Kreu Letërsi Bibliotekë “Lulja e hidhur”, fragment nga romani i Biser Mehmetit

“Lulja e hidhur”, fragment nga romani i Biser Mehmetit

Gruaja e vet i kishte thënë me zë të mekur: pse tërë natën je ngritur nga shtrati e pastja ke pirë raki!… Si ndodhi që një qingj e kishe prerë e pastaj mishin e tij e kishe hudhur në oborrin e shtëpisë!… Kishte dashur t’i tregonte gruas çfarë kishte përjetuar, po kishte qenë i bindur sikur ajo nuk do t’i besonte. Pak para se të lëshohej mbrëmja i kishte mbledhur plaçkat e pastaj ishte larguar nga shtëpia. Gjatë rrugës gruaja gjithnjë i thoshte: nga kush ke frikë që largohesh nga shtëpia kaq papritur…. Në çastin kur durimi i ishte këputur i kishte thënë gruas: sa herë dal natën në oborrin më duket sikur të vdekurit janë ngritur nga varret e pastaj bëjnë dasmë. Edhe kur hyj në dhomë i dëgjoj zërat e tyre të çjerrë si këndojnë e hedhin valle!… Kam frikë se një ditë do të më thërrasin edhe mua të këndoj e të vallëzoj me ta… Gruaja e tij kishte filluar të shqetësohej për të. Ishte e bindur se i gjori kishte filluar të vuante nga një sëmundje e rëndë… Pas një kohe të shkurtër mora vesh se ishte vendosur në një shtëpi që gjendej në fund të fshatit. Tri ditë kishte bërë jetë të qetë. Ditën e katër qetësia kishte filluar t’i rrënohej. Natën e katër, edhe pse qepallat i mbante të mbyllura, përsëri i kishte parë njerëzit e vdekur si qëndronin në dhomën e tij dhe gjatë gjithë kohës hedhnin valle të çuditshme e këndonin këngë me zë të lemeritshëm. Pas dy muajsh që kishte jetuar në atë shtëpi dikush i kishte thënë: më mirë kthehu në shtëpinë tënde që gjendet te varret… Ishte kthyer i bindur se aty do të mund të bënte një jetë të qetë. Shtatë ditë e shtatë net kishte pritur në vorbullën e një ankthi që ia hante shpirtin të shfaqeshin njerëzit e vdekur, të cilët ngriheshin nga varret sapo nata lëshohej mbi hapësirë. Megjithatë, ata nuk kishin ardhur. Ishte gëzuar shumë që tash e tutje do të bënte një jetë të qetë… Pasi i tha këto fjalë njeriu i panjohur u largua disa metra larg tij sikur të kishte frikë nga diçka. U mundua ta shikonte hapësirën në të cilën gjendej pa dëshirën e tij. Shikimi i vagëlluar i përplasej në do shkurre të thata… Jam i bindur se këtu diku gjenden varret, i tha vetvetes derisa dëshpërimi si një gjapër i ngordhur ia mbështjellte shpirtin… Kishte frikë se koha po kalonte shumë shpejt. Duhej të kthehej në shtëpi para se dielli të shfaqej në një skaj të qiellit. Kishte frikë se shokët do ta dëbonin gruan e tij nga shtëpia, po më parë do ta dhunin me radhë…  U habit kur e pa veten si qëndronte para shtëpisë së mikut të fëmijërisë. Me sytë e vagëlluar i vështronte dritaret e shtëpisë së madhe, i bindur se në njërien prej tyre do ta shihte mikun e tij të dikurshëm… Hapësira e mjegulluar u mbush me zërin e tij, i cili jehonte në të gjitha anët…  Një mendje i tha sikur zëri i tij ishte i dobët, prandaj nuk do ta dëgjonte miku i tij. Ndoshta do të arrinte  deri te driatja, po nuk do të mund të hynte brenda… E pa veten si zuri të lëshohet në vorbullën e një pritjes, e cila e mbështjellte të tërin sikur të ishte një gjarpër i ngordhur. Pritja po bëhej gjithnjë e më rëndë. Në imazh i shihte shokët e tij si trokisinin në derën e shtëpisë, nga ku dilte gruajna e tij duke iu përgjëruar me lot në sy. Doli e rrëmbente gruan e tij e pastaj mundohej ta dhunonte….

