Kreu Letërsi Shënime mbi libra Floresha Dado: Shkon eseja te letërsia apo letërsia vjen tek eseja?

Floresha Dado: Shkon eseja te letërsia apo letërsia vjen tek eseja?

Si ndodh ky kalim dhe ku qëndron thelbi i kësaj interference në eseistikën e Kadaresë?

Sigurisht fshirja, shpesh here e theksuar, e kufirit midis krijimit artistik dhe krijimit eseistik  është një dukuri interesante, në mjaft raste, edhe provokuese. Në teorinë e mendimit eseistik mjaft teoricienë (midis tyre kryesisht shkrimtarë), e kanë konceptuar esenë si lloj të veçantë letrar, larg shkrimit shkencor dhe publicistik. Kjo pikëpamje është mbështetur aq më tepër për atë lloj eseje ku mbizotëron figura artistike, trillimi i natyrës letrare, ku fantazia e krijimit dhe imagjinata e përjetimit janë dukshëm sipas stilit të letërsisë. Diskutimi i kësaj pikëpamjeje provokohet drejtpërdrejtë në disa prej eseve të Kadaresë. Intuita letrare në Autobiografia e popullit në vargje, Uragani i ndërprerë – Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, Dantja i pashmangshëm, Eskili, ky humbës i madh, Kushëriri i engjëjve etj., i kapërcen kufijtë e një interpretimi logjik, shkon drejt përfytyrimesh që vetëm fjala artistike mund t’i formësojë. Ligjërimi letrar bëhet, shpesh herë, aq mbizotërues në stilin e këtyre eseve, çka bën që pasazhe të veçanta të shijohen si letërsi e mirëfilltë.

Ese poetike, e llojit impresionist?

Struktura emocionale poetike, impresioniste, ndjehet pothuajse në tërësinë e konceptimit të esesë Autobiografia e popullit në vargje. Autori përjeton një poezi të madhe, që e mahnit në të gjithë elementet e  brendshëm dhe të jashtëm të saj, e përfytyron atë si “një “plotëri” të përgatitur për një jetë autonome, me ndjeshmëri që duket sikur rrok gjithë planetin, një kështjellë që është e përgatitur për një rrethim mijëvjeçar …  Në atë zhveshje të frikshme të planetit, e vetmja ajo, ishte e aftë të dyzonte jetën, pyjet, ujërat dhe fjalët që mungonin. Ishte më shumë se art dhe më e nevojshme se një brez shpëtimi  (f. 11).

Në imagjinatën e tij të jashtëzakonshme shkëndijon një lidhje, gati magjike, midis universit krijues popullor dhe përmasave të ndjenjës dhe përfytyrimit të tij poetik. Nëse pjesë të këtij korpusi gjigand i fanepsin atij pamje të jashtëzakonshme, ku “sheh” se Sytë e njeriut janë dy, pra “një palë”, rrjedhimisht, edhe lotët quhen ashtu, sikur të ishin vathë, sikur t’ishin bizhu, një palë lot, dyzet palë lot. Ç’dritë dhe ç’rrezëllim argjendi ka kjo e qarë dhe ç”trishtim të pafund. S’janë pesë, dhjetë, dymbëdhjetë palë lot, por dyzet  f. 45. , apo kur poezinë arbëreshe e ndjen të përkorë dhe fine, e përndritur nga lotët, e pandryshkëshme, si një grumbull brilantesh e stolish, ajo u shkund midis atyre shpirtrave të vrarë, duke marrë përsipër të bënte të pamundshmen, të kthente atë që dukej e pakthyeshme; të ngjallte Shqipërinë së vdekuri. Ishte ky një pretendim titanik që asnjë shkollë letrare, asnjë manifest kulturor s’do të guxonte ta merrte përsipër, por që ajo, e druajtura në pamje, e bukura, e përkora, arriti ta bënte. … f. 166-167.

