Kreu Intervista Me Dom Nikë Ukgjinin për mjedologjinë, familjen e gazullorëve dhe Kuvendin e...

Me Dom Nikë Ukgjinin për mjedologjinë, familjen e gazullorëve dhe Kuvendin e Arbnit

Dom Nikë Ukgjini është meshtar katolik me formim të thelluar në histori; shqiptar i Malit të Zi i cili prej dekadash shërben në famullinë e Kuklit, vendi ku shërbeu edhe Ndre Mjeda e ku u shkrua pjesa më e madhe e krijimtarisë së tij. Dom Nika ka punuar pareshtur për ringritjen e ndërtesës ku ka jetuar Mjeda dhe kishës pranë duke krijuar kështu Qendrën Muzeore “Ndre Mjeda” në kuadër të së cilës bëhen disa aktivitete si Ditët e Mjedës dhe botohet një revistë shkencore, “Mjedologji”.

Së fundmi, Ukgjini ka bërë të mundur realizmin e Kompleksit Përkujtimor të Gazullorëve si dhe, falë këmbënguljes së tij, po rindërtohet Kisha e Shën Gjon Kryepremit në Mërqi të Lezhës, vendi ku u mbajt Kuvendi i Arbnit më 1703.

bisedoi Andreas Dushi

A.D: Dom Nika, prej vitesh me radhë i jeni përkushtuar rinxjerrjes në dukje të personalitetit shumëdimensional të dom Ndre Mjedës. Me vështirësitë e zakonshme, shpesh në heshtjen e bezdisshme të atyre që mund e duhet t’ju ndihmonin, ja keni dalë të çoni thuajse nga asgjëja një kompleks fizik të Mjedës si dhe një tjetër shpirtëror – kulturor me një korpus botimesh cilësore. Cila qe shtysa fillestare dhe ku e gjetët forcën për ta përfunduar gjithë këtë projekt?

N.U: Me ardhjen time për të vepruar në famullin e Kuklit në vitin 2007, krahas ëndrrave të mia që të bëja shkencë në fushën e historisë, këtu më lindi dhe një “ëndërr” tjetër e madhe, për të filluar punimet në rikonstruksionin e Kompleksit “Ndre Mjeda” në fshatin Kukël, komuna e Bushatit.

Meqë, Kisha dhe shtëpia (qela) ku ruhet pjesa më e madhe e jetës së poetit të “Vajit të bylbylit”, “Shtegtarit”, “Tringës”, “Shkodrës”, “Lissus”, të projektuara dhe punuara nga ai vetë, ishin në degradim e sipër nga sistemi komunist, për shumë vite u përpoqa të gjeja rrugëdalje.

Pas shumë kërkesave për gjetjen e donatorëve që do ndihmonin në investimin e këtij projekti të hartuar nga ark. Zef Çuni,  më në fund ajo u arrit duke bërë të mundur fillimin e punimeve në qershor të vitit 2011. Ata, të cilët i dhanë shtytje fillimit të punimeve janë mërgimtarë të Kuklit në Itali dhe ata nga Kosova e Mali i Zi, që jetonin në Amerikë, e të tjerë,  cilët edhe pse jetonin larg, mbeten dashamirës të atdheut. Nga Shkodra duhet veçuar, sipërmarrësin  Z. Gjergj Leqejza, i cili mbeti bashkudhëtar i imi në shtigjet restauruese të objekteve të tjera kulturorë gjatë viteve në vazhdim. Kisha e poetit e ndërtuar në vitin 1913 dhe gjithë ambienti përreth si dhe vendosja e shtatores së dom Ndreut në bronz u inauguruan më 1 gusht të vitit 2012. Pas grumbullimit të fondeve të tjera u arrit restaurimi edhe i shtëpisë dhe krijimi i muzeut e ku spikat tryeza e restauruar e poetit,  duke i vendosur në dispozicion të vizitorëve në vitin 2014.

A.D: Një shkencë e re në fushën e filologjisë shqipe është edhe mjedologjia, studimi i Mjedës. Ajo është mbështetur shumë fort nga ju, por kur e diskutoj me miq, të njohur madje edhe persona të fushës, shoh se nuk njihet gjerësisht. Objektin e saj e thamë, Dom Ndre Mjeda. Po pikarritjet më të çmuara cilat janë dhe, mendoni se ajo është aty ku duhet, meriton e mbi të gjitha, aty ku takon?

