Kreu Letërsi Shënime mbi libra Granit Zela: Jermi i Tiranës së vitit 2020 nën tiraninë e pandemisë

Granit Zela: Jermi i Tiranës së vitit 2020 nën tiraninë e pandemisë

Romani “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin” i Besnik Mustafajt

Romanin e Besnik Mustafajt “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin: Conarium” e lexova në qershor të vitit të kaluar, gjatë kohës së karantinës, kur vazhdonte debati në New York Times nëse shkrimtarët do ta kthenin menjëherë në lëndë të mirëfilltë letrare këtë kohë të pazakontë pandemie apo duhej pritur të kalonin disa vite, të krijohej njëfarë largësie, për të patur një vepër të rëndësishme. Ideja që pata krijuar nga ky debat ishte se shkrimtarët e mirë do të vazhdojnë të shkruajnë mirë, dhe kohën në të cilën jeton secili e rrëfen sipas mjeshtërisë së tij, sepse letërsia ka të bëjë para së gjithash me si e rrëfen një histori, dhe thelbi i letrares është lidhja e saj me imagjinatën. Romani i Besnik Mustafajt ishte pohim i kësaj bindjeje. Një vit më pas, në qershor të këtij viti, me rastin e 30-vjetorit të Shtëpisë Botuese “Buzuku” në Prishtinë, ky roman u vlerësua me çmimin e parë.

Letërsia e gjendjeve të skajshme njerëzore si mbyllja në një vend të veçuar, kufizimi për të ndaluar përhapjen e diçkaje nuk synon të pasqyroj realitetin mjekësor të sëmundjes por simbolikën, tiparet e qenësishme në vetëdijen e rrëfimtarit i cili përveçse regjistron, rimendon dhe e shndërron historinë në një dëshmi letrare. Dëshmitari që letrarja i jep zë, është hapësirë në ​​fantazi. Tek “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin” (Toena 2021), autori ka krijuar një tekst që përshkruan jermin e kohës së karantinës, me disa nga fobitë që i zgjon ideja e mbylljes një shkrimtari shqiptar i cili krejt rininë e ka kaluar në një sistem të mbyllur, “pasojat që krijon  kjo mbyllje në psikikën njerëzore mbyllja e detyrueshme dhe frika kolektive nga vdekja, domethënë nga asgjësimi”.

Shënimet nga kronika e karantinës, përcjellin nëntekste dhe krijojnë analogji me realitetet kombëtare dhe përtej kombëtare duke duke deshifruar kumte më universale. Epigrafi i Zbingiev Herbert, mbijetuesit të traumës së luftës dhe shkatërrimit të qytetit dhe vendit të tij, rimerret dhe bëhet pjesë e romanit, për t’i ndërmenduar lexuesit se nëse poeti polak shkroi duke jetuar “në shtëpinë e thesarit të të gjitha fatkeqësive”, si reagim, edhe ai, autori Besnik Mustafaj, një ditë u ul për të përkthyer një përrallë, pasi qyteti i tij ishte në shtetrrethim. E bëri për të dëshmuar fatkeqësinë e qytetit të tij nëpërmjet një rrëfimi i cili mbart një lidhje thelbësore me imagjinatën, por ti lexues ki kujdes, këtu nuk bëhet fjalë për raporte ushtarake, letra private, ose dokumente historike por je i ftuar të vizitosh fermën e Zonjës Dumre dhe të udhëtosh në një përrallë me Patokun Dindan, maçokun Piko dhe djaloshi Kolec, tri nga personazhet më të rëndësishëm të rrëfenjës së taksur për t’u treguar pikërisht me 2 mars, 2020, një rrëfenjë nga “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin”.

Rrëfenja është si një film ku lexojmë për robotët e programuar, projektet e larmishme të Grupit të Dijetarëve dhe ka gjasa që lexuesi të pyes veten, kush e ka shkruar këtë roman, a e ka shkruar shkrimtari Besnik Mustafaj? A e ka shkruar ai sepse në këto përralla, Besnik Mustafaj ka ikur nga të gjitha librat e tij të mëparshëm. E kush priste që të lexonte kronikën reale të shteterrethimit gjatë marsit 2020 të ndërkallur me një krijim me përmbajtje fantastike, një patok, një djalosh dhe një maçok, që u përkasin tri botëve të ndryshme: asaj shpendore, asaj shtazore dhe asaj njerëzore? Edhe ndërmendja e një filozofi francez të shtyjnë të shtyjnë të mendosh krejt të kundërtën kurse këto personazhe flasin e përsiasin me një gjuhë universale, madje edhe për letërsinë, poezinë dhe gjinitë letrare.

E kush mund ta harroj i dashur lexues (shprehje e përdorur nga autori që po e rimarr edhe unë) personazhin e Maçokut Piko, i cili përgjatë tekstit përmendet plot shtatë herë, duke dhënë variante të mimikave të ndryshme të fytyrës që bënin të ngjashëm me personazhin e Tomit në filmat e Walt Disney? Po kështu edhe dijetarët e tjerë që të përhumbin në një parafytyrimesh me idetë e filozofëve dhe ëndërrimtarë janë ura kaluese nga realitetit ëndërror (Cogito) në realitetin jetësor.

Në të vërtetë, më shumë se një qytet i rrethuar, Tirana e vitit 2020 jepet si një qytet i i pushtuar nga policë dhe ushtarë të armatosur deri në dhëmbë, me dekrete që shtrëngojnë rrathët e ekzistencës civile dhe krijojnë një botë paralele ku personazhi i Kryeministrit, me pushtetin e shumëëndërruar jetëson qëllimin e tij për ta sunduar, duke u kthyer në boshtin e nënteksteve letrare.

