Kreu Letërsi Bibliotekë “Mëngjes dhe pak natë”, poezi nga Dhimitër Pojanaku

“Mëngjes dhe pak natë”, poezi nga Dhimitër Pojanaku

DUEL ME PIKTORËT

 Degët kanë varur
Hënën,
Dhe parku,
Prej
Mëkatit,

Ka ngrirë.


NGA LAJTHITJET E ERËS 

Mbi rërë gjurma kofshe, barqesh, gjoksi,
Miniatura buzësh, sysh
Era,
Fëmijë e prapë,
I trazon,
Ngatërron,
Përplas.
Era,
E lajthitur,
Luan një lojë makabre gjymtyrësh.


GRINDJA

Na ndoqi ‘dhe në shtrat.
Unë bëj çmos ta zboj,
Lakoj trupin dhe afroj të dashurën,
I vërtis rruazat e fundit,
Por ajo e kyçur shpirtërisht,
S’jep as frymë as nerv.
Dhe grindja,
Prej anëve,

Hyn në mes.


FIQTË DIMRIT

Heshtin si pleq xhuxhër.
Llahtarisin ajrin me damarët anemikë,
Nyje – nyje, 
Xhunga – xhunga.
Askush s’mund t’i risjellë në jetë
Veç serumit pranveror.


YJEVE QË SHUHEN

Ku bini kur u zbraz kupa e qiellit, ku?
Rënçi në det,
Të shuheni menjëherë!
Se është tmerr të vdisni ngadalë,

Qiell duke parë.


LIRISHTET

Rrojnë në parajsë.
Arratisur në vogëli prej fushe
Nga etja për aventurë,
Nga etja për t’u dashuruar, përkëdhelur,
Dhe vetë,
Si sullnaneshat shtrirë,
Mos vuanin një fije, një grimë.
Rrojnë në parajsë.
Për frymëmarrje,

Ekstazën e maleve.


TEJ NË HORIZONT

Fle a ka ngrirë ai lumë shtrirë tej në horizont
                                  ku dielli perëndon,
Lëkurë djalli,
A copë floriri,
Ç`të jetë vallë,
Gravurë apo i gjallë?!


NATYRË E QETË

Muzgu përtyp ditën.
Dremitet.
Nga dera pak e hapur e sobës
Flaka,
Lëpin,
Bojën e mureve.
Askush nuk ngrihet të lëvizë
Ibrikun,
Ku çaji ka terur.
 


BARI I RI

 Është çmendur.
Me hazdisjen e tij të tërbuar dhe token dhe synë
                                     etur për jeshil.
Është çmendur!
I pakti,
Delikati,
Ushqyer me vesë,
Dalldisur me erë,
Kërkon t`u lerë autograf qiejve.
 
Është çmendur!


PARALELE

 Dallga ha shkëmbin,
Malli,
 
Shpirtin.
 
Thellësia mbyt detin,
Dashuria,
 
Njerinë.


NDIHMË SYVE TË MI

Kur gjethet bien e zogjtë shtegëtojnë,
Udhëtarë,
Shkundini nga pemët lakuriq
Foletë bosh.
 
Kur i  shoh m`i  katandisin sytë
Në zgavra terri.


NËNËS

Dhimbja e parë
Si shok,
Kaloi.
 
Tani,
Në krejt qenien time,
Mungesa jote,
 
Dalton
Me nge,
 
Boshllëkun e vet.


FANTAZI

Dhjetëra  dallëndyshe
Krejt të pira, krejt të marra,
Grabitën apartamenteve pallto, gëzofë, kapa, pizhama
Shojtën zjarret,
Dhe shkuan.
Si kusare u strehuan në fole.


URAT E VARURA

Lëkunden e lëkunden,
Mëdyshen e mëdyshen,
Herë u shfaq dashurinë njëri breg,
Herë bregu tjetër.
Por ato s’japin fjalë, S’bëjnë rivalë brenda një fisi,
Dhe hiqen sikur,
Lëkunden,
 
Sikur,
Mëdyshen.
 


