Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ndue Ukaj: Pjetër Bogdani, prijës shpirtëror, shkrimtar dhe strateg politik

Ndue Ukaj: Pjetër Bogdani, prijës shpirtëror, shkrimtar dhe strateg politik

Periudha pas vdekjes së Gjergj Kastriotit deri te fillimet e Rilindjes Kombëtare, në historinë tonë kulturore e politike është mjaft e varfër. Tokat e Arbrit u plandosën nën robëri të rëndë, gjendja e popullit ishte e mjerueshme dhe zhvillohej një proces i dhunshëm i transformimit të nevojave shpirtërore, kulturore e sociale. Përgjatë kësaj kohe të gjatë e të errët, të pakta janë ato shkëndija drite që u munduan ta davaritnin errësirën e thellë të padijes e të varfërisë, dhe ato pak shkëndija kryesisht lidheshin me organizmin e klerit katolik që ishte diga kryesore e rezistencës kundër pushtuesve turq.  

Pjetër Bogdani është përfaqësuesi më i madh i krejt kësaj periudhe. Ai veproi si argjipeshkëv, shkrimtar, strateg politik dhe ushtarak dhe kudo la gjurmë pozitive. Përballë gjendjes së mjerueshme të popullit të tij, atij i ra barrë e rëndë: të ishte prijës shpirtëror, politik, ushtarak dhe të përhapte dituri përmes librit; detyra këto që i kreu me shumë dashuri përgjatë jetës së tij, duke u lënë breznive të ardhshme një vepër me vlera të pashlyeshme kulturore, letrare, filozofike dhe gjuhësore.

Nuk dihet me saktësi viti i lindjes së tij, por dihet se ka lindë ndërmjet viteve 1618-1630 dhe i përket derës së shquar të Bogdanëve të mirënjohur në hierarkinë kishtare të kohës, kurse dihet se vdiq me 6 dhjetor 1689.  Në parathënie të librit të tij, ai shkruan se ishte prej Gurit të Hasit të Prizrenit ku para tij ishte ngjizur një kulturë e shkrimit shqip dhe e rezistencës kundër turqve. 

Duke parë dhe përjetuar gjendjen e mjerueshme të popullit të tij, ai u lidh fort me të dhe e njësoi fatin e tij me fatin e popullit të tij. Dhe zbriti prej elteri ku predikonte dashurinë dhe mirësinë kristiane, u ngjit në male dhe zbriti në fusha, udhëtoi nëpër qendrat e mëdha të Europës së atëhershme, për të kërkuar përkrahje dhe aleatë për ta mbrojtë popullin e tij. Punoi fort që t’i bashkonte shqiptarët në një kryengritje të armatosur kundër pushtimit turk, i cili, siç shkruante vetë ai, dvarte gjuhë, dije dhe kulturë.

Bogdani udhëtoi shumë dhe përshkoi qytete e vende, duke kërkuar dije e kulturë dhe u bë doktori i filozofisë dhe teologjisë. Në Itali – që atëbotë ishte kryeqendër e kulturës europiane – ai mësoi për artin dhe kulturën, për poezinë dhe filozofinë, për historinë dhe dije tjera humane, të cilat i sublimoi dhe i artikuloi me kompetencë shkrimore në librin monumental, “Conues prophetarum”- “Çeta e profetëve”, të botuar me 1685.     

Të dhënat biografike e historiografike tregojnë se për shkak të sëmundjes nuk arriti të realizonte përpjekjen e përbashkët me Pikolominin për t’i dëbuar turqit nga tokat e Arbnit. Atëbotë, ushtria e gjeneralit austriak ishte nisur në drejtim të Shkupit, po nuk arriti të hynte në qytet, sepse qytetin e kishte marrë epidemia e murtajës. Por, të dhënat thonë se në këtë kohë, Bogdani ia siguroi ushtrisë së Pikolominit rreth 6000 shqiptarë dhe bashkë me të niset për në Prizren, ku shpartallohen nga sëmundja e murtajës dhe forcat turke. Bogdani sëmurët nga murtaja dhe vdes. Pas vdekjes, siç njoftoi nipi i tij, Gjergj Bogdani, turqit dhe tatarët, trupin e tij e nxorën nga varri dhe ua hedhën qeneve në mes të piacës së Prishtinës. Këtu mbaron veprimtaria tragjik e jetës dhe tij dhe fillon jetën vepra e tij shelbuese kulturore, si zgjatim i frymës – si kujtesë dhe identitetit – që u përcoll brez pas brezi. 