Për një moment mund të hutohesh: është aty autori popullor apo interpretuesi i korpusit poetik? Është magjia e krijimit të jashtëzakonshëm popullor që zbulon eseistin, apo përmasat e imagjinatës së shkrimtarit janë ato që ringjallin, në një vizion dhe përjetim të ri, këtë botë figurash mahnitëse, duke i dhënë një rrezatim tjetër zbulues? Duket qartazi se shpesh autori “harron” që është në sferën e interpretimit dhe, pa dashur, i nënshtrohet pushtetit të intuitës artistike. Përshkrimi i lëvizjeve të personazhit historik, Skënderbeut, apo Migjenit etj., rendjet nga e shkuara në kohën e tashme, rindërtime të mjedisit dramatik, kombinimi i përshkrimit (në trajtë rrëfimi) me vargje të poezisë popullore etj., rrëfimi i ngjarjeve sikur eseisti ështu vetë i pranishëm, kombinimi me trajtën e kronikës së zhvillimit të ngjarjeve etj., jo vetëm krijojnë emocionet e një vepre letrare, por, nga ana tjetër, në shumë raste, japin imazhe të “drejtpërdrejtë” kinematografikë.

Disa pjesë të eseve të Kadaresë shfaqen edhe me ngjyrën e realizmit magjik, ku përzierja e detajit përshkrues me imazhet e trashëguara nga baladat e vjetra krijon atmosfera me ngjyrim të jashtëzakonshëm. Eseisti thyen kufijtë midis reales dhe imagjinares, midis të mundshmes dhe të pamundshmes. Skenat rrënqethëse u shkojnë baladave, ku përfytyrimet që krijon lexuesi mund të jenë nga më tronditëset, për të ardhur tek një nga alegoritë më të fuqishme që lëviz në esetë e tij. Tregim artistik ndërtohet brenda kufijve të esesë dhe në pasazhe të tilla ne shijojmë letërsinë! Eseisti na çon tek magjia përfytyruese që ka fjala në letërsi dhe, për një moment, gati harrojmë se jemi në ese. Pikërisht kjo mënyrë përjetimi ka bërë që shumë teoricienë ta konsederojnë esenë letërsi.

Cilat janë ato tipare të poetikës së brendshme që na çojnë, ndoshta pavetëdijshëm, në sferën e trillimit figurativ?

Ndërtimi i portretit me parime artistike

Në botën narrative të prozës artistike të Kadaresë kemi parë se forma e modelimit të figurave-personazh, lëviz midis kufijve të së zakonshmes, të pranueshmes dhe të panatyrshmes. Këto tre mënyra formësimi bëjnë që imazhi dhe lëvizjet e tij të duken herë të pranueshme, herë jashtë normales, dhe herë si alternim i këtyre dy mundësive.

Si lexues kemi pranuar se trillimi artistik, që formëson personazhet, është kombinim i së vërtetës dhe i dhunimit të saj. Madje letërsia na ka shpurë më tej: në perceptimin e figurave të krijuara  projektohet edhe trillimi ynë, ne ndjekim lëvizjet e personazheve, duke hyrë në iluzionin e një bote reale. Pa e kuptuar bëhemi “viktima” të iluzionit që na imponon autori. Lind pyetja: a ndodh ky proces përfytyrimi edhe në rastin e disa eseve, që i kushtohen ose figurave të letërsisë botërore, ose autorëve të huaj, ose shqiptarë? Eseisti ndërton marrëdhënie “të drejtpërdrejtë” me Eskilin, Danten, Migjenin, Konicën, Lasgushin etj. Duket sikur rindërton portretet  përballë pozimit imagjinar të tyre.

Është kjo lidhje një thirrje e brendshme, dëshirë për rindërtim të modelit, që synon ta ripërhapte te lexuesi modern i kohës së sotme? Është një vizatim i jashtëm, i ndërtuar me imagjinatën e vështrimit të tij, apo është një portret i çuditshëm : i dukshëm/i padukshëm, i brendshëm/i jashtëm, por që, gjithësesi, një mënyrë perceptimi me dritë të re?

Si përfytyrohet Eskili, i paparë në asnjë dokument e dëshmi historike? Portreti, që “sheh” Kadare, s’ka lidhje me pamjen e jashtme, por, si në një pikturë moderniste, i rikthehet imagjinatës sonë, për të provokuar përfytyrim të jashtëzakonshëm mbi përmasat e kësaj figure, e cila ka zotëruar shpirtin njerëzor prej shumë e shumë shekujsh. S’ka portret fizik, por portret të një shpirti të pazakontë, një ringjallje në përfytyrimin dhe veshin e lexuesit të sotëm të gjëmimit të botës së krijuar prej tragjedianit. Kadare zhytet në të padukshmen e së padukurës!

