Kreu Letërsi Bibliotekë “Një grua në avionin e kujtimeve të mia”, tregim nga Arben Velo

“Një grua në avionin e kujtimeve të mia”, tregim nga Arben Velo

Një grua me një fëmijë për dore, la pas pikën e kontrollit të aeroportit të Venecias. Ndriçimi i mjegulluar, që depërtonte nga dritaret e portës së daljes, iu veshi siluetat. Jashtë, pushtetin e kishte bora

-Zot, përse.?- pyeti gruaja

 -Sa shumë borë!- tha fëmija

– Pse s’më le ta shihja për herë të fundit-mori frymë thellë gruaja

-Cilën, borën?- pyeti fëmija

Gruaja nuk iu përgjigj. Vetëm psherëtiu. Nga shkallët, të dy, përfunduan në sallën e qëndrimit, e fundit para hipjes në autobusin që të dërgon në derë të avionit.

 Diçka i pëshpëriti fëmijës, ndërsa ai heshti. I mituri u ul në ndenjëse, ajo qëndroi në këmbë. Jashtë, në pistë, avionët ngjanin me ca buaj që shkrofëtinin. Çuditërisht nuk nxirrnin avuj nga trupi.

Gruaja i ra përqark sallës, duke mëshuar hapat mbi dysheme, aq sa krijonte një zhurmë, sikur të vinte jo nga ai parket, por nga parketi i hirtë i natës.

 Kisha shëtitur gjithë ditën në Venecia. Hezitoj të rrëfej hollësira nga ajo shëtitje, duke e ditur se nuk do të ndalja së treguari mbresa, bukuri dhe veçanti nga ai qytet i mahnitshëm, të cilat po përpiqem ti mbaj për ti rrëfyer herë tjetër. Veçse nuk më rrihet pa treguar për një grua që mbante prej dore një fëmijë. E gjitha veshur me ngjyrë të zezë, vetëm ecte e lëvizte nëpër një sallë pritjeje, pa e lëshuar nga dora fëmijën, Ky i fundit, ishte veshur, me kostum sportiv, atlete dhe xhiboks ngjyrë bojëqielli. Nisi të më bjerë më shumë në sy, atëherë kur orari i avionit ndryshoi, dhe u shty me një orë, në tabelën e njoftimit. Nga ora 18 00, shënoi orën 19 00. Mënyra se si e vështroi fëmijën, pastaj tabelën, pastaj sërish fëmijën dhe me një pamje të veshur me dhimbje, habi, dhe inat njëkohësisht, por mbi të gjitha se si lëshoi një “aahhh” nga goja e saj, aaahh, i cili u pasua nga ofshama e pasagjerëve të tjerë të pranishëm, gati më detyroi të ndiqja veprimet e saj. Befas ra sinjali i alarmit të derës së emergjencës. Një nga punonjëset, , dukej nga kostumi i shërbimit që kishte veshur, vrapoi te dera, stakoi sinjalin, dhe hodhi vështrimin nga gruaja. “Mos e bëj prapë veprimin”, ishte përkthimi i vështrimit të vëngër. Jashtë bora xixërinte nëpër flakëzat e llampave ndriçuese sidomos të pistës së aeroportit.

Nuk po arrija të lexoja çfarë po ndodhte brenda asaj gruaje. Nisa ta imagjinoj se si e përpinte në një gotë atë mbrëmje dhe pastaj mundohej të shtrëngonte nofullat duke mos treguar shijen që kishte ajo errësire e përzier me borë. E shihja teksa qëndronte gojëlidhur, e përfshirë nën peshën e një padurimi, më bëntë çudi mënyra e të ecurit nëpër sallë, ngutshëm, ethshëm, përzier me nervozizëm pse jo dhe me dhimbje. Përherë i drejtohej këndit të majtë të sallës së pritjes dhe që andej kthehej po vrullshëm, përballë vendit ku qëndroja unë. Sa herë gjendej te ai kënd i majtë i sallës, atje ku bashkoheshin dy mure, një flakëz drite, përzier me tis mjegulle, i binte mbi flokët e zeza. Ai ndriçim fitili flakëze, kthente flokët në një kupolë mermeri të zi. Mes ecejakeve, që nuk përfundonin, në asnjë moment, kur ajo lëvizi në të kundërt të tabelës, i ktheu pra shpinën asaj, isha unë që u shtanga. Ndoshta, i pari pashë se orari i nisjes së avionit, ndryshoi sërish. Edhe pse fërkova sytë., për ti mbushur mendjen vetes se e kisha parë gabim, orari i fluturimit nga 19 00, shkoj në 23 00.

