Kreu In memoriam Skënder Buçpapaj: Udhëtim estetik në apogjetë e universit kadarean

Skënder Buçpapaj: Udhëtim estetik në apogjetë e universit kadarean

Pati lindur të mëkurën, Kadaréja ndërroi jetë të hënën. Dita e parë e javës përkonte me datën e parë të muajit korrik. I ndriti fati. Për herë të fundit shikoi ditë. Nuk u largua as me këtë peng.

Ndërsa Kadareja niste rrugën krijuese, letërsinë tonë e kishin goditur tri hiatuse të mëdha: 1. Vdekja e hershme e Migjenit më 1938. Askush nuk i ka shpëtuar as i shpëton hamendjes se çfarë vallë do të kishte sjellë një krijues i tillë me të dhëna gjeniu. 2. Ndalimi i Fishtës në të gjithë hapësirën shqiptare, në Republikën e Shqipërisë dhe në ish Jugosllavi si shovinist antisllav në jetën dhe në veprën e tij. Të gjithë pajtohemi se letërsia, kultura, jeta shpirtërore, sidomos gjuha shqipe, sidomos zhvillimet gjuhësore shqiptare pësuan shumë rëndë nga ky përjashtim. 3. Heshtja e Lasgush Poradecit, më të madhit të lirikës sonë. Ishte heshtje e dhunshme në shkëmbim të lirisë fizike. U shpërblye duke mos ia ndaluar në Shqipëri veprën e deriatëhershme, duke e lejuar (detyruar) për bukën e gojës të përkthente çfarë ta urdhëronin. Nga ardhja e komunizmit deri në fund nga Lasgushi kemi krijimtari të re të botuar vetëm epikat “Baladë për Muharrem Çollakun”, “Mbi ta” (poemë për luftën e Lumës kundër agresorëve serbë), “Kamadevën” poemë lirike filozofike në dorëshkrim dhe ditarin e tij në dorëshkrim.

Ishin tri hiatuse të mëdha në gjëmën e përbashkët që sillte komunizmi në Shqipëri.

Ja mundësitë që edhe Kadareja të ishte një hiatus:

Mundesia më e mirë ishte ajo e të arratisurit politik. Si Ernest Koliqi. Si Arshi Pipa. Si Martin Camaj. Si Bilal Xhaferi. Këta dhe të tjerë të arrasitur politikë nga regjimi i Enver Hoxhës zhvilluan veprimtarinë e tyre politike, krijuese dhe jetësore kryesisht në Perëndim. Veprës së tyre të krijuar në Perëndim i mungoi lexuesi shqiptar si në Shqipëri dhe Ish Jugosllavi.

Në kujtimet e Helena Kadaresë “Koha e pamjaftueshme” përmendet një projekt dhe një tentativë e Ismail Kadaresë për t’u arratisur.

Mundësia tjetër ishte ajo e të internuarit apo edhe e të burgosurit politik. Krijimtaria e tij do të ndërpritej, vepra e deriatëhershme do t’i ndalohej. Është një listë tejet e gjatë e shkrimtarëve dhe artistëve që përfunduan në burgje, internime, përndjekje të vazhdueshme politike. Në këtë kategori përfshihen shkrimtarë që u rehabilituan pjesërisht, të tjerë që nuk u rehabilituan kurrë, disa prej tyre, ndonëse krijuan edhe në ato kushte, vepra e tyre edhe sot e kësaj dite është e pabotuar (në disa raste) ose pothuaj e pabotuar (në raste të tjera).

Mundësia e tretë dhe fatale: dënimi me pushkatim ose me varje. Këtë fat patën Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Lekaj (pushkatim), Hafiz Nela (varje).

Mundësi e katërt dhe fatale: vetëvrasja fizike. Kadareja në kujtimet e veta tregon se pas botimit të novelës “Përbindëshi” atij iu krijuan rrethana që mund ta çonin në vetëvrasje saqë ai e vinte jetën e tij brenda kllapave të rrumbullakëta (1936-1966).

Mundësia e pestë edhe më fatale: vetëvrasja shpirtërore.

Kadareja nuk u shndërrua në asnjërin prej këtyre hiatuseve. Një fat i madh i krijuesit dhe i vetë letërsisë shqipe, kulturës dhe jetës shpirtërore shqiptare.

U bë i famshëm në moshë shumë të re. E përballoi famën me sukses të plotë. Jo kushdo mund t’ia arrinte. Dhe është meritë e tij, në të cilën nuk mund t’i ndërlikohet askush tjetër.

Midis ngasjes së famës, muzës së krijimit dhe etjes për liri pati një harmoni nga më të përkryerat e mundshme.

HAPËSIRA E LIRISË

Në fillim të viteve 1990, më duket në kthimin e parë pas mërgimit politik në Francë, Kadareja foli për hapësirën e lirisë. Secili krijues, sipas tij, e krijon dhe e zgjeron hapësirën e tij të lirisë. Dhe, mes tjerash, dha shembuj të kolegëve që kishin shkuar deri në pragun e krijimit vendimtar të hapësirës së lirisë, por nuk ia kishin arritur, duke përfunduar, së paku, në burg politik.

Ai vetë e shënon si një nga hapat më vendimtarë pikërisht novelën “Përbindëshi”. Nëse ai vetë thyhej apo nëse diktatura nuk e pranonte sfidën që i bëhej, ai përfundimisht ose do të binte në pranga ose do të vetëprangosej duke iu nënshtruar censurës dhe duke e vrarë veprën e tij, duke bërë praktikisht vetëvrasje krijuese.

Kadareja ia ka pohuar me gojën e tij botuesit Bujar Hudhri se e ndiente veten të lumtur që ia arriti të botojë gjithçka që shkroi.

Gjatë diktaturës, nga veprat e krijuara, nuk u dërgua as për botim “Qyteti pa reklama”.

U dërgua “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” (1974) e cila u hoq nga botimi në shtypshkronjë nga kryeredaktori i atëhershëm i gazetës “Drita”.