Bogdani është shkrimtar pa varr dhe historia e mungesës së varrit të tij është histori thellësisht tragjike.  Të njëjtin fat tragjik para tij e kishte Gjergj Kastrioti dhe pas tij, Gjergj Fishta. Pra, te tretë këta i bashkon fati i përbashkët i pasvdekjes – mungesa e varreve.

Shkrimtari Ismail Kadare, te novela “Raporti i fshehtë” ka shkruar për fenomenin e mungesës së varrit të Gjergj Kastriotit, duke tërheqë një paralele mjaft domethënëse mes mungesës së varrit të heroit tonë kombëtar dhe mungesës së varrit të Jezu Krishtit. Për ta përforcuar idenë e novelës, Kadareja shkruan: “Zbrazëtia e varrit dëshmon shenjtërinë.” Një shenjtëri të tillë e dëshmon edhe jeta dhe vepra madhore e Bogdanit.

Historiografia letrare shqipe tregon se vepra e Bogdanit pati jehonë të jashtëzakonshme kulturore dhe ndikoi fuqishëm në konsolidimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe. Të dhënat që japin studiues e njohës të veprës së tij thonë se vepra u shpërnda në institucionet e kohës, ipeshkvi, famulli e “deri te njerëz të thjeshtë e të prujtë, të cilët e dijshin përmendsh Bogdanin e dijshin me çekë soje copa të tana përmendsh.” Kjo vepër po ashtu pati sukses të madh në Itali, ku u rishtyp tri herë.  Gjithashtu dihet se ajo njihej ndër arbëreshet, e më vonë nga rilindësit e rëndësishëm, Naimi, Mjeda, Konica, etj. Ajo u lexua dhe u botua disa herë, duke u kthyer në pasuri të përbashkët kulturore për të gjithë shqiptarët.

Martin Camaj thotë se në “Shkodër Cuneus Prophetarum ka qenë lexuem dhe studjuem në çdo kohë dhe ka ndikue thellësisht në gjuhën dhe stilin e shkollës letrare shkodrane. Mark Harapi (përkthyesi mjeshtror i romanit “Të fejuemit” të A. Manzonit) e pat botue gati krejt te Lajmëtari i Zemrës së Krishtit (vjetët 1941-1943), me shtesë komentimesh morfologjikë, si mbi përemnat dhe tjera pjesë të ligjeratës.”

Ndërkaq, nga relacionet me vleftë historiografike e letrare të Bogdanit kuptojmë se bredhja ishte fati i tij. Ai vazhdimisht bredhte; herë duke kërkuar vendstrehim nga persekutimi dhe përndjekja që i bënin turqit; herë për të kërkuar aleatë e miq për të organizuar kryengritje kundër pushtimit turk; e herë- herë duke kërkuar mbështetës për ta botuar librin e tij, me të cilin dëshironte të ndriçonte mendjet e bashkëkohësve të tij.

Përballë mëkatit dhe padijes që shtriheshin frikshëm në atdheun e robëruar, Bogdani e dinte se armë më të fuqishme se libri s’kishte. Dhe përmes librit donte të nxiste vetëdijesimin kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve të shtypur, sepse, siç dëfton vetë ai, vendi “dergjej në një robëri të errët i verbuem me dy palë mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati, e  padija sepse ishte dvarë dija e urtia.” 

Në parathënien të librit, “Të primitë përpara letrarit”, Bogdani në formë programatike e misonarike tregoi filozofinë e tij për librin, konceptet themelore për dijen, religjionin, kulturën dhe përparimin.

