Kreu In memoriam Odhise Çerkezi: Shkrimtari dhe vendlindja e Kadaresë

Odhise Çerkezi: Shkrimtari dhe vendlindja e Kadaresë

Në 4 dhjetor 1998, në 75 – vjetorin e gjimnazit “Asim Zeneli” Dritëro Agolli midis të tjerash ka thënë: “Bashkë me tre – katër korçarë dhe kolonjarë, me Gaqo Veshin, Niko Ligorin, Llambro Shemko unë 50 vjet më parë erdha këtu në këtë qytet, i cili në fillim më trembi dhe më çuditi. Këtu kishte vetëm gurë, gurë poshtë ku shkelje, – në rrugë-, dhe gurë në çati, – ku shikoja. Unë vija nga toka dhe nga plisat me bar dhe me grurë dhe ky vend m’u duk, ç’është e vërteta, i thatë dhe plot trishtim. Por vështrimi im ishte i gabuar. Gurët këtu prodhonin. Nxirrnin një produkt të madh njerëzor. Këta gurë, po t’i lëvizje, bërtisnin. Bërtiste gjirokastriti Çerçiz Topulli dhe korçari Mihal Grameno. Unë këtu në Gjirokastër, si korçar, kisha ardhur si Mihal Gramenoja për të takuar një Çerçiz Topull, që ishte Ismail Kadareja…”

I theksova këto fjalë për faktin se guri që prodhon, siç shprehet Dritëroi, është pasdqyruar mjeshtërisht në krijimtarinë e Kadaresë.

Vetë Kadareja për ndikimin që ka pasur Gjirokastra në veprën e tij tek “Ftesë në studio” fq.143 shprehet: “Sa më shumë që mësoja mjeshtërinë e të shkruarit, aq më tepër më dukej se kisha pasur fat që kisha lindur në atë qytet, që ishte më tepër se i çuditshëm, që kisha dëgjuar komentin e parë të botës nga ato gra të mençura të veshura me të zeza, me filxhanë kafesh e me dylbi në duar”.

Kush ka jetuar në vitet ’50 – 60 e mban mend Gjirokastrën, kur makinat numëroheshin me gishtat e dorës dhe në vesh mund të ketë kumbimin e hapave të kuajve apo të gomerëve nëpër kalldrëm, blegërimën e bagëtive duke u ngjitur së përpjetës së Varoshit apo të Hazmuratit e të rrugëve të tjera për në Bashtenë e Teqesë, ku ndodhej tregu i qytetit, mban mend reklamën e kinemasë aty pranë xhamisë dhe para kinemasë, Klubin e Gjuetarëve, pallatin e kulturës dhe pranë tij kinemanë verore e dimërore; shtyrjen për bileta në sportel apo ngjitjen majë mureve për të parë në ditët e verës filmin që shfaqej. Kujton dyqanet nën kubenë e xhamisë apo edhe hamejtë që rrinin e shullëheshin në Qafën e Pazarit, duke pritur ndonjë klient dhe padyshim të ngjallet nostalgjia për mjaft gjëra të vogla në pamjen e parë, po që kanë lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën tënde.

Ndodhemi në këtë dhomë, ku vetë shkrimtari i madh ka treguar se ku ulej e bënte mësimet me kasonën – tryezë dhe padyshim mendja e tij bridhte tjetërkund. Paralel me shtëpinë e tij përballë shtëpisë së doktor Labovitit ishte një shtëpi tjetër e madhe, karakteristike gjirokastrite, ajo e Fandajve, që fatkeqësisht u përpi nga flakët në fundvitet gjashtëdhjetë, dhe fëmijë nga divani i madh ndërsa gjyshet e nënat tona pinin kafetë dhe bënin muhabetet e tyre ne rrëmbenin tejqyrën apo dylbitë dhe e tretnim vështrimin përballë në Malin e Lunxhërisë dhe e zbrisnim më poshtë në qytetin e ri që sapo kishte filluar të ravijëzohet. Emocionoheshim.

Të gjitha këto padyshim i ka ndjerë edhe Kadareja, i ka ndjerë, i ka ruajtur ndër vite dhe i ka përpunuar në laboratorin e tij krijues duke gdhendur në veprën e tij qytetin e lindjes në poezi e prozë. E nisi rrugën e poezisë ashtu thjesht e natyrshëm, duke shprehur ato që ndiente i shtyrë nga një dëshirë e brendshme, por edhe nga leximet që e futën në botën e artit.