PAUDHËSI

Qielli i verës,
                    mërzitur nga i njëjti qiell   
                                            rrëshqiti hatullave
Dhe puth si i çmendur errësirën e virgjër, naive.
 Qielli i verës,
Ai,
I kulluari,
Bën paudhësi hatullave.


NUDO VERE

Shtrirë,
I pozon qetësisë.
 
Një xham shejtan,
I vetmi mëkatar,
Gëzon hiret e saj.
 
Të linjtat,
Si guacka bosh,
 
Rrëshqasin dyshemesë.


SHTATZËNAT

E braktisën kujdesin vajzëror.
Ecin rëndë – rëndë si pallonj, amazona
Kanë një shpërfillje ngacmuese ndaj burrit,
Si ftesë për dashuri të re.
 
E harruan veten ca nga ca.
Janë sy e veshë tek i vogëlthi,
tek princi a princesha
Që ua ka stolisur barkun,
                                   folenë breznore.
 
Ecin rëndë – rëndë si pallonj,
Amazona.


MALEVE TË ZHVESHURA

Kot mbaheni të paepur, pa ndjenjë,
Polarë ndaj ajrit ngacmues dhe netëve me hënë.
Mjaft me këtë pamje të rremë!
Luginat thonë
Se shpesh,
Shumë shpesh,

Ju krisni si qelq.


NJË SHAKA ME LUMENJTË E DRITËS

Kush u tha se qëllimi i parë i ndaljes suaj është drita?
U kanë gënjyer!
Pritat,
Një çlodhje për turravrapin e çmendur,
Pritat,
Një kamping stërvitje për t’u hedhur kokëkalipuçkë, si ujëvarë.
Pastaj…
            në fund fare 
Vjen

Drita.
 


NET ZAGUSHIE

Trupa gjysëm të zhveshur.
Çarçafë shuk, vërtitur nëpër shtretër.
 
Era,
Prej djerse
Ka ngordhur.
 
Lart,
Një qiell cinik,

U bën fresk yjeve.
 


REBELET E RREMË

I urrej ata lumenj që droguar nga dimri e stuhitë,
Pasi kanë braktisur shtratin,
Pasi kanë dashuruar verbërisht,
Pasi me rrebelim kanë marrë shpagim
                                          për gojën e kyçur e shpirtin e ndrydhur,
Pasi kanë përqeshur fatin e keq,
 
Kthehen pendimtarë

Në shtratin e pare.
 


MËSHTENKAT

Ju zhveshën dimrit
Si vajzat plazheve.
Dhe feks trupi i tyre prej drite,
Lëmimi,
 
Feks shpirti delikat.
 
Tash,
Prej kësaj mrekullie,
Vjeshta e vdekur,
Dhemb më pak.
 


INDIFERENCË SHEKULLORE

Dielli rrëshqet mbi mal, det,
Gjakoset,
Vuan,
Ne s`lëvizim,
I kthejmë kurrizin 
Vetëm se dimë që do të lindë nesër,
 
Ai vuan,
Ne puthemi me muzgun.


GRUSHTE NATËS

Bulkthat e zgjojnë,
Plakat e bezdisin,
Macet e gërvishtin,
Qentë e kafshojnë,
Dashnorët e zhveshin,
 
Dita e mbyll manastireve.


JETË NGA BUJTINA E KALÇIUMIT

Mbi bar,
Qetësi e vdekur.
 
Nën bar,
Kërkëllitlja e kockave  dërrasave, këpucëve,
Tringëllima e vëthëve, unazave.
 
Mbi bar,
Qetësi e vdekur.
Nën bar,
Tringtringët.


MËNGJES DHE PAK NATË

Ka zbardhur.
Në një cep të shtratit të madh,
Këmisha jote e natës,
Hedhur çkujdesur,
 Ende ngroh.

Poezitë janë përzgjedhur nga libri “ Mëngjes dhe pak natë” sh.b. “Dituria” Tiranë 1993. (red. P. Ymeri)

Exit mobile version