Kaman Aliko ka realizuar kryerole në opera si ai i Don Basilio, tek opera “Il barbiere di Seviglia”, Gjon Flamura në operan “Skënderbeu”, Gjinin tek opera “Mrika”, Nourabad në operan “Peshkatarët e perlave” për të kaluar tek opera “Toka jonë”, “Borana”, “Carmen” “Traviata”, “Rigoletto”, “Tosca” etj.
Kaman Alikon e kam vështruar për herë të parë me njëfarë habie në korridoret e ish-Institutit të Arteve (sot Universiteti i Arteve), atëherë kur kurioziteti djaloshar i një 18-vjeçari endej nëpër ato korridore, klasa e salla, me sy, me veshë dhe me çdo shqisë tjetër, duke përthithur gjithçka që mund t’i zbulonte të ardhmen e vet, i bindur se që nga ai qershor i largët i vitit 1974 e në vazhdim, ato korridore me dhoma të larta do të bëheshin “shtëpia” tjetër, plot dritë e hije, e së ardhmes së tij të afërt.
Pikërisht aty, në ato korridore dhe te dy ulëset prej betoni pranë ish-klasës së pedagogëve, në katin e dytë të asaj godine unike për çdo student që është formuar aty, mbaj mend vagëllimthi se dëgjova dhe u tërhoqa padashur nga një zë basi i thellë, i cili i fliste, herë me shaka e herë me respekt plot adhurim, një ikone të largët të belkantos shqiptare të atyre viteve, tenorit të shkëlqyer dhe profesorit Gjon Athanas, këngëtarit trupmadh, imponues e me zë brilant, të cilin e kisha admiruar vite më parë në rolin e Skënderbeut, në operën me të njëjtin emër të kompozitorit të paharruar Prenk Jakova.
Ai zë basi i thellë, të cilin ende nuk e njihja, ishte pikërisht Kaman Aliko, një zë i shquar i klasës së kantos dhe liriku i ardhshëm i operës shqiptare. Me profesor Gjonin përshëndeteshim herë pas here; unë e admiroja për zërin e tij të bukur dhe figurën po aq mbresëlënëse që krijonte në skenë, ndërsa ai më dërgonte të fala për prindërit e mi, me të cilët e lidhte një respekt i ndërsjellë.
Me Kamanin nuk njihesha dhe, sa mbaj mend, ishte pikërisht ai takim nga i cili lindi e u rrit një miqësi e fortë dhe e sinqertë njerëzore, e cila na shoqëroi deri në “ikjen” e tij të dhimbshme e të parakohshme.
Detaji i parë i afrimit të asaj miqësie ishte shtatori i largët i vitit 1974, kur ndiqnim të njëjtin kurs studimi, ndonëse në degë të ndryshme, dhe uleshim pothuajse gjithmonë pranë njëri-tjetrit, në rreshtin e fundit të klasave ku zhvilloheshin leksionet e përbashkëta. Detaji tjetër ishte afërsia e datëlindjeve: ai më 13 korrik, unë më 15. Pastaj erdhën edhe të tjera: afërsia e shtëpive tona, pasi ai banonte në një bllok pallatesh pranë pallatit tim; afërsia e familjeve, si edhe respekti i ndërsjellë mes vëllezërve Aliko, sidomos profesorit Haxhi Aliko, vëllait të madh, dhe xhaxhait tim të ndjerë e të paharruar, Aleko Xoxa, ish-profesor i Institutit të Lartë të Kamzës.
Nuk ishim bashkëmoshatarë. Na ndanin shumë hollësi, si njerëzore ashtu edhe profesionale. Por sot, pas kaq shumë vitesh, mendoj se ajo që na bëri bashkë ishte ana humane: mirësia e brendshme që e shtyn njeriun të bëjë mirë; qëndrimi që mban përballë asaj që e quan të drejtë apo të padrejtë; ai këndvështrim i padukshëm që i afron njerëzit pa e ditur e pa e kuptuar pse, edhe kur në shumë drejtime të tjera nuk përputhen.
Kaman Aliko i filloi seriozisht studimet e kantos dhe ushtrimin e këtij profesioni në një moshë relativisht më të madhe se ajo që konsiderohet normale. Si shumë të tjerë, nuk vinte nga një shkollë me profilin profesional që ndoqi më pas. Disa, me përpjekje dhe vështirësi të panumërta, ia dolën të dilnin në breg dhe të krijonin figurën e tyre në skenën e Operës, e cila nuk është aspak e lehtë. Përkundrazi!
Por Kamanit natyra i kishte dhënë një dhunti të veçantë: një zë basi të thellë, që pakkujt i jepet në jetë. Bashkë me të, i kishte dhënë edhe natyrën e një artisti me ndjeshmëri të hollë dhe me një dëshirë të madhe për arritje, të cilën jo të gjithë ata që e kanë njohur e kanë kuptuar plotësisht. Unë e kam njohur, sepse kam punuar me të për vite me radhë, si pianist solist dhe koncertmaestër në Operë. E kam shoqëruar dhjetëra herë në koncerte gjatë sezoneve artistike. E kam shoqëruar gjithashtu në procesin e përvetësimit të roleve kryesore operistike, së bashku me kolegë të tjerë, si Nermin Daja, Lili Tafaj etj.