N.U: Ideja e mbajtjes së takimeve “Ditët e Mjedës” e hedhur nga një grup intelektualësh nga Shkodra u konkretizua në ditën përkujtimore të vdekjes  së poetit, me 1 gusht 2011 dhe  datëlindjes së Mjedës, më 20 nëntor, organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Ditët e Mjedës, të organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Qendra Muzeore Ndre Mjeda dhe Komuna Bushat,  vazhduan të mbaheshin edhe në vitin në vazhdim.

Më 1 gusht 2012, nga këto tri subjekte, u organizua në Bushat Konferenca Shkencore për Mjedën,  më pjesëmarrjen e studiuesve nga Shkodra, Tirana, Kosova dhe Maqedonia. Ndërsa në orët e pasdites në Kukël u zhvillua përurimi i Qendrës dhe i shtatores së Mjedës.  Me këtë rast lindi ideja që krahas krijimit të Qendrës kushtuar poetit, të botohej dhe një revistë e cila do përmbante materiale studimore e kulturore që kanë te bëjmë për poetin Mjeda, duke e titulluar thjesht “Mjedologji”. Numri i parë do startonte në vitin 2014, më botimin e të gjitha materialeve studimore, gjithsej njënjëzet të dala nga Konferenca e vitit 2012, botim i Qendrës se Studimeve Albanologjike e Qendrës Muzeore Ndre Mjeda. Deri tani kemi nxjerrë në dritë pesë vëllime, ku i fundi është kushtuar letërsisë për fëmije të Ndre Mjedës, botim i Qendrës sonë dhe Departamenti të Gjuhës e Letërsisë të Universitetit te Shkodrës. Revista duke qenë prodhim i qarqeve studimore, qoftë më parë i Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe tani i departamentit të lartcituar, ka arritur mjaftueshëm suksesin e vet si e tillë dhe  krahas botimeve të ndryshme të autorëve të tjerë për Mjedën, plotëson boshllëkun e krijuar me vite me dashje apo pa dashje për personin shumëdimensional që aq shumë i dha të mira shqiptarisë.

A.D: Kur u krijua kompleksi muzeal i Mjedës në Kukël, vendbanimin e vendshërbimin e tij, interesi ishte i madh. Studiues, madje edhe turistë apo pushtetarë vinin aty, me dëshirën për t’u thënë të tjerëve se e kishin vizituar. Po tani si e shihni interesin, vijon të jetë i njëjtë, ka rënie (nxitur ndoshta nga harresa e qëllimtë, gjëja më e keqe e mundshme)?

N.U: Në vitin të 100-vjetoritë të ndërtimit të Kishës, realizuar nga poeti Mjeda në vitin 1913, pati aktivitete të ndryshme të organizuara nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Qendra Muzeale Ndre Mjeda dhe Komuna e Bushatit. Ndër të tjera do veçoja më 11 maj  në ambientet e Kishës u mbajt promovimi i 10 vëllimeve të monografisë seriale Mjeda, të autorit Mentor Quku. Puna e palodhur e Mentor Qukut  për Mjedën është vlerësuar si kolosale, sepse ai i ka njohur lexuesit me fusha të panjohura deri më sot, me të cilat është marrë poeti Mjeda.

Qendra Muzeore ka qenë vazhdimisht në vëmendje të vizitorëve të shumtë, nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, nga Shkodra e Tirana, deri tek vizitat e ndryshme të piktorëve, skulptorëve, aktorëve të filmave, studiuesve, diplomatëve të huaj dhe vendas. Qendra është vazhdimisht në fokusin e mediave pamore kombëtare dhe medias së shkruar në Shqipëri dhe Kosovë. Ajo është bërë objekt studimi për shumë studentë nga Universitetet shtetërore e private nga Shkodra e Tirana. Kukli, ku poeti kaloi tredhjet vite të jetës, nga vend i lënë pas dore, tani është shndërruar në një vatër të rëndësime kulturore gjithëkombëtare. Edhe pse poeti Mjeda ende nuk ka një varr, ngritja e kësaj Qendre është një klithmë për strukturat e lidhura me kulturën, shkencën, arsimin, për të qenë sa më të ndërgjegjshëm në përhapjen e kësaj figure të madhe që na nderon para botës së qytetëruar.