Portretizim i llojit të veçantë, sipas parimit të mbizotërimit të elementit të padukshëm, sa imagjinues aq edhe misterioz, i ofrohet lexuesit të sotëm mbi një nga figurat më të shquara, por dhe më enigmatike të letërsisë shqiptare, Lasgush Poradecit: Ai ishte i paparashikueshëm, gërryes si acid, i rrezikshëm, i beftë. E qeshura e tij ishte si e tejjetshme, pa gëzim, mërzitja e tij e papikëllueshme. Kështu e kishte edhe zemërimin, luksoz, të ftohtë, kurse përbuzjen, rrezatuese që larg, si të stolisur me argjendf. f. 97.

Në pendën e eseistit portretizimi edhe i Migjenit “zbeh” pamjen e njohur të jashtme, duke rindërtuar një portret tjetër, të brendshëm, në trajtën e trillimit letrar:

Portretit si imazh poetik

provokon një marrëdhënie të re me personin për të cilin shkruhet. Është parë foto e Ramize Gjebresë, partizanes së pushkatuar … por ç’lloj fotoje do të ishte ajo që do të mund të ngjallte në përfytyrimin e lexuesit figurën e magjishme, në bukurinë dhe komunikimet e saj, siç e përcjell eseja e Kadaresë? E vizatuar si legjendë e yllit të bukurisë, e zanës së maleve, princeshë flokëverdhë që kthehet në një farë elegjie kombëtare, ajo shfaqet në një përmasë tjetër; hidhen trakte për të – shkruan autori – nga kundërshtarët politikë, nga mbretërorët, nga nacionalistët, s’do të ishte çudi nga vetë gjermanët. Të gjithë e duan për vete. S’ishte komunizmi i përshtatshëm për qenie të tilla të epërme. Princesha ka gabuar kur është bashkuar me të Ismail Kadare, (Mosmarrëveshja mbi raportet e Shqipërisë me vetveten – sprovë letrare, f. 92)  Në këtë proces figurimi eseisti nuk përfytyron një personazh historik, real, por rindërton kuptimin, filozofinë që mbart fati i saj.

Parimi i kundërthënies

bëhet tepër i rëndësishëm në karakterizimet e autorëve të preferuar. Nëse Eskilin e karakterizon një enciklopedi e vërtetë e madhështisë dhe e marrëzisë, ai është sa i logjikshëm, aq dhe i palogjikshëm, sa tragjik, aq dhe grotesk; rindërtimi i portretit të brendshëm të Faik Konicës është përsëri mbi karakterin kontradiktor që shfaqi në jetën e vetë ky personalitet i letrave shqipe: … optika e tij është kundërthënëse. Ai është vetë rilindas e po vetë kthehet kundër rilindasve. Punon e digjet për Shqipërinë e, aty për aty,  i pëlqen të tallet me të tjerët që bëjnë të njejtën gjë. .. Përgjërohet për atdheun që ka larg, e mbron ku mundet, i del për zot kundër shpifësve e racistëve,  pastaj  kthehet  e shan, e quan Zululand ai vetë, më keq se racistët. Mund të thuhet kështu se është ai, vetë Konica që ngrihet kundër Konicës  (Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë, f. 16)

Plani krahasimtar, ku përqasja me figura mitike dhe të epikës popullore i jep një kuptim sa enigmatik, dramatik, por aq edhe madhështor figurave që bëhen objekt i esesë. Vështrimi tejkalon qasjen e zakonshme të një analisti letrar, duke i dhënë një madhështi të veçantë herojve të eseve. Duket sikur eseisti i ndjek heronjtë, për t’i ndalur një moment dhe për t’i bërë të vetëdijshëm se në thelbin e tyre ata mbartin diçka të jashtëzakonshme.