Poema iu dërgua sekretarit ideologjik të partisë Ramiz Alia për t’iu marrë miratimi ose jo i botimit. Ramiz Alia nuk e mori dot vendimin pa ia dhënë ta lexojë vetë Enver Hoxhës.

Vetë ky fakt na tregon përfundimisht se aparati i censurës ndaj Kadaresë fillonte me redaktorin më të thjeshtë dhe mbaronte me vetë Enver Hoxhën.

Me çdo krijim që Kadareja e dërgonte për botim, i vinte në provë të madhe botuesit dhe vetë aparatin e censurës. Redaktorët nuk e fshihnin se Kadareja ndaj çdo vërejtjeje redaktoriale, të cilën e merrte parasysh, bënte në krjimet e veta përmirësime artistike mahnitëse asosh jo vetëm shmangëse apo mashtruese ndaj censurës. Dhe me çdo krijim të ri të botuar arrinte një zgjerim të hapësirës së tij të lirisë. Triumfet më të mëdha të lirisë së tij kanë qenë pikërisht edhe rezistencat më të mëdha e më të rrezikshme të aparatit të censurës ndaj botimeve të tij.

Kadareja lindi në një periudhë kur Shqipërisë i vinte brezi më i ndritur i intelektualëve, krijuesve, filozofëve, i njohur si brezi i viteve ‘30, i tillë saqë vetë Kadareja thotë tek “Prilli i thyer” se nuk gjenin hapësirë ku të realizonin veten e tyre në një Shqipëri që sapo kishte filluar të mëkëmbej.

Pikërisht në atë Shqipëri mbretërore, të politikës së dyerve të hapura, shqiptarët u ndjenë më të lirë se kurrë dhe më krenarë se kurrë ndaj përkatësisë kombëtare. Për herë të parë në histori shqiptarët lindnin si qytetarë me ndjenjën e lirisë.

Atdhetarizmi kombëtar i krijuar në vitet e mbretërisë ishte thelbësisht i ndryshëm nga atdhetarizmi i mëvonshëm, ai i diktaturës apo i tranzicionit.

Siç e shënon me të drejtë ndonjë studiues, kur Kadareja shkoi në shkollë, poet kombëtar i shqiptarëve ishte Dante.

Shqiptarët nga qytetarë të një perandorie të madhe osmane, kishin kaluar në qytetarë të një shteti të vogël të hapur ndaj botës. Tek “Pallati i Ëndrrave”, një Qypërli, i përmendur në roman si “kushëriri”, thotë për shqiptarët, bashkëkombësit e tij: “- Ata do ta fitojnë ndonjë ditë pavarësinë vërtet. … Do të humbin këtë hapësirë vigane ku fluturojnë si era, do të mbyllen në atë truallin e tyre të ngushtë, krahët do t’iu pengohen e do t’iu përplasen nga një mal në tjetrin, si shpendët që s’marrin dot fluturimin, do të vyshken, do të squllen e, më në fund, do të thonë: ç’fituam kështu?! Atëherë do të ngrenë sytë të gjejnë prapë atë që tretën, por do të jetë vonë.” (faqja 319, vëllimi XIX i veprës, botimi i vitit 2009, Onufri)

Nga një paradoks historik në tjetrin, nga qytetarë të asaj Shqipërie të vogël të pavarur, shqiptarët shndërrohen në qytetarë të një mbretërie italo-shqiptare-abisine, në kuadrin e shkallmimit dhe shpartallimit të plotë të gjeopolitikave, kur njerëzimi po jetonte në një perandori të vetme njerëzore.

Kadareja u rrit si qytetar i kampit socialist, pra, i perandorisë lindore. Paradoksi i tretë i madh historik i shqiptarëve brenda të njëjtit shekull. Falë fatit që iu dha e që e ndërtoi vetë, Kadareja do të ishte ndër të vetmit që vetizolimin e Shqipërisë do ta thyente më së shpeshti, do të ishte gjithnjë e më shumë qytetar i botës me veprën e tij që përhapej anembanë globit dhe me udhëtimet e tij në Perëndim.

Ndjenja e tij e lirisë është edhe ndjenjë e lirisë për hapësirë. Askund në veprën e tij nuk ndihet përkatësia ndaj një vendi të vogël, një letërsie të vogël apo të një gjuhe të vogël. Në “Dimri i madh” apo në “Koncert në fund të dimrit”, dy të vetmet romane të tij epope, për shembull, hapësira nuk ndihet më pak se në romanin epope të Tolstoit “Lufta dhe paqja”. Tirana e Kadaresë nuk është më pak metropol se Moska e Tolstoit. Shoqëria shqiptare e çdo kohe të pasqyruar në letërsinë e Kadaresë ka sferat e saj të larta, ku lëvizin familjet e mëdha, me intriga, flirte, tradhti, krushqi, prapaskena po edhe marrëveshje të rëndësishme, edhe vendimmarrje të rëndësishme për fatet e saj të ardhme. Kadareja është një vetëdijës i madh, madje më i madhi, për gjuhën shqipe, nga e cila, ai nuk ka ndjerë kurrë ndonjë kufizim shprehjeje.

Gjithashtu, Kadareja ka një vetëdijë të madhe të hershme për paragjykimet ndaj një shkrimtari të një vendi të vogël, të një letërsie të vogël, të një gjuhe të vogël. E ndjen se të huaj, sapo të ndeshen me emrin e tij në ballinat e romaneve, do të pyesin: A ka ndonjë histori letërsia e vendit të tij, a ka ndonjë bashkëkohësi letërsia e vendit të tij?

Kadareja është krenar për letërsinë shqipe që daton nga Shekulli 16-të. Këtë e ka dëshmuar në veprën e tij, e ka dëshmuar edhe duke u përballur haptas me historiografinë e kohës, e cila nuk e njihte si letërsi të mirëfilltë artistike krjimtarinë e Buzukut, Matrëngës, Bogdanëve, Budit, Bardhit, Varibobës.