Qendra në vitin 2016 është regjistruar si pasuri Kombëtare me emërtim “Shtëpia muze Ndre Mjeda”.

A.D: Pak ditë më parë, nën organizimin tuaj u mbyll edicioni XI i Ditëve të Mjedës që edhe u përmend pak më parë. Si ja ka dalë të mbijetojë kaq gjatë ky aktivitet si dhe, për këtë edicion, cilët ishin ato konkluzione interesante ku u arrit nëpërmjet kumtesave?

N.U: Ditët e Mjedës mbahen që plotë njëmbëdhjetë vite më radhë më program të larmishëm kulturor e jo vetëm studimor. Me ketë rast do veçoja vizitën me 1 gusht të vitit 2016 të pjesëmarrëseve në Seminarin Ndërkombëtarë të 35, për gjuhen, letërsinë e kulturën shqiptare, që organizohet nga Fakultetit Filologjik i Prishtinës dhe Fakultetit Histori-Filologji i Tiranës, ku para studiuesve të huaj qe mbajtur kumtesa për veprën e Mjedës dhe shfaqja e filmit dokumentar “Andrra e Jetës” kushtuar poetit. Pra krahas programeve kulturore e argëtuese, mbahen dhe dy apo tre tema studimore  që lidhen me veprimtarinë e poetit Mjeda. Sivjet me rastin e lindjes së Mjedës, pos prezantimit të pikave muzikore me violinçel, janë shpalosur kumtesa me këndvështrime të ndryshme, mbi Profile Mjedologësh; vlerën letrare të poezisë së Mjedës dhe kontributi i Mjedës në Pavarësinë e vendit tonë 1912. Pra flakadani  “Ditët e Mjedës” jep mundësinë e shkëlqyer për takime të llojllojshme që kanë të bëjnë me jetën kulturore të Mjedës e të shqiptarëve në përgjithësi.

A.D: Si historian, fusha juaj e studimeve të thelluara, keni studiuar gjerësisht ato fije identitare që përshkojnë epokat e ndryshme të Shqipërisë dhe, falë të cilave është arritur të ruhej diçka edhe në mesjetë apo të tjerë çaste tepër të errëta. Si e shihni sot studimin e historisë në tërësinë e saj, analizuar edhe me anë të zbulimeve më të reja? Po për trashëgiminë e kulturës sonë, kujt mendoni se duhet t’i apo t’u jemi më mirënjohës?

N.U: Si meshtar i ri gjatë viteve 1981-1995, shërbeva në Plavë e Guci. Në një vend me shumë pak besimtar katolikë e më një pakicë shqiptaresh të besimit mysliman në krahasim më ata të tjerët që e quanin veten boshnjak, e ku në fakt në rrënjë ishin shqiptarë të islamizuar e sllavizuar në vitet e Kongresit të Berlinit  (1878) e në vazhdim. Që atëherë kuptova se jeta e një meshtari duhet të jetë shumëplanëshe. Në shenjë të ringritjes të identitetit kombëtar, atje në vitin 1984 në qelën e famullisë, ngrita një muze etnografik më shumë eksponantë e ku spikasnin veshjet kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi. Krahas etnografisë në mua u zgjua interesi edhe për fushën e historisë, jo vetëm të asaj zone, por për gjitha trevat ku jetonin shqiptaret në Mal të Zi. Ky zell e kjo nevojë për ta njohur me më thellësi të kaluarën tonë e sidomos atë të mesjetës më mbizotëroi edhe kur erdha në vitin 1995 për të shërbyer në Shqipëri. Puna ime studimore shumëvjeçare në këtë fushë kulmoi më mbrojtjen e doktoraturës pranë Universitetit të Zagrebit në vitin 2002.

