Kreu Opinion Agim Vinca: Mynxyrat e kritikës letrare

Agim Vinca: Mynxyrat e kritikës letrare

Përkufizimi i objektit

Në këtë shkrim do të bëhet fjalë për kritikën recensioniste, e cila është një nga format elementare të mendimit kritik dhe si e tillë qëndron në shkallën e parë të hierarkisë së shkrimit diskursiv. Kritikë recensioniste quhet ai lloj i kritikës që realizohet në mjetet e informimit publik (në radhë të parë në gazetë, pastaj në radio, në televizion apo edhe në revistat e specializuara për letërsi) dhe që ka për detyrë themelore përcjelljen e rregullt dhe të vazhdueshme të produksionit letrar të një letërsie, informimin e publikut lexues lidhur me librat e rinj të poezisë, të prozës, të dramës, të letërsisë për fëmijë apo edhe të vetë kritikës e të shkencës së letërsisë.

Kritika recensioniste, të cilën disa e quajnë gazetareske, publicistike apo edhe kritikë e ditës, ka si formë kryesore të të shprehurit recensionin, prandaj natyra e saj kërkon që ai të jetë i shkurtër, i qartë dhe konciz. Ndonëse dendësia dhe lakonizmi i shprehjes varen prej atij që shkruan, është e dëshirueshme që kritiku aktiv ta ketë këtë veti, domethënë me pak të thotë mundësisht sa më shumë, gjë që praktikohet pothuajse në të gjitha ato mjedise ku ky lloj kritike ushtrohet më me rregull, më me dije e më me kompetencë.

Prej kritikut recensionist kërkohet, në radhë të parë, ta përcjellë flakë për flakë zhvillimin aktual të letërsisë amë, të shkruajë për produksionin letrar të vitit, në atë mënyrë që kritika e tij të jetë reagim i shpejtë, i mprehtë dhe efikas përkitazi me botimet e ditës. Së këndejmi, detyrë parësore e këtij lloji të kritikës, të cilën një kritik dhe teoricien i shquar i kohës sonë (R. Barthes/ Bart) e pati quajtur kritikë-kronikë, është të informojë për daljen e një vepre të re dhe, duke i njohur lexuesit me përmbajtjen, formën, shtresat dhe dimensionet e saj, të bëjë njëkohësisht edhe vlerësimin, të gjykojë për vlerat dhe të metat, për cilësitë dhe mungesat, për atë që sjell apo nuk arrin të sjellë akëcili libër, për peshën dhe cilësinë që ka ai etj.

Me rëndësi është që kritiku, i cili duhet të jetë i pajisur me disa dhunti mjaft të çmueshme e relativisht të rralla, si talenti, invencioni, shija, mprehtësia dhe guximi, ta hetojë frymën e veprës, specifikën e saj, individualitetin e saj; të dijë të gjejë atë që është karakteristike për një autor ose për një vepër, me një fjalë, ta hetojë të veçantën e ta vendosë atë në kuadër të së përgjithshmes së një letërsie.

Kritika: reklamë apo gjykim?

Kjo është njëra nga pyetjet që shtrohen shpesh sa herë që flitet për kritikën letrare të gazetës apo për kritikën letrare në përgjithësi. Nga radhët e shkrimtarëve, por edhe të njerëzve të kulturës, dëgjohen zëra të kundërt lidhur me çështjen se çfarë duhet të jetë kritika letrare: lëvdatë apo qortim, reklamë apo gjykim? A duhet të jetë ajo pozitive apo negative dhe kur duhet të jetë kështu e kur ndryshe?

Në fushën e letërsisë kritiku e luan rolin e atij që ndan të drejtën, të drejtën letrare. Për këtë arsye detyra e tij i përngjan më tepër detyrës së gjykatësit sesa asaj të avokatit. Ka nga ata që i krahasojnë kritikët me policët dhe tagrambledhësit, prandaj thuhet se profesioni i kritikut, i cili te ne thuajse nuk ekziston si i tillë, hyn në radhën e “zanateve” më jopopullore që ekzistojnë.