Vërtet, ai misionin e vokacionin, në jetë dhe vepër i njëjtësoi me misionin e shenjtë të kulturës e të librit, të letrarëve dhe të doktorëve. Dhe duke qenë në kontakt me qendrat e mëdha të kulturës së kohës, ku lulëzonte humanizmi, dija e përparimi, ku zhvillohej letërsia e piktura, ai e dinte se duhej të kultivohej bukuria e giuhes. Dhe kjo ishte njëra nga shtytjet e forta intelektuale që e nxiti atë të shkruante një vepër për Arbninë  dhe popullin e tij.

Luigj Marlekajt, njohës i shkëlqyer i veprës së tij dhe i Shqipërisë së kohës së tij, në studimin monografik “Pjetër Bogdani e Shqipnia e kohës se tij”,  citon sundimtarët osmanë që thoshin se “ai qe nuk len këtë vend te bahet turk”. Kjo e dhënë tregon një punë kolosale të një korifeu të madh; të një njeriu të përkushtuar për ideale të larta e sublime. Prandaj, “Conues prophetarum”, sot e gjithë ditën mbetet Çetë e madhe e kulturës shqiptare.

Duke e pasur parasysh kontekstin kohor dhe raportin e autorit me jetën politike, kulturore e fetare, shohim se kjo vepër unike është shkruar me një qëllime të lartë misionar e shëlbues, për ta mbrojtë dhe pasuruar gjuhën dhe rrjedhimisht për ta ndihmuar kulturën e arbnore.  Prandaj, siç  kanë pohuar shumë njohës e studiues, kjo vepër qëndron në themelet e kulturës shqiptare dhe që nga botimi i parë e gjer me sot ka ushtruar ndikim të madh në krejt historinë e kulturës shqiptare. Shembullin më tipik e gjejmë te figura e Ibrahim Rugovës, i cili idealet e Bogdanit i studioi dhe i ndoqi gjatë veprimit të tij letrar e politik, duke u bërë dishepull besnik i idealeve të tij në shkrim dhe veprim. 

Bogdani, konteksti kulturor dhe letërsia shqipe

Letërsinë shqipe në të gjitha periudhat letrare e kanë karakterizuar temat e mëdha, të ndërlidhura me ekzistencën kombëtar, etninë dhe çështjen robërisë. Duke e njohur këtë aspekt, Eqrem Çabej, karakteristikë të letërsisë shqipe nënvizon ngjyrën politike të shkrimtarisë. Çabej e përligj mendimin e tij duke thënë se: “poetit si një prisi shpirtëror i ka rënë këtu zakonisht dhe barra e apostullit nacional, atij këtu i është duhur shpeshherë të ndërrojë pendën me pushkë.” Kjo referencë dhe mendimet e Çabejt se literatura shqipe është dominuar nga politika dhe nacioni, me kohë janë bërë pikënisje për të kuptuar kontekstin letrar dhe kodet e përgjithshme kulturore të zhvillimit të letërsisë shqipe, si veprimtaria shpirtërore më aktive që ndihmoi emancipimin dhe ekzistencën kombëtare, e në të cilën betejë Bogdani rezulton të jetë njëri nga protagonistët më origjinal, më të veçantë dhe më përfaqësues.  

Dihet se Bibla përbën një realitet kulturor dhe letrar në gjithë sistemin letrar perëndimor, për faktin e mirënjohur të cilin e përmend edhe shkrimtari i madh, T. S. Eliot, i cili flet për influencë letrare të këtij libri, ndërkaq, në vazhdën e këtyre mendimeve dhe të kësaj tradite, teoricieni i njohur i letërsisë, Northrop Fray, shkruan se “letërsia perëndimore ka qenë e ndikuar nga Bibla më shumë se nga çdo libër tjetër.”

Letërsia shqiptare duke qenë njëra nga letërsitë e kontinentit europian, pa dyshim se u influencua nga Bibla dhe ligjërimi biblik. Si pasojë e rrethanave të vështira ekzistenciale, letërsia shqipe ka tipare specifike, të cilat e shquajnë dhe e bëjnë të dallueshme, sikundër në aspektin tematike, po ashtu në atë ligjërimor e ideor. Ajo u zhvillua brenda truallit të letërsisë europiane, mirëpo, për dallim nga letërsitë tjera, ajo pati preokupime specifike kombëtare, e këndej pari, natyrshëm tematikë e dimensione ligjërimore specifike, që u kushtëzuan nga rrethanat komplekse nëpër të cilat kaloi kombi ynë. Këto raporte, kushtëzuan marrëdhëniet e brendshme të letërsisë shqipe – mes shkrimtarëve dhe shoqërisë – në një mjedis ku shkrimtarëve iu deshtë të ishin njëkohësisht prijës, edukatorë, dijetarë dhe shkrimtarë.