Sa i përket situatës shkrimore të historisë, në vitin 2014 qe ringritur një grup pune me studiues vendas e të huaj, pranë Ministrisë se Arsimit dhe Sporti, për rishkrimin e historisë dhe rivlerësimin e figurave kombëtare. Një këshillë i ngjashëm, sa më kujtohet, ka qenë i ngritur formalisht edhe në kohën kur në pushtet ishin të djathtët. Ky këshill tentoi të bëjë një gjë të tillë, duke arritur t’i rishkruajë ca rreshta në librat shkollorë. Ky komision, për shkak të përbërjes se tij, pos zhurmës mediatike të krijuar, nuk arriti që idetë t’i ngulisë në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve këndej dhe andej kufirit. Siç duket, fjala latine “Quot homines, tot sententiae” (sa koka aq mendime), është akoma evidente te ne shqiptarët. 

Tani pas një heshtjeje të gjatë kohore përsëri rizgjohet nevoja për rikomentime e rishkrime të historisë nga një grup pune i ngritur prej Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me studiues edhe nga Kosova, se çfarë dhe si ishte e kaluara jonë dhe roli i figurave kombëtare dhe letrare në ketë drejtim. 


Duke pasur parasysh se historia është shkruar gjithherë nga pala fituese, qeveritë në pushtet apo kushtet rrethanore, është e drejtë dhe e pranueshme që gjërat të rishikohen edhe tani, por në mënyrë sa më të plotë dhe reale. Nuk do ndalesha duke hamendësuar se si ky komision do interpretojë ngjarjet e ndryshme historike, të cilat kanë qenë gjithherë të diskutueshme, por do përqendrohesha te shqetësimi, se si do pasqyrohej në librat studimore e shkollorë roli i Kishës Katolike në historinë e kombit tonë dhe nëse ato shkrime do të jenë reale dhe të paanshme. Të shkruash sa më reale, kjo do të thotë se duhet pasqyruar mirë kontributi i Kishës Katolike në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar sidomos gjatë pushtimeve të Perandorisë Osmane e cila tentoi dhunshëm ta zhdukte nga faqja e dheut Kishën Katolike ndër shqiptarë. Të shkruhet historia sa më reale do të thotë të vihet në pah i gjithë kontributi i klerit katolik gjatë rilindjes kombëtare, si: abat Preng Dochit, Dom Nikollë Kaçorrit, Dom Ndoc Nikajt, Dom Ndre Mjedës, Atë Gjergj Fishtës, Atë Anton Harapit, Atë Gjon Shllakut, Imzot Luigj Bumçit, Imzot Lazër Mjedës, Imzot Vinçenc Prenushit, etj., deri me ardhjen e mbreti Zog në pushtet i cili e “goetizoi” Kishën Katolike, duke i baraspeshuar me tri besimet të tjera, të cilat si institucione realisht kontribuuan shumë pak për nacionalizmin shqiptar. Duke pasur parasysh përbërjen e komisioneve këndej e andej kufirit, ku nuk figuron dhe emri i ndonjë kleriku të Kishës Katolike si ekspert i kësaj fushe, kam frikën se ky rishikim i historisë do përsërisë edhe kësaj here gabimet e komisioneve të mëparshëm. Kështu, historia kombëtare në librat studimorë e shkollorë edhe tani e tutje do vazhdojë të mbetet e zymtë dhe e njëanshme, çfarë nuk e uroj.

Por, duhet të kemi parasysh se “Nihil est veritatis luce dulcius” (nuk ke gjë më të ëmbël se sa drita e së vërtetës).

A.D: Prej kohësh tanimë po punoni në ringritjen e kishës ku u mbajt Kuvendi i Arbrit. Çfarë të veçante ka ky objekt, tek i cili një herë kujtoj se kam vajtur mes një shtegu pylli ndërsa tani kur e vizitova, në ndërtim e sipër, rruga ishte çelur? Kanë ecur punimet sipas pritshmërisë tuaj dhe, edhe sa kohë mbetet për rihapjen dhe rifunksionalizimin e saj?

