Kreu Opinion Mimoza Hasani Pllana: Elbasani këndohet në Bullgari nga 83 vjeçari që s’e...

Mimoza Hasani Pllana: Elbasani këndohet në Bullgari nga 83 vjeçari që s’e pa kurrë Shqipërinë

Vijon nga: Flasim shqip në Mandricë

Rrëfimi i fundit që dua të ndaj për shqiptarët e Mandricës lidhet me folklorin dhe mënyrën se si ata e kanë ruajtur këtë vlerë kulturore dhe kombëtare thuajse të pandryshuar, duke e përcjellë brez pas brezi, kryesisht përmes rrëfimeve gojore. Këngët e dasmës, këngët e nuses, këngët e pranverës dhe ato të jetës në përgjithësi, si dhe veshjet tradicionale, janë ruajtur më së miri, ndërsa vallet, ninullat dhe këngët e lojërave të fëmijërisë përmbajnë elemente të dukshme bullgare.

Edhe vetë historia e themelimit të fshatit mbështetet në traditën folklorike. Deri më sot, banorët e Mandricës të kaluarën e tyre të largët në Bullgari e rrëfejnë kryesisht përmes gojëdhënave familjare të transmetuara ndër breza dhe jo duke u referuar në burime të shkruara që saktësojnë se si nisi jeta shqiptare në fshat.

Konstandini i Mandricës

Historia e burrit më të vjetër të fshatit, 83-vjeçarit Konstandin Georgie Beishev – Kosta, është historia e të gjithë komunitetit. Kur ai rrëfen për të kaluarën e largët të fshatit, të kaluarës i referohet si “historia jonë”, për të cilën thotë se nisi nga tre vëllezër korçarë. Kjo legjendë përbën një lidhje të drejtpërdrejtë me folklorin shqiptar, në të cilin motivi i tre vëllezërve është i pranishëm anë e mbanë trojeve tona.

Në natën e parë të mbërritjes në Mandricë, Kosta gjithë gëzim na priste në këmbë në hyrje të oborrit të hotelit Bukor Shtëpi. Kur e takova këtë person, disi u gëzova edhe unë, nga ndjesia e mirë që më dha ende pa më folur vetëm me shprehjen e fytyrës së buzëqeshur aq sa mu duk se edhe sytë nën syze me xham të trashë po i qeshnin.

Shtëpinë ku e ke? – e pyeta gati në fillim të bisedës, atë natë që  m’u duk se e vetmja shtëpi me dritë elektrike ishte ajo e shndërruar në hotel, e cila dikur kishte funksionuar si shtëpi e shëndetit.

Ai më tregoi, përafërsisht, se ku banonte.

Kujtova se banon këtu, i thashë.

Jo, këtu kam ardhur t’ju pres, m’u përgjigj natyrshëm.

Po si e dite që po vijmë? – e pyeta me kureshtje.

E dinte i gjithë fshati që po vini! – tha duke qeshur dhe duke dëshmuar në njëfarë mënyre se në këtë fshat lajmi qarkullon më shpejtë se çdo gjë tjetër.

Këtu e kuptova se në Mandricë ende funksionon një kod i vjetër i kulturës tradicionale shqiptare, jo vetëm në shpërndarjen e lajmit, por edhe në pritjen e mysafirit, i cili trajtohet si mik shtëpie edhe nëse në atë shtëpi vjen për herë të parë.

Banorët e tjerë ishin aty, në këmbë. I përshëndeta të gjithë, sikur t’i njihja prej kohësh, e u ktheva sërish tek biseda me Kostan. Burrë i urtë e bujar, me tipare tipike shqiptare, Kosta rrezatonte një energji të mirë që në ditët e sotme ndjehet pothuajse vetëm kur rri e bisedoj me këtë brez burrash e grashë shqiptare. Me ta flet për herë të parë dhe ndihesh sikur i ke njohur gjithmonë.

