Në kulturën tonë letrare, leximi dhe një sërë çështjesh të tjera mbeten ende të lidhura me zakone të vjetra që e shohin veprën si dokument, jo si përvojë. Tradita historiciste e lidhur me Diltheyn, pozitivizmin, kritikën marksiste dhe një pjesë të teorisë kritike ka ushtruar ndikim të madh në formimin e lexuesit shqiptar. Ajo e ka mësuar atë të kërkojë “çfarë thotë vepra”, të gjejë mesazhin, funksionin, qëndrimin. Ka qenë e dobishme në kohë kur letërsia mbante peshën e shoqërisë, por sot e ngurtëson leximin, duke e kthyer në analizë të jashtme, të ftohtë, të prerë.
Në këtë terren të ngurtë, hermeneutika nuk vjen si teori, por si mënyrë e të dëgjuarit. Ajo na fton të hyjmë në tekst, të shohim se si na flet vepra, jo çfarë mendojmë se duhet të thotë. Heideggeri e pa artin si mënyrë të shfaqjes së të vërtetës; Gadameri e ktheu leximin në dialog, në takim, në shkrirje horizontesh. Mendimtarë si Jeff Malpas, Günter Figal dhe Rudolf Makkreel e kanë thelluar këtë ide: kuptimi nuk është metodë, por përvojë; nuk është abstraksion, por prani. Në këtë hapësirë të gjallë interpretimi, edhe kundërshtimet kanë rol. Ato nuk e prishin hermeneutikën, por e mbajnë në lëvizje.
Edhe kritikat e Adornos, që kërkon një hermeneutikë negative, jo si mohim, por si frenim të pranimit të menjëhershëm, e ruajnë fushën e hapur. Ai na kujton se kuptimi nuk duhet kapur me nxitim; duhet lënë të rezistojë pak, të na kundërshtojë, që të shfaqet më i vërtetë. Po kështu, propozimi i Mark Gilks për t’u kthyer te pragmatizmi i William James e gjallëron hermeneutikën: interpretimi nuk është vetëm tension, por edhe veprim, një mënyrë për të parë se si kuptimi funksionon në përvojën tonë të përditshme, si na orienton dhe si na ndihmon të jetojmë.
Hermeneutika është mënyrë e të menduarit, mënyrë e të dëgjuarit, mënyrë e hyrjes në botën e veprës. Krijuesi modern nuk është kronikan, as edukator, as zëdhënës i realitetit. Ai shkruan për të hapur një botë të vetën. Letërsia është prani, një hapësirë ku lexuesi ftohet të hyjë dhe të qëndrojë. Vepra është përvojë që hapet.
Kritika tradicionale kërkonte funksion: për çfarë i shërben shoqërisë ky tekst? Sa realist është? Çfarë qëndrimi mban? Kritika hermeneutike kërkon përvojën: si më flet ky tekst? Si më vendos në botën e tij? Çfarë hapësire krijon për kuptimin, si më afron me mënyrën se si vepra kërkon të kuptohet? Kritiku nuk është rojtar ideologjie; ai është ndërmjetës i përvojës. Susan Sontag e shton këtë me idenë se kritika nuk duhet të jetë interpretim i tepërt, por përjetim i drejtpërdrejtë.
Në shumë vende, kritika institucionale është zëvendësuar nga kritika komunitare: juritë, festivalet, klubet e leximit, podkastet, newsletteret. Ato nuk janë autoritet absolut; janë orientues. Kritika akademike është tkurrur. Publicistika letrare është rritur. Shkrimet e qeta, të menduara, po marrin ngadalë rolin e një kritike të re, të kthjellët, që afrohet me veprën pa zhurmë, pa ngut, me atë heshtjen që i lejon kuptimit të vijë vetë.