N.U: Monumentet kishtare historike e kulturore të mesjetës si vazhdimësi e identitetit Iliro- Arbëror,në vendin tonë kanë ardhur dalëngadalë duke u zhdukur e dëmtuar dhe duke u pakësuar në numër. Kanë ndikuar gjatë shekujve luftrat e shpeshta, pushtimet e huaja, tërmetet  etj., por padyshim në dëmtimet e zhdukjen e tyre e ka ndikuar në kohërat e caktuara edhe pakujdesja e njerëzve, mungesa e rezistencës së materialeve të ndërtimit ose të pikturimit. Në shumë raste mbishkrimet e afresket janë mbuluar me suva, janë lyer me gëlqere ose është pikturuar rishtazi sipër tyre etj..

Nder burimet dokumentare historike  të Kuvendit të Arbërit (1703) në veri të Shqipërisë, numërohen rreth 85 objekte kishtare të nivelit ekselent që ishin të dëmtuar nga pushtuesit osman. Sidoqoftë, ndër këto objekte kishtare të mesjetës në veri të Shqipërisë, me ngrehinë të plotë, më shumë gjurme të afreskeve dhe që i kanë rezistuar furtunave të egra të kohërave deri sot janë Kisha e Balldrenit, e Rubikut të shek. XII dhe e Pllanës e shek. XIII.

Pas sistemimit dhe restaurimit me fonde private e jo nga Ministria e Kulturës siç duhej të ishte, të Kishës të poetit Mjeda në Kukël, (2014) kishave mesjetare Monumente Kulture të Balldrenit (2019) dhe asaj të Pllanës, (2020), duke kuptuar rolin që ka në historinë e popullit tonë Kisha e Kuvendit të Arbrit e vitit 1703 në Merqi të Lezhës, bashkë një grup specialistësh hartuam vitin e kaluar projektin për rivitalizimin të këtij Kuvendi Arbëror. Projekti në fjalë do shtrihet në gjithë hapësirën e oborrit të Kishës, reabilitimin e mureve të rrënuara të qelës si dhe vetë Kishës e cila ka pasur një ndërhyrje të thellë në vitin 1996 nga famullitari i atëhershëm Dom Dodë Gjergji.

Punimet edhe tani me fonde private kanë filluar që në muajin maj të këtij viti, duke bëre ndërhyrje restauruese si: vendosjen e çatisë, heqjen e suvatimit të jashtëm, ndërtimin e absidës e të narteksit si dhe sistemimin e oborrit. Në brendësi të Kishës, pos të tjerash do të vendosen dy shtatore prej guri të protagonistëve kryesorë të Kuvendit të Arbrit, papa Klementit XI Albani, me origjinë arbërore nga Laçi i Kurbinit i cili hartoi takimin e Kuvendit të Arbërit dhe shtatorja e delegatit të papatit Imzot Vinçenc Zmajeviqit, i cili mblodhi ipeshkvijtë nga të gjitha trevat shqiptare, nga Tivari e Shkupi, për krijimin e një strategjie për ta mbrojtur popullin nga dhuna fizike, kulturore  e shpirtërore turke.

Punimet do vazhdojnë edhe gjatë viti Jubilar të 320 vjetorit të këtij Kuvendit që do shpallet në fillim vitit që vjen me 14 janar, data kur u mbajt kuvendi.

 Studimi i kishave të mesjetës, konservimi i rrënojave, rikonstruktimi apo ringritja e tyre  është tepër e rëndësishme sepse është koha kur formësohet popullsia arbërore. Ato janë sot për sot dëshmia e vetme për ta njohur më mirë, kulturën, gjuhën, historinë e popullit tonë.

A.D: Gjithashtu vitin e shkuar mbaroi edhe Përkujtimorja e Gazullorëve në Dajç të Zadrimës. Pse ishte kaq e rëndësishme të krijohej kjo hapësirë dhe, a është bërë mjaftueshëm për nderimin e figurave si ajo Gjon Gazullit apo të tjerë me peshën dhe rolin e tij por që për vite me radhë, edhe pas ’90 nuk u përmendën?

N.U: Qendra Përkujtimore kushtuar gazullorëve e përuruar më 30 dhjetor 2021 është një monument mbarëkombëtar që simbolizon klerikët gazullorë më të shquar të Shqipërisë në shekuj.