    Derisa notonte nëpër humnerën e mbushur me imazhe të ngrira, me sytë që nuk i bënin mirë dritë përpara iu shfaq një grua me flokë të shpupurishura, e cila kishte fytyrë të fishkur… Pse bërtet ditë e natë te shtëpia ime, i tha gruaja me zë të lartë… Mos je i çmendur!… Zëri i gruas iu duk sikur të ishte i trulluar, sikur një erë që frynte nga të gjitha anët e sillte nga varret. Një mendje e marrë i tha: si nuk e kupton që para teje gjendet një kufomë që është ngritur gabimisht nga varret… Të vdekurit mund të flasin edhe pa gjuhë, mund të ecin edhe pa këmbë, mund të shikojnë edhe pa sy… Derisa dridhej nga ethet e një frikës që gjithnjë e më tepër rritej si një lule e hidhur deshi të fliste, po i ngjau sikur i mungonte gju-ha. Diçka i tha sikur edhe ai ishte i vdekur, prandaj mund të fliste edhe pse nuk e kishte gjuhën. Pasi u mundua disa çaste më në fund e kaploi një gëzim i papërshkrueshëm, ngase e kuptoi se ishte në gjendje të fliste edhe pa gjuhë, të ecte edhe pa këmbë… E kërkoj Malok Kodrën… Gruaja, e cila gjatë gjithë kohës sikur mundohej të zgjohej nga gjumi i vdekjes, filloi ta lëvizte kokën disa herë majtas e djathtas. Në fytyrën e saj tërë asht e lëkurë sikur sorollateshin do kujtime të mykura, të cilat kundërmonin një aromë të neveritshme… A je ti Daki K. apo sytë po më mashtrojnë!… Ka njëqind e më shumë vjet që nuk të kam parë!… Sa shumë qenkëshke plakur!… Ndoshta sytë nuk po më bëjnë mirë dritë!… Derisa fjalët e guras, për të cilën edhe më tutje kishte bindje sikur ishte ngritur nga varri, e godisnin në kokë si me çekan, nuk ishte në gjendje t’i thoshte vetes se ato fjalë që i dëgjonte ishin të vërteta. Diçka i thoshte sikur para tij nuk gjendej asnjë grua, po një hije e rrejshme që e kishte trilluar nata që nuk kishte fund… Me zërin që i dridhej nga era që frynte në të gjitha anët mezi arriti të thoshte: unë jam Daki K. he mos qofsha!… Gruaja lëshoi një qeshje të hidhur. Qeshja e saj rrëshiqiti nga fytyra tërë asht e lëkurë e pastaj u lëshua në tokën e ftohtë… Sa po më vjen keq që nuk do ta takosh kurrë mikun tënd të fëmijërisë, i tha gruaja me zë të mallëngjyeshëm… Ka shtatë e ndoshta më shumë javë që është larguar nga shtëpia… Eh, i mjeri burri im!… Ndoshta iu mërzit jeta dhe shkoi në një vend të largët për të vdekur!… Një ditë në shtëpinë tonë erdhi një njeri i panjohur, i cili kërkoi ta kalonte natën në shtëpinë tonë. Kur hyri brenda me zë të brengosur tha: ka shtatë ditë e shtatë net që po udhëtoj nëpër këto fusha e male… Jam nga një fshat që gjendet përtej shtatë kodrave… Fshati ynë është në hall me një ujk, i cili po na e shkatërron jetën!… Kemi kërkuar ndihmë nga shteti, po ai nuk është në gjendje të na ndihmojë!… Jam duke u sorrollatur nëpër fshatra të ndryshme me shpresë se mund të gjej një njeri që është në gjendje ta vret atë ujk të mallkuar!… Fshati ofron një shumë të madhe të hollash për atë që e vret ujkun e mallkuar… Të nesërmen burri im i tha njeriut të panjohur: unë jam në gjendje ta vras atë ujk të mallkuar, madje pa më lëvizur qerpiku fa-re!… Iu përgjërova të mos nisej në atë rrugë të rrezikshme, po nuk më dëgjoi… Pasi mbeta fillikat në shtëpi fillova të jetoj me shpresë se burri im një ditë do të kthehej në shtëpi, po më kot. Stinët janë ndërruar tri e ndoshta më shumë herë e unë ende vazhdoj të shpresoj se ai një ditë do të kthehet. Megjithatë, kam  filluar të frikësohem se ujku e ka hëngër trupin e tij, i cili ka mbetur mbi dhe pa u varrosur… E di që e ke pasur mik të dashur, prandaj t’u kisha lutur ta kërkosh burrin tim, nëse jo të gjallë së paku të vdekur…

