Kreu Letërsi Bibliotekë Marigonë Kelmendi: Kur loti nuk mjafton (poezi)

Marigonë Kelmendi: Kur loti nuk mjafton (poezi)

Babë, ftohtë Babë

Kalendari rri varur
Gjurmë lë murit kujtesë
Hapa të lehtë me vragat vija
Gjymtyrë të hijesuara drejt diellit
Je ti Babë
Gjithandej hija jote
Libër lirie me heshtjen kuptimplote
Ndalur shikimi kohe epoke
Mbyllur grilave zemërplagosur
Fjala e fundit më mbeti peng
Babë thurur kam trikon e jetës
Times tëndes me stuhi e rrebeshe
Babë
O Babë
Shiu po bie pandalshëm
Drithërij nga të ftohtët
Jo jo drithërij nga mungesa jote
Sa ftohtë pa Ty
Babë

Testamenti

1.

Emër gdhendur trungut
Të gjenit
Mozaik që nuk e tretë dhëmbi
I kohës
Ti fryma ime e zanafillës
Zbutur ma ke uthullën e jetës
Ofshamë kohe dëgjohen aty-këtu
Shpinë për shpinë humnerës
Honeve rrokaqiejve
Je ti që e i dhe rrugë kohës sime
Sy e vesh horizonteve
Ku qielli e toka bëhen një
Atje je ti në fluturim
Ëndrrash realitet
Që i pate me plotni
Tek shtrëngoje dhëmbët
Si plagët një Gjergj Elez Ali i vonuar
Ritualit pa fund dializash
Mos ik kurrë nga e vërteta
Dhembja shërohet me dhembje
A nuk ma përsërisje ditë e natë
Mbaje vath në vesh kudo
Kahdo me këdo
T’i besova fjalët testament
Që i ndiej dhe në gjumë
Herë-herë dhe me makthet e kurbetit
Kur malli për ty merr trajtë
Dore të zgjatur në përqafim
Babi im
O Babi im

2.

Dielli a nuk foli me ne me rreze
Edhe kur kishte re të zeza
Bubullima e stuhi
Tek unë ngadalë tani thaj lotin
Pa ty
Dashuria vuajtja kujtimi rrjedhin rrëke
Vetëm aty ku ka zemër
Jehon babë zëri yt malit
Rrezeve që më prekin në përqafim
Pastaj ik me krenarinë e pakundshoqe
Sepse çelur kanë lulet që në pranverë
Prekur me syrin tënd largpamës
Ua njoh aromën tënde në to
Babë dalë ka Dielli
E mallit tim i fryn era
Aromën tënde e kërkoj vetmisë
Babë zbrit nga qielli
Përqafomë si gjithmonë
Pak po pak e ik
Tani që e di se lodhja nuk të mundon
Po babë po
Më ngushëllojnë Tingujt
Asgjë e askush tjetër
Babë mos lër të perëndojë Dielli
Mbi adresën tënde
Rrugëve të Europës
Lamtumirën tënde në kërkim
Pa përqafimin tonë
Babi im
Babë
O Ba

3.

Ktheje faqen e Diellit që e freskon puhiza
Ngadalë tek vrapojnë lumenjtë pritë pas prite
Ajo ujëvara e zenitit tonë kujtimeshumë
Qeshu me bilurin kuptimplotë
Vrapin e hodha duke ndezur dritën e vetmisë
Një meteor si ti ma zuri pritën
Edhe pak Babë
Veç edhe pak nuk prite zanën
Thëllëzën sorkadhen që aq shumë e deshe
Endem autostradave pa zërin tënd
Ende e kujtoj nënshkrimin
Lëvizjen e më duket që vetëm qesh
Dhimbjet e përditshmërisë i mori fryma
Mëngjeseve kur gdhihem
Mendja zemra e shpirti
Shpirti ky lapidarngrirë
Pret ardhjen e shkuarjen me Ty
Kujtimi im më i bukur
Babë je vetem Ti
Ti
Veç
Ti
Babë

2 shtatori

Ktheva krejt kohën me zemër
Pa mundur të them diç për të qenë
Se desha të ta shoh aureolën
O Hyji im Babë
Me buzëqeshjet që më mungojnë
Korpi yt drejtuar qiellit
Ngadalë bëj hapa jete
Ja erdhi 2 Shtatori Babë
Sot kur duhet e mungon dollia
Dolli do të thotë të ishim bashkë
Po Ti nuk thërret përse kjo nemitje
As Diellin nuk e shoh të lindë me Ty
Më thanë se këndove kur ndaluar qe kënga
Duke ecur Tokës me gjemba
Pa ia ditur pleqërishtes
Se ti gjithmonë mbete i ri
Plot dashuri për jetën
Dashuri Babë Dashuri
Derisa unë fytafyt me realitetin Babë o Babë
Se koha nuk na fali edhe ndonjë ëndërr
Një ëndërr me Ty
Ku dukesh i ri si rinia ime
Babë
Si të them përsëri e përsëri
Të Dua Të Dua Të Dua
Sa botën e vogël të madhe
Kujt t’i them tani
Urime ditëlindja
O Babushi im
Pusho në paqe o njeri i drejtë
Se harruar nuk kam jo
Tek më thoshe pafundësisht
Të dua sa jetën
Sa shpirtin
Sa frymën
Sa dritën e pashuar në sytë e tu
Babë