Qetësia e Mandricës qenka e admirueshme, i thashë Kostas. Po si u bë që gjithë këto vite në fshat pati vazhdimësi të gjuhës dhe kulturës shqiptare, derisa në Arbanas të Veliko Tërnovos, kryeqytetit historik bullgar, nuk kisha takuar asnjë banor që flet shqip. Arbanasit e sotëm kishin njohuri se emri i fshatit është trashëgimi e shqiptarëve që kishin jetuar prej shekujsh në këtë vend e të cilët nuk kishin lënë pasaardhës pas shpërnguljes së tyre në Ukrainë.

Këmbë e turkut këtu kurrë s’ka shkelë, ma ktheu Kosta gjithë krenari.

Kosta flet shqip aq mirë, saqë gjatë tri ditëve sa qëndrova atje, thuajse nuk pata nevojë për fjalorin e dialektit të Mandricës.

Pa u shkëputur fare, e vazhdova bisedën me Kostan dhe në një moment m’u kujtua se ato biseda duhej regjistruar, ngase ndoshta kurrë më nuk do të kem fatin t’i dëgjoj. Derisa po bëja gati kamerën, ai më tha:

“Për film do ta këndoj një këngë shqip”.

Vajta në Elbasan… filloi të këndonte. Dhe, për çudi, e këndoi gjithë këngën fjalë për fjalë, ashtu siç këndohet edhe sot.

Të pëlqen Elbasani? – e pyeta.

Më pëlqen, këndohet bukur.

Po kur ke qenë atje, si të është dukur?

Nuk kam qenë asnjëherë në Elbasan dhe as në Shqipëri, ma ktheu Kosta.

U habita. Për një çast u shkëputa nga biseda dhe po mendoja se si gjuha dhe kënga nuk kanë nevojë për vizita apo kapërcim kufijsh që ta duash vendin e origjinës.

Dhe kështu…atë natë, Kosta më dha dëshminë më të bukur; dashuria për rrënjët jeton derisa ka një zemër që rreh dhe një kujtesë që refuzon të harrojë identitetin shqiptar. Dashuria jeton për aq kohë sa jeton kujtesa.

Po atë natë, ky burrë i urtë më dëshmoi se ashtu siç arbëreshët e Italisë për shekuj me radhë i kënduan Arbërisë, ashtu i paskan kënduar edhe arbanasit në Bullgari, si sot që  Kosta 83 vjeçar me aq dashuri këndon Elbasanin e kurrë në jetën e tij nuk pati mundësinë të shkelë në Shqipëri.

Në këmbë, aty pranë derës së oborrit, ai nisi të shpaloste historinë e fshatit. Për Kostën, ajo ishte “historia jonë”, një histori që kishte nisur rrëfimin shekuj më parë me tre vëllezërit nga rrethi i Korçës dhe që vazhdon edhe sot. Në fillim të shekullit XX, siç rrëfen ai, fshati u zhvillua aq shumë sa u mbush me shtëpi të bukura, me fëmijë, djem e çupa të reja, me shkollë, shtëpi të shëndetit, meshë, këngë, valle e lojëra. Kjo histori vazhdoi deri në ditët e sotme, kur fshati po zbrazet. Shtëpitë nuk ka kush t’i trashëgojë. Gjashtë shtëpi janë blerë nga anglezët, ndërsa edhe katër të tjera pritet të shiten. “Ne nuk rrojmë gjithmonë”, më tha në fund. Një pjesë e familjes së tij jeton në Zelandë të Re, njësoj ishte situata edhe banorët tjerë, familjet e të cilëve ishin zhvendosur në qytete, kryesisht në Plovdiv dhe Sofje, ose ishin larguar nga Bullgaria. 

Veshjet e dasmës

Zakonet e dasmës tradicionale mandricase na i rrëfeu Katerina Hristova Ilieva. Ajo na ftoi në shtëpinë dykatëshe të babait, aty ku në një arkë, ruante veshjet e nuses shqiptare të Mandricës, por edhe ato të nuses bullgare. Katerina na tregoi se në dasma nuset vishnin të dyja palët e veshjeve: ato të albanka nusë dhe trakaska nusë.

