidomos të mos bien pre e rrufjanëve e grupeve kriminale, që për fitime të paskrupullta mashtrojnë e shpien drejt emigracionit jo vetëm të paligjshëm, po më së shpeshti, edhe drejt vdekjes apo, në rastin më të zakonshëm, në një punë të dorës së dytë, sikundër del kjo në rrëfimin e Edonit, personazhit kryesor të “Pasaportës”, realizuar me interpretimin pak të thuash të shkëlqyeshëm të aktorit Indri Shiroka. Në një çast reflektimi e vetëndjerjeje, natyrisht, jo vetëm i dëshpëruar, po edhe i penduar thellë, ai bën një monolog shumë kuptimplotë e ndikues. Mbi të gjitha shumë prekës e drithërues e me një intonacion e interpretim që të ngulet thellë në shpirt. Sa mirë që kemi aktorë të tillë dhe paçim sa më shumë.
Dhe, përtej këtij rrëfimi, në rastin e pranishëm, vjen në kundrim edhe rrethana se edhe vetë Indri është një aktor shqiptar i rritur në Itali, i cili ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në kinematografi dhe teatër. Përpos dhuntive e zotësisë së tij të lojës si aktor, natyrisht, atij i shërben edhe njohja e përvoja vetjake, sepse edhe për një artist të tillë, në vend të huaj, “gaveta” është e rëndë. Edhe atij i vijnë në mendje fjalët e pavdira të atdhetarëve të Rilindjes “ku të duket balta, më ëmbël se mjalta, në Shqipëri.”
Edhe realizimi i dialogut ishte në shkallën më të lartë. Me shumë hijeshi, në thurimën ligjërimore që mbahet në një truall kryesisht të gjuhës bisedore dhe së folmes qytetare të Shkodrës, pjesërisht edhe me disa elemente të përzgjedhura nga e folmja e Kosovës, si p.sh. shqiptimi Kanàdë për Kanadá e ndonjë dukuri tjetër në ligjërimin e Verës (interpretuar aq këndshëm e bukur nga Kaona Matoshi), shikuesi sheh se sa më ëndje është sjellë individualizimi e tipizimi i personazhve me anën e mjeteve gjuhësore. Ashtu si thoshte edhe interpretuesi i shquar italian, Vitorio Gazman “Aktori duhet të jetë i zoti të mendojë në dialektin përkatës e të shprehet në gjuhën artistike sa më kuptueshëm e natyrshëm”.
2.Pasaporta është një fjalë gjithsesi e re, më saktë një term i burokracisë zyrtare, por tema e filmit shkon edhe në shtratin e një brenge të hershme të shqiptarëve, në atë të kurbetit e të kurbetlinjve, na kujton dhe emërvende tipike të asaj dhimbjeje shoqërore që shkaktonte ikja e meshkujve në vende të huaja e të largëta, si “Lëndina e Lotëve” (në qytetin e Korçës), ku ndaheshin duke qarë familjarët nga djemtë e rinj e burrat që niseshin për kurbet. Me shumë përmallim, kjo plagë e shoqërisë shqiptare ishte trajtuar qysh te kënga “Qeraxhiu i Grebenesë”.Teksa shihnim filmin me time shoqe, na erdhën në mendje edhe vargjet prekëse të asaj kënge:
“Qeraxhi të plastë kali, o mor qeraxhi,/ na ndave nusen nga djali, o mor qeraxhi!”
Natyrisht te “Pasaporta” trajtohet “kurbeti modern”, kurbeti i drejtuar dhe i organizuar nga ata që me një togfjalësh të kohës sonë quhen “grup kriminal i strukturuar” e që përbën një nga aspektet më shqetësuese, siç është shpopullimi apo largimi i të rejave e të rinjve dhe, për pasojë, shkretimi i fshatrave e krahinave në Veri e në Jug.
Me mjetet artistike të filmit dhe në një realizim mjeshtëror mahnitës (natyrisht edhe befasues, po të kemi parasysh moshën ende të re të regjisorit Eduart Grishaj), “Pasaporta” qëllon fort, bukur e ashpër dhe godet në shenjë. Ai padit dhe dëshmon se çfarë dëmi të pariparueshëm po i sjellin Atdheut e kombit shqiptar ata gjakpirës e keqbërës të quajtur “bosë” të mërgimit të paligjshëm.
Filmi duhet parë, po edhe riparë, duke menduar se çfarë mund (e duhet) të bëjnë shoqëria shqiptare, shteti dhe institucionet përkatëse për ta shmangur e çrrënjosur atë lloj veprimtarie kriminale.
Dhe, sigurisht, ky film, përtej vlerave mirëfilli artistike, shërben mjaft mirë edhe për të dhënë një shtim të ndjeshmërisë (sensibilizimit) të opinionit publik dhe si thirrje e ligjshme në përkrahje të organeve të policisë e të shtetit kundër tyre.
3.Tema e largimit nga atdheu apo e internimit, pavarësisht prej shkaqeve, gjithmonë është konsideruar si një nga të këqijat më të mëdha. Në fjalët e urta të popullit tonë thuhet: “ Vendin e huaj ta lëvdofshin, por ti me këmbët tua kurrë mos e shkelsh!”Apo, edhe më qartë e bukur: “Guri i fortë në vend të vet.”Po, më mirë, le të kujtojmë sa shprehte Faik Konica te “Malli i Atdheut”:
“Duhet të jesh jashtë Shqipërisë e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka kjo fjalë: Shqipëri.”