Kritiku, pra, ka për detyrë ta gjurmojë të vërtetën dhe ta ndajë të drejtën. Ai duhet të jetë i drejtë, i sinqertë dhe objektiv. Por, nga ana tjetër, kritika letrare, jo vetëm sipas teorive më të reja, është një veprimtari që bazohet në gjykimin subjektiv mbi veprën. Kritika është një punë që ushtrohet nga individi dhe, si e tillë, ajo mban vulën personale, individuale, domethënë subjektive.

Si të arrihet atëherë objektiviteti i kritikës letrare? Po të shpreheshim në mënyrë paradoksale, do të mund të thuhej se kritiku duhet të synojë objektivitetin subjektiv. Ç’do të thotë kjo? Kritiku duhet të jetë i pavarur në gjykimet e veta, të mos bjerë nën ndikimin e rrethit dhe të mos mitoset. Ai duhet të jetë i vetëdijshëm për misionin që i është ngarkuar, kur është kritik i “mecenatit”, çfarë te ne është përafërsisht kritiku i “Rilindjes”, dhe të jetë i ndërgjegjshëm për misionin që i ka ngarkuar vetes, gjë që u referohet atyre që me këtë punë merren pavarësisht nga ndonjë institucion, domethënë vullnetarisht e me vetiniciativë.

Si është e mundur që kritiku ta arrijë maksimumin e objektivitetit dhe t’i ekspozohet minimumit të lajthitjeve? Së pari, kritiku duhet të jetë i formuar drejt në pikëpamje letrare (teorike, estetike e kritike), të ketë dije e njohuri të mjaftueshme, e sidomos shije e nuhatje të mprehtë ose, nëse doni, intuitë e invencion.

Së dyti, kritiku duhet të jetë një lexues i kujdesshëm dhe i pasionuar i veprave letrare, një hulumtues i palodhshëm dhe inteligjent i tekstit letrar. Nuk thuhet më kot se kritiku i mirë është, para së gjithash, një lexues i mirë. Sido që të jetë, kritika recensioniste duhet t’i bëjë shërbim të mirë librit, jo duke e lëvduar me çdo kusht, por duke e lexuar dhe interpretuar drejt atë, duke kapur semantikën e veprës dhe, në fund, duke ia dhënë vendin që meriton: as më lart, as më poshtë.

Dy skaje të një litari

Nuk është fjala këtu për atë vargun lapidar të Migjenit nga Kanga skandaloze, ku poeti, kundruall murgeshës, e vendos veten në skajin tjetër të litarit metaforik, por për një konflikt, për rivalitetin e moçëm ndërmjet shkrimtarit dhe kritikut, ndërmjet autorit dhe “tutorit”.

Historia e letërsisë është dëshmitare e goditjeve dhe sulmeve reciproke të këtyre dy taborëve (shkrimtarëve dhe kritikëve), të cilët pothuajse gjithmonë kanë qenë në gjendje lufte dhe vetëm rrallëherë e kanë nënshkruar paqen. Janë të njohura mendimet aspak të favorshme të disa shkrimtarëve të shquar botërorë për disa nga kritikët e tyre ose për kritikën në përgjithësi.

Të gjitha këto gjykime, të dhëna në kohë, vende e kontekste të ndryshme, sillen rreth një pike të vetme: kritika është diçka më minore se vepra; ajo nuk mund ta mësojë atë; vepra i prin kritikës e jo e kundërta; kritika është parazite e letërsisë etj. Pavarësisht nga fakti se letërsia dhe mendimi mbi të janë në marrëdhënie dialektike dhe e kushtëzojnë njëra-tjetrën, ky lloj polarizimi tradicional ndërmjet tyre është pothuajse i pashmangshëm.