Rrëfimi faktik bëhet magjik ngase kronikani shoqërohet nga Patoku Dindan dhe episodet reale zëvendësojnë njëra-tjetrën, krijohet efekti që pati kjo gjendje krejtësisht e panjohur më parë për përmasën psikike, kulturore dhe morale të njeriut shqiptar duke e bërë atë të paharrueshme. Në fund të fundit, kjo formë e “narrativës si dëshmi” synon që njerëzit të mos harrojnë, s’është thjesht regjistrim i realitetit, por një brendësim krijues i historisë reale.

Përhapja e epidemive dhe pandemive sjell përhapjen e masave tiranike të kontrollit bashkë me ligjërimin për shërimin e saj. Kronikani i “Conarium” na fton ta lexojmë kronikën e tij si analogji me efektet që sjell pushtetit absolut i cili instrumentalizon gjithçka. Fjala kyçe e përrallës është “pushteti i pakufizuar i imagjinatës”, kurse tek realiteti i shtetrrethimit cënohen të drejtat civile me anë të frikës dhe teksti romanor krijon analogji të përpikta me pushtetin e pakufizuar policor dhe frikën që ngjallte regjimi totalitar i para 90-ës.

Rishkrimi i tekstit të njohur të Romeos dhe Xhuljetës me anë të palimpsestit, krijon një version tjetër por bën të njëjtën pyetje të vjetër për mënyrën si qeveriset një vend në kohë karantine duke bërë analogji edhe me kohëra më të largëta, me realitete të ngjashme.

Përveç kronikës si analogji, një nga aspektet e tjera të romanit “Conarium” është edhe efekti i pandemisë tek gjuha, e cila mishërohet shkrimi episodemik. Shkurtësia e kësaj metode rrëfimi është në përputhje me ndërprerjen e parakohshme të jetës. Shkrimi fragmentar, episodemik brenda romanit thyen vazhdimësinë dhe mishëron tekstualisht copëzimin e vetëdijes së individit dhe shoqërisë që shkakton shtetrrethimi.

Ky shkrim episodemik që flet me gjuhën e përrallës, është ana metafizike e kronikës, veshja e saj me imagjinatë, dhe kemi edhe lojëra elegante me tekstin duke tërhequr vazhdimisht vëmendjen tek statusi i romanit si artefakt, marrëdhëniet midis trillimit dhe realitetit. Episode të tilla hulumotjnë strukturat themelore narrative, por edhe përmasën e mundshme të trilluar të botës jashtë tekstit letrar imagjinar. Autori bëhet vetëreferencial dhe përsiat mbi gjuhën e poezisë, metodën e shkrimit, titullin e kronikës, formën, stilin, gjuhën, lexuesin, historinë që do të shkruaj, subjektin.

Fija lidhëse e të gjithave episodeve është gjuha e cila është mund të jetë “gjuhë asnjanëse”, si ajo e nëpunësve të UNESCO-s, “gjuhë e përrallave” si ajo e (jo)realitetit të dytë që përshkruan shkrimtari, gjuha e autorit që e jetëson këtë (jo)realitet, “gjuha e poezisë” dhe “guha ushtarake” e cila e ka infektuar dhe sëmurur pushtetin i cili kthehet në kërcënim për shoqërinë. Karantina fizike merr gjithnjë e më shumë trajtën e një bunkeri gjuhësor ku e vetmja dritare është ajo e televizionit të propagandës.

Pandemia, në kohëzgjatjen e saj të paqëndrueshme, lind tekste fragmentesh e jo vazhdimesh: një grumbull episodesh, që nuk pranon përmbyllje kuptimesh. Shkrimi episodemik është në të vërtetë një formë e përplotësimit, krijimit të kësaj vijimësie të munguar ku teksti mbushet me lëndë imagjinare.

Të shkruash për një gjendje të skajshme, do të thotë të luftosh kundër saj dhe të tejkalosh efektet shtrënguese që mund të ketë ajo tek gjuha. Në këtë aspekt, efektet e kësaj gjendje sjellin një gjallërim të gjuhës në shumësinë e rrëfimeve që jepen në mënyrë retrospektive nga rrëfimtari. Kjo gjendje e skajshme e përcakton rrjedhën e shkrimit: kur shteterrethimi hiqet, rrëfenja mbaron. Ajo sjell në jetë dëshmitarin dhe shkrimin i cili është gjithmonë i lidhur me çështjet e gjuhës dhe fushat sociale dhe politike në të cilat ajo vepron.

Pandemitë që kaplojnë bashkësitë njerëzore na drejtojnë tek domethëniet shoqërore, dhe kësisoj politike e kësaj përmase. Episodet dhe fakte reale të zgjedhura me mjeshtëri, shembullzojnë groteskun e një sipërmarrjes shtetërore për ta tiranizuar shoqërinë, dhe para së gjithash gjuhën kurse personazhet e tjerë, të patrilluar e kodifikojnë këtë realitet bashkëkohor. Tekste të tilla kanë peshë metaforike, simbolike, mbartin tensionet dhe krizat sociale, hulumtojnë se si ato i kanë rrënjët në tirani dhe rikrijohen në realitete bashkëkohëse. 

Në fund imagjinata e artistit shpërthen dhe çlirohet me anë të gjuhës së lashtë të përrallës e cila shënon fitoren e krijuesit ndaj pushtetit politik dhe çdo lloj kufizimi. Kalimi nga bota e ëndrrës tek e realiteti kombëtar ndodh vazhdimisht, në mënyrë krejt të natyrshme sa të dyja realitet ngjajnë sikur janë dy përmasa të të njëjtit realitet dhe në këtë flatërim të imagjinatës Besnik Mustafaj fton ta shoqëroj lexuesin e përhershëm bashkë me një lexues i ri.

Exit mobile version