Të dyja veshjet e nuses përfaqësojnë identitete të ndryshme kulturore, por njëkohësisht kanë edhe disa elemente të përbashkëta të trashëgimisë popullore. Veshja tradicionale shqiptare paraqitet më e përmbajtur sa i përket përdorimit të ngjyrave. Dominon ngjyra e zezë dhe e bardhë, qëndisur me detaje të kuqe. Ajo përfshin këmishë të bardhë të gjatë me mëngë të gjera dhe të gjata, një fustan në formë jeleku të gjatë me gjyrë të zezë dhe qëndisje elegante të kuqe, një brez dekorativ prej bakri ose argjendi, punuar me finesë dhe një shami të kuqe në kokë. Veshja bullgare karakterizohet nga qëndisja me ngjyra më të ndezura, ku dominon e kuqja, e verdha, e gjelbërta, e kaltërta, ndërsa veshja bazike ka ngjyrën e bardhë dhe të zezë. Sa i përket formave të qëndisjes, kryesisht janë lule. Në veshje përfshihet këmisha e bardhë, jekelu i shkurtër, fustani i zi dhe përparësja e qëndisur me motivet e përmendura, një brez dhe një shami e kuqe me lule në kokë.

Zakonet e dasmës tradicionale mandricase

Dasma mandricase fillon të premten, me një ceremoni të thjeshtë, me mollën e mbështjellur në shami dhe të lidhur në një dru të butë. Molla e lidhur në dru me shami simbolizon dashurinë, shëndetin, begatinë, rritjen e familjes si dhe ruajtjen e traditës dhe identitetit kulturor. Pas këtij riti nis ahengu me këngë dhe urime.

Të shtunën dasma vazhdon me ritin e fasules. Atë ditë në familjen ku po bëhet dasma, zihet fasulja e cila simbolizon bereqetin, rritjen e pasurisë dhe urimet e shumta për çiftin ashtu si kokrrat e fasules.

Të dielen zhvillohet cermemonia e kurorëzimit të dhëndrrit dhe nuses në Kishën e fshatit Shën Dhimitri. Pas kësaj ceremonie fillojnë këngët dhe vallet popullore.

Banoret e fshatit nuk kujtojnë se këngët dhe vallet luhen ndaras si valle grash dhe valle burrashe, por si valle të përbashkëta. Sa i përket valleve, albanologu Thoma Kacori shënon se, vallet e përgjithshme të mandricasve me kohën moren shumë elemente bullgare. Nga të gjitha vallet u ruajt vetëm vallja e vjetër shqiptare e quajtur, vallja çame.

Lojërat dhe këngët e fëmijërisë

Zonjat Sulltana, Katia dhe Ekaterina, njëzëri kujtojnë se lojërat e fëmijërisë kryesisht ishin fshehurazi, me top dhe noti në lumin e fshatit, ku nënat lanin rrobat, meqë, siç kujtojnë ato, fshati nuk kishte ujë të rrjedhshëm nëpër shtëpi. Këngët që këndoheshin nga fëmijët ishin kryesisht këngë fëmijësh në gjuhën bullgare. Këto lojëra dhe këngë nuk u përcollën nga brezat paraprakë dhe as te brezat e rinj, të cilët janë shpërngulur nga fshati dhe nuk e flasin më gjuhën shqipe, gjë që rrezikon shuarjen përfundimtare të këtij folklori.

Jam falënderuese ndaj banorëve të fundit që flasin mjaftueshëm shqip sa për t’u kuptuar, e të cilët ishin pjesë e katër rrëfimeve nga fshati i vetëm shqiptar në Bullgari, Mandrica, një fshat katër shekullor që gradualisht po e humb identitetin shqiptar, bashkë me kujtesën individuale dhe kolektive.

Exit mobile version