Kreu Letërsi Bibliotekë “Një rrëfim nëpër zheg”, tregim nga Vangjush Saro

“Një rrëfim nëpër zheg”, tregim nga Vangjush Saro

Pasi mbaroi takimin e paralajmëruar me banorët, z. Ylber, Kandidat për Deputet, na mori ne, një pjesë të çunave të Lagjes, për një mesvakt; tani i thonë branç (brunch). U nguta, më duhet ta korrigjoj: domethënë ne, një pjesë e çunave (të Lagjes) e çuam atë dhe shoferin e tij për atë mesvaktin.

Ishte pothuaj mesditë. Zhegu – punë e madhe. Dielli i kishte nxehur mirë betonet, andej e këtej rrugës. U shtruam nja pesë a gjashtë vetë në një nga baret e shumta, që kanë mbirë si kërpudha gjithandej. Atje turfullonin nja dy kondicionerë, por prapë vapa ndihej shumë. Tash, mbase do e trembnim me ca birra.

Z. Ylber, kandidati, kishte qenë deputet edhe në legjislaturën e shkuar. Ai po luftonte të kthehej sërish në Parlament. Në mbledhje me banorët, tha se nuk luftonte për vete; jo, mendjen e kishte vetëm te qytetarët. Kurse shoferi i tij, që ishte një birbo, herë pas here komentonte duke zbardhur dhëmbët: “Shefi ashtu.” “Shefi kështu.” Ose e kundërta.

Erdhi kamarieri. La diçka në tryezë. Turfullonte edhe ai. U kthye sërish. Zhegu i kishte trazuar nga pak të gjithë. Ylberi ynë të jepte përshtypjen se nuk kishte ngrënë mëngjes; pastaj, e mori pak me rrëmbim edhe të pirët, dhe filloi të fliste ca si shumë. Ç’ishte më e keqja, ai dukej i shpërqendruar, kërcente nga njëra temë në tjetrën dhe, për çudi, çdo fjalë a term e përdorte njëherë në origjinal, pastaj duke shtuar inicialet ose duke vënë në dukje simbolet…

-Kripën, – tha ai, me duart te gota e birrës, – unë përpiqem ta mënjanoj. Kripa, NACL, më bën dëm për tensionin. E Kape?

Se çfarë duhej të kapnim, ecë e gjeje. Dhe pas një copë here:

-Kemi disa pengesa nga Koalicioni për Mbrojtjen e Vlerave Kulturore, KMVK, që do të tejkalohen me kohë. Ne ndërhymë fort aty. Komisioni i Kuvendit për Trashëgiminë, KKT, s’e luante fare menderen…

Çunat e Lagjes dëgjonin gojëhapur. Kjo s’po më vinte edhe aq mbarë, por po e shtyja. Fundja, unë isha çun i ri (në atë lagje). Megjithatë, se nuk e mbaj dot, habitesha pak me heshtjen e tyre dhe, ndërkaq, po ashtu, me gojtarinë e rrallë të kandidatit për deputet. Për më tej, megjithë këmbënguljen e tij, në asnjë rast nuk po e ‘kapja’ dot thelbin e bisedës dhe, ca më pak, këtë punën e inicialeve dhe të simboleve me të cilat arnonte çuditshëm disa nga emërtimet që pothuaj vetëm ai i kuptonte. 

Ani, s’e bëra veten; po dëgjoja. Deputet tjetri, do t’i japë tryezës pamje, frymë intelektuale. E fundja, mesvakti nuk po shkonte edhe aq keq; as biseda. Edhe pse zhegu përcëllonte, jashtë edhe brenda, z. Ylber po e drejtonte takimin në hullitë që duhej. Ai qe vërtet një muhabetçi i mbaruar. 

-Ja, le të marrim Luftën Nacional-Çlirimtare, – tha pas një çikë. – Kundërshtarët tanë e nënvlerësojnë atë. Lufta Nacional-Çlirimtare, VFLP, ajo i solli popullit lirinë. 29 nëntor 44. E kape?