Kaman Alikon e kam njohur nga afër dhe mund të flas e të shkruaj gjatë për të, sepse jam rritur profesionalisht krah tij. Ai filloi punë në Operë një vit përpara meje, sepse kursi i tij i kantos, i nisur njëkohësisht me kursin tim, ishte trevjeçar, ndërsa i imi katërvjeçar.
Por dua të ndalem këtu dhe ta shoh Kamanin jo më si mik, shok studimesh apo koleg institucioni. Dua ta shoh me syrin e artistit që vlerëson artistin; me syrin e njeriut që përpiqet të peshojë vlerat, sukseset dhe mangësitë e një kolegu. Dua të përpiqem ta shoh Kaman Alikon përmes asaj që ai la në skenë.
Kur mendova t’i vija titull këtij shkrimi ende të paplotë, në mendje më erdhi menjëherë fjala “humbës”. Jo për humbjen e parakohshme që pësoi familja e tij, edhe pse ajo ishte e madhe. As për humbjen që ndjenë miqtë, kolegët dhe të afërmit që e deshën dhe e respektuan.
M’u kujtua kjo fjalë, sepse humbësi më i madh ishte vetë ai.
Me largimin e tij në kulmin e pjekurisë artistike dhe të forcës së zërit, ai humbi pikërisht atë që do të vinte më pas. Nëse jeta e tij njerëzore mund të konsiderohet e shkurtër, jeta e tij artistike ishte pothuajse tragjikisht e shkurtër dhe e ndërprerë. Të gjithë njohim raste kur jeta artistike e një liriku të shquar ndërpritet nga një fat i pamëshirshëm.
Nuk po flas vetëm për raste shqiptare, por edhe për raste botërore. Emra të mëdhenj, si basët Shalyapin, Ghiaurov, Ghiuselev, Talvela, Siepi e Moll, apo baritonët e thellë (bas-baritonët), si Hvarostovsky, Romey, Terfel etj., janë shembuj që flasin e dëshmojnë se jeta e një artisti lirik, bas apo bariton, mund të jetë e gjatë, aq sa zgjat jeta e artistit. Pra, në shumë raste, kemi këngëtarë me jetëgjatësi deri në 70–75 vjet, ndërsa, në raste të tjera, ndërprerja e parakohshme dhe e dhimbshme e jetës sjell edhe ndërprerjen e karrierës, si, për shembull, në rastin e Talvelës dhe të Hvarostovskyt, të cilët u ndanë nga jeta dhe karriera në moshën 50–54 vjeç.
Në këtë kuptim, ndarja e Alikos nga jeta pa mbushur 50 vjeç përbën një rast tipik e fatkeq të ndërprerjes së jetës dhe të karrierës, çka e kategorizon atë si një “humbës” të madh!
Janë të shumta rastet që kanë lënë pas plagën e një humbjeje të madhe për artin dhe për vetë artistin. Por ndërprerja e rrugës artistike në atë moshë e vendos Kaman Alikon mes atyre rasteve të rralla kur jeta nuk e lejon karrierën të përmbushë misionin për të cilin krijohet fizikisht një “zë” i rrallë, por pamundësia jetike e ndërpret karrierën dhe nuk e lejon zërin e rrallë të ketë edhe jetën artistike që i takon.
Që në rolin e Kryepriftit Nourabad, në operën “Peshkatarët e perlave”, që ishte roli i tij i parë në skenën e Operës shqiptare, dalloheshin qartë bukuria dhe harmonia e zërit. Zëri i thellë i kryepriftit të tempullit, në këtë operë, vjen si një jehonë nga një hapësirë pothuajse mbinjerëzore. Dhe këtë ndjesi Nourabad-i i Alikos e përcillte në mënyrë mbresëlënëse.
Së bashku me interpretuesit e tjerë të asaj vepre — Inva Mula në rolin e Lejlës, Kastriot Tusha në rolin e Nadirit etj. — ai kontribuoi në një realizim që la mbresa të thella, jo si një përpjekje për të përsëritur suksesin e madh të vitit 1964, me të papërsëritshmit Nina Mula, Gaqo Çako, Avni Mula, Ramiz Kovaçi dhe Lukë Kaçaj, por si një sukses më vete i një brezi të ri artistësh në skenën e Teatrit të Operës.
Më pas, Kaman Aliko realizoi role të rëndësishme, si Don Basilio në “Berberi i Seviljes”, si dhe personazhe që mbeten gjatë në kujtesë: Il Commendatore në “Don Giovanni”, Sparafucile në “Rigoletto”, Scarpia në “Tosca”, Morales në “Carmen”, Marchese d’Obigny në “La Traviata”, Gjon Flamura në operën “Skënderbeu”, Gjini në “Mrika”, Meti në “Toka jonë” dhe Tregtari venedikas në “Borana”. Megjithatë, rolet që Kaman Aliko i skaliti më fort në kujtesën e spektatorit dhe të kolegëve mbeten Don Basilio dhe Sparafucile.