Që herët ai e vlerëson edhe letërsinë bashkëkohëse dhe i vlerëson kolegët bashkëkohës. Më 1969, në një shënim kritik për librin e parë poetik të F. Halitit, shkruante: “Letërsia… është një pasuri kombëtare… si të gjitha pasuritë shpirtërore të popullit, ajo krijohet me vështirësi dhe mundime të jashtëzakonshme, nga shumë breza e nga shumë njerëz.”

BINJAK I SHEKSPIRIT

Fëmijë 11-vjeçar, Kadareja do të shkruante me dorë Makbethin dhe e ndjen veten bashkautor të Shekspirit, i magjepsur nga tragjika e veprës. Dhe e dëshmon veten si njeri të ambicjeve të mëdha krijuese.

Kadareja do të ishte kështu binjaku romancier 372 vjet më i vonë i dramaturgut Shekspir ose 372 vjet më i ri se binjaku i vjetër.

Më 1958, 22 vjeçar, me poemën “Argjiro” bie në sy të vetë Enver Hoxhës. Për bashkëqytetësin në krye të Shqipërisë, mbiemri Kadare nuk është i panjohur, nuk është mbiemër që s’mund të mbahet lehtësisht mend. Me këtë poemë, Kadareja merr çmim të parë Republike.

Këtu zë fill përplasja e dy egove, më pak të dukshme dhe më shumë të padukshme, si ajo mes dy asjbergëve të lindur më shumë për të mos i hapur rrugë njëri-tjetrit.

Zë fill, pra, një trajektore e gjatë me luhatje dhe zikzake midis sunduesit politik dhe sunduesit shpirtëror të shqiptarëve.

Ishte redaktor në gazetën “Drita” kur telefoni ra dhe nga ana tjetër e tij ishte vetë Enver Hoxha. Diktatori e uroi dhe e përgëzoi për poemën e re që sapo kishte botuar. Lajmi, natyrisht përhapej kudo dhe kuptimi ishte: Kadareja është në vëmendjen e posaçme të diktatorit. Nëse i vinte e keqja mund t’i vinte vetëm nga diktatori personalisht. Por Bertolt Brechti dikur kishte thënë: “U ndesha me luanët dhe më mundën çimkat.” Ishte zgjuarsia e Kadaresë ajo që do ta shpëtonte nga pamëshira e vartësve të Enver Hoxhës, deri tek nëpunësit më të vegjël të regjimit, të cilët nuk pushonin së mbushuri dosjen e Kadaresë, në pritje që një ditë prej ditësh, diktatorit t’i luante mendja dhe, në ndërkryerje e sipër, ta hidhte Kadarenë në duart e tyre.

Menjëherë krijimtaria e Kadaresë është letërsi e rekomanduar shkollore dhe, pa vonuar, është e përfshirë në tekstet shkollore nga klasat e fillores deri në sistemin e lartëshkollor dhe postuniversitar. Poemat e tij recitohen në çdo mjedis shkollor, publik, mediatik. Romanet e tij dramatizohen, luhen në teatër, në ekranin e vogël, bëhen filma e tjerë.

Është krijuesi më tepër në qendër të kritikës dhe më i studiuar në Shqipëri.

Nga mesi i viteve ‘60 çdo vit në vijim boton së paku një libër të ri ose një libër të ribotuar. Jo vetëm çdo libër i Kadaresë, por edhe çdo bashkëpunim, kryesisht i shpeshtë, në “Drita”, “Nëntori”, “Zëri i rinisë”, gazeta e revisa të tjera është ngjarje artistike në Shqipëri. Nuk e lë censurën për asnjë çast të ngopet me frymë.

Nga kjo kohë, në moshë të re 27-vjeçare, është shkrimtar në profesion të lirë. Prej atëherë është shef i vetvetes. Nuk është nën urdhërat e askujt. Nga kulla e tij e ngujimit, si një Gjorg malësor, çdo ditë, rreth orës 12… kur nuk ndodhet jashtë Tiranës apo jashtë Shqipërisë, shkon në Lidhjen e Shkrimtarëve, lëshon ndonjë batutë fine, e cila brenda minutës shpërndahet nëpër të gjitha mjediset. Ngjitet deri tek “Le lettre albanaise” revistën që drejton për shumë vite, ku botohet letërsi, kritikë, studime të letërsisë shqipe të përkthyera në frëngjisht.  Merr pjesë edhe në mbledhjet e ndryshme të Lidhjes. Rikthehet në kullën e tij të ngujimit.

Më 1980 i botohet kolana e veprës së plotë në Prishtinë me dhjetë vëllime. Më 1981 i botohet kolana e veprës së plotë me dymbëdhjetë vëllime në Tiranë. Është arritje e madhe dhe fat i madh për një shkrimtar në atë moshë të shohë kolanën e veprës së tij të botuar. Është fillimi i rekordeve të paarritshme.

Në intervistën e parë dhënë “Zërit të Amerikës”, pas vendimit për të kërkuar azil politik në Francë, Kadareja u shpreh krenar se vepra e tij gjatë diktaturës është shitur në më shumë se një milion kopje në Shqipëri, një vend me popullsi të vogël, është shprehur krenar se i ka dhënë popullit të tij një letërsi të cilësisë së lartë, të pacënuar në këtë aspekt nga dogmat e realizmit socialist.

Gjatë karrierës do të merrte çmime të tjera të para Republike, çmime të tjera pothuaj të gjitha të para në konkurse kombëtare, do të merrte edhe çmime tejet të rëndësishme ndërkombëtare. Do t’i merrte të gjitha dekoratat që ekzistojnë në Shqipëri e në Kosovë, si dhe dekoratat më të larta në Francë.