Në këtë Qendër Përkujtimore, spikat emblema e dom Gjon Gazullit të ri (1893-1927)  deputet edhe në qeverinë e Fan Nolit, bashkëpunëtor me Koliqin, Avni Rustemin, Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtinën, të cilin e vari qeveria zogiste në Shkodër më 5 mars 1927. Po këtu spikat dhe emri i gjuhëtarit të njohur për shkencën shqiptare, dom Nikollë Gazulli (1895-1946), vëllai i Gjonit që u vra pa gjyq nga forcat komuniste në Shkrel të Malësisë së Madhe më 23 mars 1946.

Kjo Qendër mban në gjirin e saj edhe vëllezërit të kohës së Skënderbeut: Gjon Gazulli (1400-1465) astronom, fizikan, matematicien, filozof, shkencëtar i famshëm evropian dhe Pal Gazulli (1405-1470), diplomat, dijetar i shquar, themelues i bibliotekës së Raguzës (Dubrovnikut) dhe disa bibliotekave në Padova të Italisë.

Punimet filluan me 20 gusht dhe përfunduan me 22 dhjetor, 2021. Financimi u bë nga dashamirës të ndryshëm të kulturës shqiptare.

Shkallët përfaqësojnë ngritjen në vite të shqiptarëve, ato librat sipas blloqeve të vendosur përfaqësojnë diturinë e tyre. Secili bllok në dimensione të ndryshme është një enciklopedi më vete, italiane, franceze, angleze etj., për të paraqitur nivelin e madh të njohjeve që kishin këto njerëz të famshëm e të lënë në harresë deri sot. Atje lart në maje është kryqi apo ideali i tyre “Për fè e Atdhe”…

Në mes librave janë disa pllaka të mëdha 60×50, skulptura e gravura të atyre që kanë fotografi ose emrat e atyre që nuk kanë foto. Pak para se të arrij majën e monumentit, ka dy shtylla dorike me kapitel dhe dy drita të mëdha që qëndrojnë ndezur gjithë natën për të ndriçuar veprën e tyre.

Kjo është ideja e këtij monumenti, e thënë shkurt, Gazullorët nga thellësia e shekujve deri në ditët tona.

Papa Klementi Albani

A.D: Dhe sëfundmi, një pyetje për Varret e Rrmajit. Shumë herë, copa të munguara nga mozaiku i historisë janë plotësuar pikërisht prej mbishkrimeve në gurët e varreve. Varret e Rrmajit i kanë mbijetuar një historie të veçantë, nga vendprehje e të vdekurve, në një vend ku vriteshin martirët; nga vend i shenjtë në një vend ku shenjtëria luftohej… A mund të thoni diçka më shumë për to, për histori në, kontekstin, stilin e ndërtimit… përmbledhurazi apo gjerësisht.

N.U: Doja ta filloja këtë shënim për varret e Rrmajt duke iu referuar një artikulli të botuar në Gazetën Shqiptare (dt. 21 prill 2011) nga arkitekti e i njohur Artan Shkreli. Citoj: “Nëse ka një dëshmi të artit ndërtimor, të ngritur në nivel qytetar, ai ndodhet padyshim në monumentet funerale të Varrezave të Rrmajit në Shkodër”… “Në pikëpamje urbanistike, për periudhën e ngjizjes së qytetit post-osman, ajo ka rëndësi të dorës së parë në formimin e idesë mbi formulimin e varrezës urbane në hapësirën shqiptare…”.

Duke parë rëndësinë historike dhe arkitekturore që kanë këto varreza të shek.XVI, Arqipeshkvi Gaspër Thaçi në vitin 1936 ndërmori punën për zgjerimin, meremetimin dhe risistemimin e varrezave si dhe rindërtimin e një Kishe-kapelë të re më funksionale nga ajo e vjetra e cila ishte në gjendje fizike të degraduar. Kjo Kishë-kapelë që ka formën e Akropolit të Athinës si dhe projekti i sistemimit të varrezave u realizuan nga nxënësi i Atë Gjergj Fishtës, inxhinieri Ludovik Zojzi. Puna e finalizuar u inaugurua në vitin 1937 nga vetë Kryeipeshkvi i Shkodrës, Imzot Gapser Thaçi.