Vlerat skenike dhe operistike të Alikos formojnë figurën e një personaliteti të veçantë artistik. Rolet e tij i përkasin atyre që në kinematografi quhen “role karakteri”. Ky tip personaliteti artistik përmbledh disa veçori të dallueshme: figuracionin dramatik e tragjik, ngjyrimin e veçantë të zërit, fizionominë imponuese dhe aftësinë për të krijuar personazhe me peshë të madhe skenike.
Trupi i tij i gjatë e kockëgjerë, zëri i thellë i basit, fizionomia tragjiko-dramatike dhe teknika vokale ishin të orientuara natyrshëm drejt roleve të forta karakteriale. Zëra si ai i Alikos, pa bërë krahasime të panevojshme me Lukë Kaçajn apo Mentor Xhemalin, nuk janë krijuar për çdo rol basi. Ata duken sikur janë lindur posaçërisht për personazhe si Don Basilio, Sparafucile, Commendatore, Inkuizitori i Madh në “Don Carlos”, Rocco në “Fidelio”, Princi Gremin në “Eugjen Onjegin” dhe shumë të tjerë që vazhdojnë të jetojnë në skenat lirike të botës.
Një bas i thellë nuk është një zë që formohet lehtë. Përkundrazi, ai arrin pjekurinë e tij të plotë pas dekadash pune dhe përvoje skenike. Është një nga ato kategori zërash që plaken më ngadalë dhe që ruajnë gjatë karakteristikat e tyre themelore. Për këtë arsye, karriera e vërtetë e një basi të tillë shpesh fillon pas moshës dyzet apo dyzet e pesë vjeç dhe mund të vazhdojë për shumë vite, deri në fund të jetës artistike e njerëzore.
Por pikërisht këtë mundësi jetike për të jetuar dhe për të ndërtuar një karrierë të ndershme profesionale Kaman Aliko nuk e pati. Mundësitë dhe dhuntitë e tij ishin të tilla, sa mund ta kishin shndërruar në një këngëtar të madh. Ndoshta jo domosdoshmërisht botëror, sepse, në kushtet e një sistemi krejtësisht të mbyllur, që ngjante me një “kamp përqendrimi” të padiskutueshëm, Kaman Aliko, si artist i formuar brenda atij sistemi, ishte i detyruar t’i bindej një diktati dhune dhe ligji, i cili penalizonte rëndë çdo artist të madh apo gjenial që kërkonte të dilte jashtë atij “kuadrati” gjeografik për t’u matur e për të ndërtuar një karrierë përkrah artistëve të mëdhenj të botës.
Shembujt janë të shumtë dhe aq domethënës, sa mund të mbusheshin arkiva të tëra me ta, të shpërndarë në të gjitha fushat e jetës, përfshirë edhe artin dhe artistët.
Vitet e fundit të jetës së tij i kujtoj me dhimbje. Kamani nuk ishte njeriu i duhur për t’u rreshtuar verbërisht. Nuk ishte as artisti moskokëçarës, servil apo llapaqen që të pranonte gjithçka pa qenë i bindur në ndërgjegjen e vet.
Pas rënies së skemave piramidale dhe kaosit tragjik të vitit të mallkuar 1997, me gjithë depresionin që ai solli në jetën publike, jo të gjithë qytetarët e këtij vendi, përfshirë artistët, shkencëtarët, akademikët e profesorët, arritën ta përballonin njësoj atë traumë. Jo të gjithë mundën ta kalonin pa plagë që mbeten të hapura dhe që shpesh të çojnë drejt apatisë, dëshpërimit dhe bllokimit të personalitetit.
Pikërisht këtu ndahen fatet e njerëzve: fati i atij që arrin të ngrihet mbi fatkeqësinë dhe fati i atij që rrëshqet drejt fatalitetit psikofizik.
Muajt, javët dhe ditët e viteve 1997–1999 i jetova pranë tij si mik i hershëm. Flisnim shpesh. Por në çdo takim shihja tek ai një rënie të ngadaltë drejt dëshpërimit, një tërheqje graduale nga lufta për të rezistuar dhe për të përballuar vështirësitë e jetës së përditshme.
E pikërisht këtu qëndron arsyeja pse e quaj Kaman Alikon një humbës të madh. Jo sepse humbi përballë artit. Përkundrazi. As sepse humbi përballë talentit. Edhe më pak.
Ai humbi përballë jetës.
Me ndryshimin rrënjësor të kushteve të jetesës, me vështirësitë e përballjes me realitetin e ri dhe pikërisht në kulmin e pjekurisë së zërit të tij, ai humbi jetën. Bashkë me të humbën edhe shumë vite krijimtarie artistike, nga të cilat opera shqiptare mund të kishte përfituar ende. Pikërisht për këtë arsye, në kuptimin më të dhimbshëm njerëzor dhe artistik të fjalës, Kaman Aliko mbetet një humbës i madh.