Student në Moskë, shkruan romanin e tij të parë “Qyteti pa reklama”. Me këshillën e Drago Siliqit, nuk e paraqet asnjëherë për botim gjatë diktaturës. E teston censurën me një version tjetër origjinal mbi të njëjtin subjekt, me dy vijime të romanit në “Zëri i rinisë”. I ka goditur  kështu rëndë për herë të parë skemat ekzistuese. Censura kundërvepron ashpër. Kadareja për herë të parë zbrapset ndaj saj. (Përfundimisht “Qyteti pa reklama” është në duart e lexuesit vetëm pas largimit të diktaturës.) Kjo nuk mjafton që shija e keqe të mbetet e pashlyer tek aparati gjigant i censurës.

Siç e ka pohuar, kur po shkruante këtë roman, për herë të parë e ka kuptuar se ishte një shkrimtar i pazakontë.

E konfirmon këtë me “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, romanin e parë të botuar të tij, romanin e parë që i jep fat atij, letërsisë shqipe, kulturës shqiptare, njohjes sonë ndërkombëtare më shumë se çdo vepër tjetër, romanin e parë që troket në dyert e çmimit Nobel, të cilat, për faj të skemave të këtij mekanizmi, nuk do të hapeshin asnjëherë përgjatë dekadave.

VERIORI

Më vjen shpesh të them se Kadareja është vijues i drejtpërdrejtë i veprës së Fishtës dhe Migjenit. Veprat e tyre i ka njohur.

Është si një zbritje hyjnore që kapitujt e parë të “Gjeneralit…” i ka shkruar në një mot me shumë shi, në Turizmin e Vjetër të Shkodrës, ku kishte shkuar me shërbim nga gazeta “Drita”.

Edhe Kadareja, si Fishta dhe Migjeni, është madhërues sa dhe kritik ndaj trashëgimisë sonë kombëtare.

Migjeni për të është një uragan i ndërprerë, ndërsa nga Fishta, te “Krushqit janë të ngrirë” ka si lajtmotiv vargun (ne dhe serbët) “n’mni t’shoshoqit kena lé”.

Kadareja është jugori më verior i letërsisë shqipe. Në vijimësi kohore vjen pas Mitrush Kutelit, që ka shkruar poemë për Kosovën dhe që ka përshtatur në prozë mjeshtërisht poema të Eposit Heroik të Veriut.

Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, ndër të tjera, synonte që t’i ndërpriste marrëdhëniet e toskërishtes me gegnishten. Këto marrëdhënie ishin thelluar gjithanshëm falë ndikimit të Drejtshkrimit të vitit 1916, deri atëherë në fuqi.

Letërsia e Kadaresë është faktori i jashtëzakonshëm jugor i ruajtjes dhe thellimit dhe shumëfishimit të marrëdhënieve midis dy dialekteve, siç shënova, të ndaluara nga politika gjuhësore në Shqipëri.

Jo e vështirë për të që gjeniu ynë i letrave të fushohet në terrenin gegë. Shkollimin, po e dimë, e kishte filluar me abetare gege.

Periudha e Luftës së Dytë Botërore, që përkon me fëmininë e hershme të shkrimtarit, është edhe periudha kur dashuria për Kosovën ishte në modë. Ishte lënda vendimtare për atdhetarizmin shqiptar. Kush merrte notë kaluese në këtë lëndë, ishte atdhetar i lauruar. Ndikoi fuqishëm këtu edhe dërgimi i mësuesve shqiptarë në ish “trojet e robnueme”, Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare jashtë kufijve shtetërorë të vitit 1913, si dhe dërgimi i shumë jugorëve në administratën e ngritur atje gjatë kësaj periudhe. Ndikuan kryekreje intelektualë të tillë si Mitrush Kuteli, Asdreni, Vasfi Samimi e tjerë me poemat, me reportazhet e gjera, me veprat monografike e tjerë. Të mos e harrojmë vargjet e famshëm lasgushianë “duke rendur mespërmes të Shqipërisë/ Drini plak e i përmallshëm po buron prej Shënd Naumi”.

Për të ardhur tek tema veriore, tek lënda dhe shpirti verior ishte vendimtare tema e Kosovës. “Atje larg në veri” është poezia e përfshirë në vëllimin “Motive me diell”, kushtuar qytetit të Gjakovës. Pra, Kadareja e njeh Kosovën si veri të Shqipërisë. (“Fusha e Kosovës, në Shqipërinë Veriore, ku ai (Mark Alemi, shënimi im) nuk kishte qenë kurrë…” (f. 394, Pallati i Ëndrrave, botimi i vitit 2009, Onufri) ) Po aty është edhe poezia “Sa herë kaloj mbi qiellin tënd Kosovë”. Tema historike (me romanin “Kështjella”) shënon një hap tjetër pa kthim në këtë drejtim.

Eseja “Autobiografia e popullit në vargje” (1971), ku Kadareja mbron më mirë se askush shqiptarësinë e Ciklit të Kreshnikëve dhe të Eposit Heroik Shqiptar (të veriut) në tërësi shënon parapërgatitjen e tij për tek tema veriore. E thellon më tej zotërimin e tij në këtë aspekt me njohjen e plotë të asaj çfarë është shkruar nga shqiptarët dhe të huajt për këtë trashëgimi shpirtërore dhe për Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Në minierën e pafund të eposit tonë, Kadareja has në damarin kryesor, arterin e konstitucionit shqipar, fjalën e dhënë, besën, e cila jepet për së gjalli dhe mbahet edhe për së vdekuri, çka e ka vetëm eposi shqiptar dhe nuk e ka asnjë epos tjetër. Fjala e dhënë, besa janë ato që ngjizin një roman si “Kush e solli Doruntinën”, por e shënojnë deri edhe një roman si “Pallati i Ëndërrave”, më përfaqësuesi i Kadaresë në garën për çmimin Nobel, madje edhe në indin më tragjik të romanit, kur, me urdhër të vetë sulltanit, përgjaket darka e Qyprilinjve, theren rapsodët lahutarë shqiptarë, gjithçka nguroset pikërisht tek vargu “Të ka zanë vorri, o me besë të dhanë”. Dhjetë faqet që i kushtohen në roman kësaj ngjarjeje janë nga më brilantët jo vetëm në letërsinë kadareane po edhe në atë botërore. Kulti shqiptar i fjalës së dhënë, i besës, me një fjalë identiteti i pazhbëshëm i kombit shqiptar, trondit, me kulm e me themele, edhe tiranitë më jetëgjata të globit.