Pa e mbledhur veten nga ai ndryshim, që përkthehej, pritje rraskapitëse, nisa të shaja kompaninë e fluturimit nëpër dhëmbë, kur….aaahhh-u i saj u kthye në ulërimë. Aaaaaaa.. Alarmi ra sërish, Fëmija u tremb dhe gati nisi të qante. Në sallë, njerëzit u shtangëm. Nuk jam në gjendje të përcjellë atmosferën e krijuar. Vetëm mund të them që nga ajo ulërimë, u shuan flakëzat e ndriçimit në pistë dhe kudo rreth aeroportit, Nata shtrëngonte nofullat e qëndronte gojëlidhur nga ajo thyerje e shuarje drite Bora nën një gjysmë ndriçim , ngjante me një çallme të bardhë që e kishte hedhur mbi krye errësira .Ndërsa avionët e parkuar në pistë, tundeshin e zgjoheshin nga ajo dremitje buajsh. Brenda kokës time, nisi të ndriçonte një gjysmë hëne e munguar, e cila në vend të dritës, , lëshonte një xixërime flakëze pyetjesh të befta. Cfarë po ndodh? Çfarë është kjo?

-Zot përseee?-ulëriti gruaja

 -Mami çpo ndodh!- pyeti fëmija

– Pse spo më le ta shihja për herë të fundit-Pse po më lë këtuuuu!

-Kë do të shikoje borën? Kush po të lë ?-pyeti fëmija

 Punonjësja e shërbimit në aeroport, gati duke hungëritur, vrapoi drejt daljes se emergjencës dhe stakoi sërish sinjalin që binte pa reshtur.

 Ulërima jo vetëm kishte shuar dritat, zërat sharjet, mllefet, por dhe kishte ndezur hamendjet, pyetjet përsetë te secili udhëtar, Të gjithëve na ka ndodhur. E dimë çdo të thotë të ngujohesh me orë, pasi ke marrë vulat në pasaportë, je përballë portës së daljes për të shkuar me autobuz drejt avionit, dhe kur të vjen mandata se ende duhet të presësh, për shkaqe teknike, merreni me mend. Për atë grua, ai ndryshim orari, duhej të ishte më shumë se kaq.Po dridhej, qante dhe lutej. Bashkë me të ëmën, dridhej e qante edhe fëmija.

Nuk dija sa sy njerëzish bëheshin në atë sallë po ti numëroje. Asnjë gojë nuk pipëtinte. Jashtë bora luante indiferenten me pritjen tonë. Ndërsa brenda gruaja qante e ngashëryer. Nga kupa e qiejve, jashtë binte borë. Në dyshemenë e sallës pikë, pikë binin lotë nga kupat e syve të saj. Deri në orën njëzetë e dy e tridhjetë as bora dhe as gruaja nuk dinin të reshtnin. Vetëm kur u hap dera e imbarkimit, një erë e beftë e fortë, i ktheu xixërimat e borës, si kurrë ndonjëherë, në flakëza të çuditshme, që dilnin nga goja e errësirës. Ato arrinin të futeshin brenda llambave ndriçuese të pistës dhe aeroportit, pastaj brenda shkulmave të erës, pastaj brenda nesh, mes përmes avionit që tundej në pistë, ende pa u nisur.

“Bëni kujdes”. Ishte zëri i stjuardesave në dy hyrjet e fluturakut të metaltë

-O zot, bërtiti një grua, në fund të shkallëve lëvizëse. Ç’po ndodh kështu.?

