Me të katrat
Nga pamjet,
nga frymët,
nga rrugët,
nga vuajtjet,
që nuk të përndritin
e nuk të rritin më,
mbathja…
Mëngjes
Kafja e zezë, e pjekur te kafexhiu,
e përgatitur pa sheqer,
ma godet shqisën e ndijimit
si e zezë,
e athët,
e fortë,
taman për ta filluar ditën,
në ballafaqim me ulkonja,
me figura mitike,
me plot personazhe,
me çështje hipokondrike
që më përthuren trupit
dhe trurit.
Unë fshihem nën filxhan
në shijim
të thellësisë së athët,
që mi përpin zërat si vrimë e zezë.
Vendos mburojat rreth kufijve të tejdukshëm mendorë,
kufijve të domosdoshëm,
pastaj lëshoj listën e këngëve
që i duhen kësaj beteje ditore,
përvjel mëngët
dhe vazhdoj…
Qepja
Të brendshmës sime të zezë,
material pambuku,
me dantellë rreth gjoksi
ia qepi krahun e hollë që i është çkapur
nga pesha e ditës së rëndë në krahët e mi.
E nuk e kam idenë më të vogël
se kur e bleva,
as se si erdhi tek unë,
vetëm se më takon
e kështu, e riparoj,
se më vesh
e dëshmon momente
të djersës që gulçojnë nga ngazëllimi
dhe ma mban zemrën time kur rreh aq fort
nga konfrontimet që e mbysin apo i japin kuptim çastit,
e pushton përbrenda,
e ruan
e mban ngrohtë dhe të sigurt
nën pambuk e në krahrorin tim…
Prill
Pranvera sjell me vete
stuhi të brendshme
që dynden
zukatshëm
për vëmendje.
Pranvera i do
të gjitha ujditë për vete.
Ares, e di,
ti i do të gjitha
cepat e medaljoneve
të lustruara vazhdimisht,
e unë dua shkumë,
dua ujë,
xixa e dielli
ta përndritin të tërën
dhe ma ngrit vlerën
e vitaminës D!
Pezëm
Timbron qyteti lodhshëm,
por timbron,
ritme të rralla daullesh
të shpirtrave që ia dhanë krejt
që t’u vizllohen cepet e lumenjve,
shkëlqimi i gurëve të çmuar
e pesha e drunjve të maleve
që e sigurojnë frymën
dhe e strehojnë atë nën hijen e tyre.
Timbron qyteti
nga shpirtrat e tyre të pezëmuar.
Pse i harruam kaq shpejt?
Pse?!
Pse s’po ua vazhdojmë udhën?