Tek “Prilli i thyer”, duke e vënë në gojën e shkrimtarit Besian Vorpsi, Kadareja shkruan për Kanunin e Lekë Dukagjinit: “- Një kushtetutë e vërtetë e vdekjes… Për të flasin shumë dhe gjithfarë gjërash, megjithatë, sado i egër dhe i pamëshirshëm të jetë ai, për një gjë jam i bindur: kjo është një nga kushtetutat më monumentale të lindura mbi fytyrë të rruzullit tokësor dhe ne, shqiptarët, duhet të jemi krenarë që e pollëm atë.” (faqe 90, botimi i vitit 2009, Onufri)

Më poshtë, po aty: “- Po, duhet të jemi pikërisht ashtu, krenarë…. Rrafshi është i vetmi truall në Europë, që, duke qenë pjesë e një shteti modern europian dhe jo një vendbanim tribush primitive, i ka flakur ligjet, ngrehat juridike, policinë, gjyqet, me një fjalë, krejt makinën shtetërore; e ka flakur, më kupton, i ka pasur dikur dhe i ka hedhur për t’i zëvendësuar me ligje të tjera, morale, të cilat janë kaq të plota, saqë i ka detyruar zyrtaritë e huaja të pushtimit dhe, më vonë, administratën e vetë shtetit të pavarur shqiptar, t’i njohin ato dhe ta lënë kështu Rrafshin, domethënë gati gjysmën e mbretërisë, jashtë mbikqyrjes së shtetit.”

Në faqen vijuese: “… me atë ligj të ri, besën, nismëton gjithçka.”

Apo: “Si çdo gjë e madhërishme, kanuni është përtej mirësisë dhe ligësisë.”

Më 1980, i ftuar në përurimin e botimit të kolanës së veprës së tij, e viziton për herë të parë Kosovën, ku gjen një pritje të pashembult vëllazërore. Kthehet në Shqipëri dhe boton reportazhin e gjatë, të paharrueshëm “Në Kosovë, mes vëllezërve”. Konsolidon kështu një lidhje të fuqishme e të fortë me këtë anë veriore të Shqipërisë, Kosovën.

Ardhja tek tema veriore përkon me periudhën e të ashtuquajturit realizëm magjik në romanet e Kadaresë. (Përveç “Kronikë në gur”) në këtë cikël përfshihen “Prilli i thyer”, “Kush e solli Doruntinën”, “Dosja H”, “Lulet e ftohta të marsit” (e deri te “Kukulla”). Tema veriore vijon edhe me “Krushqit janë të ngrirë”, “Tri këngë zie për Kosovën” e tjerë.

Tek Eposi Heroik Shqiptar (i veriut), Kadareja në romanet e tij arrin që të marrë tragjikën e heroikës së tij, ashtu si Eskili dikur merrte tragjikën nga eposet homerike, nëpërmjet atmosferës shqiptaro-ilire të mitologjisë së veriut arrin të përftojë atmosferën mitologjike të antikitetit.

Te realizmi magjik kadarean fjalia është edhe më urtane, edhe më filozofike si nyjat në Kanunin e Lekë Dukagjinit, ku deri fjalët dhe fjalëzat kanë vendndodhjet e tyre si të dhëna aty njëherë e përgjithmonë.

Pothuaj si në përroin psikik, shkrihen kufijtë mes autorit dhe personazheve.  Dialogu kalon nga ai jo i paraqitur grafikisht deri te ai i paraqitur grafikisht, duke u njëjtësuar me gjuhën e autorit në rastin e parë dhe duke e përfshirë e mospërjashtuar në rastin e dytë. Nganjëherë nuk e përdor as shenjën e dialogut. (Kadareja nuk i përdor thonjëzat në ligjëratat e drejta, i përdor vetëm në citime.) Malësorët e Kadaresë janë monologues edhe kur bisedojnë me veten, edhe kur bisedojnë me të tjerët. Edhe intelektualët e tij bëhen robër estetikë të këtij parimi. Edhe vetë gjuha e autorit.

Do shënuar këtu se Kadareja e zotëron në mënyrë të përkryer kohën në vepër, e zotëron në mënyrë të përkryer zemberekun e kohës, për t’i vonuar, ngadalësuar, ngërçuar ngjarjet, për t’i shpejtuar e përshpejtuar ato deri në teskaje saqë janë gati të mos i pranojnë fare shenjat e pikësimit. Përdorimi i dendur i një shenje siç është viza e dialogut, për shembull, në një prozë të vogël si “Në periferi pranë aeroportit” e mban në vendnumëro kohën, në mënyrë që ndarja midis studentit shqiptar që po rikthehet në Tiranë dhe së dashurës ruse që po mbetet në Moskë, të mos ndodhë.

Me pasurinë e pafund të fjalëve gege, me figurativitetin e saj mahnitës, me  mjetet fjalëformuese gege, Kadareja rison, pastron dhe pasuron më tej fjalorin e shqipes së lëvruar, me brumë të mirëfilltë gegë Kadareja e vë shqipen në lartësitë e mëdha të çdo gjuhe të madhe.

PAS DE RADËS, NAIMIT, FISHTËS

Shkrimi im për Gjergj Fishtën, i dhjetorit 1990, botuar në “Drita”, i pari shkrim afirmues për poetin tonë kombëtar në 45 vjet në Shqipëri, kishte titullin “Një sovran i letrave tona”.