Ky ndryshim nuk është vetëm i yni. Në shumë vende, kritika profesionale është zbehur dhe vendin e saj e kanë marrë ritmet e tregut: recensime të shpejta, opinione të menjëhershme, influencues letrarë që kërkojnë fitesën e vet. Tregëzimi global ka ngushtuar hapësirën e mendimit të pjekur; aty ku dikur kritika ishte dëgjim, sot shpesh është produkt i shpejtë. Hermeneutika mbetet në universitete, ndërsa në publik shfaqet si përjetim i shpejtë, i lehtë për t’u përthithur. Letërsia, në hapësirën e sotme të tregut, shpesh trajtohet si produkt, jo si përvojë. Dhe në këtë lëvizje të re, kritika e qetë humbet terren përballë ritmeve të ngutshme të opinionit.
Kjo prirje prek edhe traditën tonë letrare. Në Shqipëri, kritika e qetë ka mbetur pa institucion, dhe publicistika po mban peshën që dikur mbante kritika profesionale. Arsimi, në mos ende, deri vonë e ka mësuar letërsinë përmes biografisë, epokës, kontekstit, mesazhit; kritika e realizmit socialist ka lënë gjurmë të forta, duke mbajtur gjallë një mënyrë leximi të lidhur me historinë dhe kontekstin. Në këtë terren, hermeneutika po hyn ngadalë, jo si detyrë, por si përvojë leximi që do prani dhe dëgjim. Lexuesi shqiptar po ndryshon: po kërkon butësi, ritëm, atmosferë; po afrohet me pranë tekstit. Publicistika letrare dhe komisionet e çmimeve po mbajnë peshën që dikur mbante kritika profesionale.
Lexuesi është bashkëkrijues i kuptimit. Ai nuk e merr kuptimin nga autori; ai e krijon atë. Gadameri e quan këtë “shkrirje horizontesh”: horizonti i lexuesit dhe i tekstit takohen, preken, ndryshojnë njëritjetrin. Horizonti është ajo hapësirë pritjeje, përvoje dhe kuptimi që secili sjell në lexim dhe që teksti e zgjeron. Leximi nuk është zbërthim; është takim. Kuptimi nuk është mesazh i fshehur; është ngjarje që ndodh midis lexuesit dhe tekstit.
Nëse hermeneutika kërkon rikthimin te përvoja, lexuesi nuk është vëzhgues i ftohtë. Ai është si një frymor që interpreton një simfoni. Teksti nuk është partiturë e mbyllur; është hapësirë tingujsh që marrin jetë kur dikush i dëgjon. Letërsia nuk është raport i botës; është muzikë e botës. Lexuesi është interpretues. Kritiku dirigjent. Vepra trup muzikor që frymon.
Kështu, pasi kemi kaluar nga lluca e zakoneve të vjetra te kthjelltësia e përvojës së leximit, mbetet tingulli i qetë i veprës që merr frymë. Letërsia mbijeton sepse është takim i gjallë midis autorit, lexuesit dhe kritikut. Sepse vepra nuk mbyllet në kohë; ajo hapet në përvojë. Hermeneutika e lë këtë takim të ndodhë pa ngurtësi, si vegla frymore që ngrohet në buzën e instrumentistit dhe ul zërin ngadalë, duke lënë në ajër një muzikë të butë. Ajo muzikë mbetet. Dhe lexuesi, në heshtjen e vet, e dëgjon.
Leximi po merr formën e përvojës, klasikët po mbushin vitrinat. Pse rikthehen? A i sjell tregu, jehona, apo nevoja për një zë që nuk plaket? Kjo na çon te pyetja e vjetër: a na flasin klasikët ende? Pse një tekst i shkruar shekuj më parë, në një botë krejt tjetër, vazhdon të na prekë? Historicizmi thotë se vepra është produkt i epokës, i kontekstit, i ideologjisë. Por fakti që klasikët qëndrojnë tregon se vepra nuk mbyllet në kohën e saj; ajo e tejkalon atë. Ne e duam ende Homerin, Danten, Shekspirin, Tolstoin, Flaubertin. Letërsia klasike mbijeton jo se është histori, por përvojë. Dashuria e Dantes, dilemat e Hamletit, heshtja e Ana Kareninës, fati i Edipit nuk janë çështje të shekujve të shkuar, por të njeriut. Lexuesi i sotëm nuk kërkon të dijë çfarë mendonte autori në shekullin e tij; ai kërkon të dijë çfarë i thotë vepra sot. Kur lexuesi hap një tregim të Çehovit, nuk kërkon Rusinë e shekullit XIX; kërkon të kuptojë pse heshtja e personazheve të tij i ngjan heshtjes së vet. Kur lexon Mopasanin, nuk kërkon rrethanat e realizmit francez; kërkon të kuptojë pse kthesa e fundit të tregimit e prek ende. Kur lexon Heminguejin, nuk kërkon kontekstin e pasluftës; kërkon të ndiejë ritmin e fjalës së zhveshur. Kjo është arsyeja pse klasikët modernë vazhdojnë të flasin: sepse lexuesi i ringjall me frymën e vet.