Portreti kolektiv, në të vërtetë gjallëron një imagjinatë tjetër origjinale. Analiza dhe sinteza e të menduarit logjik, krijojnë një raport interesant me lirinë e të menduarit, me personifikimin si perceptim letrar, gërshetuar me parimin e ndërtimit të kontrastit, këtë radhë në rrokje jo individësh, por një kombi të tërë. Është një karakterizim që vjen nga një përvojë shekullore, nga njohje të historisë kulturore, politike, morale, psikologjike, që nuk mbështetet në trillimin individual, por në sintezën individualetë njohjeve shumplanëshe. Intuita e interferencës së njohjes historike me kuptimin e asaj që është e bukur dhe e shëmtuar, kanë sjellë një nga përcaktimet brilante të popullit të vjetër të historisë dhe kulturës së Ballkanit: … grekët e vjetër nuk ishin vetëm të ndritshëm, të mençur e të mermertë, siç i shfaqen përfytyrimit shkollaresk e klasikegjant. Ata ishin sa të mençur, aq dhe të aftë për veprime të marrëzishme, sa të logjikshëm, aq dhe groteskë, sa të përmbajtur, aq dhe të ngutur dhe të padurueshëm. Vetanakë e kryekërcyer, sedërtarë, idhnakë e kokëfortë, kokëshkretë, grarrëmbyes, të besës për punë të mbara, por edhe të pabesë për prapësira, ata ngjajnë çuditërisht me njeriun ballkanas, sidomos ashtu siç ai mbërriti në shekullin XIX, kur ende gadishulli ruante një farë njëjtësie kulturore brenda kufijve të Perandorisë Osmane (Eskili … f. 145-146)

Portreti i fenomenit

Jashtë karakterizimit të bezdisshëm, përmes stilit politik apo gazetaresk, eseja e Kadaresë ndërton portretin e fenomenit, i jep “pamje”, “trajtë”, “ngjyrë”, e personifikon gati si një qënie e dukshme, me të cilën lexuesi duhet të ndërtojë patjetër një marrëdhënie. Ndonëse tema nuk i përket sferës së letërsisë, imagjinata e tij krijuese sfidon ligjërimin publicistik, duke preferuar stilin e ligjërimit letrar. Në esenë Nga një dhjetor në tjetrin duket sikur ka vizatuar portretin dramatik të një dukurie shoqërore, nuk është thjesht vëzhgim i vemendshëm i figurës, por një paralelizëm i hollë, midis thelbi dhe shfaqjes së dukurisë, një mënyrë e ndërtimit të figurës dhe e fenomenit.… Në rregjimet diktatoriale, fytyra dhe trupi japin shpeshherë më saktë se në çdo kohë atë që ndodh në ndërgjegje. Një bardhësi e panatyrshme, një lloj dhjami i veçantë, si të thuash optimist në fytyrën e zyrtarit (sidomos kjo vihet re në takimin e parë pas një farë kohe, pasi është ngritur në post), e jep më saktë se çdo gjë kalimin përfundimisht të njeriut në anën e rregjimit. Një ritëm tjetër në ecje, një mënyrë e re e uljes në tryezë, e ngritjes, e shqiptimit të fjalëve: e po ç’kemi gjë shokë etj., dëshmon të njejtën gjë25. (f. 140)

Në esetë, ku në themel është një portret, detaji individual i figurës-personazh, është mjeti themelor i portretizimit. Kurse në portretin kolektiv parimi i detajit individual është i pamjaftueshëm, ai kërkon sfera të tjera: nga hapësira, koha, realja, metafizika etj. Kjo bën që edhe ky lloj portreti të jetë më shumë ide se sa materie, të jetë më shumë përfytyrim se sa prekje. Kur eseisti shkruan: Ngritja e njeriut mbi dy këmbë, kjo shkëputje e tij madhështore nga bota e kafshëve dhe lëvizja e tij ndryshe, quhet, me të drejtë, si shkalla e parë e ngjitjes së këtij princi të planetit drejt fronitKushëriri i engjëjve, f. 10) lexuesi nuk përfytyron thjesht balerinin e famshëm, por “sheh” konturet e një arti të jashtëzakonshëm, sheh një imazh pa emër, një moment magjik, që i referohet jo vetëm individit, por potencialit artistik të njerëzimit. Eshtë e jashtëzakonshme imagjinata e zbërthimit të këtij arti, e padukshmja ndërton të dukshmen. Duket paradoks ky pohim, por mënyra se si e ka ndërtuar Kadare i jep kaq dritë procesit të formimit të portretit, ve në lëvizje imagjinatën krahasuese midis mjeteve artistike që përdorin dy arte të ndryshme: letërsia dhe vallja.