Kisha parasysh atëherë sovranë të tjerë të letërsisë shqipe. Sovrani i parë ishte arbëreshi Jeronim De Rada. Me Jeronim De Radën fillonte letërsia jonë e re, e cila paraprihej nga Letërsia e Vjetër ose, siç quhej ndryshe, letërsia e priftërinjve të veriut, si dhe nga Letërsia e Bejtexhinjve. Të dyja këto periudha të shtrira në Shekujt XVI – XVII- XVIII deri në fillim të Shekullit XIX kanë emrat, veprat dhe dukuritë e tyre përfaqësuese. Në dialektin arbëresh, shqipe arkaike e ruajtur në Gadishullin Apenin prej shekujsh, e shpëtuar nga ndikimet otomane, por e prekur nga ndikimet e italishtes, shkruan kryeveprën e letërsisë sonë “Këngët e Milosaos”, vepra të rëndësishme si “Këngët e Serafina Topias”, “Skanderbeku i pafanë”, drejton gazeta e revista, merret me hulumtime gjuhësore të shqipes, i kushtohet arsimit kombëtar, është një rilindës i kombit 360 gradësh. Jeronim De Rada është, prandaj, i papërsëritshëm në letërsinë tonë.

Sovrani i dytë i letërsisë shqipe është Naim Frashëri. Me një shqipe të kulluar pothuaj të paprekur nga otomanishtja, me alfabet latin, Naimi sjell vëllimin e parë poetik në shqip “Lulet e Verësë”, poemën lirike “Bagëti e bujqësi”, poemat epike “Istori e Skënderbeut” dhe “Qerbelaja”, si dhe “Fletore e bektashinjve” e “Vjersha për mësonjëtoret e para”. Është, qiriri që e djeg veten për t’iu bërë dritë shqiptarëve, poeti që rilind shpirtin kombëtar shqiptar. Më shumë se poet kombëtar, Naimi është profet kombëtar.

Sovrani i tretë i letërsisë shqipe është Gjergj Fishta. Është pasurues i pashoq i gjuhës shqipe të lëvruar në një vepër të realizuar në gjinitë, lirike, dramatike, epike, satirike dhe në publicistikë. Është veprimtar gjuhësor, me rol të madh në njësimin e alfabetit shqip. Është i pari shqiptar kandidat për çmimin Nobel. Është i pari shqiptar anëtar i një Akademie të huaj të Shkencave, madje i një akademie perëndimore. Fishta ka një vepër epike të papërsëritshme, ka një vepër satirike të paarritshme në letërsinë shqipe.

De Rada, Naimi, Fishta janë sovranë të traditës të letërsisë së re shqipe. Ismail Kadare është sovrani i letërsisë së sotme shqipe, sovran bashkëkohës.

Krijimtaria e Kadaresë, e shtrirë në shtatë dekada, përbëhet nga tri periudha të saj. Në periudhën e parë, deri në vitin 1968, merret kryesisht me poezi dhe prozë. Në këtë kohë vihet në krye të brezit krijues të viteve ‘60, brezit të artë të letërsisë shqipe. Në periudhën e dytë merret kryesisht me romane, të cilat përkthehen dhe botohen në Francë pothuaj menjëherë, pastaj edhe nëpër botë.

Kështu Kadareja bëhet faktor përfaqësues i letërsisë, kulturës dhe realitetit shqiptar. Një rol të tillë e pati De Rada në kohën e tij. Me këtë vetëdijë ai krijonte ura njohjeje me botën italiane dhe evropiane. Nga ky kënd komunikonte me Lamartinin, duke ia dërguar atij për ta lexuar “Milosaon”. Një rol të tillë e pati me vetëdijë edhe Naimi. Ai shkroi një vëllim poetik dhe një novelë në persisht, përkthyer me frymë naimiane nga Vehxhi Buharaja. Shkroi edhe në greqisht. Me poemën “Dëshirat e vërteta të shqiptarëve” në këtë gjuhë, Naimi është zëdhënës dhe përfaqësues vizionar i shqiptarëve në marrëdhëniet me fqinjët. Fishta është sekretar i përgjithshëm i delegacionit tonë në Konferencën e Paqes në Paris. Fjalimi që ai përgatiti dhe e lexoi Imzot Luigj Bumçi është një traktat vizionar me vlerë të përjetshme. Fishta, duke lobuar me krahun katolik të politikës gjatë një udhëtimi të posaçëm matanë oqeanit, realizoi njohjen e Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E përfaqësonte Shqipërinë në konferencat ballkanike në Athinë, Sofje, Bukuresht e Ankara. Atje do të ndeshem me “kaprreçë”, iu shkruante zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme. Kaprreçë në veri iu thonë drerëve me brirë të mëdhenj të fuqishëm.

Edhe Kadareja ka vetëdijen se është faktor diplomatik i shqiptarëve në marrëdhëniet me botën, sidomos me Perëndimin. Dhe e kryen këtë rol në mënyrën më shembullore.

Tashmë është i pakonkurueshëm, i gjithëpranuar në krye të hierarkisë së letërsisë shqipe. Në letërsinë brenda kufijve shtetërorë diskutohej vetëm se kush ishte i dyti, i treti apo i katërti e me radhë. Pas hapjes së kufijve, letërsisë sonë i bashkohet edhe ajo e krijuar në Kosovë e trojet e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, po edhe ajo e krijuar në mërgim. Gjithashtu i bashkohet letërsia e burgjeve. Prej atëherë mund të diskutohet vetëm se kush janë të dytët, të tretët, të katërtit e me radhë në krye të hierarkisë së letërsisë shqipe.

