Kreu Intervista Niels Hav: Vdekja është Tabu

Niels Hav: Vdekja është Tabu

Përkthyer nga Kujtim Morina

Më thuaj, si e shikoni poezinë në jetën e përditshme?

Të mos kemi pretendime, jeta është një cirk brutal, shpesh jemi të rrethuar nga katastrofa më të mëdha ose më të vogla. S’ka nevojë ta dekorojmë këtë me poezi dhe metafora. Ne të gjithë luftojmë kundër çmendurisë së zakonshme që kërcënon të pushtojë jetët tona  dhe të përmbysë universin, ndërkohë që lumturia shkon dorë për dorë me brengën dhe mjerimin, monstrat brejnë vazhdimisht derën e qilarit dhe fëmijët vallëzojnë nëpër rrugë me pritshmëri të forta. Këto elemente janë kushtet normale për poezinë. Ja ku jemi, ky është dheu ku rritet poezia.

Çfarë mendoni se duhet të jetë qëndrimi i poetit për problemet sociale, luftën, mjedisin, varfërinë, ekonominë, etj?

Të shërbyerit është kundër natyrës së poezisë. Ky nuk është obligim, por poeti natyrisht duhet të jetë i përfshirë në problemet aktuale për aq shumë sa mundet, si të gjithë qytetarët e tjerë. Nëse shkrimtari dëshiron gjithashtu të përfshijë edhe poezinë e tij, kjo varet nga fokusi, talenti dhe mundësitë. Letërsia kurrë nuk mund të jetë agjitacion, në thelbin e saj poezia refuzon çdo kapje për fyti. Poezia para së gjithash duhet të jetë art, kjo është një çështje për jetë a vdekje. Por pastaj në poezinë e mirë mbi çdo lloj teme gjithmonë do të ketë nënrryma humanizuese- të shprehura ose të nënkuptuara- një angazhim kundër shfrytëzimit social, dhunës dhe të gjitha llojeve të së keqes politike apo shkatërrimit të natyrës dhe planetit.

Çfarë mendoni për kultin aktual të shëndetit dhe trupit që paragjykon njerëzit të cilët kanë preferencat dhe zakonet e tyre në botë? Cigaret, alkoli, etj.

Vdekja është tabu. Shëndeti fizik duket të jetë feja zyrtare me trupin si një tempull për adhurim. Shpresa për një nirvana tokësore dhe një lumturi të përjetshme është një iluzion laik. Një fantazi e brishtë, ja pse misionarët duhet të jenë kaq fanatikë. Le të bashkëjetojmë me to dhe të shpresojmë se asketizmi dhe heqja dorë nga dëshirat personale dhurojnë jetë të amëshuar. Fatkeqësisht, kam frikë se jemi të gjithë në një mision vetëvrasës.

Si mund ta zbulojmë që dikush e ka këtë “sëmundje të lemerishme” siç e kanë quajtur poezinë? Cilët janë simptomat që e karakterizojnë?

Disa nga miqtë e mi janë shumë të tronditur rreth këtij formulimi, jo të gjithë poetët janë të pajisur me një sens humori. Por fakt është që pasioni ynë për poezinë është një neveri e tmerrshme, ne e kalojmë kohën duke gjuajtur fjalë – shpesh unë neglizhoj të bërit e gjërave më të dobishme me qëllim që të vras mendjen për misteret e jetës, me shpresën e kapjes së një mendimi apo artikulimi në fluturim. Simptomat janë të shumta, ne jemi antisocialë, dhe shpesh ndërmjet një vështrimi të hutuar dhe aktiviteti të ethshëm. Pak vetëironi është e nevojshme.

A besoni se poezia duhet të përqendrohet tani më shumë në jetën e përditshme, duke lënë abstraksionin e ideve të mëdha?

Çdo poet duhet të gjejë rrugën e vet në rrjedhë dhe ai që shkruan për çfarë i ndodh atij natyrisht në rrjedhën e jetës së përditshme kaotike, është në gjurmë të mira. Detyra e poezisë është jeta e përditshme por unë nuk besoj se poezia duhet të heqë dorë nga ndonjë gjë dhe kuptueshëm idetë e mëdha janë të nevojshme për të na udhëzuar në këtë epokë të konfuzionit elementar. Çfarë s’më pëlqen është kur poezia noton në sentimentalizëm abstrakt konvencional pa kontakt me realitetet e luftës për jetesë të njerëzve të zakonshëm. Liricizmi personal dhe emocionalizmi i pakontrolluar shpesh rrezikon ta mbysë poezinë.  

Çfarë mendoni për rolin e institucioneve shtetërore në zhvillimin e kulturës, roli i shtetit për shkrimtarin dhe i shkrimtarit për shtetin?