Që në përmbledhjet e para poetike të viteve ’50 “Frymëzimet djaloshare” dhe “Ëndërrimet” gjejmë poezi si “Fëminia” me vargjet “…Koleksione paqetash e pullash të vjetra./ Shkëmbimi i një Ceyloni/ me dy Luksemburg…”, apo “Kinemaja e vjetër” me vargjet: “…Lekë, lekë,/ të mbledhura me mundim,/ tingull i gëzuar në biletari./ Afishet tek xhamia/ dhe tek qafë e pazarit,/ të shkruara nga vetë portieri Qani…”, “Kënga e llamarinës” me “…Këtu afër shtëpis’ sime/ ku u linda, ku u rrita,/ rrjedh një përrua dhe, më tutje/ një pullaz me llamarinë,/ nënë shi e nënë breshër,/ troket dimërit të gjatë./ Këngë e saj më qe e dashur/ që kur nisa të dëgjoja…”, apo poezia “Takim me plakat” me vargjet:

“Lagje e vjetër, shtëpi guri/ të stilit të shkuar./ Un’ po vija në shtëpi/ me valicë në duar.

Rrugës, duke vërshëllyer,/ plakat kur më panë,/ nëpër porta, në mes tyre,/ fshehura seç thanë:/

“Ky është’ djali i filanit,/ thonë se bën bejte…”/ Un’ kaloja dhe këndoja/ një këngë me vete.

Ngrija kokën dhe kërkoja/ diku në dritore./ “Nuk sheh mirë, duket…”, thanë/ plakat ndër oborre.

Lagje e vjetër, shtëpi guri/ të stilit të shkuar…/ un’ po vija në shtëpi/ me valicë në duar”

Mund të përmendja mjaft poezi të tjera ku vendlindja përbën motivin kryesor.

Një herë e pyeta për mësuesin e tij të letërsisë. E dija që kishte qenë shkodrani Vehbi Bala. Më foli me respekt e dashuri për mësuesin poet, na nxiste shumë, tha, na mblodhi rreth vetes ne një grup të rinjsh që e kishim dëshirë letërsinë. Në rrethin letrar na fliste për poetë të mëdhenj botërorë, kishte qenë në Rumani, kishte fjetur në dhomën e Asdrenit dhe e vlerësonte poezinë e tij tek “Psalme murgu”, na mësonte si të shkruajmë, si të kapim detajet e jetës.

Po me Dritëronë e Hyskë Borobojkën, Gaqo Veshin, e pyeta. Ata ishin më të mëdhenj se unë, tha, dy vjet bëmë bashkë në rrethin letrar, se ata ishin në Pedagogjike, kemi shkuar mirë, diskutonim shpesh edhe këmbenim shkrimet me njëri – tjetrin.

Ishte nxënës i këtij gjimnazi, kur në vitin 1953 shkuan në aksion në Rrugën e Rinisë ose të Dritës, atëherë kur ndërtoheshin hidrocentalet e Ulzës dhe një ditë Kadareja u nis për Tiranë. Në atë kohë botohej revista “Litetarura jonë”, më vonë “Nëntori”. Kolë Jakova përgjegjës i redaksisë rrëfen për atë djalosh të ndrojtur që i la një tufë poezish. I lexova dhe u emocionova. Tri poezi u botuan, një për aksionin dhe Rrugën e Dritës, një për 5 Majin dhe e treta për Gjirokastrën. Pra vendlindja që herët është e pranishme në krijimtarinë e tij.

“Lëndë e re nga rrobë e vjetër” – ka thënë Lasgush Poradeci edhe pikërisht këtë lëndë të re autorit ia sugjeroi ajo rrobë e vjetër, qyteti i tij. Romani i parë “Qyteti pa reklama” sa nis e ravijëzon qytetin me karakteret dhe problemet e tij, ndërsa tek “Qyteti i Jugut” në vitin 1965 gjejmë embrionin e veprave të ardhme që lidhen me këtë qytet dhe ato nuk janë pak dhe besoj se nuk është nevoja t’i përsëris se të gjithë i njohim, me  “Breznitë e Hankonatëve” e deri tek “Kukulla”.