Portreti-tablo mbi një realitet të imagjinuar është “i gatshëm” për konceptim kinematografik. Duket se mbi bazën e tragjedive të lexuara, si dhe përfytyrimit që ka ngjallur tragjediani i madh, eseisti ndërton atë çka nuk është parë dhe nuk ka ekzistuar kurrë. Skena të gatshme për skenar filmi artistik, ku spektatori do të shohë mjedisin, një personazh, sa real aq edhe mitik në përmasat e imagjinatës së tij dramaturgjike. Karakteri analitik dhe shtrirja e ngjarjeve, tek eseja, kthehet papritur në një mënyrë sintetike të përgjithësimit, ku imagjinata detyrohet të rrokë njëkohësisht pamje, veprime, marrëdhënie, të dukshme dhe të padukshme, të rrokë thelbin e një korpusi të tërë krijues. Regjisori do ta kishte pothuajse të gatshme skenën e konceptimit të një filmi ( Eskili … f. 10-11)

Marrëdhënia me objektin e esesë

Dihet se në letërsi kalimi nga hapësira e trillimit të shkrimtarit tek ajo e receptimit të lexuesit bëhet përmes gjallërimit të iluzionit. Por, edhe tek esetë e Kadaresë objektet, ndonëse janë personazhe të letërsisë, ose persona realë, shfaqen më shumë si imazhe artistike, me trillime tiparesh dhe veprimesh në mjedise të ndërtuara sipas imagjinatës së eseistit, i cili rikonfiguron persona realë dhe gjallëron imazhin e tyre tek ne.

Nëse “shohim” personazhe që eseisti i merr nga letërsia, si Hamletin, Don Kishotin, apo persona realë si Angjelin Perlocaj, Omer Kaleshin etj., kjo ndodh sepse marrëdhënia që ndërton me objektin e vet nuk është thjesht përshkruese, por një raport që kalon përtej individuales. Prandaj për eseistin nuk ka rëndësi të përcjellë në vizionin tonë përshkrim dhe sintetizim tiparesh, siç ndodh në formësimin  e  figurës-personazh  në  letërsi,  por  të jape filozofinë e momentit, të situatës së veçantë, të një lëvizjeje apo detaji të vetëm. Thelbi i marrëdhënies së eseistit me objektin e vet, në dallim nga letërsia, është zhbirim në atë që ka ndërtuar dikush tjetër, për të përcjellë një kuptim të ri, të pathënë më parë. Ndërsa në letërsi, secili prej nesh realizon lirinë e përfytyrimit, sipas aktit të vet iluzor, në rastin e esesë zbulohet një specifikë tjetër e marrëdhënies së autorit, sepse personi, objekti për të cilin ai shkruan, nuk është trillim i tij. Personazhet e veprave, që interpretohen nuk janë krijime të Kadaresë por në esetë krijohet një marrëdhënie e re. Ata rishfaqen në një qasje origjinale me përmbajtje të reja, thellohet thelbi i padukshëm  i  tyre,  sipas  mënyrës  së  shikimit  vetiak. Në një kuptim, esetë i ribëjnë personazhet.

Letërsi përmes letërsisë

Tek esetë, që e kanë objektin nga fusha e letërsisë, shpesh herë Kadare ndërton një strukturë të re krijuese, për të realizuar një strukturë të re kuptimore: thuret letërsi mbi letërsinë! Huazimi nga proza i formave rrëfimtare e kthen rrëfimin dramatik në ligjërim prozaik tek eseja Eskili, ky humbës i madh: apo merr rolin e bashkautorit të tragjedisë, duke propozuar në strukturën e esesë një skemë të re: Ky është shënimi që duhej të hapte “Orestian”… Nëpër njerën portë do të hyjë duke shkelur mbi qilimin e purpurt mbreti Agamemnon. Interpretimi i tragjedisë Orestia i ofron lexuesit të sotëm skena të rindërtuara, “të dukshme”, por përsëri me ligjërimin dhe stilin e një vepre letrare. Duket sikur kemi të bëjmë me një vepër të re. Sigurisht kjo teknikë artistike nuk është qëllim në vetvete, por i tërheq emocionet e lexuesit për t’i çuar në një botë tjetër përjetimesh, më të drejtpërdrejta, rreth problematikave aktuale të realiteteve njerëzore të shekullit të fundit, deri në ditët e sotme. Kështu, mbi tragjeditë e antikitetit kompozohet një shtresim kuptimor i ri, mbi një vepër sikur krijohet një vepër tjetër. Transformimi i një gjinie letrare (e stilit dramatik në stilin rrëfimtar të prozës), apo e analizës interpretuese me një pamje të re të skenës së tragjedisë, ndonëse në vështrim të parë mund të dukej si “cënim” i natyrës ligjërimore të tragjedisë, vjen plotësisht i justifikueshëm në kontekstin e thelbit dhe llojit të esesë.  Parimi i përqasjes, i kapërcimeve kohore dhe hapsinore, i llojeve të ndryshme që lëvrojnë dy autorët: njeri tragjedi, tjetri ese mbi këtë tragjedi, krijon, përsëri një shenjim tjetër në botën e krijuesit shqiptar.  Lexuesi  i vemendshëm i eseve te Mëngjeset në kafe Rostand futet në strukturën e re kuptimore të kësaj përqasjeje, të këtij “dhunimi” të tragjedisë së Shekspirit, për të kuptuar situatën emocionale, por tashmë të shkrimtarit Kadare.