Është e shëndetshme për poezinë- por mbase jo për poetin- të qëndrojë në opozitë ndaj institucioneve politike dhe atyre në pushtet. Disa regjime e keqkuptojnë gjendjen dhe iu ofrojnë poetëve dhomë falas dhe ushqim në burg. Shumë bujare dhe plotësisht idioteske. Është detyra e poezisë të jetë kritike ndaj qeverisë dhe detyra e shtetit të mbështesë dhe mbrojë artin dhe kulturën, financiarisht dhe në çdo mënyrë të mundshme. Një shoqëri e shëndetshme ka nevojë për një dialog kritik. Udhëheqësit dhe politikanët e mençur e kuptojnë këtë. Kur libri “Les Fleurs du Mal” (Lulet e së Keqes)  u botua, Sharl Bodler u zvarrit në gjykata dhe u akuzua për imoralitet dhe blasfemi. Kush ishte perandor apo president i Francës në atë kohë? Askush nuk e mban mend, politikanët rrëshqasin prapë në zonën e hijes ndërkohë që libri i Bodler qëndron si një kryevepër.

Çmendoni për kontributin e promovimit të kulturës në përmirësimin e një kombi?

Arti nuk duhet të mbështetet vetëm në një nivel kombëtar por edhe qytetet, rajonet dhe bashkitë duhet të kontribuojnë në mbështetjen e artit dhe kulturës. Bibloteka të mira publike, salla koncertesh, teatro, galeri arti, dhe të gjitha institucionet e tjera arsimore me radhë, janë për rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Kjo i forcon komunitetet dhe kontribuon në një klimë biznesi të shëndetshme dhe tërheqëse dhe kështu qytetet, rajonet dhe kombet do të lulëzojnë. Kultura është një investim i mirë. Gabriel Garsia Markez ndoshta kontribuon më shumë për GNP (prodhimin e brendshëm bruto), për lumturinë dhe mirëqenien në Kolumbi sesa shumica e lordëve të drogës.

Cilët autorë ju kanë ndikuar?

Një prej poetëve të parë që ka pasur ndikim tek unë ishte Pablo Neruda. Kur isha adoleshent, pashë një program portretizues me të në television dhe u godita nga një ëndërr ngacmuese. Doja të bëhesha poet. Biseda jonë këtu më kujton rëndësinë e Nerudas në trurin tim të ngatërruar, ai është një mik i vjetër i njohur. Mjeshtër i madh, ai është unik. Në të njëjtën kohë, ndesha Dostojevskin në një libër shkolle. Por janë dyzina autorësh të tjertë që kanë ndikuar tek unë, çmoj Tomas Transtromer, Cezlav Milosh, dhe Elizabet Bishop dhe nëse duhet të përmend disa emra danezë, ata mund të jenë Per Hojholt dhe Peter Seeberg.

A keni lexuar ndonjë autor kolumbian? A i vlerësoni autorët e gjuhës spanjolle? A keni lexuar ndonjë autor bashkëkohor?

Letërsia e Amerikës së Jugut shpesh vjen në Danimarkë me vonesë. Aktualisht po lexoj me kënaqësi romanin e fundit të Roberto Bolanos: “2666”. Kam lexuar disa prej poezive të tij të cilat gjithashtu i pëlqej. Kam një të metë që nuk jam në gjendje të lexoj spanjisht, është sporadike ajo që di nga shkrimtarët e kohëve të fundit. Ndërmjet klasikëve, çmoj Cesar Valejo, dhe Borgesin natyrisht. Kam shkruar një poezi për këtë të fundit dhe Xhojsin e cila huazon titullin nga Borgesi: Në Verbërinë e Tij.

Kujtoj Markezin. Gjithashtu Oktavio Paz, Albertin, Aleiksander dhe shumë të tjerë. Të mos harrojmë Julio Kortazar, për të cilin Neruda thotë: “Çdokush që nuk e lexon Kortazar është i paracaktuar të dështojë. Të mos e lexosh atë është një sëmundje e rëndë, e padukshme e cila në kohë mund të ketë pasoja të tmerrshme. Diçka e ngjashme me një njeri që nuk ka shijuar kurrë pjeshkën. Ai do të bëhet në heshtje më i trishtuar dhe ndoshta pak nga pak, do të fillojnë t’í bien flokët.” Fatkeqësisht pak është përkthyer Kortazar në danisht, ne jemi në zonën e riskut për të humbur flokët.

Cila është një prej fjalëve në danisht që e preferoni? (Lutem jep kuptimin në anglisht të fjalës dhe na thuaj për të)

Lëkundem ndërmjet fjalëve ømhed dhe sødme. Le të zgjedh sødme. Nuk është vetëm ëmbëlsia por që dikush ose diçka është duke të hyrë në zemër apo prekur me personalitetin, sjelljen apo pamjen- gjithashtu do të thotë një shije apo aromë e ëmbël. E çmoj kur njerëzit e kanë këtë cilësi.

Ka një paragjykim që i konsideron nordikët si pak të shprehur lidhur me afeksionin ndërpersonal. Çfarë mund të na thuash për këtë?

