Kreu Letërsi Bibliotekë Nexhip Tosun: Letërsia dhe jeta

Nexhip Tosun: Letërsia dhe jeta

Nexhip Tosun është shkrimtar turk, pjesëmarrës në Festivalin
Letrar Ndërkombëtar për të Rinj TIRANA GATE 2025

Letërsia është kristalizimi i mendimit, jetës dhe ndjesisë së bukurisë në tekstin letrar. Ajo na përcjell hollësitë e shpirtit që asnjë disiplinë tjetër nuk mund t’i japë; na ndihmon të kuptojmë tjetrin dhe na shënjon kundërthëniet e jetës. Na rrëfen arsyet e zhgënjimeve që përjetojmë, ndriçon anët e panjohura të njeriut dhe hedh dritë mbi pikat e tij të errëta. Kur flet për tjetrin, letërsia na mëson të shohim, të kuptojmë e madje të ndiejmë dhimbjet e të tjerëve, duke zgjuar në ne ndjesinë e “empatisë” që asnjë tjetër fushë nuk mund ta nxisë. Njeriu gëzohet me lumturinë e heronjve të saj, trishtohet me dhimbjet e tyre dhe përjeton ndjenja të ngjashme me ta. Prandaj, letërsia bëhet pasqyrë që na ndihmon të njohim veten dhe tjetrin.

Përmes saj zbulojmë se kemi një ndjenjë të përbashkët, se ndajmë shumë pika me njerëzit e tjerë dhe se dhimbja është universale. Letërsia artikulon shkaqet e emocioneve që përjetojmë dhe na jep mundësinë t’i njohim ato. Sepse ajo i flet ndjenjës, jo dijes; prandaj trondit bindjet e ngurta dhe na shtyn të shohim ngjarjet e botën nga kënde të ndryshme. Duke zbuluar zërin e brendshëm të njeriut, ajo shpall ekzistencën e një bote shumëzërëshe dhe nxjerr në pah fytyrën e vërtetë të enigmës njerëzore. Ajo bëhet zëri i dyshimit, ankthit, mëshirës, ndërgjegjes dhe së keqes, duke na bërë të kuptojmë emocionet që fshihen pas çdo padrejtësie.

Leximi i librave letrarë nuk i jep askujt një profesion; askush nuk bëhet kopshtar, inxhinier apo mjek duke i lexuar. Letërsia, ndryshe nga shkencat ekzakte, nuk ofron dokumente apo prova, por na dhuron gjurmë të reja për të zbuluar jetën, na ndihmon ta kuptojmë dhe na kujton se nuk jemi të dënuar të mbetemi në një botë të keqe. Ajo na rrëfen kush jemi, nga vijmë dhe kah shkojmë; na hap horizonte, na mëson të ëndërrojmë dhe të duam, duke na rikujtuar ndjenjat e ndërgjegjes, mëshirës dhe drejtësisë.

Me anë të ëndrrave dhe imagjinatës, letërsia na çon drejt së vërtetës. Ajo na bën të ndajmë të njëjtat ëndrra me shumë njerëz e na dhuron një perspektivë të re për jetën. Zbulon ndjenja e përvoja që i kemi përjetuar, por s’i kemi ditur t’i shprehim. Pa letërsinë, shumë aspekte të njeriut do të mbeteshin të fshehta, pasionet dhe ëndrrat tona s’do të dilnin kurrë në dritë. Pikërisht kështu, përmes botëve imagjinare, letërsia shënjon të vërtetën.

Letërsia i jep njeriut përvojë dhe vetëdije përballë jetës. Ajo interpreton përjetimet, parashikon të ardhmen, zgjon, trondit dhe thërret drejt ndjenjave fisnike. Edhe nëse shkrimtari nuk e synon këtë qëllim gjatë krijimit, rezultati mbetet i tillë. Sepse letërsia lind si krijim personal, por lexohet e përjetohet në mënyrë shoqërore. Forca e saj qëndron pikërisht në aftësinë për të “ndërhyrë në jetë”, për ta ndikuar dhe transformuar njeriun, për t’i zgjuar ndjesi që nuk i ka ndier kurrë më parë.

Letërsia është rezultat i kërkimit tonë për drejtësi, i përpjekjes për të kuptuar botën dhe, në fund, për të arritur tek vetvetja. Në kohën tonë është kuptuar se arsyeja dhe intelekti nuk mjaftojnë për ta përfshirë gjithësinë. Pikërisht këtu, letërsia na shfaq të fshehtën që qëndron pas realitetit dhe zgjon intuitën tonë për ta ndjerë atë.

Letërsia është kujtesa e njerëzimit. Përvojat njerëzore janë të shenjta, por shpesh të veçanta dhe të papërgjithësueshme; letërsia, përkundrazi, i bën ato universale dhe i përcjell brezave. Ajo pasqyron tronditjet, dhimbjet, ndryshimet dhe pasionet e njeriut, duke i regjistruar në një botë ndjenjash e jo në korniza rregullash.

