Dje paradite, në Qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, u zhvillua një nga ato aktivitete që nuk mbeten vetëm në sallë…por mbeten në mendje, në mënyrën si i sheh më pas fjalët, librat dhe madje edhe heshtjen.
Në një sallë të mbushur me gjimnazistë, mësues dhe njerëz të letrave, poetja laureate Rita Petro dhe poeti Visar Zhiti u ulën krah njëri-tjetrit dhe përballë publikut si në një dialog që herë merrte formën e intervistës, herë të rrëfimit dhe herë të një reflektimi që shkon përtej letërsisë. Dhe pa u thënë shumë me zë të lartë, në gjithë atë bisedë ndihej një nëntekst i qartë: poezia nuk është vetëm estetikë. Është mënyrë për të parë botën. Ndonjëherë edhe për ta kundërshtuar atë.
Në hapje të takimit, organizatorja e tij, Poetja Laureate Rita Petro e vendosi menjëherë tonin e bisedës, duke e kthyer vëmendjen te figura e Visar Zhitit.
“Ju para syve keni sot një hero të gjallë të letrave”, tha ajo, duke e përshkruar si poet, prozator dhe eseist, por mbi të gjitha si një zë që vjen nga një përvojë historike e fortë. Ajo rikujtoi edhe një të vërtetë që në këtë takim nuk u trajtua si thjesht biografi, por si plagë dhe kujtesë letrare: dënimin e Zhitit në kohën e diktaturës, që lidhej me botimin e librit të tij të parë me poezi.
“Disa vargje u morën dhe u keqinterpretuan”, u shpreh Petro, duke e vendosur në qendër idenë se fjala, në kohë të caktuara, ka qenë më e rrezikshme se heshtja.
Biseda mori menjëherë një kthesë më të thellë kur Rita Petro i drejtoi Visar Zhitit një pyetje që në dukje ishte personale, por në thelb prekte një përvojë universale.
Duke iu referuar një momenti nga një aktivitet i mëparshëm në Elbasan, “Poezia si kujtesë”, ku një i ri nga salla kishte ngritur një dilemë të ngjashme, ajo e riformuloi pyetjen: “Si është të jesh i ri dhe të të thonë se do të dënohesh me burg? Sa është raporti mes frikës dhe lirisë, kur e di çfarë mund të të ndodhë?”
Në përgjigjen e tij, Visar Zhiti nuk u ndal vetëm te kujtimet. Ai u ndal te vetë kuptimi i poezisë.
“Ajo kohë kërkonte dhe bënte viktima, ndërsa heroi ishte pothuajse i pamundur. Por poezia është pjesë e jetës. Poezia nuk është vetëm ajo që shkruhet. Poezia e parë është ajo që jetohet.”
Dhe më tej, duke iu drejtuar të rinjve në sallë, ai shtoi: “Mosha juaj jeton në poezinë e vet. Ka fat kur shkruhet, por edhe kur mbetet brenda njeriut, si një dritë që nuk fiket.”
Në një moment tjetër të bisedës, Zhiti e zgjeroi idenë e tij për të shkruarit: “Dikush shkruan për të besuar se po jeton. Dikush për të mposhtur harrimin. Dikush për të dëshmuar. Dikush ringjallet kur shkruan.”
Në atë sallë, poezia nuk po trajtohej si tekst, por si mënyrë ekzistence. Dhe ndoshta pikërisht këtu, pa u artikuluar drejtpërdrejt, u ndje ajo që Rita Petro e kishte lënë si nëntekst të gjithë takimit: ideja e poezisë si protestë. Jo protestë e zëshme, por si mënyrë për të mos pranuar harresën, për të mos pranuar zbrazëtinë, për të mos pranuar heshtjen si normë.
Një nga momentet që e solli më afër aktualitetit bisedën ishte ndalesa te poezia “Elegjia e pyjeve” e Visar Zhitit. Rita Petro e lexoi këtë poezi jo vetëm si krijim letrar, por si paralajmërim të hershëm për një shqetësim që sot është shumë i pranishëm në diskutimet publike, kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Janë zvogëluar sipërfaqet e pyjeve dhe janë zgjeruar sipërfaqet e turpit”, tha ajo, duke e lidhur poezinë me një realitet që nuk ka nevojë për shumë shpjegim.
Në përgjigje, Zhiti e ktheu vëmendjen te lidhja themelore mes njeriut dhe natyrës:
“Natyra dhe njeriu nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin. Është detyrë e njeriut të mbrojë tokën e vet.” Në këtë pikë, poezia dukej sikur kishte dalë nga libri dhe ishte ulur në tryezën e debatit publik.
Më pas, rolet u përmbysën. Visar Zhiti u bë pyetësi i Rita Petros.
“A është poezia një realitet më vete apo e lidhur me realitetin? A jeni për poezinë e angazhuar apo për atë estetike?”
