Poezi hajk
1.
Bota
Kjo vajzë e vogël
Ç’gangsterë i vijnë rrotull!
2.
Në tregun ilegal të prostitutave
Çmimin më të kripur
Liria e ka
3.
Dhurojua luleve këtë parfum
Mua më mjafton era
E shtatit tënd
4.
Barkthati nuk është vrasësi
Njerëzit që hanë njëri-tjetrin
S’e bëjnë nga uria
5.
Ndajeni këtë flok bore
Gjysmën varr, gjysmën djep
S’e di në cilin do të shtrihem
6.
Nalt në majë të skanojnë ernat
Zbritja mund të nisë
Rrokullimthi
7.
Mështeknat qumështore buzë liqenit
I thonë erës na i fërfëllo fustanet
Zbulojnë shalët e bardha
8.
Pas drekës princore, plaku i mjegullt
Rueju sofrës tande, i tha
E u bë re
9.
Narcisiste Koha, në dashuri s’bie
E çon njeriun deri afër Zotit
Dhe e bën hi
10.
Shtati i Havzi Nelës në varr, pa kokë
Sulltani e deshi kryet e tij
Në sofër
11.
Flokët e tu mbushën me pyll krejt një qytet
Unë e pashë veten
Shtrirë në vig
12.
Në avion paguaj sa krejt udhëtarët bashkë
Mbaj në shpinë valixhen time bërthamore
Atdheun
13.
Pemët përtypin rrënjët e veta
Vetmia bie
Si natë në bjeshkë
14.
Gjinkalla këndoi për të gjithë
Të gjithë e përbuzën: pse s’punon!
U bë lot kënga, unë s’qenkam punë?
15.
Sa më shumë vrapon me diellin mbas shpine
Aq më fort e shkel
Hijen tënde
16.
Ylbere bari nëpër livadhe
Ylbere valësh nëpër dete
Ylbere vaji nëpër derte
17.
Dashuria
Në mos qoftë e çmendur
S’e ve në lëvizje botën
18.
Dija të përsos
Në qofsh i mirë, të bën më të mirë,
Në qofsh i lig, më të lig të bën
19.
Nju Jork, vorbull kozmike
Këtu je kurrkushi
Këtu je gjithkushi
20.
Në shkurtësinë e vet të brishtë
Jeta fsheh
Fara pavdekësie
21.
Vajza me topa bore, më gjuani si dikur
I pres me parzmin hapur
Edhe në u bëfshin plumba!
22.
Ngjyrëplumbi lumi
Mbi dallgë kërçabla, degë të kalbëta
Gurët e rëndë në fund
23.
Në gu-gu-të pëllumbore të foshnjes
Një vezë fsheh qoftëlargu
Ëndërron me çelë Hitler
24.
Flakëza lëshojnë varret nëpër netë
Duan diçka të djegin,
A të ndriçojnë?
25.
Mëkatet e mëdha s’i lan det as Mekë
Mëkatet e vogla njerëzore
I dua si lulet e egra
26.
Skaj udhës një ulli i djegur
Njëmijë vjet t’i bën hi saora
Marrëzia e një fije shkrepëseje
27.
Të vetmet perla
Në gushën tënde
Xixëllonjat e këtij muzgu blu
28.
Vrasës dhe viktima
Të njëjtën këngë për të
Njeri a qoftëlarg?
29.
Në Trianon, në qiell të hapur
Mari Antuaneta
Prapë luan teatër
30.
Këtë zezonë e ke prej atij.
E pamundur
S’i kam bërë ndonjë të mirë
31.
Janari me hënë ujku
Rremba të thyer ulurimash
Kërleshen si macet në shkurt