Duke lexuar Shekspirin, njeriu mëson logjikën e mendësisë perëndimore, ngritjet dhe rëniet e saj, betejat për pushtet; përmes “Iliadës” e “Odisesë” kupton mënyrën se si Perëndimi interpreton jetën, sendet e ngjarjet; ndërsa me Gëten zbulon prapaskenat e mendimit evropian. Po kështu, përmes “Mesnevisë” së Mevlanës mësojmë botën shpirtërore të Lindjes Islame, të mirën dhe të keqen; “Njëmijë e një netët” janë si një qilim i madh lindor ku ndërthuren të gjitha ngjyrat e jetës; “Shahnama” e Firdeusit, “Divani” i Hafezit dhe zëri kristalor i Junus Emres janë fryma vetë e njerëzimit.

Letërsia është pasqyrë e përvojës njerëzore dhe trashëgimisë së qytetërimit që i përcillet brezave të ardhshëm. Ajo e ringjall dhe nxjerr në dritë sekretet e saj. Mevlanai nuk predikon, por flet përmes tregimeve dhe poezive; Dostoevskij, duke i bërë Raskolnikovit të kryejë krim në “Krim dhe Ndëshkim”, nxit një debat të thellë mbi mëshirën, fajin, dënimin dhe drejtësinë; Don Kishoti i Servantesit do të mbetet i gjallë sa kohë të ketë padrejtësi në botë, sepse ai mbron të shtypurit; Tolstoi, në “Lufta dhe Paqja”, depërton në thelbin e dy realiteteve dhe zbulon të fshehtat e tyre.

Balzak, Dikens, Proust, Joyce, Rilke, Conrad, Woolf, Faulkner, Mann, Márquez, Ajtmatov, Borges, Cortázar e Kadare janë pararendës që bartin pasurinë shpirtërore të njerëzimit në të ardhmen. Pa poezitë e Mahmud Dervishit apo Sezai Karakoçit, është e pamundur të kuptosh Lindjen e Mesme sot; pa “Qetësinë” e Ahmet Hamdi Tanpinarit, s’e kupton dot përplasjen Lindje–Perëndim në Turqi; pa Orhan Pamukun, nuk mund ta njohësh Stambollin. Sepse letërsia na zbulon botë që nuk mund t’i shohim me syrin e përditshmërisë.

Letërsia zhvillon gjuhën e një kombi dhe e përcjell atë drejt së nesërmes. Shkrimtari, duke shprehur ndjenjat dhe mendimet, shfrytëzon fuqinë e gjuhës, e pasuron dhe i zgjeron kufijtë e saj. Kontributi i Junus Emres në gjuhën turke është i pallogaritshëm, ashtu siç italianët i detyrohen Dantes, iranianët Firdeusit dhe gjermanët Gëtes.

Letërsia plotëson boshllëqet që lë historia. Historia merret me faktet; letërsia me jehonën dhe tronditjet e tyre. Ajo nuk transmeton thjesht dijeni, por depërton në thellësi dhe zbulon dimensionin njerëzor të ngjarjeve. Historia është vetëm materiali i saj; prej andej, letërsia ndërton botën e vet ku sundon e vërteta e imagjinatës.

Ëndrrat e mëdha të njerëzimit i kanë krijuar së pari shkrimtarët. Me intuitën e tyre ata kanë paraprirë edhe zbulimet shkencore. Shumë përparime teknologjike e vizione shtetërore janë pasqyrim i utopive që kanë parë shkrimtarët.

Gazetat dhe televizioni shpesh e mbulojnë të vërtetën me gjuhën e tyre të manipuluar; ndërsa shkrimtari përpiqet të shkojë përtej ngjarjeve kalimtare, drejt së vërtetës. Ai nuk është ai që përshkruan si gazetari, por ai që ndien përpara se ngjarja të ndodhë, që dëgjon atë që askush nuk e ka dëgjuar ende. Ai e parathotë shkatërrimin dhe rrugët që çojnë drejt tij, përmes veprave të tij.

Letërsia ndërton një ndjesi dhe gjuhë të përbashkët mes njerëzve; shemb muret dhe ngre ura komunikimi. Ajo i tejkalon ngjarjet e përditshme dhe përcjell tek njerëzit të vërtetat e pandryshueshme. Gjuha e përbashkët e artit dhe letërsisë mund të na bëjë të kuptojmë njëri-tjetrin, të shërbejë si urë ndërmjet botëkuptimeve të ndryshme dhe të ndajmë bashkë dhimbjet e gëzimet tona.

Në çdo kohë dhe në çdo epokë, ata që kërkojnë bukurinë, estetikën dhe fuqinë e gjuhës, do të trokasin në derën e letërsisë. Sepse letërsia është e pashtershme.

Një botë pa letërsi do të ishte një botë barbare, e pandjeshme dhe e paaftë për të kuptuar tjetrin.

Mirë që ekziston letërsia!

Exit mobile version