E, këtë herë e kishim ‘kapur’ disi. Në fakt, gjëra të tilla ne nuk i dinim krejt mirë; mbase edhe i dinim, i kishim dëgjuar, por që po na i kujtonte edhe deputeti, s’kish ndonjë të keqe. Mirëpo, nga lufta ai shkoi te municionet; ashtu erdhi filli:

-Kisha një revolver, TT 12 741. Epo, që ta dini ju, e shkreha njëherë, në një miting… Ja, e them hapur unë, jam pak nevrik.

Nevriku Ylber po tregonte shenja që ish bërë dhogë tashmë. I qe trashur gjuha dhe vërtet që po e tepronte me kapërcimin nga njëra temë në tjetrën. 

-Ne do luftojmë çdo abuzim, – e ngriti dikur zërin dhe gotën. – Por konspiracionet s’i hamë ne. Ndërrova unë makinën? Më parë kisha një benz Tr/A 24 52, tani mora këtë Audi 5 Tr/ A 279. E kape? Po u rri goja njerëzve! Pse e ndërroi makinën ky… Se ky kishte atë benzin Tr/A 24 52 ashtu 25, jo mirë e kisha 52… po ky si e mori këtë makinën tjetër Audi 5 299 jo 289, domethënë 279… Ja, ky e di më mirë, – tregoi me dorë shoferin, që gjithashtu ishte bërë karroqe.

Çunat e lagjes kishin filluar t’i hidhnin vështrime njëri-tjetrit; por prapë s’e jepnin veten. Ndërkaq, Kandidati s’pushonte së piri e së foluri:

-Ca biçimër i thanë të dashurës sime, A. K., që ky ashtu dhe kështu… Për mua de, e kape?

Uau! Iku kandidati për deputet; po hynte në tema intime.

-Se e dashura ime kishte një floktore. E kape? Këtu, te rruga “Myslym Shyri”, 25 810.  Ashtu. Këto lëndët e para ia siguroja unë. Se tani, edhe pak tregti do ta bëjmë ne, apo jo? Epo ishte njëlloj kremi, dale si e kishte, hë, Top notch E J 18, viti i prodhimit 4014, jo 2014, jo e tetëmbëdhjetë… 

Zhegu nuk po pyeste për birrat që piheshin. Pas një copë here, ne, çunat e Lagjes, e morëm kandidatin për krahësh e për këmbësh dhe shkuam ta hidhnim në makinë. Ai vazhdonte të mbante fjalim e t’i shoqëronte fjalët dhe termat me iniciale dhe simbole:

-I thashë Kryetarit, kalojeni Ministrinë e Shkencës dhe të Arsimit MSHA, jo të Arsimit dhe të Shkencës, MASH, në godinën ngjitur, Rruga e Durrësit 90 12 dhe këtu bëjmë ndonjë biznes… T’ëmën, sa paskemi pirë! Sepse, një gjë është e qartë: Kur ti përdor shumë kripën, NACL, apo jo…

Obobo, filloi nga e para! Se tani vinte radha për VFLP… Ndërkaq, shoferi i tij, shkërdhata, vazhdonte të zbardhte dhëmbët: “Shefi ashtu…” “Shefi, kështu…”

Zot! Po ne, çfarë po bënim ne nëpër atë zheg? Duke u kujdesur për atë farë burri. Duke dëgjuar si budallenj marrëzira… Po më vinte shumë keq për çunat e lagjes. Edhe për veten, doemos. Se nganjëherë mendoj seriozisht për jetën. Lexoj edhe ndonjë libër.

-Kush e kruan me mua, e ha, – deklaroi kandidati për deputet dhe s’dëgjonte të futej në makinë. E sqepin nuk e mbyllte – Jo për gjë, por që ta dini: Më bënte dëngla njëra, aty tek Avokati i Qytetarëve, AQ… 

Më në fund, dera e makinës u mbyll. Por ai jepte e merrte edhe nga dritarja e hapur:

-Do përmiret… përmirë… sohet ele furnizimi i popullatës me ujë, H2O.

Ç’ditë, o Zot! M’u dhimbsën fort çunat e lagjes. Më erdhi vërtet shumë keq… Dhe zhegu piqte.

Pak hije, të lutem!

Exit mobile version