    Ngadalë ia ktheu shpinën gruas, e cila dridhej nga ethet e acarit e të frikës. Sapo deshi të kthehet për në shtëpi, kur një mendje e marrë i tha: kjo nuk është rruga nëpër të cilën ke ardhur!… U ndal edhe pse nuk dëshiroi të ndalej… Nuk e di cilës rrugë kam ardhur edhe sikur të mundohem njëqind vjet, i tha vetvetes… Jo, jo, nuk dua të shkoj në shtëpi!… Dua ta gjej rrugën që më shpie në atë fshat, në të cilin ujku i torturon fshatarët… Do ta vras me duart e mia e pastaj do të kthehem në shtëpi me një grumbull me pare! Pasi t’i laj borxhet do t’i kërkoj fëmijët e mi… Ndoshta një ditë në shtëpinë time sërish kthehet lumturia… Zuri të ecte me hapa të ngadalshëm nëpër një rrugë të shkretë, nëpër të cilën nuk shihte asnjë gjurmë njeriu. Në një çast i ngjau sikur prapa i shkonte gruja e mikut, e cila i lutej me zë të përvajshëm që të mos largohej prej saj, sepse kishte frikë të jetonte vetëm në shtëpinë që gjendej afër varrezave… Gjatë natës nga varret ngrihen të vdekurit e pastaj vijnë në dhomën time dhe gjastë gjithë kohës këndojnë me zë të çuditshëm do këngë të neveritshme. Disa prej tyre shtrihen në shtrat afër meje e pastaj bëjnë dsashuri me mua… Kam filluar të dyshoj sikur me njërin prej tyre kam mbetur shtatzënë!… O zot, a ka trishtim më të madh se të mbetesh shtatzënë me një të vdekur!… Nuk e di si do të duket fëmija kur ta lindi!… Sa më shumë që orvatej t’i lëvizte këmbët aq më shumë ato i ngatërroheshin në mes veti. Kur e pa veten afër një lumi, i cili i dukej i shterur, vetëm atëherë e ndjeu etjen si zuri të zgjohej nëpër do rrugë të braktisura… Nuk e di sa ditë nuk kam ngrënë e nuk kam pirë, i tha vetvetes me zë të mekur. Sapo u afrua te lumi që ta shuante etjen që po ia verbonte te dy sytë e ballit, i ngjau sikur mbi suprinën e tij e pa një diell të heshtur, i cili ishte shtrirë gjër e gjatë dhe sikur bënte një gjumë të qetë. Ndoshta gjatë asaj kohe dielli i heshtur shihte një ëndërr, të cilën nuk dëshironte ta shihte. Në atë çast e kaploi dëshira që të shtrihej mbi syprinën e atij lumi të shterur, i bindur se vetëm aty do të mund të bënte një gjumë të qetë, madje gjatë asaj kohe do të shihte ëndërr sikur gjendej në shtratin e dhomës së vet duke bërë një gjumë të ëmbël…

Exit mobile version