Identifikim me autorin e trajtuar

Ndodh në mënyrë të padukshme, në nëntekstin e brendshëm. Ndodh, sepse eseja në korpusin krijues te Kadaresë nuk është dëfrim stilor, nuk është kuriozitet intrigues, por është një dhimbje, një dramë e përgjithshme, kombëtare apo edhe universale, është një dashuri apo një ngazëllim, është reflektim i brendshëm, është një thirrje … Kur objekt i reflektimit eseistik është një autor, shqiptar apo i huaj, apo edhe një personazh letrar, ata nuk janë zgjedhur rastësisht; diçka e brendshme i ka sjellë tek eseisti, se fije të fatit apo brengave të  tij  duket  sikur kanë gjetur një qoshe brenda filozofisë që mbartin ata krijues të shpirtit njerëzor. Pa e kuptuar, eseisti identifikohet me ta, dhe, në mënyrën më të dukshme, përsëri ndërton skena, momente të jetës së autorëve të preferuar, për t’u bërë bashkë…Është imagjinatë e përfytyrimit të botës shpirtërore të tragjedianit të madh, Eskilit, apo është gjetja e vetvetes, apo maskimi i vetvetes, apo pohim i vetvetes, nga ana e eseistit? Apo është një shqetësim i madh, të cilin, disa vite pasi kishte botuar esenë kushtuar Eskilit, do ta shprehte më ashpër në ese të tjera me problematikë sociale, politike etj.?

Fjala dhe imagjinata përfytyruese

Në esetë kushtuar objekteve nga sfera e letërsisë, autori ndërton skena, situata të imagjinuara, që më shumë se sa pamjen reale i japin jetë jehonës, zhurmës së asaj për të cilën  shkruhet,  duke  e   bërë  aspektin  auditiv,  në një kuptim, “të dukshëm”. Vizualiteti i krijuar nuk ka të bëjë me bollëkun e detajeve të përshkrimit të jashtëm e të brendshëm, por me peshën që merr fjala në realizimin e abstragimit, në gjallërimin e fantazisë, në gjetjen e formës konkrete emocionale të figurës. Fjala realizon njëkohësisht  pamjen dhe tingullin. Të vetëdijshëm se personazhet e eseve të Kadaresë, në një kuptim, janë pasqyrë e një pasqyre tjetër, pra reflektim logjik mbi një trillim letrar, ne ndjejmë që edhe imazhi që Kadare-eseist krijon për to është i një lloji të veçantë. Ai mbështetet në një proces të dyfishtë: nga intuita krijuese e një artisti tjetër te intuita e interpretimit thellësisht subjektiv të eseistit. Ndryshe nga vepra letrare, ku fjala bart një aftësi të veçantë për krijimin e imazhit, në esenë e tipit kadarean lind pyetja: çfarë shohim te imazhi i figurave (autorë, personazhe, dukuri), që janë objekt i eseve? Mendoj se në thelb ne ndjekim zhvillimin e ndërlikuar të logjikës dhe shpirtit të autorit, mbi disa trillime të tjera … Është autori që e kërkon fjalën, frazën, ligjërimin e plotë, apo ato vinë nga thellësitë e pavetëdijes për ta ndihmuar atë?  Eseisti shkon në këtë plan drejt fjalëformimit jo si një dukuri artistike, por si rizbulim kuptimesh… Teoricienë të letërsisë kanë përcaktuar se letërsia i jep shtytje të mëtejshme gjuhës, dukuri që Kadare e ka shfaqur në mënyrë të jashtëzakonshme në letërsisë e tij. Por ky tipar fjalëformues, ose aftësia e fjalës për vetëformim, shfaqet edhe tek esetë. Të tilla si të rrokakrejtshëm, larginë, demonobetonim, diktatura mund të quhet fare mirë fajnajë Krijime të tilla, si trillan, mosshqipëri, çlëndëzim, të hymnorë, Shqipëri mendonjëse, zenitizëm, nënëterezistat, etj.  janë pa fund. Ato vinë si  struktura të reja, fjalore e tingullore, që mbartin struktura të reja emocionale-kuptimore, me ngarkesë të jashtëzakonshme në ligjërimin eseistik.