Duke filluar nga romani “Kështjella” Kadareja solli dhe ia dha qytetarinë temës historike me theks aktual në letërsinë shqipe të kohës. Theksi aktual ishte një armë e fuqishme, e tillë vetëm në duart e një Kadareje, kundër aparatit të censurës, por edhe me rreziqe të panumërta anësore. I jepet qytetaria kështu edhe asaj letërsie që jo doemos i përmbush të pesë parimet e realizimit socialist, pikësëpari letërsisë pa hero pozitiv. Kadareja vetë e kishte kuptuar se nuk ishte i lindur për heroin pozitiv. I krijon kështu vetes liri për të manovruar në terrenet turke-otomane si dhe në terrenet sovjetike-lindore

Dy pyetjet gati të pamunguara në intervistat për të huajt janë: sa i përket letërsia e tij realizmit socialist dhe a e shikon veten fitues të Nobelit. Zihet ngushtë, nga një anë, se nuk mund ta shqiptojë të kundërtën e pikëpamjeve të tij ndaj të vetmit realitet të atëhershëm të një letërsie të realizimit socalist në botë. Nga ana tjetër, në përballjet me Tiranën komuniste, nuk nguron, madje ngulmon haptas që pse letërsia jonë të mos quhet më mirë “letërsi socialiste” dhe jo “letërsi e realizmit socialist”.

Ndaj tundimit të çmimit Nobel, Kadareja sillet  gjithashtu me etikë shembullore. Njëzet e sa vjet është në grupin e ngushtë të kandidatëve për Nobel. Dhe çdo herë, pas shpalljes së Nobelit të radhës, pyetja shtrohej: Po Kadareja? Pse nuk e mori Kadareja? Pse Akademia e Nobelit nuk ia dha çmimin e merituar Kadaresë. Nëse shumë prej atyre që e merrnin këtë çmim, shpejt harroheshin, Kadareja mbetet në qendër të vëmendjes, si shkrimtari që e meritoi çmimin Nobel, por ai iu mospranua për arsye joletrare nga Akademia e Nobelit.

Fqinjët tanë kanë nobelistë të Letërsisë, por Kadareja është shkrimtar më i mirë se të gjithë këta. Asnjëri nga bashkëkohësit evropianë të Kadaresë që e mori Nobelin e Letërsisë nuk është më i madh se Kadareja.

Nobeli nuk do t’ia shtonte famën Kadaresë. Nobeli do të jepte drejtësi për veprën e tij, do të konfirmonte vendin e pamohueshëm të saj, të letërsisë shqipe dhe të gjuhës shqipe në hierarkinë botërore.

Kadareja shkruan letërsi, përfshirë prozë, të shkurtër, të mesme apo të gjatë, pa rënë asnjëherë në prozë. “Romani është poemë.” A nuk thotë kështu Ernesto Sabato?

Fjalia, sado e thjeshtë, sado e përbërë, në shkrimet e Kadaresë ka frymëmarrje ritmike, kadencë, ndërthurje masash brenda strukturave më të vogla apo më të mëdha sintaksore, karakteristike për poezinë. Shkrimi i tillë duket sikur recitohet, të paktën në heshtje, në sfond nga autori. Dhe e përcjell si mënyrë leximi, këtë cilësi të shkrimit të tij edhe tek lexuesi në çdo takim me shkrimet e tij.

Parimi estetik prijës i prozës së Kadaresë është parimi motërzues i pafundëm, në rrathë më të mëdhenj a më të vegjël bashkëqendrorë, që, duke ruajtur qendrat e tyre, krijojnë rrafshe që priten mes tyre, pa e nxjerrë askush tjetrin nga orbita e tij. Linjat, motivet, personazhet, situatat, deri tezat e vëna në gojën e personazheve apo të shqiptuara drejtpërdrejt në eseistikën e autorit, motërzohen mes tyre, rimerren nga një vepër në tjetrën, nga një më e hershme tej tjetra më e vonë në tërësinë e larmishme të veprës së Kadaresë. Kjo kërkon nga autori, gjatë më shumë se shtatë dekadave krijimtari, që ta ketë pothuaj përmendsh, ta ketë të freskuar e të rifreskuar deri në hollësi gjithë përmbajtjen e veprës së tij.

Konkretisht, kemi të bëjmë kështu me parimin kozmogonik krijues, pra, me parimin universkrijues.

Në larushinë e saj dhe në pafundësinë e saj vepra e Kadaresë është ndërtuar si njësi e vetme. Ky është universi kadarean aq shumë i përmendur.

Në paralelet që vijnë nga thellësia e shekujve të globit dhe që shtrihen në thellësinë e shekujve të globit qëndron universaliteti kadarean aq shumë i pashoq.

Tek “Pallati i Ëndrrave”, për shembull, ku ngjarjet zhvillohen në Shekullin XIX, në Stamboll, po mund të ndodhnin edhe në Tiranën e Shekullit XX, kemi: “Diellisht (sulltanit, shënimi im) spërkaste gjithkah, ndryshe s’kishte si të shpjegohej që edhe me lakth në fyt, të dënuarit klithnin: rroftë sulltani!” ( f. 346, botimi i vitit 2009, Onufri).

Fantazia e tij është tejpërmasore sa edhe e saktë, e pagabueshme.

Kadareja nuk e krijoi dot në bashkëkohësi kritikën e tij në gjuhën origjinale të krijimtarisë së tij. Ndonëse u shkrua aq shumë për të. E kuptonte dhe nuk ishte aspak i lumtur. I mungoi ndër shqiptarët një autoritet tjetër i mendimit kritik si Arshi Pipa, që mund të dëgjohej në Perëndim.

Pas ndarjes së Kadaresë nga jeta, u rikujtuan shpesh vargjet e Çajupit për Naim Frashërin. “Vdiq Naimi, po kush mbeti,/ o moj Shqipëri e mjerë./ Vdiq Naimi, po kush mbeti./ Si Naimi s’ka të tjerë.” Dhe u përsërit shpesh shprehja: “Ismail Kadareja nuk i vjen më Shqipërisë.” Për arsyet pse De Rada, Naimi apo Fishta nuk i vijnë Shqipërisë, për të tjera që unë i përmend në këtë esé dhe për shumë arsye të tjera Ismail Kadareja është i papërsëritshëm.