Kritiku e sjell veprën në horizontin e sotëm, duke hapur kuptime të reja. Kjo është arsyeja pse klasikët nuk mbarojnë: ata nuk kanë një kuptim, por shumë kuptime. Dhe kjo është pikërisht ajo që bëjnë; hermeneutika, Heideggeri, Gadameri, Wittgensteini: e kthejnë botën nga objekt në fushë, nga send në hapje, nga gjë në kuptim. Hermeneutika e tejkalon historicizmin, por vetë historia nuk e shteron veprën.
Vepra mbijeton nga forma e saj, ritmi, gjuha, struktura, simbolika, sepse ato nuk plaken. Një metaforë e madhe nuk ka datë skadence. Një ritëm i pastër nuk humbet. Një strukturë e ndërtuar me kujdes nuk vjetrohet. Ato kërkojnë interpretim. Nuk japin përgjigje, por shtrojnë pyetje. Nuk japin udhëzime, por krijojnë hapësirë. Nuk japin mesazhe, por afrojnë mundësi.
==========
Shënim: Disa terma që duhen kuptuar qartë, sepse edhe mund të ngatërrohen në përdorimin e përditshëm:
1. Historicizëm është termi i saktë teorik. Historizëm është thjesht variant fonetik i përdorur në shqip, por më pak i saktë. Historicizmi është qasje kritike që e sheh veprën letrare si produkt të kushteve historike, shoqërore, ideologjike dhe kulturore të kohës së saj. Pra: teksti si dokument i epokës. Ky kuptim mbështetet në traditën e kritikës historike dhe në debatet bashkëkohore mbi rolin e historisë në interpretimin e tekstit. Në kulturën tonë shqiptare, kjo qasje është e përhapur sepse letërsia shpesh shihej si formë vetëdijeje historike dhe shoqërore, siç e trajton edhe Rexhep Qosja në kritikën e tij: Dr. REXHEP QOSJA: Figurë qendrore e mendimit kritik, letërsisë dhe diskursit kulturor shqiptar – Fjala e Lirë.
Përdorimi i duhur : – “historicizëm” kur flasim për metodën, qasjen, paradigmën. “historizëm” vetëm si variant i pranueshëm, por jo i preferuar.
2. Hermeneutikë është termi i saktë filozofik. Hermetikë është forma e shkurtuar që përdoret në ligjërimin letrar për të treguar qasjen hermeneutike. Hermeneutika është teoria e interpretimit: kuptimi lind nga marrëdhënia autor–tekst–lexues, leximi është proces dialogimi, kuptimi është i kushtëzuar historikisht, horizontet e lexuesit dhe autorit shkrijnë njëri-tjetrin. Kjo traditë vjen nga hermeneutika filozofike (Gadamer, Ricoeur), e cila e sheh interpretimin si proces të hapur, etik dhe dialogues.
Përdorimi i duhur : – “hermeneutikë” kur flasim për teorinë e interpretimit. – “hermetikë” vetëm si formë e shkurtuar, e pranueshme në debat letrar.
3. Hermetizëm nuk duhet përfshirë në këto kuptime, sepse si term i referohet traditës së poezisë hermetike italiane (Ungaretti, Quasimodo), jo filozofisë së interpretimit.