Pas vdekjes së Skënderbeut, përgjatë shekujve të robërisë e deri në shekullin XX, letërsia shqipe kreu një funksion, të cilin Northrop Fray e përkufizon si “funksion që nuk ka qenë në rend të parë estetik.” Në këtë aspekt, vepra e Bogdanit është rrjedhojë e kësaj gjendje dhe reflektim i autorit kundrejt kësaj gjendje.

Cuneus Prophetarum: Çeta e kulturës shqiptare

Bogdani nga njohës e studiues të veprës së tij është vlerësuar si korife i shkencës dhe arteve shqiptare.

Vlen të përmendet se në kohën e tij, në Europë, letërsia krijohej dhe formësohej brenda koncepteve të renesancës, sidomos pas shkëlqimit të letërsisë së madhe me autor si Dante Ahlighieri (1265-1321), ndërkohë që vendi i Arbrit ishte plandosë në një robëri të rëndë, pasojat e së cilës ndiheshin më së shumti në kulturë.  Kjo frymë e krijuar matanë Adriatikut, mjerisht nuk arriti të depërtonte te shqiptarët. Megjithatë, lëvizja për rezistencë kulturore arbnore kundrejt pushtuesit që dergjte dije e kulturë, mori kthesë pozitive me Bogdanin, i cili në përkim me filozofinë dhe konceptet e mesjetës shkroi veprën monumentale, Cuneus Prophetarum (Çeta e profetëve). Kjo vepër u botua në shqip dhe italisht në vitin 1685 dhe vlerësohet njëherësh si vepra me e përkryer e shekujve të parë të letërsisë shqipe.  “Çeta e profetëve”, ashtu siç e ka përkufizuar Ibrahim Rrugova është vepër bazë në humanistikën shqiptare.

Vepra si kompozicion dhe si strukturë i përgjigjet me përpikëri konceptit organizues dhe kompozicional të Biblës, dukuri këto, të cilat i kanë vlerësuar studiues të shumtë që janë marrë me studimet bogdaniane.

Libri është i ndarë në dy pjesë, ashtu siç është e ndarë Bibla në Besëlidhjen e Vjetër dhe në Besëlidhjen e Re.

Bogdani, ndryshe nga autorët pararendës është autor origjinal që shkroi një vepër  origjinale, duke e zbatuar strukturën e Biblës dhe duke u bazuar në të. Në aspektin tematik, libri i parë është analog me Besëlidhjen e Vjetër, ku ritregohet kronologjia e Krijimit të rruzullimit sipas modelit biblik, dhe narracioni i veprës prej zanafillës rrjedh deri te ardhja e Mesisë. Në këtë pjesë, Bogdani paraqet kronologjitë profetike. Pjesët e kësaj, autori i quan ligjërata. Libri i dytë, ndërkaq, shfaqet analog me Besëlidhjen e Re dhe mund të kuptohet edhe nga vetë titulli, Jeta e Jezu Krishtit. Madje, në këtë pjesë, edhe numri i ligjëratave është i njëjtë me numrin e librave biblikë. Bogdani ritregon jetën e Krishtit, momente të rëndësishme të jetës së tij, nga gjeneza familjare, shfaqja-lindja, vepra, dënimi-vdekja-kryqëzimi, ngjallja dhe rishfaqja e tij. Kurse, pas këtyre teksteve/ligjëratave, kemi një tekst për Antikrishtin, i cili, me aludimet e forta, ndërlidhet me kontekstin shoqëror të Arbërisë së tij dhe me besimin e pushtuesve.  

 ”Çeta e Profetëve” si formë shkrimi është shkruar kryesisht në prozë dhe hapet me disa poezi të bukura kushtuese, gjë që ishte praktikë e kohës. 

