Kreu Letërsi Shënime mbi libra Namir Lapardhaja: Kohë e ndaluar në varg (Shënime për poezinë e Yzedin...

Namir Lapardhaja: Kohë e ndaluar në varg (Shënime për poezinë e Yzedin Himës)

Poeti Yzedin Hima ka botuar katër libra me poezi dhe, herë pas here, cikle poetikë në gazeta, portale apo revista letrare. Një nga shenjat semantike që bien në sy poezinë e tij është koha. Madje, njërin nga librat e tij poetikë e ka titulluar “Pak kohë mbaj në duar”. Autori nga përditshmëria prozaike kërkon, gjen, ndalet dhe përjeton çaste  estetike, të cilave u jep jetë në vargjet e tij. Duket sikur nga koha që rrjedh, merr atë kohë të jetuar bukur dhe e kthen në “disqe” fjalësh, duke e lënë kohën tjetër të rrjedhë drejt hiçit, sikurse shkruan në një poezi:

                    Pak kohë nga koha e ikur e mbaj në duar

                    kohë e ngurtë si një disk ku flenë tingujt e fjalët

Këta janë dy vargjet e parë të poezisë që mban edhe titullin e librit “Pak kohë mbaj në duar”. Te koha e ndalur janë hapat e së dashurës, puthjet “si frushëllima krahësh të shpendëve të heshtur”. Uni poetik mendon se te disku i kohës kanë vend vetëm përjetimet e thella, vlera të tilla si dashuria dhe e dashura që formojnë arin e diskut të kohës së ndalur:

                  ti je aty në kohën që u ndal

                  je materja nga e cila koha u bë

                  je metali i çmuar i medalionit të kohës

Fjalët kanë një kujtesë parake  – thotë studiuesi si letërsisë Roland Bart. Kur e lexon këtë tekst, të vjen ndër mend thënia e mrekullueshme e poetit Ezra Paund, të cilin e gjejmë të cituar edhe në një poezi tjetër të autorit: Ç’dashuron mbetet, Zgjyrë është pjesa tjetër.

Autori kohës i pranvë lumin, si dy fenomene që rrjedhin dhe nuk kthehen pas. Në bazë të shoqërimit të ideve, lexuesi mediton se edhe lumi ndalet si koha, duke u kthyer në dritë, duke jetësuar bimë e krijesa. Ndalja e kohës krahasohet sikurse ndalja e një grushti uji nga shtati i lumit apo siç ndal lumi mbi shtatin e tij qiell e meteorë. Ka një përqasje midis krijimit të tekstit poetik me fenomenin fiction të natyrës, pasqyrimi i shëmbëlltyrës qiellore në lëkurën ujore. Nëse teksti poetik shëmbëllen me realitetin e njëmendët, po ashtu edhe Hëna, që qendron pezull mbi syprinën e ujit dhe e shndërron lumin në lumë hënor, ndërsa meteorët digjen jo në hapësirën qiellore, por në ujrat e lumit:

  pak kohë e ndala ndër duar siç mund të ndalet

               një grusht uji nga lumi që vrapon drejt detit

               apo siç ndal e djeg pellgu meteorët

               kur netëve pasqyron kupën e qiellit

Teksti poetik përfundon me dy vargje befasues, që tregojnë se ndalja e kohës nuk është thjesht përjetim estetik i saj, ngurtësim i bukurisë së  saj në vargje, por edhe reflektim për vendin që zë uni poetik në kohën që iku, apo në kohën që u ndal. Dy vargjet tregojnë për qëndrim kritik të unit poetik ndaj vetes, te qenia e papërsosur:

                       pi i etur në grushtat e mi të djeshmen

                       në fyt më ngec vetja

Ky gjykim  i vetes, mendoj se është tregues i emancipimit, i shpirtit kritik, i dëshirës për përsosje, i mungesave, i mosjetimit të kohës në të gjitha përmasat e saj, i kohës së lënë bosh. Kur vetja të ngec në fyt, me siguri kohën tjetër do përpiqesh ta jetosh edhe më intesivisht edhe më denjësisht.

Në poezinë “Fëmijëria” koha vjen si një disk, ku materia është prej dhimbjeje. Është fëmijëria e fëmijëve të qytetarëve të thjeshtë në një vend të varfër, ku varfëria më e madhe qe mungësa e lirisë, dhuna dhe injoranca e dhunuesve. Autori e ka parë fëmijërinë në dy kohë, në kohën e fëmijërisë dhe në kohën e sotme si rijetim i një kohe të keqjetuar:

një palë sandale me dy rrypa kryq

                             kryqëzuar fëmijëria jonë

Ky kryqëzim i një fëmije është kryqëzimi më i dhimbshëm në historinë e kryqëzimeve, sepse ka emërues pafajësinë. Sipas besimit të krishterë, kryqi dhe kryqëzimi janë shenjat e vuajtjes së padrejtë. Teksti vjen me naivitetin dhe pafajësinë e një fëmije, ndërsa mbart një mesazh të fortë, varfëria vjen si dhunë edhe nga padija:

babai s’pati kurrë librezë kursimi

                             ndaj krenohej me një fletënderi

                             të shkruar me gabim drejtshkrimor

Pamja e dytë që sjell teksti është nga koha e sotme. Duket se ato gjurmë të lëna dikur nga këmbët e zbathura të fëmijërisë në rrugë, koha, kurrsesi, nuk mundet t’i fshijë apo t’i zbehë, ato mbeten në fytyrën e kohës dhe në fytyrën e rrugëve. Gjurmët e zbathura të fëmijërisë, jo vetëm që nuk fshihen nga fytyra e rrugëve, por ato ngjiten në qiell, si shenja të shenjta të pafajësisë fëmijërore:

 gjurmët e zbathura të fëmijërisë

           si smeralde në fytyrën e rrugëve

                             ngrinë në udhëkryqin qiellor

                             si plagë i dhembin qiellit

                      netëve

                    shpesh bien e digjen si meteorë

Ky tekst plotësohet edhe nga tekste të tjerë, dukuri në poezinë e këtij autori. Vargu /Përroi thatë i fëmijërisë sime më kërkon borxh lotët / të rrjedhë do/ tregon se fëmijëria është përjetim i pandarë i njeriut gjatë gjithë jetës.

Në poezinë e këtij autori koha rrjedh edhe si humbje. Në poezinë: “Çdo ditë humb diçka” kemi shndërrime të çuditshme për shkak të kohës. Rrugët nga vjen uni poetik shndërrohen në gjarpërinj të bukur. Po pse, vallë? Në tekst nuk gjendet asnjë shpjegim, ndaj lexuesi mund të hamendësojë. Duket se subjekti mendues nuk ka ndjekur rrugët që ka pasur dëshirë të ndjekë, por i janë imponuar ato rrugë në të cilat ai nuk do deshte të shkelte, ndaj ato rrugë mbartin te vetja dhunën, arritje të padëshiruara, udhëkryqe të verbër:

rrugët e mia të hershme po kthehen në gjarpërinj të bukur

  dëshirat e dhunuara janë ornamente në shpinën e tyre

 e braktis lëkurën gjarpëri, vizatimet mbeten art dhimbjeje

peng i jetës sime plagë e bukur në shpinën e gjarpërinjve

Ky tekst sa vjen e bëhet më hermetik. Metamorfoza e rrugëve në gjarpërinj, me ornamente dëshirat e dhunuara në shpinën e tyre, dëshira të cilat nga moskomunikimi, nga moskuptimi, apo nga ndalimi janë shndërruar në plagë të bukura në shpinën e gjarpërinjve. Nëse do t’i mëshonim më tej gjetjes së kuptimeve të fshehura, mendoj se do të prishnim magjinë e bukurisë së këtyre vargjeve. Më tej në tekst fluturimi i munguar i unit poetik, ngjitja e munguar në lartësi, realizohet nga një shqiponjë, e cila me kthetrat e saj i mbërthen gjarpërinjtë në rrugë dhe ngjitet në qiell:

           peng i jetës sime plagë e bukur në shpinën e gjarpërinjve

          fluturon lart në kthetrat e shqiponjës dhe bie ylber

          në gojën e hapur të hardhucës së mahnitur nga lartësia

          hardhuca është e lumtur se piu një ylber në pikën e vesës

          e shtrirë në gur bënë një plazh estetik nën dritën e yjeve

Ka një sërë shndërrimesh në këtë tekst: dëshirat e dhunuar shndërrohen në pengje, pengjet në ornamente në shpinën e gjarpërninjve, ornamentet shndërrohen në ylber, (piklëza uji), nga lartësia ku u ngjitën dhe bien në formën e vesës në gojën e hapur të hardhucës. Le të ndalemi te simbolika e tekstit: shqiponja është fanazia dhe imagjinata krijuese e unit poetik, e cila rrok lartësitë që nuk mundi t’i kapë uni poetik. Ornamentet në shpinën e gjarpërinjve janë shndërrimi i dhimbjes në art, sikurse dihet se burimi i artit është pellgu i dhimbjes së bukur. Ndërsa ylberi është kënaqësia estetike që përthyehet në gojën e hardhucës, e cila nuk mund të ngjitet lart, jeton me mahninë e lartësive të munguara. Ajo preferon të bëjë një plazh estetik nën dritën e yjeve.

Po hardhuca kë simbolizon? Ndoshta subjektin mendues që përpiqet të jetojë estetikisht në një habitat hardhucash.

Po cila është mundësia për t’i shpëtuar kohës që kur rrjedh merr me vete një pjesë të qenies sonë?

