Piktori i njohur Bashkim Alushi po shfaqet gjithmonë e më shpesh në opinionin e gjerë të artdashësve shqiptarë, në rrjetet sociale dhe botimet e ndryshme, gazeta, revista e libra si një piktor me gjetjet e veçanta dhe shkëlqimin e ngrohtë të ngjyrave. Pikturat e tij paraqesin imazhe befasuese që formësohet në mënyrë ekspresive nga realiteti i përditshëm, gjendja e tij shpirtërore, subkoshienca dhe gjurmët e kujtesës.
Talenti i tij shfaqen që në vitin 1975 kur ishte ende student, kryesisht në gjininë e vizatimit dhe grafikës. Në vitin 1977 u prezantua për herë të parë në një ekspozitë në ambientet e pallatit të kulturës Tiranë, duke hapur kështu siparin e një karriere artistike të gjatë e të suksesshme. Nga ajo kohë, krahas karrierës ushtarake si inxhinier topograf, ka marë pjesë vazhdimisht nëpër ekspozita, organizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve, nga shoqata e institucione të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 1996 mori pjesë në një ekspozitë me bashkautorë, organizuar nga Galiko Instituto Greqi dhe më 2006 në ekspozitën e organizuar nga Galeria e Arteve Prishtinë. Në vitin 2010 është prezantuar me një ekspozitë personale në Ankona, Itali, mbështetur nga komuna e këtij qyteti. Po këtë vit, ka hapur një ekspozitë në panairin europian“Fiera dela Pesca” po në Ankona dhe punoi laiv së bashku me një piktor italian. Në vitin 2016 ka qenë pjesë e një ekspozite me bashkautorë në Zvicër, ndërsa më vonë ka vazhduar në Belgjikë e Slloveni. Për vite me radhë, ka ekspozuar në Durrës si pjesë përbërëse e unionit “Artistët pa kufi”, është prezantuar në ekspozitën “Pranvera,” organizuar në Muzeun Kombëtar nga një grup artistësh të spikatur dhe në ekspozitën “Promenade Galery” Vlorë së bashku me disa autorë të përzgjedhur.
Pikturat e tij kanë një gjuhë vizive që flasin shumë në raport me jetën. Ai zgjedh motive të frymëzuara, i punon ato me patos dhe energji të thellë duke shprehur me finesë ndienjat dhe botën e njeriut, ngjyrimin e rrethanave dhe realitetet e ndryshme sociale. Gjuha e tij vizive, është unike në përputhje me temat e trajtuara. Ajo është herë e vrullshme, herë e qetë dhe shtegton si një frymë e ngrohtë emotive përmes ngjyrave, volumit, formave dhe imazheve. Peneli i tij, nuk funksionon në mënyrë magjike si “shkopi i Circes”që ngrin gjithçka që prek, por është imun në përzgjedhjen e pasazheve dhe dukurive artistike, në përputhje me një eksperiencë shumëvjeçare të gërshetuar me vullnet të vazhdueshëm. Në pikturat e tij nuk ka përzierje mekanike me realitetin fizik, përkundrazi, amalgama e ngjizjes së këtij realiteti në tablo, është ndjeshmëria e tij artistike. Ai ka imagjinatë dhe personalitet krijues, çka tregon për një talent të lindur e të kultivuar gjatë gjithë jetës si pasion dhe mënyrë jetese.
Në krijimtarinë e tij gjallojnë disa tipare dhe karakteristika individuale që formëzojnë stilin dhe e dallojnë atë dukshëm nga kolegët e tjerë.
Lëvizja e ajrit, është një tipar stilistik ku shfaqet domethënia estetike e tablove. Tek Alushi, ajri ka një lëvizje “të dukshme” që vihet në shërbim të imazhit. Ai është ajër “emocional” që ndikon mjaft në gjuhën e pikturës. Ky element shfaqet sa tek objektet e peizazheve, aq edhe tek personazhet e tablove. Një dru, një pyll apo një dekoracion i gjelbërt, bëhet më i hijshëm në pozicionin e përkuljes nga era po aq sa dhe shpupurishja e flokëve të një personazhi apo fëshfërima e fustanit të një vajze nga flladi pranveror. Dihet se brenda palëvizshmërisë në artet e bukura strehohet me mjeshtëri lëvizja. Pikërisht këtu dallohet aftësia e një artisti të vërtetë nga diletantët. Te Bashkimi ka një lëvizje të gjithanshme dinamike e inkuadruar mjeshtërisht brenda palëvizshmërisë nëpërmjet së cilës ai krijon një performancë artistike të dallueshme. Në mënyrë të koncentruar kjo dukuri është shprehur nga një turist holandez, i cili në përshtypjet e lëna në një nga ekspozitat e Alushit ka shkruar: “Këtu gjithëçka është në lëvizje!

Ndër temat më të preferuara të këtij piktori është trashëgimia etnokulturore e popullit tonë. Në këtë fushë, piktori parapëlqen folklorin dhe etnografinë ku dallohet për një numër të konsiderueshëm kompozimesh. E veçanta e këtij inventari është kurba e zërit të këngëtarëve, e cila vibron në vepër si frymëmarrje. Ky element shfaqet thuajse në të gjitha këto punime, por, veçanërisht në kompozimet e polifonisë labe. Ai jepet nëpërmjet lëvizjeve të harmonizuara të këngëtarit sipas vijës melodike të këngës, ngërthyer në një pozicion energjik të tyre dhe mjaft të përkorë. Mënjanimi i kokës, hapja ovale e gojës apo një gjest shpërthyes i duarve, transmeton tek shikuesi pikërisht këtë kurbë.