 – Çne kjo furtunë e papritur, kujdes fëmijët”- u frikësua një zë nëne. Njerëzit po mblidheshin e shtyheshin kush e kush të futej më parë. Mes tyre edhe ajo grua me fëmijën. Pas gjithë asaj tollovie, e cila zgjati shumë pak, situata duket se u qetësua. Udhëtarët, po zinin vendet. Ende në fytyrat e tyre lexohej frika. Gruaja dhe fëmija u ulën në sedijen nr. 23 B dhe E. Unë një radhë më pas, 24 C. Avioni ulëriti këtë herë në hyrje të pistës. Nisi të ngrohte motorët duke kalitur fuqitë për të vrapuar mes reve të borës dhe qiejve. Dhe ky proces vazhdoj për gjysmë ore.Pastaj u shkund, mori shpejtësi dhe u ngrit në ajër. U dëgjua më pas zhurma e mbylljes së rrotave. Gruaja shihte akrepat e orës dhe më buzën që i dridhej, pëshpëriste e pëshpëriste, ngashërima e lutje bashkë. Befas , teksa vijonte marrja e lartësisë, diçka kërciti në krahët e fluturakut.Ishte ora 24 00.Mes motorëve hyri një shkulmë e madhe ere përzier me borë. Ngjante me një shpirt të bardhë njeriu, i cili, endej gjithë ditën poshtë në tokë, dhe në mesnatë, merrte lart qiejt. I kthyer në një shkulmë dëborë, e bardhë fluturonte në pafundësi. Dhe gjatë këtij fluturimi , na kishte gjetur e takuar në atë avion, në atë pikë të qiejve, . Avioni nisi të dridhej fort dhe gjithë udhëtarët, përfshirë dhe mua, i zuri paniku.

 “Po kalojmë mes turbulencave, të paparashikuara. Ju lutem qëndroni lidhur në sedilet tuaja, derisa kapiteni të heq shenjën e kuqe të rripave të sigurimit”, u përcoll nga altoparlanti zëri i shqetësuar i stjuardesës.

 O zot.. ..! O shpirt, gati bërtiti me zë të lartë, gruaja

 -O nëna ime, që nuk të putha dot dot për herë të fundit!

 Shkulma e erës e mbushur me borë e aromë të çuditshme u fut brenda avionit duke krijuar gjëndje të pakuptueshme. Mund të them se rashë në një gjendje që nuk e shpjegoj dot.Njësoj si dikur kur isha fëmijë , Dhe një ditë mes etheve të forta, nga një sëmundje që se mora vesh nga më erdhi, më ra të fikët pranë arqes prej druri të gjyshes time.Dimër dhe verë, ajo mbante aromë molle. Njësoj si atë ditë, brenda asaj kllapie sugjestionuese , të krijuar nga ajo shkulmë ajri me aromë të çuditshme, që sdi se si u fut aty në avion, unë u gjenda në një kopësht me bar jeshil, të korrur bukur, ku një puhizë ere, çelte lule të bardha edhe në ajër.Nuk kisha peshë. Kur ecja, gati fluturoja. Isha zvogëluar e kthyer një fëmijë i vogël, që e mbante prej dore një nënë, Këtë radhë e veshur me çitjane shumëngjyrëshe që çuditërisht, ngjante me gjyshen time Mbaja veshur, një kostum sportiv pambuku, atlete dhe xhakavento ngjyrë bojqëqielli. U nisa nëpër një rrugë kalldrëmi, dhe iu shpërndaja njerëzve, ca gjethe hardhie, mbushur me reçel molle, përgatitur nga dora e gjyshes time. Një moment gjethet më ranë në tokë, I rrëmbeu një shkulmë ere e cila pasi i mbështolli rreth vetes, u nis në hapësirë, duke u fashitur ngadalë nga faqet e mia. Nuk di se ku gjeti rrugë, në atë rrugicë kalldrëmi, për të ardhur aq shpejt dhe ikur po me nxitim, njësoj si ajo shkulmë ere ardhur dhe njëkohësisht ikur në mënyrën më të çuditshme nga barku i avionit.

“Zotëri, çfarë dëshironi të shijoni”, pyeti një zë i ëmbël. Ishte stjuardesa.

U përmenda.

“Nuk ka mëëë…?” pyeta i habitur..

“Ka ujë, kafe, pije freskuese, çaj”, u përgjigj ajo

“Ujë dhe kafe ju lutem”.

Hodha vështrimin përpara ku qëndronte gruaja me fëmijën.

Ajo vijonte të dëneste, ndërsa përpiqej të ndante në dy pjesë, një mollë. Unë ndihesha i trazuar. Ndjeja brenda vetes vorbulla si prej ere përzier me borë. Avioni po udhëtonte drejt aeroportit të Tiranës.

Exit mobile version