Uni poetik mendon se vetëm dashuria është antindryshkja e njeriut nga ndryshku që shkakton koha dhe ikja e saj. Në poezinë “Mars” ai e sheh këtë dukuri te e dashura, e cila, e rrethuar nga dashuria, qëndron përherë e re:

            u thinjën shkronjat, fleta u zbeh

           metaforat kanë zënë ndryshk

           ndërsa ti qëndron përherë e re

           si mermer i bardhë nën myshk

E bukura drithëron mjedisin ku shfaqet, duke e elektrizuar atë, duke përcjellë muzikën më të ëmbël te njerëzit, duke i bërë edhe ata më të bukur, sikurse ndodh te teksti i kësaj poezie. E bukura ka forcën sugjensionuese dhe shdërruese të mjedisit ku shfaqet, që të kujton thënin e njohur të Dostojevskit se ‘botën do ta shpëtojë vetëm e bukura’:

           te sytë e tu janë mbytur det e qiell

          shpend’ i egër të dridhet në buzë

          kur ecën rrugës si gishtat në tastierë

          në sytë e njerëzve ajri digjet shpuzë

Në poezitë e autorit ndihet shqetësimi qytetar për njeriun e mashtruar ndër kohëra, njeriun që ka në këmbë nga endja e tij vetëm lidhëzat e kaltëra të shpresës. Nga mashtrimi dhe endja, qytetari i shekullit XXI ka mbetur zbathur dhe në rrugët e mërgimit në kërkim të shpresës, lë pas hartën fatkeqe të atdheut. Fatalisht forma e gjurmës së këmbës së zbathur i ngjet hartës së atdheut tonë:

murit ia hoqën gurët një e nga një deri tek rrënjët

po muri mbeti në sytë e njerëzve me gurët e rëndë gri

njerëzit me sy muresh vështrojnë nga ura e re

lidh brigjet e hirta të hiçit ku rrjedh mungesa e lumit

Rënia e diktaturës rrëzoi murin që na ndan nga bota, por ky mur u transferua, në zemrat gur të disa njerëzve, ose, siç thuhet në këtë tekst, te sytë e njerëzve, të cilët me “sy muresh” nuk po e gjejnë rrugën për zhvillim e begati. Premtimet janë kthyer në mashtrime si ura e re që lidh brigjet e hiçit, ku lumi mungon, apo në pulëbardha prej letre të bardhë. Premtimet për qytetarët e thjeshtë janë kthyer në sandale fjalësh, të lidhura me lidhëza të kaltra shprese, ndërsa Evropa e premtuar largohet si arushë me këmbë mjegulle:

 njeriu veshi një palë sandale fjalësh dhe u nis për udhë

në pyllin e bukur të shpresës matanë asaj kodre fati

që largohet si arushë e bardhë me këmbë mjegulle

    njeriu ka në këmbë vetëm lidhësat e kaltra të shpresës

    rrugës lë në pluhur hartën fatkeqe të atdheut

Trishtimi është “tatuazhi” dhe substanca e këtij teksti.

Tema e mureve te njeriu, midis njerëzve, midis popujve është e pëlqyer nga autori. Në një tekst të titulluar “Gurët” uni poetik evokon krijimin e mureve. Janë pikërisht gurët e latuar, ata të përpunuarit, gurët që nuk mund ta fshehin zjarrin që kanë te vetja, për shkak se njerëzit ua zbuluan atë, që si ushtarë pa identetitet (kokëqethur e të uniformuar) rreshtohen dhe formojnë muret:

           të ashpër, të fortë e të pabindur

           në vendin e tyre të natyrshemgurët

           kur njeriu ua njohu zjarrin

           të cilin e fshihnin thellë tek vetja

           u zbutën, u gdhëndën gurët

           dhe si ushtarë pa identitet

           u rreshtuan tek muret

Ruajtja e individualitetit, ruajtja e karakterit të njeriut, ruajtja e dinjitetit të tij është shqetësim i unit poetik në këtë botë që sa vjen e bëhet më globaliste, sa vjen e bëhet më pragmatiste.

Anarkia postdiktaturë është vizatuar në një poezi akuarel të titullua “Muret”. Autori me penelata të shpejta fjalësh sjell imazhin ekspresionist të shdërrimeve në një vend të rrethuar nga mure të lartë. Rënia e tyre do të ishte një ngjarje dhe festë e madhe për ata që u izoluan brenda mureve dhe një festë pak a shumë traumatike për ata që ngritën muret, por nuk rezultoi kështu:

ranë muret

nën gurë

ata që s’i deshën muret kurrë

nga gjoksi i shqyer i qiellit

dolën skifterët

Vetëm me pesë vargje evokohet imazhi i anarkisë posdiktatoriale. Natyrisht, teksti ka vlerën universale të shëmbëlltyrës artistike të realitetit të njëmendët që mund të thirret edhe Shqipëri.

Exit mobile version