Koha ka ecur në rrjedhën e vet dhe në rrugëtimin e saj ka evidentuar dukuri e probleme, të cilat kërkonin zgjidhje. Njerëzit janë përpjekur dhe kanë gjetur zgjidhjet. Në këtë mënyrë ata kanë lënë gjurmën e vet dhe i kanë dhenë emrin epokës në të cilën kanë jetuar. Shembujt janë të panumërt. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë përherë. Individi me vlerën e vet ka krijuar histori, por gjithësecili prej tyre kishte një identitet. Të shumta ishin ato që e lidhnin me vendlindjen, me njerëzit e tij, të njohur e të panjohur, ndaj e vunë veten në shërbim të tyre. Ismail Kadare poezinë e tij “Koha e popujve” e përmbyll me vargjet:

Ata q’u ngritën përballë tyre,

Që u qëndruan trimërisht,

Ish kohë e tyre ajo, do thonë,

Dhe ky planet i tyre ish.

Vargjet e mësipërme janë një shprehje e qartë e pozicionit të shkrimtarit. Me veprën e vet Kadareja bëri epokë. Që herët i dha një fytyrë të re kohës sonë, me mesazhet që përçoi. Opusi tematik i krijimtarisë të tij është i gjerë. Në të jepet motivi i ekzistencës dhe jetës në diktaturë, i zhgënjimit të shpresës, i zvetënimit të ndjenjave dhe i kulturës së vërtetë; i hipokrizisë, frikës, dilemës, mashtrimit etj. Në të gjithë veprën e tij gjejmë momentet kyçe të fatit të kombit dhe lidhur me to edhe ndjenjat e autorit, dhimbjen e tij. Por padyshim një vend të veçantë në krijimtarinë e tij zë vendlindja. 

Gjithësecili dëshiron që kujtimet dhe përjetimet nga e kaluara, veçanërisht ato me që lidhen me diçka të dashur, t’i kujtojë shpesh e, pse jo, t’i hedhë në letër për brezat që do të vijnë; t’i ngrejë në përgjithësim artistik. Në vizitën e tij në 16 nëntor 2008 në qytetin tonë, duke kundruar qytetin nga dritarja e dhomës së shtëpisë së tij që po rikonstruktohej, Ismaili tha: “Ja, as 100 metra në vijë ajrore nuk është prej këtej e tek shtëpia e doktor Vasilit (Labovitit)”, pastaj e brodhi shikimin lart drejt kalasë së lashtë, kalasë së Argjiros, të përjetësuar prej tij në vargjet e “Princesha Argjiro”. Kjo poemë është botuar në vitin 1958 me tirazh 15000 kopje e shoqëruar me shënimin: “Talenti i poetit të ri Ismail Kadare është i njohur nga lexuesit tanë. Për këtë dëshmon suksesi që pati vëllimi i ri me vjersha “Ëndërrimet”. Për një punë të mirë dëshmon edhe poema për fëmijë “Princesha Argjiro”. Në bazën e subjektit të poemës, poeti ka vënë legjendën e njohur mbi themelimin e qytetit të Gjirokastrës…”

Në veprën e tij, poezi e prozë, Kadareja e ka përjetësuar vendlindjen e tij, Gjirokastrën. Gjejmë përshkrimin e detajuar mjeshtërisht të topografisë së qytetit: shtrirjen dhe pozitën gjeografike; gurin me grinë e vet në të gjitha dimensionet dhe jetën që ka gjalluar e gjallon brenda tij. Po të ndalemi tek poezia “Kinemaja e vjetër” do të gjejmë lidhjen e fuqishme shpirtërore me këtë objekt e të tjera dhe njëherazi do të na shpalosen dëshirat  e poetit e të brezit të tij. Kinemaja ishte vendi që të lidhte me botën përtej çdo kufiri dhe dëshira për botën e madhe ishte e thellë. Mjaftojnë dy epitetet e shtrenjta, e rralla për të zbuluar emocionet e thella të autorit dhe idealizimin që i bën ai.