Diçka më han

Babë
I kam pritur
Të gjitha letrat e tua
Me zemër unë udhëtare
E krenare rrugëve të botës
Sot kur shiu po bie
Më ngjan me ikjen tënde
E Hanë e Hënë Sot Babë
Kam ardhur në punë
Më shkruaje gjithmonë
Synoje suksesin
Po Babë
Punoj eci lexoj
Por Babë
E Hëna me shi
Do të jetë gjithmonë pa Ty
Punoj eci lexoj
Por Babë
S’mund të them
Sa më ka marrë malli
Po kujt t’ia hap zemrën
Secili me orekset e veta
Grykësi e paparë
Babë në punë jam
Por kam mërzi
Si ai splini i Bodlerit
E Hënë sot me lot e shi
E Hënë
E hanë
Diçka më han
Babë

Babë, kthema Diellin

Mëngjesi ka zënë të mos shkëlqejë më
E mua më zërin nuk ma fal kujtimi
Nga mllefi struket zemra ime
Pa dashje lëshoj sërish lotin
Emrat u ndalën Babë pa Ty
Pa qeshjen tënde plot dashni
Tek më thoshe e rithoshe
Ta puthi pak ballin
Edhe të dy sytë
Se më besoje shumë Babi
E unë kurrë nuk ika nga vetja
Me ëndrra u rrita nga Ti
Të jesh ndryshe nuk është e lehtë
Askush nuk e di kush më do
Askujt nuk i thashë kurrë Sa të dua
Ike pa fjalën time pa fjalën tonë
Babi
Babi im i mirë

2.

Babë
Trastat i mblodha me dushk
Gjethe vjeshte me harta
E vija trupi pa ndalur
Babi tregomë si je
Hijes tonë i lindi Dielli
Ferri dhe parajsa me fije
Kalimtarit i thurën lavdi
Ma mbylle syrin e djathtë
E lindjet folën me qiellin
Tregomë si u nda dita nga nata
Dua ta di Babi
A ke pasur dritë a terr
Shiu kaploi rrugën time pa Ty
E unë nuk u ndala
Se ishte amaneti Yt
As nga breshëri
As nga vetëtimat
Derisa Babë
Doli Dielli
Dielli ynë Babë

Forcë

Ka momente
Si ky që sapo më iku
Mbetesh nemitur
Momente kristal
Thyhen e nuk i gjen dot
Thërrmija grimca universi
Babë me mbamendje ishe mirë
Edhe pse mosha sëmundja
Po të qepeshin ditë pas ditësh
E njëditëzaj më the qetë
Më shëro me fjalë
Më rino me sjellje
Ti tani a s’më sheh nga lart
A s’m’i sheh ëndrrat dëshirat
Sa do të doja një nadje me Ty
Në labirintin e bisedave
Kushedi çfarë rrjedhe do të pasonte
Malit detit piedestaleve të mendimit
Falmë pak heshtje
Të ngrij dhembjen
Se kam për të folur shumë
Aq shumë fjalë
Mbledhur në grykë
Që presin të shpërthejnë
Ti e di sa i dua
Ujin Token Qiellin
Mes tyre ajrin
Frymën e jetës
Babë më duhet pak forcë
Të flas e të shkruaj
Me gjithë shpirt
Si shpirti yt i dëlirë
Më fal një moment
Si ky që më iku
Ëndrrës jetës lakmisë
Të mos e harroj kurrën e kurrës
Sepse momentet e kristalta
Jo nuk kthehen
As thyhen
Por strehohen tek ty
I miri më i miri Babi im

Rrugëtim

Të kam thënë
Sa herë kam heshtur
Shumë herë dhe klithur
Pa e ditur Babë
Nëse kam pasur të drejtë
Në padrejtësinë time
Të brishtë

2.

Qesh fëmijë
Babë e çfarë s’të thosha
Ti i qetë
Si tymi që ngjitej oxhakut
Drejt pafundësisë qiellore
Qeshje e gëzoheshe
Me rritën time
Kurrë fshehur s’e ke

3.

Ti Babë Ti
Zemra ime e madhe
Që rrihje për ëndrrat e mia
Ti heroi im i heshtur
Fryma ime e jetës
Që më mësove të mos ndalem
Të mos thosha kurrë
U lodha

4.

Babë o Babë
Ti si Ti
Më flisje me urtinë e pragut
Që nuk e kalon kurrë i huaji
Jo nuk kam guxim
T’i kthehem gurit dheut kroit
Që tok me mua
Të kanë mall dhe Ty

5.

Babë edhe heshtja flet shumë
Si sonte që pikë gjumi nuk kam

6.

Folmë pak për ne
Ta dish
Jemi aty ku doje
Ku dhe ti ëndërroje

7.

Kanë kaluar vite
Po ti
Vetëm Ti
Babë
Sot
Më mungon
Rrugëtimit tim
Dritës së syve Tu
A nuk më thoshe
Përherë

Ike

Jeta posi jetohet
Edhe shkruhet
Pastaj i besojmë fjalës
I besojmë fatit
Derisa dikush nga ne
Gatuajmë të sotmen
Të ardhmen
Ndihmuar dhe nga intuita
Mbamendja nuk më tradhton
Ecjen ndryshe
Askujt nuk i thashë
Gjë prej gjëje
E mbajta mbi supe
Atëherë e sot
Me heshtje përshëndes
Përditshmërinë
Të papriturat
Sepse urrej lamtumirën
Ashtu kështu do të ikim
Babë me Ty e kam
Kujdes shpinën
Mos merr vrull drejt Qiellit
Ktheju ëndrrave
Ti ke pasur shumë të tilla
Shumë Babë shumë
Se jeta ikën
Si një peng
Që të shkrihet në dorë
Më fol pak për dritën
Se terrin nuk e doje
E dua fjalën Tënde
Këtu ku jam
Këtu ku më le

Exit mobile version