Si të gjithë paragjykimet, kjo ndoshta ka një të vërtetë të tmerrshme që përpiqemi ta heqim qafe por digjet brenda të gjithë skandinavëve- prapa një fasade të ftohtë- ka një zjarr të nxehtë që ulërin. Kështu që ki kujdes mos digj buzët, të lutem.

Në një shoqëri si juaja, në të cilën ka një përputhje mes shtetit dhe njerëzve, ku niveli i kulturës është nga më të lartat, një shoqëri qytetare dhe paqësore, ju si poet çfarë do të kritikonit për këtë sistem?

Tashmë edhe Shekspiri ishte i vetëdijshëm për të, diçka është kalbur në shtetin e Danimarkës. Dhe ende sot, jo çdo gjë është e përkryer. Së bashku me Bashkimin Evropian dhe pjesën tjetër të botës, jemi në mes të krize, administrata jonë aktuale ka një tendencë për t’ía shitur faturën të dobëtit dhe të varfërit dhe të transferojë fitimet tek të pasurit. Një Robin Hud i kundërt. Aktualisht ka një orvatje të pështirë për të minimizuar emigracionin e refugjatëve nga pjesët më të paprivilegjuara të botës.

Çfarë mendimi keni se një nga karakteret kryesore në veprat e Shekspirit dhe të gjithë letërsisë ishte një princ danez i quajtur Hamlet?

Një pyetje interesante. Shekspiri kishte një aftësi fabuloze për të gjetur lëndë për tragjeditë e mëdha dhe për të shprehur emocionet njerëzore me fjalë të thjeshta dhe të thella. Ai mund të ketë takuar danezë në Londër që i kanë treguar atij për princin mistik. Çmenduria e Hamletit dhe melankolia e Ofelisë- mbase mishërojnë veçoritë esenciale daneze por njerëzit kudo në planet gjejnë aspekte të vetes së tyre në këto karaktere. Jemi të gjithë të mbërthyer nga këto dilema të paepura: “Të jesh a të mos jesh, kjo është çështja”.

Në vendet e Amerikës Jugore, po marrim si rast Kolumbinë, ka një lexim prej 1.6 librash në vit për person, një shifër minimale krahasuar për shembull me leximet vjetore në vendet nordike. Megjithë këto tregues, ne kemi lexuesit dhe poetët tanë këtu, Kujt do t’ía atribuonit këtë që në këto shoqëri të varfra pavarësisht nga këta tregues, ekzistojnë lexuesit dhe poetët?

E di që realiteti kolumbian është i komplikuar dhe prapë ju keni lexues entuziastë dhe poetë të fortë që punojnë intensivisht për ta rishpikur poezinë dhe ridefinuar identitetin kulturor të Kolumbisë. Kam respekt për këtë. Shpresoj se qeveria juaj do të gjejë mënyrat për të mbështetur këto synime, veçanërisht në kombet me një poezi të tillë të pasur dhe diverse që mbase mund të përbëjnë një fenomen unik. Shpresoj që në të ardhmen të kem mundësinë të mësoj më shumë për poezinë kolumbiane. Ky kontinent ka një rëndësi në rritje në ekonominë globale, dhe letërsia e Amerikës Jugore mund të ketë shumë për të ofruar në vitet e ardhshme.

Në vende si juaji, ku shteti subvencionon njerëzit që i janë kushtuar letërsisë, dhe shkrimtarët marrin pensione, kultura është një alternativë. Kolumbia nuk ka diçka të tillë. Si do t’í inkurajonit të rinjtë që dëshirojnë të shkruajnë poezi në këto vende?

Mbase këshilla më e mirë për t’í dhënë një shkrimtari të ri në këto rrethana do të ishte të kryente vetëvrasje. Shumë prej nesh ndoshta e kanë konsideruar këtë mundësi por kanë ngurruar paksa. Një këshillë e imja: prit pak. Dil për një shëtitje, luaj me fëmijët, tako miqtë, puth kur të vijë shansi. Për më tepër, shkruaj, shkruaj, shkruaj më të mirën që mundesh. Mbase do të ndodhë një mrekulli që e gjitha kjo të mos shkojë më kot. Në çdo rast, kjo është e gjitha që mund të bëjmë. Le të përgjigjem me një poezi:

Nxitje

A nuk është një mendim shpresëdhënës
Që brenda disa dekadave, ne
Dhe e gjithë kjo epokë konfuze
Me presidentët e saj cinikë
Argumentet e bjerra
Prezantueset e spitulluara të televizionit, gazetarët mediokër
Dhe i gjithë kori jubilar kapitalist
Të ikin,
Për të gjithë kohën!
Ne do të zhdukemi
Ata do të zhduken
Unë do të zhdukem
Ju do të zhdukeni
Do të zhduket gjithçka
Urra!

Phenomenal Literature është një revistë e printuar gjashtëmujore kushtuar gjuhës, letërsisë dhe shkrimeve letrare. Është botim i Authorspress, Nju Delhi, Indi.
27 qershor 2024

Exit mobile version