Në pikturat e Alushit shfaqet dukshëm edhe gjurma e penelit. Kjo është metafora e energjisë krijuese, e ekspresionit dhe vrullit pamor, një gjetje e mençur autoriale. Në tërësi, kjo metaforë, është pjesë fragmentare e përzgjedhjes kolorative që dëshmon unin e tij artistik. Nëse kemi një peizazh vjeshte, gjurma e penelit krijon vragën e ardhshme dimërore, vragë që në ngjizjen organike të ngjyrave, të imponon harmoninë e shijes. Aty sheh hirin e një zjarri që digjet brenda teje. Kjo do të thotë se piktura të tilla janë poezi. Tek Bashkimi, çdo pikturë është një poezi lirike, që flet si një tekst poetik.
“Bashkim Alushi është një ekspresionist “par exelence”e, kjo shprehet me aftësinë e tij të trasmetimit të emocioneve të forta kromatike, një piktor “puro”, i dorëzuar tek pasioni i dashurisë së tij për të krijuar,” është shprehur piktori i njohur Artan Shabani, ish drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve Tiranë.
Tek shumë nga veprat e tij dominon një përzjerje harmonike ngjyrash që rrezatojnë dritë vezulluese. Teksa kombinon të kuqen me të zezën apo blunë me të verdhën, brenda tabllosë shpërthejnë flakët e një zjarri që “djeg” pemët, vjeshtën ose një buqetë me lule të freskëta dekorative. Flakët e këtij zjarri janë pjesë e prushit shpirtëror të piktorit, i cili thyen të zakonshmen e natyrës, harmoninë e saj stinore dhe del në shtegun e digresionit. Pikërisht këtu shprehet një tjetër karakteristikë dalluese e tij, kontrasti brenda harmonisë. Është ky kontrast që të befason me thyerjet ekuilibruese të pamjeve. Një kurorë drurësh “ngecur” në furtunat e dimrit, duket sikur do të “gëlltitet” sakaq, nga një vetëtimë e beftë që sulet nga qielli gri. Kjo krijon poezinë e peizazhit. Diku tjetër, e verdha e vjeshtës “ xhelozon” me natyrën e vakët të pragdimrit. Është pikërisht kjo marrëdhënie midis tyre plot shkëlqim që shndërrohet në tingull. Teksa shijon këto peizazhe dimërore, të duket sikur dëgjon muzikën e thellë që buron nga thellësia e tyre. “Bashkim Alushi është një nga artistët më të veçantë të pikturës së sotme, – ka shkruar shkrimtari, kritiku dhe piktori kosovar Gani Bytyçi. – Pos tjerash, ai është mjeshtër i portretit artistik dhe i peizazhit postimpresionist, me koloritin e tij krejt të veçantë, magjepsës të përflakur dhe gjithë shkëlqim.”
Bashkimi flet me gjuhën e privilegjuar të ngjyrave, ashtu si Onufri, Buza e Jukniu.
Në një pjesë të rëndësishme të punimeve të tij Alushi shfaqet piktor epik, sidomos në grafikë. Në grafikat e tij përfshihen një mori temash që thërrasin me zërin tragjik të ngjarjeve. Një numër syresh u përkasin luftërave të popullit tonë në shekuj, ku ndihen sa brohorimat e fitores së luftëtarëve, aq edhe dhimbja e tyre mbi shokët e vrarë. Një pjesë ngërthejnë klithmat e dëshpërimit fatal mbi tragjeditë e ndryshme si ajo e nënave që vajtojnë djemtë e mbytur në Otranto në vitin e mbrapshtë ‘97. Teknikisht ajo shtrihet në një kornizë të zezë pozante e cila përbën kontekstin historik të kohës, ndërsa drita ndriçon vetëm konturet apo pjesën më të rëndësishme të portretit. Forca e veçantë e kësaj grafike e konverton estetikën e saj në mendim. Grafika te ky artist, është një akt sa psikologjik aq edhe intelektual, një dëshmi e aftësisë së pjekurisë së tij, e cila, së bashku me vizatimin dhe pikturën, e konfirmojnë atë, si një mjeshtër me potencial kulturor, artistik dhe profesional të konsoliduar.
Në tablotë pikturike, epika shfaqet më së shumti në dekoracionin e mjeteve të përdorimit. Në grupet e këngëtarëve krahas veshjes tradicionale, shfaqet në sfond herë flamuri kombëtar, herë shqiponja në def, herë armët luftarake në brez. Nga kjo simbolikë nënkuptohet edhe karakteri epik i këngës.
Në galerinë e krijimtarisë së tij, zenë vend të rëndësishëm edhe portretet. Ata janë karaktere të trajtuara fuqishëm nëpërmjet një fryme të gjallë individuale dhe dinamike. Këtu futen sa njerëz të thjeshtë, aq edhe figura të shquara si; artistë, shkrimtarë, drejtues shtetesh etj. Në këtë fushë, Bashkimi spikat me detajin dhe gjetjen e veçantë psikologjike. Ato janë portrete të frymëzuara dhe reflektojnë thellë botën shpirtërore të individit, çka i bën thjesht të bukur. Midis punimeve të tilla do veçonim portretin e Nënë Terezës, Kadaresë, Agollit dhe sidomos portretin e Tatjanës, bashkëshortes së tij të ndier, e cila flet si e gjallë para syve tanë.
Me këto tipare dhe karakteristika të veçanta, arti pikturik i Alushit dëshmon se është zot i tij shpirtëror dhe me energjinë e tij, e prezanton atë në fushën e pikturës shqiptare, si një autor me prestigj dhe inteligjencë të lartë krijuese.