Kreu Letërsi Bibliotekë “Mbledhësit e Boronicave”, poezi nga Shqiponja Axhami

“Mbledhësit e Boronicave”, poezi nga Shqiponja Axhami

Shqiponja Axhami

I

Ju duhet ta pranoni
Imagjinatën tonë të zhdërvjelltë.
Ne ishim ai brez që kur na dhimbte koka,
nënat na jepnin një lugë kos me aspirinë.

Sa bënim më mirë,
Lidhnim për mesi telin e aluminit.
Në të varnim kotruvën e kauçukut.
U ngjiteshim kodrinave,
Mblidhnim boronica.

Rreshti i mbledhësve shtrihej gjatë
Në shtatë kodrinat, duke qenë të qartë,
Secili kishte shpatin e vet dhe një udhnajë.

Gjashtë të tjerët e nënës time,
Lidhin me fytyrën drejt majës së kodrinës,
Ndërsa unë më e vogla, i ktheja shpinën majës.

Kjo ishte e çuditshme,
Megjithëse im atë
Disa herë ma bënte vërejtje.

Momenti më i trishtë ishte momenti i dështimit.
Kotruvja ime nuk mbushej plot kurrë
Më të mëdhenjtë më hidhnin në të,
Nga një grusht me boronica, që të mos mërzitesha,
Por unë prapseprapë përlotesha.

II

Flinim në një çadër të madhe ushtrie,
Ishte mahnitës ai kampim dhe pse lodhje.

Por një natë qielli lëshoi një shi të rrëmbyer,
Përronjtë përreth u vursulën drejt çadrës,
Vetëtimat dogjën disa lisa përreth.
U tmerruam…

Të mëdhenjtë më strukën në gji
Poshtë këmbëve tona vërshonin ujë dhe gurë
Kështu për disa orë;
Strukur mbi thasët me boronica,
duke u lutur me shenja..

Të nesërmen, dielli lëmonte
Gjithë atë gërmadhë.
Ne pamë njeri-tjerin në sy
Duhej t’i sistemonim të gjitha
Dhe të ngjiteshim prapë në kodrina
Të mblidhnim boronica.

Atë ditë unë ngjesha
Kotruvën e kauçukut
Bindshëm rreth belit
Dhe mblodha fruta
Me fytyrë nga maja
Duke imagjinuar pa makthe
fashat e stuhive…

Exit mobile version