“La critique est aisée et l’art est difficile” (Kritika është e lehtë dhe arti është i vështirë), shkruante qysh në shekullin XVIII një shkrimtar francez (Destouches/ Detush), i pakënaqur me kritikën që u ishte bërë veprave të tij. Për më se dy shekuj me radhë ky mendim është përsëritur në forma e variante të ndryshme, të cilat takohen në një pikë: lehtë është të gjykosh, vështirë është të krijosh.

Por historia e letërsisë na dëshmon edhe një gjë tjetër, që i bie ndesh këtij mendimi për kritikën: numri i shkrimtarëve të mëdhenj, pothuajse në të gjitha etapat e zhvillimit të letërsisë, ka qenë më i madh sesa ai i kritikëve të mirë. Një ligjësi e tillë nuk përjashtohet as në zhvillimin e letërsisë shqipe, madje as në kohën tonë, kur atë e karakterizon një dinamizëm dhe intensitet i paparë më parë.

Çka tregon përvoja jonë?

Por t’i kthehemi temës së bisedës: kritikës gazetareske, publicistike apo recensioniste. Është e qartë se kritika jonë recensioniste (e parapëlqej këtë term, për disa arsye), sikurse edhe mbarë kritika jonë, nuk arrin ta përcjellë sa e si duhet momentin tonë letrar, as të vendosë kontakte më të qëndrueshme me lexuesin, të cilit, njësoj si letërsia, i drejtohet.

Shkaqet e ngecjes së kritikës sonë letrare, pati shkruar jo fort moti një kritik yni (R. Qosja), nuk janë vetëm individuale, por edhe institucionale. Deri më tash vetëm gazeta “Rilindja” i ka bërë vend dhe e ka ushtruar në mënyrë të rregullt kritikën recensioniste, kështu që një pjesë e veprave të botuara janë përcjellë vetëm me ndonjë recension të shkruar shkel e shko në faqet e kësaj gazete ose kanë mbetur fare pa të, gjë që e dëshmojnë, ndër të tjera, edhe disa nga titujt për të cilët bëhet fjalë në këtë libër.

Nga ana tjetër, punën e kritikut në të përditshmen tonë, e cila vetëm një herë në javë rezervon një kënd të veçantë për rubrikën “Në botën e librit”, e kanë ushtruar njerëz që, në të shumtën e rasteve, nuk e kanë pasur as përvojën, as përgatitjen dhe as përkushtimin e duhur për këtë punë.

Mjetet e tjera të informimit e, për çudi, edhe periodiku ynë letrar, nuk i kanë kushtuar kujdesin e merituar kësaj forme kritike; nuk e kanë kultivuar me rregull, nuk e kanë nxitur e as inkurajuar. Ka munguar, pra, një qëndrim më konstruktiv dhe një politikë më parimore ndaj institucionit të kritikës si aktivitet krijues nga ana institucionale, gjë që është reflektuar edhe te faktori subjektiv.

Nga ana tjetër, pjesa dërrmuese e kritikëve tanë më me përvojë, të cilët një kohë të gjatë kanë qenë mjaft aktivë në këtë lëmi, kanë hequr dorë thuajse përfundimisht nga ky lloj kritike, qoftë pse i janë kushtuar historisë së letërsisë, qoftë pse kanë heshtur fare. Ndërkaq, një pjesë e kritikëve më të rinj merren më tepër me teorizime, me çështje të interpretimit, pa e provuar thuajse asnjëherë veten në interpretimin e veprave konkrete të letërsisë shqipe.

Më duket se në mjedisin tonë është i pranishëm edhe mentaliteti se kritika recensioniste është një zhanër më minor se llojet e tjera të mendimit kritik dhe se të merresh me të do të thotë t’i ekspozohesh rrezikut të komprometimit intelektual. Një pikëpamje e tillë është e papranueshme, sepse e përzien kriterin e llojit me atë të vlerës. Në letërsi, e edhe në kritikë, gjithçka varet nga mënyra se si shkruan e jo nga ajo çfarë shkruan; pra, ekziston hierarkia e vlerave e jo hierarkia e llojeve.

(1978)

Exit mobile version