Dialog i narrativizuar.

Një ligjërim i papërcaktuar; pyetje pavetore, imagjinuese, dikush që pyet ose mund të pyesë; dialog midis zërash të paidentifikuar, jo realë, por që duken sikur vinë nga brendësia e autorit; pyetje pa përgjigje, që kanë brenda vetes një ankth, tmerr, dyshim; një kombinim paksa i turbullt midis pyetjeve, që ndërton rrëfimtari, dhe përgjigjeve që ai imagjinon se duhet të jenë aty, të pranishme; kalime të papritura nga një moment tek një vepër tjetër, në kohë dhe hapësira të ndryshme, nga personazhi i letërsisë tek eseja. Gjithashtu, brenda kufijve të llojit krijues të esesë, kombinimet e ligjërimeve midis rrëfimit dhe dialogut, rrëfimi i zhveshur nga konkretësia, apo  “ngatërrime” rrëfimesh,  paralelizmat ligjërimore, etj. nuk janë manierë artistike; është intuita artistike që realizon një komunikim “të shqetësuar”, ku duket sikur autori, i shqetësuar, rend nga një epokë në tjetrën, trajtat ligjërimore ngatërrojnë kohët, hapësirat, kapërcime shekullore… etj. A mos janë  këto teknika mënyrë e huazuar intuitivisht nga poetika postmoderniste? Mjegullimi i kufijve me letërsinë shfaqet në trajtat formale moderne e postmoderne të ndërfutjeve të pjesëve nga forma të tjera të krijimtarisë. Kjo “hallakatje ligjërimore” duket sikur do t’i marrë frymën lexuesit të esesë, i cili, papritur ndodhet para një universi ndjenjash, mëkatesh, krimesh, që duket sikur i ka pranë vetes.

Kundërthënia paradoksale

Është një konceptimi i veçantë ligjërimor që vjen në eseistikën e Kadaresë për të ndëshkuar edhe “të mëdhenjtë” e historisë, në marrëdhënien që ndërtuan ata me Shqipërinë. Imagjinata e jashtëzakonshme lidh një nyje të paimagjinueshme deri sot, midis dy filozofish: pranimit të Dantes dhe pushtimit prej shtetit të tij. Paradoksi nuk qëndron thjesht në këtë marrëdhënie kulturore dhe historike, por ironizon fenomenin absurd të marrëdhënies së pushtimit kulturor me pushtimin politik, fenomen gjithnjë i pranishëm në jetën e kombeve. I gjendur befas midis rrebeshit, në një vend të vogël që ndoshta nuk ia kishte dëgjuar as emrin, ai, poeti i ndërgjegjes, ndëshkuesi i mëkatarëve, i cezarëve pushtues, i dhunuesve, i mashtruesve, duhej të ndihmonte popullin e vet italian të mbyste një tjetër popull. Edhe jo vetëm kaq, ta mbyste duke e përkëdhelur, duke i pëshpëritur në vesh: ti je në zemrën time (Albania e in mio cuore – Musolini), ne jemi një familje tani, kemi një mbret dhe një … poet të pare. (Dantja … f. 250.)  Eseisti luan me kundërthëniet, në mënyrë iluzioniste, duke krijuar skenën ku diçka largohet, duke afruar  njëkohësisht diçka tjetër tek lexuesi. Kjo është në ndër veçoritë e figuracionit të ligjërimit eseistik të tij.

Personifikimi, metafora dhe ironia, tre shtyllat figurative të eseve.

