Kreu In memoriam Irena dhe Fatmir Toçi: Pa Rexhep Qosen, në ditëlindjen e tij të...

Irena dhe Fatmir Toçi: Pa Rexhep Qosen, në ditëlindjen e tij të nëntëdhjetë

Para dy muajsh më 23 prill 2026, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, ndërroi jetë Akademiku Rexhep Qosja, një prej personaliteteve më të mëdha të kulturës, mendimit dhe letërsisë shqiptare, Ai kishte lindur më 25 qershor të vitit 1936 dhe kjo datë do të duhej të ishte një festë e pranisë së tij mes nesh, por fati deshi që këtë përvjetor të 90 – të lindjes ta shënojmë në kujtim të jetës dhe veprës së tij të jashtëzakonshme.

Në respekt të dëshirës së Tij të fundit, amanetit të lënë me shkrim familjarëve të tij kohë më parë, edhe ne, si botuesit e tij dhe miq të afërt të familjes Qosja, nuk organizuam veprimtari publike në kujtim e nderim të jetës dhe veprës që ka lënë pas, por s’mund të linim pa e kujtuar në ditën e tij të Lindjes, siç kemi bërë çdo vit prej 30 vjetësh, që nga koha e njohjes dhe fillimit të bashkëpunonim për publikimin e veprës së tij madhore.

Për ne, si botues të veprës së tij në Shqipëri, ky përkujtim ka një domethënie të veçantë. Kemi pasur privilegjin të sjellim para lexuesit shqiptar një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë dhe mendimit të tij, duke dëshmuar nga afër përmasën e rrallë të një intelektuali që jetoi me librin, për librin dhe për kombin.

Rexhep Qosja ishte shumë më tepër se një historian i letërsisë, kritik, romancier apo publicist. Ai ishte ndërgjegjja kritike e kulturës dhe shoqërisë shqiptare. Në më shumë se gjysmë shekulli krijimtarie, ai ndërtoi një vepër monumentale që përfshin historinë e letërsisë, estetikën, kritikën letrare, romanin, dramën, publicistikën dhe mendimin kombëtar. Ai ishte një nga figurat më të rëndësishme të albanologjisë moderne dhe një nga zërat më autoritarë të kulturës shqiptare në të gjitha hapësirat ku flitet shqip.

Veprat e tij nuk ishin thjesht libra; ato ishin ngjarje intelektuale. Çdo botim i ri i Rexhep Qosjes hapte debate, nxiste reflektime dhe zgjeronte horizontet e mendimit shqiptar. Ai na mësoi se kultura nuk është vetëm trashëgimi, por edhe përgjegjësi; se identiteti nuk ruhet me slogane, por me dije, punë dhe vetëdije historike.

Si botues, kemi vlerësuar te ai jo vetëm madhështinë e dijetarit, por edhe përpikërinë e autorit. Ai ishte njeri i fjalës së peshuar, i argumentit të fortë dhe i kërkesës së lartë ndaj vetes. Në çdo dorëshkrim, në çdo ribotim, në çdo diskutim për librin, ndihej serioziteti i njeriut që e konsideronte kulturën një mision.

Sot, kur ai nuk është më fizikisht mes nesh, veprat e tij vazhdojnë e do të vazhdojnë të flasin. Ato mbeten një pasuri e çmuar për studiuesit, studentët dhe lexuesit shqiptarë. Ato do të vazhdojnë të ndriçojnë brezat që vijnë, ashtu siç ndriçuan brezat e deritanishëm.

Në këtë 90-vjetor të lindjes së tij, përulemi me respekt para kujtimit të Akademikut Rexhep Qosja. E falënderojmë për gjithçka që i dha shkencës, kulturës dhe shoqërisë shqiptare dhe për trashëgiminë e jashtëzakonshme që na la.

Emri i tij tashmë i përket historisë së madhe të kombit shqiptar, ndërsa vepra e tij i përket të sotmes dhe së ardhmes.

Exit mobile version