Më parë dhe sot flitet për gjurmët tona identitare nga koha e lashtë dhe deri të rilindja  jonë kombëtare. Flitet për varret e etërve dhe gjyshërve tanë të cilët me vetëflijim ringjallën kombin, historinë, gjuhën dhe  kulturën evropiane. Flitet për vendet e shenjtëruara nga kujtimi i burrave e grave që bënë Shqipërinë dhe ruajtën genin tonë nga tjetërsimi. 

Këto figura me shpirt gjenden pranë Hyjit, kurse me trup e hir prehen në Varret e Rrmajt.

Aty prehen familjet e Muzhanëve, Shirokajve, Sumajve, Marubëve, Jubanëve, Jakovëve, etj.,  persona të shquar që bënë emër në fusha të ndryshme në historinë e Shqipërisë: inxhinierët,  Gjovalin Gjadri, Augustin Briot, (projektues i urës se Bunës, prefekturës së qytetit të Shkodrës), Ludovik Zojzi,  Kol Idromeno etj.;  piktorët: Pjetër Marubi, Simon Rrota etj.; muzikologët: Prenkë Jakova, Pjetër Gaci, Leonard Deda etj.; letrarët: Hilë Mosi, Kolë Mirdita, Frederik Rrepshja, Kolë Ashta etj.; mjekët:  Dr. Frederik Shiroka, Terezina Suma e shumë e shumë figura të tjera. Në këto varre prehen eshtrat e klerikëve, krijues të kulturës shqiptare: Atë Giacomo Jungut, Atë Anton Xanonit, Atë Pashko Bardhit, Dom Ndoc Nikajt,  Dom Ndre Zadejës, etj.. Po kjo varrezë mban misterin e eshtrave të Dom Ndre Mjedës, Atë Gjergj Fishtës dhe prelatëve të tjerë kishtarë që dhanë kontribut të paçmuar në pavarësinë e Shqipërisë si Imzot Karlo Pooten, Imzot Pashk Guerrini, Imzot Lazer Mjeda dhe më vonë Imzot Gasper Thaçi. Eshtrat e këtyre të fundit  në vitin 1967 u tërhoqën nga katedralja e Shkodrës për në varret e Rrmajt dhe sikur u zhduken duke mos lënë asnjë gjurmë.

Pas përmbysjes  se diktaturës dhe ardhjes se demokracisë ishte momenti i paharruar kur më 4 nëntor 1990, pikërisht në këto varre u celebrua mesha e parë nga Dom Simon Jubani në praninë e një mase të madhe populli ende të frikësuar. Ishte ky një triumf i Zotit dhe gjakut të atyre që dhanë jetën për një Shqipëri ndryshe.

Me qëllim ruajtjen e vlerave urbaniste dhe marrjes në kontroll të situatës shkatërruese të ndodhur gjatë kohës së demokracisë, kur edhe mund të jenë zhdukur eshtrat e shumë personaliteteve të shquara si të Atë Gjergj Fishtës, dom Ndre Mjedës e të tjerëve, kam ngritur  në këmbë opinionin publik për këto veprime të pashembullta, më një shkrim të botuar në Gazetën Shqiptare dt. 15 prill 2011.

Duke qenë se viti 2015 ishte jubilar, 25 vjetori i meshës së parë të celebruar nga Dom Jubani, u pa nevoja nga famullitari i atëhershëm i Shkodrës Dom Artur Jaku dhe nga unë për kryerjen e disa punimeve të domosdoshme në Kishën-kapelë, murin ballor rrethues dhe marrjes nën kontroll të plotë të varreve. Punimet e kryera u përuruan në festen qendrore të mbajtur me 4 nëntor 2015 në Kishën-kapelë të varreve, në praninë e autoriteteve kishtare nga Vatikani e Shqipëria si dhe  të autoriteteve shtetërore dhe vendore të vendit tonë.

Duke kujtuar gjithë këtë histori shqiptare, kuptohet shumë qartë se varret e Rrmajt janë për ne shqiptarët njëlloj sikurse janë varret e Parisit për francezët, të Romës për Italianët etj.

Exit mobile version