 Librit, siç e përmendëm më sipër i paraprinë një parathënie domethënëse “Të primit përpara letrarit”, ku autori tregon erudicionin letrat, filozofik e telogjik dhe shpalos synimet qëllimore të veprës si dhe tregon në ç’kontekst të zymtë kulturor ishte ngjizë vepra, meqë dritën e atdheut të tij e kishin errësuar padija e mëkati. Ndaj, kërkohej dija e urtia, dhe Bogdani e dinte se ajo nxitej përmes librit, prandaj, sipas autorit duhej riaktualizuar Bibla, që për konceptin mesjetar ishte libri më i përkryer, sepse autori i saj ishte Hyji i përkryer. Dhe nëpërmes librit, autori si prijës dhe bari, donte të prekte zemrat e njerëzve që të vetëdijesoheshin “që të mos lënë dijen dhe gjuhen e dheut të zhduket, por sikur lufton gjithë dheu e bota për vet, po duke u lartësuar nga urtësia.”

Pra, kjo vepër, duke u shfaqur analoge me modelin e shkrimit biblik është një hipertekst i tij.

Përveç ligjëratave dhe tregimeve biblike, te vepra e Bogdanit kemi një cikël poezish, të njohura si ”Këngët e Sibilave”. Sibilat ishin profetesha pagane dhe paralajmëronin ardhjen e Mesisë. Në poezinë e Bogdanit, Sibilat paraqiten me veshje etnike dhe kanë tipare të vajzave arbnore. Në fakt, ashtu siç ka vlerësuar Rugova,” Bogdani ka realizuar disa nga metaforat më të formësuara dhe më të bukura në poezinë shqipe”. Poezia e Bogdanit shquhet për ndërlidhnin me ambientin konkret shqiptar dhe personifikohet me figura jetësore të autorit.   

Poezia e tij ka një skemë të rregullt rimash, që vargut i japin një muzikalitet rrëmbyes poetik. Bogdani i kontekstualizon Sibilat nëpërmes topikës dhe figurës idiomatike shqipe.

Te pjesa e poezisë, e gjejmë dhe një vjershë të pastër kosmogonike, “Krijimi i Rruzullimit.”

Botën e pasur dhe sistemin poetik të Bogdanit e çmonte edhe poeti i mirënjohur Lasgush Poradeci, i cili shkroi: “Tekstin e Bogdanit e citova pas disa shënimesh që kam marrë në Vienë, Vjeshtën e 1924-ës, kur pata gëzimin t’i-a shikoj me sy…t’i-a çik me dorë…t’i-a studioj dhe t’i-a përpij “Conneus”-in në shpirtin t’im për të parën herë. Përveç shënimesh të tjera gjuhësore që më qëndruan për zemre, kam kopjuar një poezi kozmogonike, e cila, nga pikëpamja e koncepcionit origjinal, e idesë së fuqishme dhe e formës së veçantë të saj jam i mendimit se duhet konsideruar si një monument letrar jo vetëm i gjuhës shqipe, por i republikës letrare përgjithësisht. Kozmogonia e të madhit shqiptar i-u bën ballë, me cilësit’ e veta, kozmogonisë asiriane (babilonase) ashtu sikundër këtë e shohin në Biblën hebraike, dhe kozmogonisë indike, ashtu sikundër këtë na e çfaqin Vedat e shenta. Kur të vij aty, do t’a rrëfej poezinë e Bogdanit, që të gjykosh më mirë vetë mbi vleftën e saj.”

Pra, vepra e Bogdanit u çmua dhe u vlerësua në shekullin e krijimit, pastaj nga rilindësit, mirëpo kulmi  i influencës së saj u shfaq ne platformën e kulturore dhe politike të Ibrahim Rugovës në shekullin XX. Ne fakt, Rugova u bë dishepull i Bogdanit dhe e ndoqi ëndrrën e tij në fushën e mendimit dhe të veprimit. Këto dëshmi tregojnë se Bogdani nuk shkroi dosido vepër, por një vepër madhështore, një kryevepër, që përbën bazën e letërsisë shqipe deri te fillimi i Rilindës Kombëtare kur u botua vepra “Milosau” e De Radës, me 1836.

Exit mobile version