Të katër, po për të njëjtat arsye, janë të pashfronëzueshëm, janë të pashfuqizueshëm. Historia ka dëshmuar dhe do të dëshmojë se asnjë koniunkturë politike, artistike apo çfarëdo tjetër, nuk e ndryshon vendin e tyre në letërsi.

Vepra e Kadaresë ka dhe do të ketë lexues, të të gjitha niveleve dhe interesave edhe nëpër botë. Por më i lazdruari (siç e parapëlqen këtë fjalë Kadareja në vend të i privilegjuari) është lexuesi shqiptar, ai që e shijon drejtpërdrejt në burim magjinë kadareane. Më i lazdruari i të lazdruarve, natyrisht, është lexuesi bashkëkohës i Kadaresë, ai që e shijoi magjinë kadarena kur ajo sapo shqiptohej.

DONTE TË VDISTE NË VERË

Në periudhën e tretë të krijimtarisë, Kadareja u muar kryesisht me eseistikë. Për brezat e sotëm dhe sidomos për brezat e ardhshëm eseistika e Kadaresë është një dëshmi, një kujtesë, një testament. Kadareja i ka shpallur idealet e tij jetësore dhe estetike, porositë dhe amanetet e tij të shkrimtarit gjenial, të idealistit kombëtar, të evropianit të madh.

Si askush në letërsinë shqipe, ndoshta edhe në letërsinë botërore, Kadareja ia lehtëson në mënyrë të tejskajme punën mendimit të ardhshëm kritik, atij letrar, filozofik, joletrar, jofilozofik. Në eseistikën e tij është përfshirë gjithçka që është e rëndësishme dhe me të cilën mund të merret kritika e ardhshme, të cilën vepra e Kadaresë do ta krijojë, pa dyshim, në mungesën fizike të autorit. Kadareja hedh dritën e tij të plotë në raportet që pati me letërsinë, me kohën, me kombin, me politikën, duke iu mëshuar veçanërisht raporteve të tij me diktaturën komuniste dhe me diktatorin komunist.

Në këtë mision ka dhënë ndihmesë të veçantë edhe libri “Koha e pamjaftueshme” i shkruar nga Helena Kadare, bashkëshortja dhe kolegia e tij e pandarë për shumë dekada. Gjithçka që është e parëndësishme ka mbetur jashtë eseistikës së tij dhe jashtë librit të përmendur të Helenë Kadaresë.

Edhe eseistika është krijuar mbi parimet motërzuese, duke rimarrë tema, motive, personazhe, idera të trajtuara nëpër krijimtarinë e tij në poezi apo në prozë dhe duke i shtjelluar ato në një mënyrë mjaftueshëm shterruese. Kështu njohësve sistematkë të veprës së Kadaresë iu plotësohet kureshtja që lind me të drejtë tek admiruesit e një shkrimtari. Ndërsa njohësve të rinj iu nxitet kureshtja për veprën e Kadaresë. Natyrisht, kureshtjet ndaj shkrimtarëve të madhësisë së Kadaresë nuk do të reshtin kurrë, por ato gjithnjë përgjigjen do ta gjejnë tek vepra e tij, përfshirë edhe te eseistika e tij, e cila qëndron lart edhe artistikisht sa poezia dhe proza e tij.

Në vitet 2007-2012 në Shqipëri, nga Onufri, iu botua vepra e plotë me 22 vëllime në shqip, në Francë, paralelisht, iu botua vepra e plotë po me kaq vëllime në frëngjisht. Një arritje e rrallë dhe fat i rrallë për një shkrimtar që vinte në vend të huaj. Më 2023, nga Onufri, iu botua vepra e plotë, në 7 mijë faqe, në shtatë vëllime “Shtatëdhjetë vjet krijimtari në 7 vëllime.” Një arritje e rrallë dhe një fat i rrallë. Kadareja, edhe pasi nuk shkruante më libra të rinj, pati jetë aktive krijuese duke bërë ripunime përfundimtare të krjimtarisë së tij të përfshirë në këtë kolanë.

Binjaku i tij më i hershëm, Uilliam Shekspiri (23 prill 1564- 23 prilll 1616) , vdiq në të njëjtën ditë që pati lindur. Shekspiri e kishte të lehtë ta pranonte si ditë vdekjeje 26 prillin, sepse ajo binte në pranverë. Kadareja nuk mund ta pranonte ditë vdekjeje 28 janarin, sepse i binte në mes të dimrit. Prandaj donte të vdiste në një ditë vere. Këtë vendim e shpallte që herët në jetën e tij: “Gjonit i dukej se do të vdiste atëherë kur ai ta donte vetë këtë. Atij i dukej sikur të gjithë të tjerët do të vdisnin pa dëshirën e tyre. Kurse ai nuk do të vdiste pa dëshirën e tij. Ai e ndjente si vdekja qëndronte jashtë tij, megjithëse aq pranë.

…………………..

Mërkuri vdiq, mendoi prapë Gjoni… Gjithë kjo baltë i rëndonte mbi trup. Sa e tmerrshme! Ai do të vdiste në një kohë vere, atëherë kur livadhet do të kenë lulëzuar dhe baltë të mos ketë fare.

Balta e lagur mbi trup nuk durohej. Ai do të vdiste në verë.” (“Qyteti pa reklama”, f.153-154, vëllimi 1 i veprave, botuar më 2007, Onufri)

Ashtu si e vinte dëshirën e tij në meditimet e Gjon Kurtit (një nga emrat e shumtë veriorë të personzheve të tij) Kadareja, siç donte ai vetë, vdiq në verë, kur sapo ishte larguar qershori, kur livadhet kishin lulëzuar dhe nuk kishe baltë fare.

Dhe 1 korriku, deri sivjet një datë jo aq e ngarkuar me ngjarje, do të ketë një peshë të një rëndësie tjetër.

Exit mobile version