Kreu Letërsi Bibliotekë Ocean Voung: Koha është një nënë

Ocean Voung: Koha është një nënë

Përktheu Andreas Dushi

Qysh kur lexova për herë të parë një poezi të Voung, “Dinosauri i fundit”, këtu e një vit më heret, poezinë e tij e kam pëlqyer shumë. Prandaj vendosa që nga vëllimi i tij poetik “Koha është një nënë”, botuar Jonathan Cape, një imprint i Penguin Random House më 2022, të zgjedh dhe të përkthej disa poezi që për mua, mbartin ose në mua sjellin një ndjeshmëri krejt të veçantë, sa befasuese, aq edhe mahnitëse pikërisht falë thjeshtësisë me të cilën depërton brenda të gjitha shtresave të njerëzores, për t’i zbërthyer, zbuluar e mandej treguar po aq thjesht.

Teoria e Dëborës

Kjo është dita më e bukur
Nuk kam vrarë asgjë që nga 2006
Errësira atje jashtë, e lagësht si një i porsalindur
Përthyeva faqen për të mbajtur shenjën & menjëherë
Mendova për masturbimin
Si mund të rikthehemi ndryshe te vetja, përveçse duke përthyer
Faqen në atë formë që të tregojë pjesën e bukur
Një tjetër shtet digjet në TV
Ajo çka do të kemi përherë është diçka që kemi humbur
Në dëborë, skica e thatë e sime mëje
Premtomë se nuk do të zhdukesh sërish, thashë
Ajo shtrihet aty për ca, duke e menduar
Një nga një fikin shtëpitë dritat e tyre
Shtrihem përmbi skicën e saj, që ta mbaj të përnjëmendtë
Bashkë bëjmë një engjëll
Duket sikur diçka po shkatërrohet në një stuhi dëbore
Nuk kam vrarë asgjë që atëherë.


Dinozauri i fundit

Dhe kur më pyesin se si është, u them
imagjino të kesh lindur në një spital të sëmurësh pa shërim
në flakë. Teksa të afërmit më shkriheshin, qëndrova
në një këmbë, ngrita dorën, mbylla sytë & mendova:
pemë pemë pemë ndërkohë që vdekja më kalonte pranë – e paprekur.
S’e dija se në ne, zoti kish parë një përpjekje
të dështuar për në qiell. S’e dija se sytë më kishin tre
hije të së bardhës por vetëm një imazh
të sime mëje. Ajo po qëndron nën një pishë
të lashtë, e trishtuar se koha mbi tokë është
gjithë çfarë zotëron. O human, nuk jam me i zemëruar me ty pse ke fituar
por pse kurrë nuk ke dashur më shumë. Perandor
i gjuhës, pse nuk u bëre më i zoti në Jo
pa harruar Mbase? Sigurisht, mund
të nxjerrim fitime prej kësaj, por po të paralajmëroj-
duhet punë. Ndonjëherë mendoj se graviteti
ka qenë si: Që të jem tërësisht i sinqertë… & atëherë
të mos ndalosh së foluri. Kam përshtypjen se ajo
çfarë dua të them është se nuk e hëngra mollën meqë burri gënjeu
kur tha se unë kisha lindur nga brinja e tij
por sepse dëshiroja ta mbushja veten me urinë e tij
për dheun ku eshtrat e njerëzve të mi
ëndërrojnë akoma për mua. Zë be se drita në këtë faqe
nuk është zbuluar akoma. Zë be se asnjëherë s’ta ka marrë mendja
se prapanica ime ka qenë dikur mrekulli e një
qyteti të vogël. Se triceratopit i iku mendja
kur kërceva. Si një herë, pas javësh
thatësi, eca përmes së qeshurës së tim vëllai
veç për të ndjerë shiun. Endacak i rrënuar nga era, vejan i shpresës
& ha-ha. O motër, farë e hedhur – ndihmomë –
isha krijuar për të vdekur, por jam këtu që të rrij.


Varkë lodre

për Tamir Rice

plastikë e verdhë
det i zi

thërrmijë si sy
në një hartë të errët

pa brigje tani
ku të arrish – ose –
të nisesh
pa erë por
kjo pritje që
të lëviz

sikur sekondat
të mund të hynin
& të mos iknin kurrë.
varkë lodre – pa timon
secila dallgë
një dritë jeshile
kapërceu

varkë lodre
një gjethe lodre ra
nga një pemë lodre
që priste

që priste
sikur ha-
rabelat
që të rrallohen mbi krye
nuk janë
shpuar tanimë
prej emrave të tyre.


Askush s’e di rrugën për në Parajsë

por prapëseprap vazhdojmë të ecim.

                Kur e kupton se këtu do të jetë ndryshe

por do të përdorim të njëjtat fjalë.

                Do të vështrosh & vështrosh – & sheh vetëm

botën. Epo, këtu

                bota është e vogël,

& e madhe, si një atë.

                                Unë nuk jam

akoma yt’ atë. U përpoqa

                                të flisja në mëngjes

por zëri më arriti veçse

                                deri aty ku më arrijnë gishtat. A e sheh?

Për të parën herë, prej javësh

                                pashë pasqyrimin tim në

filxhanin e kafesë

                                dhe prapëseprap vazhdova ta pija.

E çuditshme, çfarë mund t’i bëjë një fytyrë

                                një fytyre tjetër. Si një herë kur

lashë një burrë të më pyshtynte në gojë

                                sepse sytë nuk më lageshin dot

pasi Evani qëlloi veten

                                në kotecin e pulave të së motrës.

Pula prej kohësh

                                s’kishte. Sikurse ai, kisha qenë

duke kërkuar për një zë që të ndryshonte

                                dritën e dhomës.

Por gjithë çfarë munda të gjej

                ishte një burrë. Pyshtyma e tij e ndrytshme, unë

ngrita

                gjuhën teksa ai më qendronte

sipër.

                                Nofulla ime, sirtar

i bastisur.

Thashë Të lutem,

                                                pasi jam një njeri i ftohtë

që beson se çdo grimcë

                                                ngrohtësie duhet ruajtur

&mbrojtur. S’ka problem,

                                askush nuk mund të na dënojë

Tani. Madje as

spikeri.

                Zakonisht nuk kam të drejtë – por jo aq shpesh

sa të të harroj ty. Ty

                                që akoma nuk ke lindur. Që do të jesh

përherë ajo çfarë mbetet

pasi ndërtoj Arkën time

                                nga asgjëja.

Humbas.

Sepse kur një burrë & një burrë

                                ecin dorë për dore në një bar

vetë e kemi fajin.

                                Sepse kur një burrë & një burrë bëjnë

dashuri, bëjnë

                                vetëm dashuri. Ka mjaftueshëm

për ty, por jo mjaftueshëm

për ty. Ti, i padallueshëm

                                nga shiu. Rigo: t’i japësh

diçkaje një emër

veç ta këqyrësh tek bie. Po ty

                                si do të të quaj?

Je djalë apo vajzë

                apo një përkthim i ujrave të përplasur. Nuk ka

rëndësi, Mbase zhdukja

                                është e përkohshme. Rigo sikur

të prekësh dheun.

                                Hey, mbase jam mu këtu.

Babanë

                                e ke mu këtu. Do t’i lë gjithë

të tjerët e kësaj

                                & kur të arrish, do të të tregoj

gjithçka. Kur

                                të vish këtu, do të të tregoj

këtë gjë të pabesueshme

                                që mund t’u bëjmë pasqyrave

thjesht duke qendruar

palëvizur.

Exit mobile version