Disa nga vëzhgimet tona vlejnë për të njohur faktin se, në strukturën e brendshme kuptimore të figuracionit që ndërton, eseisti zgjeron kufijtë e figurës. Në distancën midis iluzionit dhe reales figura të tilla, si personifikimi, metafora, ironia, paradoksi etj. realizojnë ngarkesa emocionale mbi imazhe jo të zakonshme për përfytyrimin njerëzor. Krimi u harbua, shkruan eseisti, dhe përmasën e frikshme që mbart kuptimi i brendshëm i kësaj strukture ligjërimore nuk e konkuron asnjë interpretim tjetër, politiko-shoqëror. Personifikohet, metaforizohet, ironizohet jo personazhi, i cili ose është real (historikisht), ose i formësuar më parë në trajta të tjera të krijimtarisë (në vepra letrare), por thelbi i brendisë që ai përfaqëson; personifikohet thelbi i një shteti, jo në specifikat normale të tij, por në devijimet, sëmundjet apo pushtetet e tij; personifikohet një kontinent për të ironizuar (e kishte sjellë Europën, më në fund, këtu, siç sillej mushka xanxare); personifikohet një dashuri, apo dhimbje, jo për ta njohur atë, por për të imagjinuar një marrëdhënie të re, një raport që kalon përtej figuracionit të drejtpërdrejtë. Ironia / sarkazma, dëshmon se në eseistikën e Kadaresë ka vetëm një kahje: zemërim! Ka vetëm një ndjenjë: dhimbje të brendshme! Çifti figurativ ironi / sarkazëm vjen natyrshëm, i kërkuar nga të menduarit e autorit, por edhe intuitivisht, nga thellësitë e ndjenjës, të emocioneve të brendshme. Gjithashtu, duke patur parasysh thelbin e kuptimit, që mbart në grupin stilistikor kjo dyshe figurash, kuptohet se është problematika politike, sociale, morale ajo që ‘dhunshëm’ e kërkon këtë lloj ligjërimi. Dhunshëm, sepse eseisti, duke përjetuar zemërim, revoltë, dhimbje, ndaj disa dukurive të shoqërisë sonë, nuk ngurron të ironizojë (dhe ironia e tij është e hidhur!), të satirizojë (satira e tij është dërrmuese!), të përfshijë nivele të ndryshme të dukurive që e dëshpërojnë dhimbshëm, që nga persona të diktaturës, të realitetit të sotëm (të paidentifikuar me emra), figura historike përtej Shqipërisë, studiues apo analistë delirantë (pa emra), të huaj apo shqiptarë, evropianë apo edhe fqinjë afër nesh… Por, satira që therr më fort është ajo që rrok vetë popullin e tij.

Lojëra me lexues të paidentifikuar

Ligjërimi me “Ti” është trajta më intime , por dhe universale e komunikimit njerëzor. Eseisti ndërton ‘bisedë’ me një lexues të përgjithshëm, të papërcaktuar, i ndodhshëm kudo: ti e mendon … ti heq dorë nga … ti i përfytyron … ti ndjen një farë nervozizmi etj. Kjo trajtë ligjërimore eseistike fsheh më shumë një zemërim të brendshëm, të përmbajtur, tingëllon si ftesë për zgjim, si provokim për lexuesin, një thirrje me finesë, për t’u afruar me shqetësimet e autorit. Duket si një synim për të rikujtuar shqetësimin njerëzor nga antikiteti deri në realitetet e sotme.

Loja me titujt shijohet kryesisht tek esetë që objektin e reflektimit e kanë nga fusha e arteve, ku ligjërimi ka ngjyrime të theksuara figurative, si p. sh: Kushëriri i engjëjve, Arti i marrëzisë … Por kjo lojë titujsh haset, ndonëse më pak, edhe në esetë ku reflektimet e eseistit janë rreth problematikave të karakterit politik, social, historik etj, si Dialog me djallin dhe Zotin etj., ku kemi përsëri shmangie nga ligjërimi publicistik dhe prirje intuitive drejt ligjërimit artistik.

*  *  *

Do të ishte e pamundur të zbërthehej gjithë sistemi figurativ i ligjërimit eseistik të Kadaresë. Vemendja jonë është përqendruar në një aspek : në faktin se ky sistem zbulon përtëritje kuptimi, ndryshe prej funksioneve që ka në një tekst letrar. Në ese autori i jep ligjërimit shtrirje tjetër, duket sikur brenda një figure ka rikrijuar po atë, por në një variant të ri. Të gjithë këto tipare, që janë dukuri të poetikës letrare, hyjnë vrullshëm në ese, ky lloj krijimi kaq i “çuditshëm”, kaq “i paparashikueshëm” në strukturën kuptimore dhe formale të tij, duke na befasuar dhe duke i dhënë specifikë interesante eseistikës së Kadaresë, tek e cila interpretimi rikrijues figurativ-emocional dhe logjika e arsyetimit shkencor shkrihen në mënyrë  magjike.

Exit mobile version