Në veprën e tij që kanë në qendër Gjirokastrën pasqyruar në kohë të ndryshme gjejmë të përshkruara artistikisht shumë rite e zakone të qytetit. Kaq mirë e njeh psikologjinë e brezave të qytetit dhe me detaje e imtësi e jep mjedisin dhe njerëzit. Në Gjirokastër, veçanërisht në familjet e pasura, bëheshin edhe martesa brenda gjakut. As kjo gjë nuk i ka shpëtuar autorit. Kështu tek “Breznitë e Angonatëve” thotë: “Vendimi ishte paksa i papritur, por jo i pazakontë. Martesat midis kushërinjve të parë, për shkak të moscopëtimit të pasurisë, nuk ishin të pazakonshme në Gjirokastër… (fq.70)

Nuk ka mbetur asgjë pa u trajtuar me origjinalitet nga pena e autorit. Po të ndalemi në përshkrimin e shtëpisë e fillon me dorezën e portës së madhe, katarafin, sterrën, kubenë, nënëshkallën, minderet, odanë e dimrit, odanë e madhe, patin musandaranë, jukun, qepengjinë, sprethet e çative e deri te odajashtat.

Nëse në romanin “Kronikë në gur” është një fëmijë, rrëfimi dhe ligjërimi i të cilit ndërthuret me atë të shkrimtarit – rrëfimtar dhe të kronisti Xivo Gavo plotësuar me rrëfimet e plakës Sose si dhe nga thëniet e njerëzve të panjohur duke na dhënë kronikën e këtij qyteti në vitet e trazuara të luftës, i njëjti rrëfimtar, tashmë më i rritur, është në romanin “Çështje të marrëzisë”, që të bën për vete me mënyrën e rrëfimit, me vizionet që ngjall, me gjykimet e situatat absurde që ndjek e vlerëson, në një kohë më të vonë pas çlirimit, kur Partia Komuniste ishte gjysmë ilegale.

Po t’i referohemi një mendimi të shprehur nga kritika, gjithçka që përbën dekorin e qytetit në të gjitha veprat e tij, i ngjan një teatri tragjikomik. Aty, së bashku me jetën e rëndomtë, ndeshim mendësinë e provincës, paragjykimet, perversitetin njerëzor, botën e magjive që shpërthejnë e ngatërrojnë gjithë qytetin e gurtë.

Të shumta janë vargjet në të cilat është derdhur dashuria dhe lidhja e tij me qytetin e lindjes, por edhe më të shumta faqet në prozë duke nisur nga “Qyteti pa reklama” deri tek “Darka e gabuar” që e kanë përjetësuar në të gjitha pikëpamjet dhe e kanë bërë të njohur anekënd globit “Qytetin e Jugut”.

Po të uleshim e të bënim një hartë të veprimeve të çdo vepre do të na dilte i gjithë qyteti që nga lagjet e sipërme e deri tek Sokaku i të marrëve apo rruga e Varoshit që mban emrin e doktorit Vasil Laboviti, me vajzën e të cilit autori kishte qenë shok klase në gjimnaz, e që në atë shtëpi ndodh një ngjarje nga e cila merr shkas romaini “Darka e gabuar”.

Leksiku i veprave të tij është shumë i pasur. E folmja e Gjirokastrës është përdorur mjeshtërisht dhe ka shërbyer edhe si mjet i karakterizimit të personazheve, pa folur këtu për neologjizmat dhe prurjet e reja semantiko – frazeologjike. Harta që përmenda më sipër do të ishte e mangët pa toponimet e përmendura sipas kohës e përdorimit.

Vetë Kadareja në nëntor 2005 (Shekulli), do të shprehej: “Shpesh vë re se më mirë se librat këto emra japin historinë e brendshme, gjendjen shpirtërore, gjëra që nuk gjenden nëpër libra e që s’mund të shpiken kurrë… Është krim mbi identitetin historik shqiptar harresa qoftë edhe e njërit prej këtyre emrave: Ura e Zerzebilit, Sokaku i të Marrëve, Pazari i Vjetër, Qafa e Pazarit, Urat e Mëdha, Meçite, Hazmurat, Teqe”, të gjitha i gjejmë në veprat e tij.

Në Historinë e Letërsisë Evropiane shkruhet “…Vepra e Kadaresë shfaqet si një operetë tragjike ku zbërthehen të gjitha spektrat, të gjithë tmerret që tronditin kohën tonë”, ndërsa Alain Bosquet e ka vlerësuar: “Ismail Kadare është, padyshim, shkrimtari më i begatë dhe më i famshëm i kohës sonë”.

Në këto gjykime e vlerësime, padyshim, Gjirokastra, vendlindja ka pjesën e vet për shkrimtarin e madh.

Gjirokastër, më 20.06.2023

Exit mobile version