Gjithë ai arsenal i urtësisë gojore e letrare është shfrytëzuar me shumë zotësi në mbrujtjen e dialogut të filmit “Pasaporta”. Shikuesit i mbeten në mendje, jo vetëm thëniet e anëve të Shkodrës e me tharmin e këndshëm të homorit shkodran, po edhe përmendja në ata dialogë e citimeve të vyera nga Atë Zef Pllumi. Në fakt, sikundër e kam përmendur edhe gjetiu, te libri “Rrno për me tregue” i Atë Zefit dhe në “Visaret e Kombit” e në botime të tjera, që kohët e fundit po ribotohen me kujdes nga Françeskanët, mund të gjenden tregime që janë si “minierë floriri” për krijuesit që marrin përsipër të tregojnë bëmat e mëdha dhe shpirtin bujar, besën e burrërinë e shqiptarëve.
“Pasaporta” është një film i kohës së re, një film i Shqipërisë së epokës së elektronikës dhe i mjeteve të komunikimit on-line dhe ato janë përdorur me shumë efekt në realizimin e filmit me një cilësi aq të lartë profesionale. Bota e madhe vjen e tëra në atë film dhe, për aq minuta sa zgjat shfaqja e tij, shikuesve iu duket se po bëjnë një udhëtim të pakundshoq në të gjithë kontinentin dhe, për një mrekulli, që mrekulli nuk është, por është një e vërtetë e madhe, gjithandej sot ka shqiptarë dhe vese e virtyte të shqiptarëve, që jepen të kapërthyera e të gërshetuara aq liksht edhe në këtë film artistik, ashtu siç kanë qenë e janë në krejt përditshmërinë dhe ecurinë e popullit tonë në rrjedhë të kohërave.
Në film, duke pasur në zotërim mjete e elektronikës së sotme, na jepet, ndër të tjera, figura e një prej bosëve të krimit me përmasa të papërfytyrueshme më parë, si ajo që jep Alfred Trebicka, i cili, qysh prej këndej Adriatikut, diku në një mjedis të rehatshëm e duke gjerbur me elegancë gotën e uiskit, me zërin e tij (me atë timbër të mahnitshëm e të bukur), i prin veprimit që duhet të kryejnë “çifti i sajuar”(Edoni dhe Vera). Ai i ndjek dhe i drejton ata në dyert e hyrje-daljeve të aeroporteve apo në pikat e kontrollit, që janë më të tmerrshme se rrathët e “Ferrit” të Dante Aligierit.
Në film, në interpretimin e Marjeta Ljarjes, edhe një herë, shikuesit kanë rastin të adhurojnë e të dëgjojnë sa madhërishëm e realizon ajo përgjërimin e një nëne tipike shqiptare zemërplastë, që i lutet të birit të mos e marrë udhën e mërgimit, të mos e lërë kërcunë e të vetme te shtëpia.
Dhe, pikërisht duke qenë edhe një film i kohës sonë, një film i epokës së “pushtetit të katërt” apo i fuqisë së mediave, “Pasaporta” mbyllet dhe më një intervistë të gazetares Anila Hoxha, një prej zërave më të autoritetshme të gazetarisë shqiptare. Ashtu si në gjithë përditshmërinë e saj tashmë shumëvjeçare, zonja Anila Hoxha, edhe si personazh “ex-uffizio” i filmit “Pasaporta”, na solli po atë zonjë të fjalës së thënë qartë e bukur, po atë mjeshtre të fjalës së shqiptuar qartë, thjeshtë dhe prerë e pikërisht ashtu si i përket një stili të lajmit zyrtar. Hera e mbarë e pruri që, mbas filmit, u pamë me Anilën, ish-studenten time, së cilës, ashtu si dikur notën dhjetë në lëndën e “Kulturës së gjuhës” nuk mund të mos i jepja edhe vlerësimet meritore për figurën e gazetares serioze e gjuhëshpatë që ajo përfaqëson.
Dhe, si qershia mbi tortë, natyrisht, në mbyllje të filmit nuk mund të mos ishte dhe Arbana Osmani, si gjithmonë në rolin e vet të patejkalueshëm, me hiret e shqiptimit të qartë e të bukur dhe me atë pamjen e saj që i shkon përshtat Eduartit si hardhia e rrushit të kuq në qandrën e lartë e të fortë.
Dialogu dhe krejt ligjërimi i filmit “Pasaporta” është realizuar në gjuhën shqipe, po, duke pasur parasysh dhe interesimin e ndjekjen edhe në mjediset joshqipfolëse, është bërë edhe përkthimi në anglisht me të shkruar. Edhe në këtë anë duhet të vëmë re një vlerë të shtuar të filmit, që parasheh edhe të kuptuarit e filmit në diasporën shqiptare e arbëreshe, si dhe nga të huajt. Por, mbi të gjitha, duke i dhënë përparësinë e duhur interpretimit në gjuhën shqipe. Me fjalë të tjera: shqip e shqiptarisht për publikun shqipar e shqipfolës, anglisht për ta kuptuar edhe ata që nuk janë shqiptarë. Mjaf më me praktikën e mbrapshtë të disa veprimtarive që bëhen në Shqipëri, por flitet anglisht vetëm pse aty marrin pjesë edhe disa të huaj. Atyre duhet t’u bëhen të gjitha nderimet e duhura dhe, si pjesë e mikpritjes dhe e mirëpritjes, organizatorët duhet t’u sigurojnë përkthimin nga shqipja në gjuhën përkatëse. Ashtu si veprohet në të gjitha shtetet e vendet e qytetëruara.
Udhëtim të mbarë e pëlqyeshmëri filmit “Pasaporta” dhe suksese të tjera në vijim regjisorit Eduart Grishaj, me krenari të ligjshme se është një bir i denjë i Malësisë sonë të Madhe “Nderi i Kombit”, që po jep filma të bukur e me thekse të fuqishme atdhetare e kombëtare shqiptare.
Tiranë, 19 janar 2025