Kreu Letërsi Shënime mbi libra Lindita Arapi: Absurdi i diktaturës në romanin “Mossanga” të Fate Velajt

Lindita Arapi: Absurdi i diktaturës në romanin “Mossanga” të Fate Velajt

Me befasoi pozitivisht romani i ri i Fate Velaj “Mossanga”, nje hop i ri, krejt ndryshe nga romani “Kreuztanne” që e kisha lexuar vite më parë. Është historia e trishtë dhe prekëse e fëmijeve nga Kongo që u sollën në Vlorë në vitet 60-të. Me kronologjine e jetës së fëmijëve kongoleze në Vlorë, Fate Velaj njëkohësisht shkruan edhe një kronologji të diktaturës.

Kapitulli i diktaturës mund të quhet prej disave i mbyllur, por diktatura ende është brenda nesh, gjurmët që ka lënë regjimi më i egër stalinist në Europë në shoqërinë shqiptare nuk janë shuar. Letërsisë nuk i vë kush detyra, ajo ia vë vetë vetes duke dashur, siç thotë shkrimtari irlandez, Paul Lynch të krijojë “pasqyra të së vërtetës”, ose të zhbirojë e “të sjellë në gjuhë  thellësitë e errëta” brenda nesh, siç thotë shkrimtari gjerman, Daniel Kehlmann. Letërsia shqipe duhet të vazhdojë të depërtojë me romane të tillë si “Mossanga” deri në skutat më të errëta të diktaturës, të reflektojë për këtë të kaluar që nuk është ende e shkuar, e kështu të na ndihmojë të kuptojmë veten, shoqërinë pse është sot ashtu siç është.

Kurba e rrëfimit në “Mossanga” vjen gjithnjë në ngjitje. Ajo shenjohet me duartrokitje, si u pritën fillimisht fëmijët kongolezë në Vlorë, megjithëse fillimisht lajmi ishte sekret. “Sado që porosia kishte qenë “heshtje e plotë”, lajmi i ardhjes së kongolezëve në qytet u hap me një shpejtësi të pamatë.” Strehimi i kongolezëve të vegjël të ardhur nga lufta i shërbeu autoriteteve të qytetit si mjet i fuqishëm propagande për të theksuar jo vetëm fuqinë po edhe sa miresi kishte shteti komunist që u hapi derën e u dha strehë këtyre fëmijëve të rrezikuar të shokëve të idealit. Po entuziazmi bie shpejt. Kongolezët vuajnë të njëjtin fat si edhe miqtë mikpritës shqiptarë në Vlorë. Ata vihen në survejim, dëshirat e dlira fëmijërore ndezin dyshime absurde tek autoritetet që aktivizohen dhe nisin përgjimet. Kurba e ngjarjeve shënon një kulm të saj sa tragjik po edhe absurd tek përgjimet që shoqërojnë kongolezët.

Komikja e paranoja e të zellshmëve të regjimit përplaset me mprehtësinë e autenticitetin e kongolezëve. Fate Velaj e sjell këtë absurd kafkaesk pa tone të bujshme stilistike, po me një gjuhë të thjeshtë e direkte për lexuesin pa shkrehje metaforike dhimbjeje. E veçanta e Velajt është se godet me të thjeshtën, rrëfimin pa poza letrare. Por pas së thjeshtës fshihen shumë orë pune në vetmi të atij që shkruan.

Romani nxjerr në pah edhe një element që rrallë i kushtohet vëmendje në letrat shqipe. Racizmin që kemi ndoshta thellë, që nuk e pranojmë, që rri i fshehur diku, e herë shfaqet brutalisht me fyerje ndaj atyre që janë ndryshe, po më shpesh është i maskuar nën petkun e mirësisë. Kongolezët përballen me këtë racizëm megjithë dashamirësinë e mikpritjen në përditshmëri. Edhe nën petkun e solidaritetit komunist të autoriteteve fshihet racizmi.

Ndihma që u ofrohet e ka një kusht: fëmijët kongolezë duhet të bëhen një ditë komunistë të bindur në shërbim të diktaturës. Autoritetet e diktaturës në Vlorë e harrojnë shpejt “dhembshurinë” ndaj fëmijëve kongolezë, kur vërejnë se ata nuk vihen kaq shpejt në rresht si shumica e nxënësve e studentëve të tjerë, më vonë kur kongolezët jetojnë në Tiranë. E kur ata fillojnë me talentin e miqësitë me djemtë e vajzat shqiptare t’i sfidojnë autoritetet duke kënduar publikisht këngët e ndaluara në Vlorë shpata e diktaturës është njësoj e mprehtë edhe për ta. Ka një episod sa të bukur edhe të trishtë në romanin “Mossanga”. Kur djem e vajza, të rinj shqiptarë e kongolezë mblidhen te Plazhi i Kingave të Vlorës dhe Joseph Mossanga këndon italisht. Autoritetet që kishin kohë që i ndiqnin ndërhyjnë duke i marrë për flokësh dhe i çojnë drejt burgut të Vlorës. „Nuk ju pëlqeu „Një bahçe me portokalle“ që nisët të këndonit në italisht?” iu drejtohet pak para arrestimit të rinjve një burrë trupmadh, që kishte detyrën e survejimit të grupit.

Episode të tilla ku absurdi i diktaturës përzihet edhe me komiken gjenden shpesh në roman. Megjithatë kur i lexon sot episode të tilla buzëqeshja të ngrin në buzë po të rikujtosh se në çfarë çmendine jetoi një popull i gjithë në diktaturë. Velaj di ta përshkojë me letërsinë e tij këtë çmendinë të rrezikshme, ku i çmenduri nuk ishte Tol francezi, që këndonte nëpër rrugët e Vlorës e jetonte në bunker. E megjithë atmosferën e rëndë të një regjimi të errët që krijon “Mossanga”, xixëllojnë herë pas here momente shprese, një strategji për të tejkaluar përdishmërinë mbytëse në izolim. Njerëzit dashuronin, donin e dinin edhe të gëzonin, të dilnin në xhiro. Të mbijetonin! Dhe kongolezi Mossanga “’vlonjati’ që këndonte me kitarë këngët e dashurisë”, “shqiptari që recitonte plot ndjenjë vjershat e Naimit” me këngët e talentin e tij ndoshta i bëri të buzëqeshnin pak më shumë vlonjatët.

Exit mobile version