Përgjigjja e Petros ishte një balancë mes dy botëve:
“Ka poezi universale që mbijetojnë për vlerat estetike. Por ka edhe poezi që lindin nga nevoja për angazhim. Ndonjëherë nuk janë perfekte nga ana estetike, por e kanë kryer misionin e tyre. Kur bashkohen të dyja, atëherë kemi poezinë më të plotë.”
Dhe më pas ajo shtoi një fjali që e përmblidhte gjithë filozofinë e saj si poete laureate:
“Poezinë mund ta marrësh me vete kudo. Edhe në dashuri, edhe në protestë.”
Një nga momentet më të forta të takimit erdhi kur u fol për fatin e librave.
Visar Zhiti e përshkroi librin si një jetë më vete:
“Ka libra që humbin, që digjen, që burgosen. Libri është si një frymë tjetër, si një shpirt tjetër.”
Dhe më pas shtoi një fjali që e zhvendosi bisedën përtej sallës: “Në protestat që po bëhen, do të më pëlqente të dëgjohej edhe një klithmë tjetër: ‘Duam librin, na jepni librin’.”
Në atë çast, fjala “protestë” mori një kuptim tjetër. Jo vetëm si reagim ndaj realitetit, por si kërkesë për kulturë, për kujtesë dhe për hapësirë për librin në jetën publike.
Një pjesë e rëndësishme e takimit ishte kur fjala poetike kaloi dorë më dorë mes brezave. Të rinj nga gjimnazet “Eqerem Çabej” dhe “Luan Hajdaraga” interpretuan poezi të zgjedhura nga krijimtaria e të dy e Visar Zhitit dhe Rita Petros, duke sjellë në sallë vargje si “Gjërat e vogla”, “Koha”, “Mos më kërko premtim” dhe “Liria”, të interpretuara përmes zërit të tyre të ri.
Por dialogu poetik nuk mbeti me kaq: edhe vetë dy autorët u kthyen te njëri-tjetri, duke lexuar poezi të zgjedhura nga krijimtaria e njëri-tjetrit, Visar Zhiti solli vargje si “Sandalet”, “Aleluja sipas lutjeve të Nënë Terezës”, ndërsa Rita Petro interpretoi “Mëkati i shegës” dhe “Dashuria ime”. Ky shkëmbim i ndërsjellë e shndërroi sallën në një hapësirë të vërtetë bashkëndarjeje letrare, ku poezia nuk ishte më vetëm tekst, por marrëdhënie mes zërave.
Takimi u pasurua ndjeshëm edhe nga pyetjet e nxënësve, të cilat sollën një energji të veçantë në sallë. Ata nuk u mjaftuan me dëgjimin, por kërkuan të kuptonin më thellë raportin mes jetës dhe krijimit, mes përvojës dhe poezisë. Pyetjet shkonin nga burimi i frymëzimit, te ndikimi i përvojave të vështira jetësore në shkrim, deri te roli i artit në shoqëri.
Një nxënëse e pyeti Visar Zhitin nëse përvojat e burgut kishin ndikuar në krijimtarinë e tij.
“Të dënohesh për poezi ishte një dramë e madhe. Por poezia dhe lutja na ndihmuan të mbijetonim”, u përgjigj ai.
Një tjetër pyetje e solli më afër procesit krijues:
“Frymëzimi vjen nga jeta, nga ajo që sheh, nga njerëzit dhe nga librat”, tha Zhiti.
Ndërsa një pyetje drejtuar Rita Petros mbi rolin e poezisë në evolucionin e individit dhe të njerëzimit solli një përgjigje që përmblodhi thelbin e gjithë kohës së aktivitetit.
“Poezia na ndihmon të çojmë në kulm ndjesitë tona. Ajo përmbledh përvojat, imazhet dhe emocionet tona në një formë të përqendruar. Poezia e vërtetë na bën të lexojmë veten tonë.”
Në fund, një nga nxënësit, Eriku, lexoi një poezi të krijuar prej tij. Një moment i thjeshtë në dukje, por domethënës në thelb: poezia nuk ishte më vetëm e autorëve në skenë, por edhe e atyre që dëgjonin, e të rinjve që kanë filluar të krijojnë.
Dhe ndoshta kjo ishte dëshmia më e qartë e gjithë takimit. Sepse aty, në atë sallë, poezia nuk u shpjegua vetëm. U transmetua.
Në mbyllje, Rita Petro falënderoi të pranishmit dhe organizatorët dhe u kujtoi të rinjve rëndësinë e të besuarit te vetja, te bukuria natyrale që gëzojnë.
Ndërsa Visar Zhiti e mbylli me një fjali që mbeti pezull në sallë:
“Ruajeni poezinë si guacka që ruan perlën brenda saj.”
Dhe duke parë të rinjtë përballë tij, shtoi:
“Kostelacioni i syve tuaj ishte poezia më e bukur sot.”
Një fjali kjo që nuk mbyll thjesht një aktivitet. Por lë të hapur pyetjen se ku vazhdon poezia pasi mbyllet salla!



